• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Egoizmi, injoranca, korrupsioni e tradhtia janë të këqijat që pengojnë kombin

November 13, 2021 by s p

Nga Skënder Sadri KAPITI/

Kur egoizmi, injoranca, korrupsioni e tradhtia sundojnë dhe  zgjedhin elitën politike, akademike dhe  demokracinë, drejtësinë, patriotizmin e qeverisjen atëhere individi, kombi dhe sovraniteti i shtetit janë të rrezikuar e të kërcënuar seriozisht.

Egoizmi, injoranca, korrupsioni dhe tradhtia, këto nuk janë tipare vetëm të politikës e të politikanëve shqiptarë, por këto janë të dëmshme kur  kapin, mbërthejnë dhe kërcënojnë edhe  shoqërinë civile, intelektualizmin dhe mediat.

Egoizmi negativ, injoranca, korrupsioni, servilizmi dhe sahalëpirja politike janë  karakteristikë dhe virtyt edhe i  intelektualizmit akademik në Tiranë por edhe në Prishtinë. Mjerisht edhe akademikët e profesorët në Shqipëri e Kosovë shumica janë injorantë dhe si doktorë e  profesorë të graduar me pameritë, me miq, me ryshfet dhe me mbeshtetje politike  të cilët  i shërbejnë politikës dhe oborrit të politikës e të pushtetit.

Nuk dëgjohet zëri i tyre  kritik kundër  fenomeneve e të këqijave politike e kombëtare të politikës, nuk dëgjohet mendimi intelektual i tyre përvecse nga tepër të  paktët prej tyre për probleme e shqetësime të tilla si të kufirit detar Shqipëri-Greqi, as kundër  politikës për  coptimin e Kosovës, kundër   Minishengenin, as për korrupsionin, as për mosintegrimin, as për eksodin, as për varfërinë e as për papunësinë.

Edhe akademikët, mediatikët, intelektualët e kryetarët e OJQ-ve, edhe ata  që flasin e duken, ata në të shumtën prej  tyre  nuk flasin pa marrë leje e pa qenë në vijë  dhe në një linjë me pushtetin dhe  me përfitimin e me interesin material personal. Të tjerë intelektualë rrinë si “qëngja” të urtë dhe qëndrojnë “indiferent e nuk trazojnë” politikën e pushtetin pasi kanë frikë se u hiqen postet e detyrat, por me një finesë servilizmi e djallëzie ata  i bëjnë shërbime politikës e pushtetit, pasi politika e pushteti i mban dhe i zgjedh ata.

Politika dhe ky lloj intelektualizmi e profesionalizmi egoist tinëzar, servil e injorant nuk lejon por e pengon dhe madje edhe i përjashton  jo vetëm nga karriera politike dhe  akademike por ua  imponon akademikëve, shkrimtarëve, profesorëve dhe artistëve, pra  intelektuailzmit të  vërtetë e patriotik që të largohet nga Atdheu.

Pra ashtu si politika dhe mediat, ashtu  edhe Akademia në Shqipëri,  që ka sot  për kryetar të saj  një ishministër të kohës së komunizmit  ka si trashëgimi shërbimin dhe servilizmin intelektual të akademisë së kohës së regjimit komunist, ku intelektualizmi akademik e shkencor marksist-leninist  ishte mbështjellja intelektuale, propogandistike dhe oksigjeni i ishregjimit komunist.

Egoizmi, injoranca, korrupsioni dhe tradhtia kur ato dominojne në një komunitet atëhere aty nuk ka harmoni dhe as dashuri kombëtare, nuk ka respekt, besim e as solidaritet të ndërsjelltë mes bashkëkombasve dhe në këtë gjëndje atëhere edhe patriotizmi e atdhedashuria  gjënden vecse si fjalë krenarie,  dhe përderisa është kështu dhe prandaj  njerëzit vetëm sa largohen nga atdheu prej padrejtësive, prej pasigurisë, prej mosrespektit, prej mosvlerësimit,  prej varfërisë  dhe prej hakmarrjes e urrejtjes.

Egoizmi, injoranca ,korrupsioni dhe tradhtia e arroganca kërcënojnë patriotizmin dhe konsolidimin e përparimin e Kombit, pengojnë bërjen dhe lartësimin e tij.

Prova më e madhe për patriotizmin, për pushtetin e mirë  dhe për patriotët është pushteti dhe paraja, pra prova është se si ata   sillen me pushtetin dhe se a i josh, dhe a i korrupton ata pushteti, korrupsioni e paraja.

Patrioti i cili spekulon me patriotizmin dhe me kontributin e vet  e që përpiqet që me to të justifikojë  korrupsionin, arrogancën  dhe  hajdutërinë   kur vjen dhe kur “rehatohet” me pushtet, me para e pasuri,   atij i errësohet logjika, shformohet dhe shpirtligësohet  duke rënë  nën nivelin dhe më poshtë se zullumqari e   tradhtari. Është mjerim për atë shoqëri që ka si “patriotë” kësisoj  të këtillësh.

Patrioti i vërtetë është a i cili gjithmonë mbetet shërbëtor i interesave kombëtare, është  ai i cili është dhe sillet ashtu si thotë një fjalë popullore:”trimi i mirë me shokë shumë”; është ai i cili nuk mban e nuk zgjedh rreth vete injorantë e servilë, puthadorë e përfitues; është ajo  se cfarë ai respekton e mban rreth vetes, dhe se sa tregohet  pushteti e pushtetari patriot respektues dhe  jo egoist, joinatxhi e joidhnak me patriotizmin,me aftësinë dhe me kontributet e të tjerëve.

Është demokracia e vërtetë  ajo e cila përzgjedh elitën drejtuese patriotike, politike, intelektuale dhe juridike   të moralshme,të pakorruptuar; elitën e cila   gjen dhe e ka interesin e vet brënda atij kombëtar.

Pra, është demokracia e vëretetë dhe ligji demokratik  ajo që zgjedh dhe ia beson pushtetin  patriotizmit real dhe që  ndëshkon injorancën, egoizmin autokratik, arrogancën, mosmirënjohjen, mashtrimin,  korrupsionin dhe tradhtinë.

