-Në Beograd është furnizuar më njëzet e pesë pajisje eksplozive, me peshë totale 12,219/kg, në Prishtinë në lagjen Arbëria është ndaluar nga Policia e Kosovës/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 10 Korrik 2015- Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur sot aktakuzë pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë, kundër të pandehurit S.G. për veprën penale të përgatitjes së terrorizmit.
Sipas aktakuzës i pandehuri S.G., me qëllim që seriozisht ta frikësojë popullatën dhe të destabilizojë dhe të shkatërrojë strukturat më të rëndësishme politike, kushtetuese, ekonomike dhe sociale të Republikës së Kosovës, ka përgatitur kryerjen e veprës penale të terrorizmit.
I pandehuri S.G. gjatë muajit dhjetor të vitit 2014, në Beograd është furnizuar më njëzet e pesë pajisje eksplozive, me peshë totale 12,219/kg, të cilat përmbajnë eksploziv të fuqishëm “Pentaerythritol Tetranitrate“ (PETN), i kombinuar me fragmente metali, bulona dhe gozhda, të cilat shërbejnë për rritjen e fuqisë shkatërruese dhe shkaktimin sa më të madh të viktimave në njerëz dhe dëme materiale, të cilat pastaj me veturën e tij, më 25 dhjetor 2014, i ka transportuar nga Beogradi për në Prishtinë, ku në lagjen Arbëria është ndaluar nga Policia e Kosovës dhe pas kontrollit të kryer, në bagazhin e veturës së tij është gjetur eksplozivi.
Me këtë i pandehuri S.G. ka kryer veprën penale: “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, nga neni 144 par.3 lidhur me par.1 dhe nga neni 135 par.1, pika 1.9 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Ekspertiza e eksplozivit është kryer nga Byroja Federale e Hetimeve (FBI) dhe Agjencia Kosovare e Forenzikës.
Për veprën penale me të cilën i pandehuri ngarkohet sipas aktakuzës, prokurorja e rastit, nga radhët e prokurorëve vendës të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ka kërkuar nga gjykata që të pandehurit t’ia vazhdojë masën e paraburgimit, si dhe pas shqyrtimit gjyqësor ta shpallë fajtorë dhe ta dënojë sipas ligjit.
Në 26 dhjetor 2014, bëhej e ditur se Prokurori kujdestar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në mbrëmjen e një dite më parë rreth orës 21:00 ka urdhëruar ndalimin policor për 48 orë ndaj personit S.G., shtetas i Republikës së Serbisë, për shkak të dyshimit se ky person ka kryer veprën penale: “Përgatitja e veprës terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, nga neni 144 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës njoftonte se, në veturën e personit të dyshuar është gjetur sasi e madhe e eksplozivit, që dyshohet se ka qenë e planifikuar të përdoret për kryerjen e aktiviteteve terroriste.
“Rasti është në fazën fillestare të hetimeve nga një prokuror vendës i Prokurorisë Speciale, i cili do t’i kërkoj gjykatës që ta caktoj masën e paraburgimit për të dyshuarin”, theksonte njoftimi.
Media kosovare sot zbulon edhe emrin, duke njoftuar se, “Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur sot aktakuzë pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë, kundër të pandehurit S.G. (Slobodan Gavriq) për veprën penale të përgatitjes së terrorizmit”.