Sokol PAJA/
Libri “Editorial” që vjen para lexuesit nga editori i ndjerë i gazetës “Dielli” Dalip Greca, përbën një vlerë dhe risi të madhe në dokumentimin e mendimit kritik, krijues dhe publicistik të z.Greca. Ky libër përmbledh në vetvete një kontribut shkencor dhe publicistik rreth historisë së “Vatrës”, të “Diellit”, vatranëve, të patriotëve shqiptarë e veprimtarëve në mërgatën shqiptare të Amerikës. Nëpërmjet librit “Editorial” publiku i gjërë njihet në detaje rreth veprimtarisë memuaristike dhe publicistike të Editorit të Diellit 2009 – 2021 Dalip Greca, fazave në të cilat ka kaluar “Dielli”, “Vatra”, komuniteti shqiptar përgjatë drejtimit të “Diellit” nga z.Greca.
Me profesionalizëm dhe mjeshtri Dalip Greca e drejtoi “Diellin” për 12 vite dhe la gjurmë të pashlyshme në historinë e “Diellit”, Federatës Vatra e komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dalip Greca ishte një gazetar me profil të lartë, kishte të zhvilluar një aftësi specifike të gazetarisë dokumentare. Nëpërmjet librit “Editorial” vijnë të paraqitura dhe të skalitura editorialet më me peshë në historinë 12 vjeçare të z.Greca që kanë mbajtur gjallë gazetën “Dielli”. Bien në sy shkrimet patriotike për Kosovën,Çamërinë, shqiptarët në trojet etnike e mërgatën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Nëpërmjet eksperiencës së tij të gjatë në media, libri “Editorial” i Dalip Grecës është një libër shumë i arrirë mediatik, publicistik dhe historik. “Editorial” padyshim është një libër që do u vlejë Fakulteteve të Gazetarisë në Shqipëri e Kosovë, studiesve e kërkuesve shkencorë në fushën e medias, shkencave humane, albanologjike e studiuesve shqiptarë në Universitetet e Amerikës. “Editorial” do të jetë një libër që do të na tregojë shumë histori dhe rrëfenja që me stilin që i shkruan Dalip Greca dhe mënyrën sesi ia ka ofruar publikut, tregohet shpirti i madh i Dalip Grecës si patriot, vatran, dokumentues, ekspert i lartë i çështjeve të trajtuara, njohës i shumë fushave dhe mbi të gjitha amanetqar i “Diellit” dhe “Vatrës”.
Falenderim dhe mirënjohje Federatës “Vatra” për botimin e librit “Editorial” që ashtu si me librin “Editorët e “Diellit” në 110 vite histori” përmbush një amanet të Dalip Grecës pas vdekjes për nxjerrjen në pah të krijimtarisë dhe kontributit të tij të lartë në Federatën “Vatra” dhe në gazetën “Dielli”. Falenderim special studiuesve Idriz Lamajt e Dr. Paulin Markut, vajzës së Dalipit Elisabeta Greca të cilët gjatë gjithë kohës ndihmuan në përgatitjen me korrektësi dhe profesionalizëm të lartë të këtij botimi. Mirënjohje redaktores Luljeta Xhediku dhe Adnan Mehmetit që dhanë një ndihmesë të veçantë në këtë botim.
Libri “Editorial” i Dalip Grecës në tematikat e trajtuara dhe kontributin publicistik e historik e bëjnë një vepër të shkëlqyer në historinë e medias shqiptare dhe të mërgatës Shqiptare në Shtete e Bashkuara të Amerikës. Libri “Editorial” i Dalip Grecës për nga mënyra e trajtimit të çështjeve, mënyrës së hulumtimit të fenomeneve, fakteve, dokumentave, analizës së fakteve, trajtimit dhe shfletimit të dokumenteve, perspektivës dhe vendosmërisë për t’iu shkuar deri në fund çështjeve që ngre, e bëjnë një botim me vlerë historike të patjetërsueshme në publicistikën shqiptare.