Po të studiohen me qetësi dhe në mënyrë të faktuar e me argumente historike, politike e diplomatike rrjedha e atyre popujve e kombeve të fuqishëm e të  lavdishëm të cilët kanë sundur e dominuar epokat historike të lashta, të Mesjetës dhe të kohëve moderne do të konstatohet se ato kombe janë bërë të tilla sepse popujt e tyre kanë mposhtur egoizmin, injorancën, korrupsionin dhe kanë fituar lirinë, demokracinë dhe zhvillimin gjithpërmasor intelektual,kulturor, ekonomik, juridik e të mirëqënies.

Kombet e mëdha dhe të lavdishëm nderojnë, respektojnë dhe u japin vëndin e duhur dhe të merituar patriotizmit, aftësisë dhe atyre individëve të cilët kanë dhënë kontribute dhe që kanë bërë epokë e histori në shëbim të kombit e të atdheut.

Madje ka kombe, popuj e shtete që edhe kanë ngritur kulte, kanë fabrikuar dhe kanë marrë por edhe vjedhur heroj, historira, kultura e vlera të kombeve  të tjera dhe i kanë bërë ato të tyret.

Ndërsa fatkeqësisht jo vetëm të sotmen por edhe të kaluarën dhe herojtë politika shqiptare i ndan politikisht, e madje politika shqiptare edhe të kaluarën mundohet që ta ndreqë politikisht,pra aq shumë e politizuar është politika  shqiptare dhe shoqëria  sa që shqiptarët edhe sot akoma mësojnë historira të paragjykuara e të vlerësuara anshmërisht e politikisht sipas dëshirave dhe interesave të politikës, atyre personale e korruptive..

Jo vetëm kaq por politika shqiptare sot akoma bën e vepron politikisht dhe për interesa të saj në cdo gjë e aspekt shoqëror, shtetëror, filozofik, akademik, juridik dhe ekonomik e demokratik.

Mund të jesh shkencëtar, intelektual, biznesmen,  mendimtar, profesionist e patriot, por, po nuk qe i angazhuar e në shërbim të këtij apo të atij krahu politik, po nuk i bëre shërbimin dhe servilin pushtetit kurrë mos t’i shkojë ndokujt në mëndje se ata e kanë të hapur rrugën për të bërë karrierë, për të marrë dhe për t’u vlerësuar kompetenca, aftësia, virtyti e morali atyre që i kanë ato.

Por jo vetëm politika, por te shqiptarët në përgjithsi vihet akoma re inati dhe egoizmi negativ ndaj kompetencës, aftësisë, patriotizmit dhe të suksesit të tjetrit, dhe nëse ke edhe shumë  të mira , jo vetëm politika por madje edhe në një masë të konsiderueshme edhe opinioni i infektuar si politika egoiste dhe smira  mezi pret që të gjejë një të metë, gabim apo dobësi dhe aty përqëndrohet e godasin  me qëllim për të përbaltur individët të cilët meritojnë respekt, nderim e mirënjoje.

Por është edhe kjo, është indiferenca djallëzore dhe hipokrizia, mosmirënjohja, mosrespekti shoqëror dhe mosmbështetja për mbartësit e virtytit,  ndershmërisë, moralit, patriotizmit.

Në shoqërinë shqiptare mungon në një shkallë të lartë  solidariteti human në shoqërinë civile, pasi nuk ka reagim shoqëror ndaj padrejtësive që shteti, ligji e drejtësia u bën padrejtësi qytetareve.Shoqëria civile është e manipuluar dhe pothuajse është inekzistente dhe patericë e politikës.

Pse shqiptarëve nuk u ndahen vuajtjet  dhe padrejtësitë?!

Shqiptarët gjithmonë kanë pasur popujt fqinj armiq të egër e të pabesë. Kjo dihet. Por shqiptarët kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë “armiq” edhe të keqijat brënda vetes , e që nuk po u ndahen ato.

Armiqtë dhe kërcënimi, moszhvillimi e mosprogresi  kombit i vjen edhe atëhere kur ai është i infektuar nga xhelozia dhe egoizmi, nga korrupsioni dhe nga tradhtia.

Nëse njeriu dhe komuniteti i një kombi i cili nuk mposht egoizmin atëhere aty jo vetëm pushtetin por edhe shtetin, shoqërinë, moralin, ligjin, drejtësinë,  kompetencën dhe dhuntinë e drejton pamerita dhe injoranca.

Injoranca joshet dhe bie shpejt dhe lehtë  pre e gënjeshtrave, manipulimeve dhe të mashtrimeve, dhe shumë e shumë më keq akoma është kur injoranca merr dhe forcohet e armatoset me para, me pasuri e me pushtet, atëhere  ajo rrëmben  edhe  kompetencat e talentit,të diturisë e të patriotizmit. 

Nëse një popull nuk ndëshkon korrupsionin por pajtohet me të atëhere te ai popull është shumë i vështirë  instalimi i drejtësisë dhe zhvillimi e progresi drejt më të mirës, mirqënies, sigurisë dhe  pëmirësimit.

Nëse një komb nuk e “vret” tradhtinë, pra nëse nuk e ndëshkon atë por e toleron tradhtinë  politikisht atëhere aty sundon e qeveris edhe hipokrizia, gënjeshtra, mashtrimi, korrupsioni të cilat edhe ato janë tradhti.

Dhe kur kjo ndodh vazhdimisht   edhe vuajtjet  vijnë  si meritë.

