Nga Skënder Sadri KAPITI/
Kur egoizmi, injoranca, korrupsioni e tradhtia sundojnë dhe zgjedhin elitën politike, akademike dhe demokracinë, drejtësinë, patriotizmin e qeverisjen atëhere individi, kombi dhe sovraniteti i shtetit janë të rrezikuar e të kërcënuar seriozisht.
Egoizmi, injoranca, korrupsioni dhe tradhtia, këto nuk janë tipare vetëm të politikës e të politikanëve shqiptarë, por këto janë të dëmshme kur kapin, mbërthejnë dhe kërcënojnë edhe shoqërinë civile, intelektualizmin dhe mediat.
Egoizmi negativ, injoranca, korrupsioni, servilizmi dhe sahalëpirja politike janë karakteristikë dhe virtyt edhe i intelektualizmit akademik në Tiranë por edhe në Prishtinë. Mjerisht edhe akademikët e profesorët në Shqipëri e Kosovë shumica janë injorantë dhe si doktorë e profesorë të graduar me pameritë, me miq, me ryshfet dhe me mbeshtetje politike të cilët i shërbejnë politikës dhe oborrit të politikës e të pushtetit.
Nuk dëgjohet zëri i tyre kritik kundër fenomeneve e të këqijave politike e kombëtare të politikës, nuk dëgjohet mendimi intelektual i tyre përvecse nga tepër të paktët prej tyre për probleme e shqetësime të tilla si të kufirit detar Shqipëri-Greqi, as kundër politikës për coptimin e Kosovës, kundër Minishengenin, as për korrupsionin, as për mosintegrimin, as për eksodin, as për varfërinë e as për papunësinë.
Edhe akademikët, mediatikët, intelektualët e kryetarët e OJQ-ve, edhe ata që flasin e duken, ata në të shumtën prej tyre nuk flasin pa marrë leje e pa qenë në vijë dhe në një linjë me pushtetin dhe me përfitimin e me interesin material personal. Të tjerë intelektualë rrinë si “qëngja” të urtë dhe qëndrojnë “indiferent e nuk trazojnë” politikën e pushtetin pasi kanë frikë se u hiqen postet e detyrat, por me një finesë servilizmi e djallëzie ata i bëjnë shërbime politikës e pushtetit, pasi politika e pushteti i mban dhe i zgjedh ata.
Politika dhe ky lloj intelektualizmi e profesionalizmi egoist tinëzar, servil e injorant nuk lejon por e pengon dhe madje edhe i përjashton jo vetëm nga karriera politike dhe akademike por ua imponon akademikëve, shkrimtarëve, profesorëve dhe artistëve, pra intelektuailzmit të vërtetë e patriotik që të largohet nga Atdheu.
Pra ashtu si politika dhe mediat, ashtu edhe Akademia në Shqipëri, që ka sot për kryetar të saj një ishministër të kohës së komunizmit ka si trashëgimi shërbimin dhe servilizmin intelektual të akademisë së kohës së regjimit komunist, ku intelektualizmi akademik e shkencor marksist-leninist ishte mbështjellja intelektuale, propogandistike dhe oksigjeni i ishregjimit komunist.
Egoizmi, injoranca, korrupsioni dhe tradhtia kur ato dominojne në një komunitet atëhere aty nuk ka harmoni dhe as dashuri kombëtare, nuk ka respekt, besim e as solidaritet të ndërsjelltë mes bashkëkombasve dhe në këtë gjëndje atëhere edhe patriotizmi e atdhedashuria gjënden vecse si fjalë krenarie, dhe përderisa është kështu dhe prandaj njerëzit vetëm sa largohen nga atdheu prej padrejtësive, prej pasigurisë, prej mosrespektit, prej mosvlerësimit, prej varfërisë dhe prej hakmarrjes e urrejtjes.
Egoizmi, injoranca ,korrupsioni dhe tradhtia e arroganca kërcënojnë patriotizmin dhe konsolidimin e përparimin e Kombit, pengojnë bërjen dhe lartësimin e tij.
Prova më e madhe për patriotizmin, për pushtetin e mirë dhe për patriotët është pushteti dhe paraja, pra prova është se si ata sillen me pushtetin dhe se a i josh, dhe a i korrupton ata pushteti, korrupsioni e paraja.
Patrioti i cili spekulon me patriotizmin dhe me kontributin e vet e që përpiqet që me to të justifikojë korrupsionin, arrogancën dhe hajdutërinë kur vjen dhe kur “rehatohet” me pushtet, me para e pasuri, atij i errësohet logjika, shformohet dhe shpirtligësohet duke rënë nën nivelin dhe më poshtë se zullumqari e tradhtari. Është mjerim për atë shoqëri që ka si “patriotë” kësisoj të këtillësh.
Patrioti i vërtetë është a i cili gjithmonë mbetet shërbëtor i interesave kombëtare, është ai i cili është dhe sillet ashtu si thotë një fjalë popullore:”trimi i mirë me shokë shumë”; është ai i cili nuk mban e nuk zgjedh rreth vete injorantë e servilë, puthadorë e përfitues; është ajo se cfarë ai respekton e mban rreth vetes, dhe se sa tregohet pushteti e pushtetari patriot respektues dhe jo egoist, joinatxhi e joidhnak me patriotizmin,me aftësinë dhe me kontributet e të tjerëve.
Është demokracia e vërtetë ajo e cila përzgjedh elitën drejtuese patriotike, politike, intelektuale dhe juridike të moralshme,të pakorruptuar; elitën e cila gjen dhe e ka interesin e vet brënda atij kombëtar.