Nga Skënder Sadri KAPITI,Durrës 

Filed Under: Sociale Tagged With: Skender Kapiti

Konsolidimi i pavarësisë dhe demokracisë që përshpejtojnë bashkimin e kombit

October 8, 2021 by s p

Nga  Skënder Sadri KAPITI

Skënder Kapiti: Ngushëllime të afërmëve të atyre që humbën jetën nga  zjarret në Turqi - Bota Sot

Nëse njerëzit e një populli nuk kanë besim te vetvetja dhe nuk janë të ndërgjegjësuar fort për rëndësinë e përkatësisë së tyre kombëtare, atëherë ata mbeten kozmopolit dhe të pushtuar nga ksenomania që është respektimi, imitimi dhe deri dhe adhurimi i gjërave të të huajve, duke arritur qoftë dhe padashje që të bien dhe pre e vullnetit dhe e të këqijave të tyre. Dhe kur shumica prej tyre kanë për kulturë hipokrizinë dhe si moral durimin e të padurueshmes, tolerimin e të palejueshmes dhe sidomos lehtë mashtrimin për pak interes personal, si dhe lehtëmashtrimin nga paraja,joshja dhe korrupsioni , që do të thotë rënia pre ndaj korrupsionit e më pas duke dhe e mbajtur dhe ushqyer atë, si dhe kur njerëzit kanë dhe zbatojnë ndërvete si ligj të pashkruar inatin, egoizmin, tradhtinë dhe hakmarrjen atëherë ai popull lëviz ngadalë si komb. Për konsolidimin e kombit nuk mjaftojnë vetëm geni dhe gjuha e etnisë po duhet që mbi to që janë dhe themelet më të forta të kombit të ndërtojmë Kullën e kombit, shtetkombin e bashkuar që s’ka të përfunduar, pasi pandërprerë kërkohet nga kombi Besimi, edukimi, punë e përpjekje për evoluimin patriotik, moral, material dhe të demokracisë, por të një demokracie që përzgjedh jo një elitë të keqe e të korruptuar ,po që përzgjedh një elitë aristokrate, patriotike dhe fisnike, se ndryshe ajo bën të keqen me mashtrimin dhe korrupsionin. Kryesore dhe parësore për një komb të bashkuar është Pavarësia. Pavarësia është vepra më e madhe që realizon një popull me krijimin dhe bashkimin e tij në një shtet kombëtar, është një ndërgjegjësim i vazhdueshëm i tij për përkatësinë dhe rëndësinë e saj, përkatësi për të cilën ata ndjehen krenarë dhe ku brenda kësaj përkatësie të pavarur ata realizojnë personalitetin e talentin e vet dhe dinjitetin e nderin e vet drejt një qëllimi të përbashkët për sigurimin e jetës, lirisë dhe lumturisë. Pavarësia është një ndërgjegjësim kundër nënshtrimit, egoizmës dhe ksenomanisë, është shpëtimi prej humbjes, është dështim i disfatës dhe përçarjes. Pavarësia është zhbllokim i dijeve, mundësive dhe i energjive të kombit,është reforma e fillimit të reformave dhe të reformimit të vazhdueshëm të tyre, është atdhetarizmi i çliruar prej vargonjve të pushtuesit, është demokracia e çliruar nga diktatura, padrejtësia dhe korrupsioni dhe ndëshkim i politikës dhe pushtetit që i shkakton ato.. Pavarësia është pika ku fillon ngritja, pika ku fillon lirshëm liria, ku fillon lulëzimi, është zanafilla ku fillon konsolidimi dhe triumfi drejt ngritjes e ngjitjes lart si një proces i pakëputur dhe i pandalshëm në përjetësi. Pavarësia është realizimi i ëndrrës së brezave të së shkuarës që vuajtën, sakrifikuan e luftuan aq shumë për të, e që kemi fatin ta gëzojmë ne dhe brezat që do të vijnë pas nesh. Ne po dhe ata që do vijnë pas nesh duhet t’u japim ekzistencë brezave të së shkuarës prej vazhdimësisë sonë duke tejkaluar ëndrrat e tyre të guximshme për lirinë, begatinë, lumturinë dhe krenarinë kombëtare. Pavarësia është fillimi i një epoke të re që na ngarkon me detyrë dhe përgjegjësi për të bërë në vazhdimësi ndryshimin madhështorë në garë me kohën dhe popujt e tjerë për të mos mbetur të fundit e garës në rrugën e qytetërimit. Pavarësia është krenari për çdokënd prej nesh siç është krenari e çdo biri e bije për prindërit e vet. Pavarësia është shteti si djepi ku prindërit rrisin fëmijën e vet, është si toka që ushqen njeriun, është si liria për jetën dhe punën e njerëzve në atdheun e vet. Po nëse Pavarësia fillon e venitet atëherë faji për këtë nuk është pushtuesi prej të cilit jemi çliruar dhe as të huajt e tjerë ,po jemi vetë që i akuzojmë ata për alibi sa për të qetësuar ndërgjegjen. Nëse Pavarësia fillon e venitet qoftë dhe përkohësisht faji numër një është politika ,filozofia tinëzare e korrupsionit, papërgjegjshmërisë, tradhtisë dhe e egoizmit të saj të kobshëm që është e tillë dhe aktualisht e që po na pengon duke na vonuar konsolidimin tonë. Është mjerim dhe e pakëndshme por duhet ta themi se Shqipëria me 102 vjet Pavarësi dhe Kosova me Pavarësinë e re 6 vjeçare kanë mbetur të fundit në rrugën e konsolidimit të Pavarësisë dhe Demokracisë dhe sa më shumë të zgjatet kjo rrugë aq më shumë venitet Pavarësia dhe aq më shumë venitet dhe aspirata e Bashkimit Kombëtar, aspiratë venitjes së të cilës i paraprinë papërgjegjshmëria, pandjesia patriotike e politikës së interesit të ngushtë për pushtet që u pa me rastin e 6 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës ku në Shtetin Amë, në Shqipëri, nuk u zhvillua asnjë aktivitet festiv apo përkujtimor dhe minimalisht as nuk u duk as shtimi apo vendosja e simbolit kombëtar të Flamurit Kombëtar dhe as ai Shtetit të Kosovës jo se jo, gjë që sikur tregoi atë se për politikën e Tiranës, Kosova është jashtë vëmendjes së saj , dhe kjo nuk duhej kurrsesi të jetë përveçse e përkohshme dhe kalimtare, pasi është gjaku dhe lufta, vuajtjet dhe sakrificat më të shumta të shqiptarëve të Kosovës ato prej të cilave erdhi Pavarësia edhe e Shqipërisë në vitin 1912. Kur nuk bëhet diçka për festa,të paktën thjesht ceremoniale kombëtare, morale dhe shpirtërore të shkon mëndja se nuk bën gjë konkrete e serioze në funksion për integrimin panshqiptar dhe për bashkimin siç tregoi dhe “sakrifica” ekonomike e 100 mijë eurove për Preshevën në takimin e Janarit në Prizren të dy qeverive shqiptare. Kjo është ashtu si dhe ajo që ka bërë e kemi dëgjuar gjithmonë nga gjithpolitika e të gjithpushteteve edhe të para këtij të sotmi vetëm retorika patriotike spekulative për interes pushteti në Shqipëri. Shqipëria asnjëherë nuk e ka kryer detyrën si një qendër e orientimit panshqiptarë veçanërisht e konsideruar e tillë nga shqiptarët e trojeve etnike në Ballkan, po më shumë dhe vetëm i ka shërbyer politikës së ngushtë për pushtet në Shqipëri madje edhe për motive ideologjike. Edhe pasiviteti dhe indiferenca e politikës së saj sot në lidhje me Kosovën ka brenda saj djallëzinë për ftohje dhe largimin politik dhe të katalizimit të të njëjtit reaksion të politikës kosovare me qëllim të ndoshta dhe artificialisht të nxitjes së krijimit të entiteteve shtetërore të Shqipërisë dhe Kosovës si dy shtete të ndryshme; politikë kjo e miopisë, interesit të ngushtë, po pse jo edhe që edhe të lind dyshimi si politikë e zgjatimeve të tentakulave të politikës antishqiptare të gatuar gjetiu e që ka gjetur gjithmonë strehë historikisht në politikën e Tiranës zyrtare, e cila nuk ka nguruar madje dhe të veprojë dhe hapur kundër interesave të shqiptarëve jashtë kufijve të saj dhe që historia i di po dhe do t’i shënojë. Pritja dhe vizioni pritës që ka shumica politikës si në Shqipëri dhe Kosovë se prosperiteti, konsolidimi dhe Bashkimi do arrihet kur të integrohemi në BE është një kamuflim që bën ajo për të fshehur dështimet e veta dhe qëllimin tinëzar të vet për tu përzgjatur e zvarritur në pushtet, se vetëm pushtetin, ajo, dhe politikanët tanë aspirojnë. Askush nuk mund të profetizojë për të ardhmen e të tjerëve kur nuk di as se çfarë bën në shtëpinë e vet. Është kryekëput faji i politikës sonë që ne Europa po na shikon e trajton si dy shtet-provinca periferike siç ishim ne dikur si Vilajete në Perandorinë Otomane, dhe kjo, edhe justifikohet se vjen si meritë e kryetëparëve tanë politikanë që na janë bërë bajraktarë modern, pasi dy vendet tona janë të parat e Europës për moszbatim të ligjit, në korrupsion e varfëri, jemi dy vende që nuk kemi realizuar as nivelet e as standardet moderne demokratike shtetformuese dhe pothuajse dy vende dhe të falimentuara ekonomikisht dhe financiarisht pasi mbahen me borxhe e donacione si dhe prej parave të mbi 2 milionë emigrantëve që punojnë në perëndim. Prandaj dhe kryesisht për këto arsye BE refuzon integrimin , dhe po për këto arsye ne i lutemi Europës që të na “pushtojë” për të na pranuar. Është vetëm dështim për politikën tonë po dhe pastaj dhe për të gjithë ne që gjithmonë të jemi dakord për të marrë vetëm atë se çfarë të na japin të tjerët dhe të bëhemi e të bashkohemi siç duan dhe kur duan të tjerët. Venitja që vjen nga korrupsioni dhe dështimet sjellin mosbesm, humbje shprese dhe dëshpërim, prandaj kërkohet rilindje e ringritje për të bërë reforma e ndryshimin për përmirësim dhe për realizimin e konsolidimin e Pavarësisë. Pavarësia e vërtetë realizon integrimin shpirtëror dhe moral, integrimin gjuhësor dhe kulturor dhe atë material të mirëqenies së kombit në shtetin e pavarur. Por, Pavarësia nuk i shpëton dot ligjit të varësisë dhe të tolerancës e bashkëpunimit, se Shteti i pavarur i kombit të bashkuar në të, varet dhe duhet të tolerojë dhe të tjerët, ku dhe të tjerët janë ata të cilët dhe varen po që duhet dhe ata të na pranojnë dhe të na tolerojnë ne. Ky është personaliteti, dinjiteti dhe reciprociteti që vjen nga Pavarësia; Pavarësi e cila dhe realizon sovranitetin jo vetëm të shtetit si sovranitet të jashtëm , po edhe si pavarësi që realizon dhe sovranitetin e brendshëm si të individit e të shoqërisë, ku atë të individëve të tij si autonomi personale të tij për lirinë, të drejtën dhe talentin krahas atij të realizimit të sovranitetit demokratik të shoqërisë, si mbiqeverisje të shtetit me kushtetutën e vullnetin e tij e cila edhe kontrollon po edhe ndëshkon çdo qeverisje dhe çdo pushtet. Në mbyllje them se ne duhet tu japim disfatën dhe humbjen atyre që dëshirojnë disfatën dhe mossuksesin tonë. Ne duhet të përmbushim kryedetyrën tonë që është tani dhe mbetet në vazhdimësi emancipimi e konsolidimi i vazhdueshëm i kombit, pavarësisë, demokracisë, edukimit dhe rritjen e mirëqenies e prosperitetit dhe që i paraprijnë Bashkimit të Kombit.