Pra, është demokracia e vëretetë dhe ligji demokratik ajo që zgjedh dhe ia beson pushtetin patriotizmit real dhe që ndëshkon injorancën, egoizmin autokratik, arrogancën, mosmirënjohjen, mashtrimin, korrupsionin dhe tradhtinë.
Po të studiohen me qetësi dhe në mënyrë të faktuar e me argumente historike, politike e diplomatike rrjedha e atyre popujve e kombeve të fuqishëm e të lavdishëm të cilët kanë sundur e dominuar epokat historike të lashta, të Mesjetës dhe të kohëve moderne do të konstatohet se ato kombe janë bërë të tilla sepse popujt e tyre kanë mposhtur egoizmin, injorancën, korrupsionin dhe kanë fituar lirinë, demokracinë dhe zhvillimin gjithpërmasor intelektual,kulturor, ekonomik, juridik e të mirëqënies.
Kombet e mëdha dhe të lavdishëm nderojnë, respektojnë dhe u japin vëndin e duhur dhe të merituar patriotizmit, aftësisë dhe atyre individëve të cilët kanë dhënë kontribute dhe që kanë bërë epokë e histori në shëbim të kombit e të atdheut.
Madje ka kombe, popuj e shtete që edhe kanë ngritur kulte, kanë fabrikuar dhe kanë marrë por edhe vjedhur heroj, historira, kultura e vlera të kombeve të tjera dhe i kanë bërë ato të tyret.
Ndërsa fatkeqësisht jo vetëm të sotmen por edhe të kaluarën dhe herojtë politika shqiptare i ndan politikisht, e madje politika shqiptare edhe të kaluarën mundohet që ta ndreqë politikisht,pra aq shumë e politizuar është politika shqiptare dhe shoqëria sa që shqiptarët edhe sot akoma mësojnë historira të paragjykuara e të vlerësuara anshmërisht e politikisht sipas dëshirave dhe interesave të politikës, atyre personale e korruptive..
Jo vetëm kaq por politika shqiptare sot akoma bën e vepron politikisht dhe për interesa të saj në cdo gjë e aspekt shoqëror, shtetëror, filozofik, akademik, juridik dhe ekonomik e demokratik.
Mund të jesh shkencëtar, intelektual, biznesmen, mendimtar, profesionist e patriot, por, po nuk qe i angazhuar e në shërbim të këtij apo të atij krahu politik, po nuk i bëre shërbimin dhe servilin pushtetit kurrë mos t’i shkojë ndokujt në mëndje se ata e kanë të hapur rrugën për të bërë karrierë, për të marrë dhe për t’u vlerësuar kompetenca, aftësia, virtyti e morali atyre që i kanë ato.
Por jo vetëm politika, por te shqiptarët në përgjithsi vihet akoma re inati dhe egoizmi negativ ndaj kompetencës, aftësisë, patriotizmit dhe të suksesit të tjetrit, dhe nëse ke edhe shumë të mira , jo vetëm politika por madje edhe në një masë të konsiderueshme edhe opinioni i infektuar si politika egoiste dhe smira mezi pret që të gjejë një të metë, gabim apo dobësi dhe aty përqëndrohet e godasin me qëllim për të përbaltur individët të cilët meritojnë respekt, nderim e mirënjoje.
Por është edhe kjo, është indiferenca djallëzore dhe hipokrizia, mosmirënjohja, mosrespekti shoqëror dhe mosmbështetja për mbartësit e virtytit, ndershmërisë, moralit, patriotizmit.
Në shoqërinë shqiptare mungon në një shkallë të lartë solidariteti human në shoqërinë civile, pasi nuk ka reagim shoqëror ndaj padrejtësive që shteti, ligji e drejtësia u bën padrejtësi qytetareve.Shoqëria civile është e manipuluar dhe pothuajse është inekzistente dhe patericë e politikës.
Pse shqiptarëve nuk u ndahen vuajtjet dhe padrejtësitë?!
Shqiptarët gjithmonë kanë pasur popujt fqinj armiq të egër e të pabesë. Kjo dihet. Por shqiptarët kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë “armiq” edhe të keqijat brënda vetes , e që nuk po u ndahen ato.
Armiqtë dhe kërcënimi, moszhvillimi e mosprogresi kombit i vjen edhe atëhere kur ai është i infektuar nga xhelozia dhe egoizmi, nga korrupsioni dhe nga tradhtia.
Nëse njeriu dhe komuniteti i një kombi i cili nuk mposht egoizmin atëhere aty jo vetëm pushtetin por edhe shtetin, shoqërinë, moralin, ligjin, drejtësinë, kompetencën dhe dhuntinë e drejton pamerita dhe injoranca.
Injoranca joshet dhe bie shpejt dhe lehtë pre e gënjeshtrave, manipulimeve dhe të mashtrimeve, dhe shumë e shumë më keq akoma është kur injoranca merr dhe forcohet e armatoset me para, me pasuri e me pushtet, atëhere ajo rrëmben edhe kompetencat e talentit,të diturisë e të patriotizmit.
Nëse një popull nuk ndëshkon korrupsionin por pajtohet me të atëhere te ai popull është shumë i vështirë instalimi i drejtësisë dhe zhvillimi e progresi drejt më të mirës, mirqënies, sigurisë dhe pëmirësimit.
Nëse një komb nuk e “vret” tradhtinë, pra nëse nuk e ndëshkon atë por e toleron tradhtinë politikisht atëhere aty sundon e qeveris edhe hipokrizia, gënjeshtra, mashtrimi, korrupsioni të cilat edhe ato janë tradhti.
Dhe kur kjo ndodh vazhdimisht edhe vuajtjet vijnë si meritë.
Nga Skënder Sadri KAPITI,Durrës