Filed Under: Analiza Tagged With: Skender Kapiti

“TRIUMFI  I KOMBIT” si projekt i bashkimit kombëtar

October 6, 2021 by s p

NGA BEDRI TAHIRI 

Për Publikun dhe Partinë Demokratike: Lexoni realitetin politik dhe  mesazhet amerikane që mbështesin Lulzim Bashën! - Bota Sot

Kosovalindore.com » Misioni i kombit në rrugën e përjetësisë

Libri “TRIUMFI I KOMBIT”, Skёnder Sadri Kapiti, me një guxim të paparë intelektual u kundërvihet dukurive negative të shoqërisë sonë, që herë-herë, sikur e humb toruan dhe, gati pavetëdijshëm, bie në situate të palakmueshme, duke rënë pre e orekseve të sëmura të prijёsve të vet…Pena e tij e mprehtё nuk kursen askënd, as edhe të parët e vendit e tё partive politike, kua ata shkojnë larg e larg dhe cenojnë historinë tone. “Popujt bëhen kombe të fortë kur ata mençurohen dhe janë të guximshëm e të gatshëm për të përballur e sfiduar vështirësitё, padrejtësitë, intrigat dhe jo të binden, t’u nënshtrohen dhe të pajtohen me të keqen. Po vetëm nga frikacakët, tё shtirurit, servilët, hipokritёt dhe ata që shiten e blihen lirë për ndonjë interes të ulët nga pushteti e tradhtia, ata që shesin të vërtetën, intelektin e personalitetin, nga ata çfarë nuk pritet si e keqe. Në qoftë se një komunitet ka të tillë me shumicë atëherё jo vetëm demokracia po dhe shteti e kombi janë të rrezikuar, e nё qoftё se në një popull të tillët janë me pakicë duhet treguar shumë vëmendje, kujdes e maturi që të mos i vëmë në krye për të na udhëhequr.

 Kushtetuta e mirë, qeverisja e mirë dhe drejtësia e zbatuar mirë formon shtetin e mirë ligjor dhe e bën kombin patriot, të edukuar e të mirë. 

Realiteti ynë tregon se jemi shumë larg dhe prandaj kërkohet ndryshimi dhe ndryshimin e bën vullneti dhe mençuria e popullit, sepse populli nuk është kurrë i korruptuar, por kur mashtrohet e gënjehet me dogma e hipokrizinë e politikës së keqe duket sikur e pranon atë, por kjo është e përkohshme

Nacionalizmi, triumfi i kombit ka të bëjë me krijimin e shtetit të bashkuar kombëtar, me lirinë e pavarësinë kombëtare, me të drejtat civile, juridike, politike e shoqërore të qytetarëve; ka të bëjë me pacenueshmërinë territoriale, me unitetin e qëndrueshmërinë politike, ligjore e sociale brëndekombëtare dhe me njohje e respekt reciprok në marrdhëniet ndërkombëtare. Nacionalizmi modern është i lidhur me demokracinё dhe demokracia është në funksion të nacionalizmit pasi, poqese demokracia funksionon keq atëherё shumica e njerëzve bëhen të korruptuar dhe në një gjendje të tillë shoqërore zor se triumfon e drejta, e vërteta, ligji, e mira dhe patriotizmi, sepse paturpësia dhe amoraliteti që vijnë nga keqfunksionimi politik dhe degradimi i demokracisë dhe nga korrupsioni shfrytëzojnë jetën, sakrificën, mundin dhe fatin e të tjerëve për interesa personale.

Njeriu, populli, kombi dhe të dy shtetet tona janë realitete që vazhdimisht kërkojnë rritje të edukimit, profesionalizmit, progresit, mirëqënies e konsolidimit për të lartësuar nderin, përkatësinë, lavdinë e krenarinë kombëtare. Për të arrirë këtë nevojitet çrrënjosja e kulturёs së mosbesimit tek vetvetja jonë, tek ligji, tek drejtësia e qeverisja duke u përpjekur që së pari të çrrënjosim kulturën patriarkaliste, egoiste e autokraticiste; kulturën e abuzimit dhe korrupsionit politik dhe ekonomik, duke ndërtuar shtetin e së drejtës dhe duke i dhënë fund monopolit politik dhe pengmarrjes së sovranitetit të individit, popullit dhe shtetit për të çliruar potencialet patriotike, ekonomike, politike, kulturore, intelektuale etj. që janë privuar sot nga monopoli politik i klasës sunduese që pavarësisht alternimeve të pushtetit trashëgojnë nga njëra- tjetra të njëjtën fizionomi e përvojë të partive të regjimit, të pushtetit korruptiv e kundërpublik.

Bashkimit kombëtar i paraprinё sot integrimi ekonomik, politik, demokratik, kulturor, arsimor e gjithëdimensional brendashqiptar që të jetë mbi interesat personale miope, meskine e personale të politikanëve, pushteteve e bizneseve korruptive. Ne si komb potencojmë burime kapitale e natyrore dhe aftësi e kapacitete mendore, fizike e patriotike të jashtëzakonshme, duke qënë superiore ndaj atyre që nuk na duan e urrejnë madje dhe vetë urrejtja dhe antishqiptarizmi i tyre vjen nga ajo se ata e njohin inferioritetin e vet ndaj nesh dhe na shohin ne si kërcënim dhe prandaj historikisht ata si sllavë e grekë kanë shpifur, intriguar, lobuar e përdorur paranë; kanë pёrdorur dhe dhunën e genocidin kundër popullit tonë, dhe sot e në vazhdimësi do të përpiqen që të na pengojnë e përçajnë në rrugën tonë të triumfit kombëtar po do të pësojnë disfatën se koha është me ne dhe ne po bëhemi më shumë e më të fortë se ata.

Konsolidimi kombëtar është liria e bashkimi kombëtar dhe demokracia e legjitimiteti popullor. 

Kombi duhet të udhëhiqet nga elita patriotike, qytetare,rinore e intelektuale dhe ka nevojë për lëvizje të tilla, inisiativa e reforma të pandërprera dhe për vizionin e shekullit të ri. 

KOMBIT I NEVOJITET KONSOLIDIMI I VET nacionaldemokratik që d.t.th afirmim, krenari, personalitet e identitet, demokracitet e mirëqënie; të pranojë e respektojë të tjerët po dhe të pranohet e respektohet prej të tjerëve. 

Ne për të arritur bashkimin kombëtar duhet të shfrytëzojmë avantazhet e globalizimit e të drejtën nderkombëtare të popujve për vetvendosje si dhe parimin universal të lirive e të të drejtave të njeriut ku NATO në emër të tyre ndërhyri për çlirimin e Kosovës. 

Për Bashkimin Kombëtar duhet të punojmë ne, ta kërkojmë se nuk vjen vetvetishëm ashtu siç nuk erdhi vetёvetishëm as Pavarёsia e Kosovës. 

Të gjithë duhet të ndërgjegjsohemi për rëndësinë e përjetshme të përkatësisë nacionale që janë personaliteti dhe identiteti ynë, siguria e mirëqënia jonë në një shtet të përbashkët

Bashkimit kombëtar si i pashmangshëm kërkon nga kombi ynë aktivizim e pjesmarrje politike , poziconim këmbëngulës,vizionar e strategjik për bashkimin e kombit, zhvillim ekonomik e mirëqënie, realizim vlerash e standartesh demokratike, ndërtimin e shtetit ligjor që kërkon ndërtimi i një shoqërie të drejtë e moderne në realitetin global të sotëm. 

Që të bëjmë këto duhet që politika të marrë përgjegjsitë duke qenë transparente, e ndeshme, e hapur në një shoqëri të hapur ku politikbërja dhe politikat të angazhoje shoqërinë për reforma të pandërprera, kërkohet luftë e pandërprerë kundër korrupsionit, kërkohet funksionalitet dhe rezultate konkrete.
Triumfi i kombit është i lidhur me ndjesinë, krenarinë e shpirtin kombëtar,po nuk është e mjatueshme vetëm kjo, po ka të bëjë dhe me idealet e vlerat si ato të lirisë, punës, pronës, drejtësisë, sigurisë sociale etj, madje shumë kombe moderne formimit të tyre i dedikohen këtyre vlerave; ndërsa në aspektin ndërkombëtar kombi realizon sigurinë, barazinë, sovranitetin e reciprocitetin dhe duke mos u pajtuar me asnjë lloj pasiviteti, inferioriteti apo servilizmi të cilat politika e sotme e pushtetit në të dy shtetet nuk i ka, dhe për të aspirata kombëtare nuk është as retorikë madje bashkimi është i pashmangshëm sepse:

a) vetë zhvillimi edukativ,ekonomik e politik,kulturor politiko-demokratik ushqen, inspiron e i kërkon bashkëkombasve tanë besnikërinë dhe krenarinë e lidhur me rëndësinë e përkatësisë kombëtare dhe ndaj shtetkombit të bashkuar. Kjo e bën qytetarin shqiptar qe të mos ndjehet subjekt i krerëve politik e të pushtetit, të krahinizmave,ideologjizmave e dogmave, por të ndjehet si qytetar i kombit të vet i denjë e i barabartë dhe me personalitet;

b) ndërgjegjёsimi patriotik, qytetar, politik e ligjor të qëndrimit individual, të vlerave kombëtare e universale e të mirëqënies së përgjithshme kanë zbutur dasitë e përçarjet politike, fanatizmat e besnikëritë krahinore e partizane dhe egoizmat të cilat i ushqen politika e interesit personal dhe e pushtetit, veçanërisht në Shqipëri të cilën e kanë konstatuar madje dhe institucione e personalitete ndërkombëtare, dhe e kanë deklaruar shumë herë këtë si shkaktare të mosintegrimit së bashku me korrupsionin ekonomik, politik e elektoral. Politika shqiptare në Shtetin Shqiptar historikisht ka krijuar vazhdimisht varfëri, konflikt, papërgjegjshmëri e paqëndrueshmëri e jo me te interesohet apo tё punojё pёr bashkimin e kombit dhe kështu po shkon edhe në 100 vjetorin e Pavarësisë,

c) pavarësisht politikës, Bashkimi i Kombit është i pashmangshëm dhe lëvizet drejt triumfit të tij, sepse interesi kombëtar i gjithqytetareve shqiptarë është më i madh dhe më i lartë se çdo lloj interesi politik e pushteti personal, të të pasurve, monopoleve, grupeve e partive,

d) epoka moderne e globalizimit ka krijuar kushtet, favorizimet e mundësite e lirive etnike, kulturore, politike dhe demokratike nën suazën e të drejtës së popujve për vetvendosje dhe të lirive dhe të drejtave universale të njeriut që motivuan botën moderne të ndërhyjë edhe ushtarakisht për çlirimin e Kosovës nga Serbia, Kuvajtin nga Iraku, çlirimin popujve afgan, iraken e libian nga regjimet diktatoriale që dhunonin liritë e të drejtat njerëzore. Proçeset globale sot botës i kanë dhënë fizionominë e një shoqërie globale me organizatat shumëkombëshe joqeveritare, me organizma ndërkombëtarë ekonomikë e financiarë, OKB ka marrë tashmë atributet e një palamenti botëror; po kështu dhe BE është pothuajse një konfederatë e shteteve europiane në të cilën dy shtetet tona janë akoma të paintegruara. Në këto rrethana nacionalshovinizmave u është dhënë fund pavarsisht se akoma përpëliten fqinjët tane për mosnjohjen e bllokimin e Pavarsisë së Kosovës;

e) shpallja e Pavarsisë së Kosovës dhe krijimi i dy shteteve shqiptare të lira e të pavarura kombëtarisht, do të thotë se jemi realisht më afër se kurrë në histori pranë bashkimit, duan apo nuk duan armiqtë tanë, duan apo nuk duan ata të cilët pengojnë nga injoranca, interesi i ulët për pushtet e pasuri dhe egoizmi negativ. Koha është me ne, po duhet ne të jemi në kohë që të arrijmë triumfin e bashkimit se mjaft jemi vonuar. 

Vlera më e madhe për një popull është realizimi kombëtar e demokratik, mirëpo në realitetin shqiptar për politikën dhe politikanët e saj kjo vlerë etikëdetyruese dhe sublime është e dorës së dytë dhe e sfiduar nga interesat personale për pushtet çfarё përbën papërgjegjshmëri e mëkat dhe më keq se kaq është tradhëti. Fatkeqësisht jo vetëm politika por dhe më gjërë në aktivitetin shumëdimensional privat, publik, kulturoro-edukativ, intelektualo- akademik, informativo- mediatik, etj mungon një gjykim racional, analitik e i paanshëm; mungon debati konstruktiv, komunikativ e kritik, çbllokues, argumentues e i lirë në funksion të interesit kombëtar, emancipues e prosperues për të çmontuar e larguar strukturat, funksionalitetet e mentalitetet e vjetra, egoiste, të papranueshme e të dëmshme për ndërgjegjen shoqërore”.

Filed Under: Kulture Tagged With: Bedri Tahiri, Skender Kapiti

MANJANI, NJE MINISTER NDRYSHE PER DREJTESINE?!

January 27, 2016 by dgreca

Opiion Nga Skënder S.KAPITI/
Përderisa politika në Shqipëri ka bërë korrupsionin dhe manipulimin me të; ka bërë manipulimin me demokracinë, liritë e të drejtat qytetare; ka bërë manipulimin me patriotizmin; përderisa ka bërë vjedhjen dhe trafikimin e votës: ka bërë kështu krimin elektoral; përderisa politika shqiptare ka përzgjedhur kandidatë me rekorde kriminale për deputetë, për kryebashkiakë dhe për këshilltarë; dhe vetëm këto do të ishin të mjaftueshme për cilësorin kriminal të politikës. Ndërsa, me tradhëti politike kuptohet dhe kihet parasyshë politika që gënjen, mashtron, hipokrizon dhe që premton per të mashtruar sa për të marrë pushtet; tradhëti e politikës është vjedhja dhe abuzimi me pushtetin, pasuritë kombëtare dhe me paranë publike; tradhëti e politikës është kur ajo u mundëson qytetarëve të vet pakënaqësinë nga vuajtjet e streset e pasigurisë për jetën, pasigurisë ekonomike, varfërinë dhe papunësinë duke u imponuar atyre largimin nga Shqipëria siç po ndodh aktualisht edhe sot; kulmi i tradhëtisë është kur politika dëmton imazhin ,dinjitetin dhe interesin kombëtar për interesin e vet personal të politikanëve dhe pushtetarëve. Tradhëtia politike ka si bashkëudhëtarë të pandarë krimin dhe korrupsionin (TKK-ja). Ky trekëndëshi (Tradhëti, Krim, Korrupsion) ose rreth vicioz si të duam le ta marrim, e ka prishur drejtësinë, shoqërinë dhe Shtetin; dhe prishja e drejtësisë, shoqërisë dhe shtetit i vjen atëhere kur nuk funksionon ligji,drejtësia dhe kur mirëfunksionon krimi dhe korrupsioni i pushteteve dhe i sistemit . Prandaj institucionet ndërkombëtare dhe SHBA e BE këmbëngulin për dekriminalizimin e politikës dhe për reformimin e drejtësisë në Shqipëri si Kryereformë parësore, sepse është drejtësia e korruptuar prej korrupsionit të së cilës vjen dhe kriminalizimi i politikës së pandëshkuar nga ligji dhe drejtësia.Mund të bëhet ligji për dekriminalizimin e politikës ,të formalizohet ai, po është drejtësia ajo që kontrollon dhe ndëshkon moszbatimin e ligjeve , dhe prandaj më e rëndësishme është Reforma në Drejtësi së pari si kryereforma më e madhe që duhet bërë.Fatkeqësisht shqiptaret me këtë lloj politike të politikanëve të vet janë përballur pothuajse gjithnjë në çdo formë sistemi politik që ka kaluar shteti shqiptar që nga Pavarësia tij e në vazhdim edhe sot në vitin 2015. Në këtë shkrim unë më së shumti përdor termin konceptual korrupsion pasi korrupsioni ka brënda edhe krimin edhe tradhëtinë dhe gjithçka amorale, e citoj shpesh pasi është fjala më e pëdorur mediatikisht dhe publikisht dhe si fenomeni i ulur këmbëkryq në të gjitha institucionet shtetërore dhe civile, po sidomos në Drejtësi dhe që, po korrupsioni në Drejtësi , sot, përbën kërcënimin më të madh dhe për sovranitetin kombëtar, dhe politika që është vetë në krye të korrupsionit , ajo nuk mund të përjashtojë veten as nga krimi dhe as nga tradhëtia.Që nuk dekriminalizohet politika dhe sidomos që nuk mund të luftohet korrupsioni nga kjo drejtësi dhe me këta gjyqtarë e prokurorë e tha deklarata tronditëse e kreut të misionit EURALIUS nëTiranë me dt. 24 Nëntor 2015 i cili kërkoi shkarkimin në bllok të 400 gjyqtarëve dhe të 400 prokurorëve. Dhe vazhdon më tej të thotë se me këtë sistem drejtësie nuk luftohet korrupsioni. Kjo deklaratë vjen edhe pas atyre të bëra më parë nga ambasadori amerikan, Donald Lu, me 16 Shtator 2015 ku reformën në drejtësi e quan si më të rëndësishmen pas rënies së komunizmit; ambasadorja e BE,Vllahutin e quan reformën në drejtësi si një nga më të mëdhatë në historinë e Shqipërisë; po ashtu dhe ai gjerman Reformën e quan si problemin kryesor në Shqipëri. Dhe të gjithë diplomatët shprehen se reforma bëhet duke ndëshkuar deri dhe duke u vënë prangat gjyqtarëve të korruptuar, pra duke u bërë gjykimin dhe ndëshkimin atyre. Dhe pa reformën në drejtësi nuk ka as ndëshkim për politikanët dhe për politikën e kriminalizuar, as pastrim të saj pasi drejtësia e korruptuar bashkëjeton me politikën dhe me krimin e saj. Pra, pa ndërhyrjen vendimtare të institucioneve ndërkombëtare nuk vetëdekriminalizohet politika dhe nuk vetëdekorruptohet drejtësia. Është inkurajues fakti se tashmë Ministër Drejtësie është z. Ylli Manjani i cili ka reputacionin dhe njihet për përgjegjshmëri dhe korrektësi në zbatimin e ligjit si dhe për ndershmëri e kapacitetin e lartë profesional dhe për guximin intelektual për të ndërmarrë kryerjen e Kryereformës në Shqipëri , në atë të Drejtësisë. Këtu vlen të citojmë dhe deklaratën e tij ca ditë më parë në një takim me regjistruesit e ZRPP ku deklaroi se: “Mos mendoni se unë e kam fytyrën e pastër nëse ZRPP akuzohet. Jo, akuzohem edhe unë bashkë me ju” dhe vazhdon më tej të shprehet se: ”… nuk kemi marrëdhënie pune me njerëz ç’njerëzorë”. Dhe këta ç’njerëzorët janë pra punonjësit e korruptuar të administratës dhe ata 400 prokurorët dhe 400 gjyqtarët që i akuzon Kreu i EURALIUS në Tiranë dy ditë pas deklaratës së Ministrit Manjani, që do të thotë se Ministri për Kryereformën në Drejtësi ka plotësisht si mbështetjen e tërë opinionit të brëndshëm ashtu dhe të atij ndërkombëtar, ku ky i fundit, pra diplomacia demokratike perëndimore me intensitet të lartë në media publikisht ka bërë thirrje për të ndërgjegjsuar si politikën ashtu dhe opinionin për rëndësinë e madhe historiko-kombëtare që ka reformimi i drejtësisë dhe ndërtimi i shtetit ligjor. Eshte për t’u pershendetur fakti se Ministri i Drejtësisë z. Manjani ka pak kohë që ka marrë detyrën dhe ndoshta pse jo është e drejtë të themi se Shqipëria e tranzicionit po shikon për herë të parë një ministër të përgjegjshëm , të interesuar dhe në shërbim të së drejtës ,të ligjit dhe të Shtetit e qytetarit; është e vetmja Ministri sot pothuajse që nuk lëshon dhe nuk kompromentohet me paligjshmërinë dhe me korrupsionin; që përherë të parë seriozisht po kërkon zbatueshmërinë e ligjit , dhe vetë zbatimi i ligjit është në fakt edhe Reforma e Drejtësisë, zbatimi i ligjit që po bën sot Ministria e Drejtësisë po e pastron administratën e kësaj Ministrie nga të inkriminuarit e korrupsionit duke e ndëshkuar paligjshmërinë. Këtë e verteton fakti i pushimit nga puna si dhe dergimi për ndjekje penale të shumë drejtuesve dhe punonjësve të Hipotekave në Shqipëri që kanë bërë vjedhjen , abuzimin dhe korrupsionin institucional me pronat si dhe faktin që kjo Ministri e drejtuar nga z. Manjani e ka marrë me shumë seriozitet dhe po kontribuon shumë sidomos për Reformën e duhur në Drejtësinë shqiptare duke këkuar bashkëpunimin me të gjithë faktorët e brëndshëm politik dhe institucional të brëndshëm si dhe me partnerin tonë strategjik SHBA dhe të BE . Eshtë për tu përshendetur ky fakt pasi dhe opinioni publik për herë të parë në emisionet televizive që i ofrojnë zërit qytetar të drejtën e mendimit të lire ka filluar të shprehet se atij po i kthehet besimi te Drejtësia, kur shohin se së pari ka ndryshuar për nga e mira puna në Ministrinë e Drejtësisë së drejtuar nga z. Manjani, me ndëshkimin e punonjësve të korrupsionit më të madh pas atij të gjyqësorit të cilët kanë 25 vite që kanë bërë baterdinë me pronat shtetërore, publike dhe ato private nëpër ZRPP. Ka 25 vite që shqiptarët nuk kanë parë asnjë dënim të asnjë politikani, qeveritari dhe administratori të lartë apo të vogel të pushtetit dhe asnjë prokuror apo gjyqtarë të korruptuar dhe prandaj besueshmëria e shqiptarëve të drejtësia është 10%, që do të thotë se te drejtësia besojnë vetëm ata që kanë vjedhur , grabitur dhe janë pasuruar me krimin dhe korrupsionin e tyre.

Filed Under: Opinion Tagged With: Manjani, nje minister ndryshe, Skender Kapiti

Artikujt e fundit

  • NË VEND TË NJË KARTOLINE, SOT NË DITËLINDJEN E TIJ
  • ASOCIACIONI I PROPOZUAR E SHNDËRRON KOSOVËN NË FUÇI BARUTI 
  • GJASHTË KUSHTET E KRYEMINISTRIT KURTI JANË TË ARSYESHME
  • VACE ZELA ( 7 prill 1939 – 6 SHKURT 2014)
  • NJË BIBLIOTEKË PËR QYTETIN E ALFABETIT SHQIP
  • Hapja e shkollave të para shqipe në vitet 1941 – 1944, ngjarje e rëndësishme, kyçe në historinë e Kosovës
  • Ekspozita “Gjergj Kastrioti Skënderbeu-kalorësi i lirisë së shqiptarëve”
  • TECHNOLOGY REVIEW (1981) / ÇFARË ËSHTË NJË FOTOGRAFI? — PËRGJIGJJA E FOTOGRAFIT SHQIPTAR ME FAMË BOTËRORE GJON MILI DHE NJË KOMENT PËR LIBRIN E TIJ “FOTOGRAFI DHE KUJTIME”
  • Rreth rëndësisë së përkthimit në gjuhën angleze të librit “Koja në rrjedhën e kohëve” të autorit Fran Gjeloshaj
  • Kryeministri Kurti priti në takim ambasadorët e akredituar në Kosovë
  • THE SIX CONDITIONS OF PRIME MINISTER KURTI ARE REASONABLE
  • Momenti që drejtësia në Shqipëri që të tregojë se sa është e pavarur
  • MISIONI I VATRAVE SHQIPTARE NË SHBA. NË VEND TË NJË URIMI…
  • Pentagoni godet dhe rrëzon balonën ‘spiune’ kineze. Po tani ?
  • Tërmeti në Turqi, Vatra shpreh solidaritet dhe lutet për viktimat e të plagosurit

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT