Praktika gjyqësore e shqiptuar për të akuzuarin Sami Lushtaku nuk mund të jetë analoge bazuar me hetimet e zhvilluara dhe dëshmitë e ofruara/
Shkruan: XHAVIT ÇITAKU/
Procesi gjyqësor në shkallën e parë për grupin e Drenicës përfundoi. Përfundoj “ pamëshirshëm “ dhe me fakte jo të bindshme që i kishte në shqyrtim trupi gjykues i EULEX-it. Pra, ndaj tyre u shqiptuan 65 vjet burg. Ndaj, edhe shtrohet pyetja se a e” mirituan” këtë dënim kaq të rëndë këta luftëtar të lirisë. Ka edhe shumëçka për të thënë e për të dyshuar se mos vallë është ky një proces i montuar politik i porositur nga “kuzhinat” e Beogradit që shpifin e hartojnë skenar të rrezikshëm kundër shqiptarëve e sidomos ndaj ushtarëve e eprorëve të UÇK-së. I gjithë opinioni jo vetëm i brendshëm, por edhe ai ndërkombëtar e di se ende qëndrojnë akuzat e ngritura nga gjykatat serbe për udhëheqësit e ushtrisë çlirimtare, akuza këto që janë shpërndar në të gjitha institucionet e drejtësisë ndërkombëtare dhe të organeve tjera ndjekëse.
“ Trillimi” rreth praktikës gjyqësore
Në sistemin e drejtësisë, përkatësisht në fushën e gjyqësisë janë të parapara në rastet e rralla edhe praktika gjyqësore, ashtu siç po arsyetohet EULEX-i për rastin e Sami Lushtakut, kryetar aktual i komunës së Skenderajt. Mirëpo, për t’u bërë kjo gjë rasti duhet të hetohet e argumentohet me fakte përmbajtësore në shumë dimensione që ofron drejtësia “ moderne”, të cilat me në fund do të mund t’ua mbushin mendjen jo vetëm gjyqtarit por edhe opinionit të gjerë. Do të thotë se rasti konkret është hetuar aq shumë sa që janë hequr të gjitha dilemat se vrasja është kryer nga i akuzuari. Edhe EULEX-i kishte angazhuar hetues të shumtë dhe asnjë prej tyre nuk ka mundur të nxjerr e të gjejë fakte nga banorët e atyre tri fshatrave të Drenicës, në mesin e të cilave pretendohet se është kryer vepra. Posaçërisht hetuesit nuk kanë mundur të argumentojnë se në këto fshatra është vrarë bashkëfshatari i tyre në vendin e supozuar nga EULEX-i. Së këndejmi, një praktikë gjyqësore e marrë parasysh nga trupi gjykues i EULEX-it ndaj Sami Lushtakut, komandant i Zonës së Drenicës në kohën e luftës çlirimtare, nuk ka mundur të aplikohet sepse nuk është analog karshi gjithë procedurës hetimore që është zhvilluar dhe u paraqitën në seancën gjyqësore. Pra, nuk mund të aplikohet një praktikë gjyqësore e bazuar vetëm në dëshmitë e një dëshmitari, i cili do të mund t’i hynte kësaj aventure kundër këtij eprori për çështje hakmarrëse, inati apo për çështje të tjera personale. Do të duhej të dëshmonin edhe përcjellësit e Sami Lushtakut, sepse si një komandant që ishte ai në asnjë rrethanë nuk ka mundur të ishte i vetëm gjatë rrugëtimit të tij dhe drejtimit të operacioneve luftarake në terren. Kjo gjë me sa e kam përcjell me vëmendje këtë proces gjyqësor nuk është bërë.
Përse më shumë po ndiçën ushtarët shqiptar se sa kriminelet serb
Është numër i madh i të vrarëve shqiptar gjatë luftës së pabarabartë të zhvilluar në Kosovë. Janë vrarë rreth 15 mijë shqiptarë. Të zhdukur edhe rreth dy mijë të tjerë. Edhe më keq: u përdhunuan rreth 20 mijë vajza e gra, shumë prej tyre u vranë e u masakruan në mënyrën më mizore. U dogjën e u shkatërruan me themel mbi 180 mijë shtëpi. U plagosen, u torturuan e ndoqën nga trojet e tyre mbi një milion shqiptarë. Për të gjitha këto krime të luftës dihet me emër e mbiemër se kush i ka krye e kush i ka urdhëruar të kryhen. Këtë gjë e dëshmojnë edhe pjesëmarrësit serb në ato krime, në atë tragjedi shqiptare, në atë skenar të kobshëm për shqiptarët. Edhe këta, pra, e drejtojnë gishtin kah ata që kanë kryer krime, i kanë paraqitur në prokurori të ndryshme serbe, por edhe i kanë njoftuar edhe organet e drejtësisë evropiane me emër e mbiemër se kush janë ata gjakpirës që kryen aq shumë krime në Kosovë. Mirëpo, për çudi askush nuk ndërmerr asgjë. Këto dëshmi nuk i merr parasysh askush. Organet gjyqësore e hetimore serbe jo se jo, por as ato evropiane e ndërkombëtare nuk po bëjnë asgjë, po e injorojnë këtë gjë. Më shumë po iu intereson, disave qarqeve, që para bankës së të akuzuarëve të dalin luftëtarët e lirisë së Kosovës se sa ata që kryen krime të rënda lufte në kosovë. Pra, kriminelet serb shëtisin të lirë, bile mbajnë edhe poste të rëndësishme në Serbi siç është rasti me eprorin e lartë të ushtrisë serbe Dikoviq, ndërsa ushtarët e UÇK-së tash po edhe në të ardhmen do të përballen me akuza të pa argumentuara sa e si i kërkon një sistem i mirëfillt i drejtësisë.
Nisur nga një pabarazi e tejdukshme që po ndodh pas luftës së zhvilluar në Kosovë në aspektin e ndjekjes së atyre që kryen krime, është e kuptueshme që edhe reagimi i qytetarëve është i arsyeshëm të cilët pyesin: si është e mundur që për luftëtarët e lirisë të formohen kaq shumë gjyqe paralele, ndërsa për kriminelet serb iu është besuar që me ta merren organet e atij shteti që ishte nxitësi i luftës dhe ushtria si dhe të gjitha grupet e ndryshme kriminale kryen gjenocid mbi popullatën shqiptare dhe popujt e tjerë në ish-Jugosllavi. Këto eksperimente të një sistemi të këtillë të drejtësisë mund të ndodhin vetëm në Kosovë e akund tjetër. Në emër të asaj se ju kemi ndihmuar për t’u çliruar nga okupuesi serb, kjo nuk do të duhej të ndodh. Tehu i aktivitetit do të duhet të orientohet shumë më tepër kah kapja e dënimi i atyre që vranë e masakruan qindra mijëra qytetarë të pafajshëm, që përdhunuan mijëra vajza e gra, që shkatërruan e pasurinë e qytetarëve, që shumë vështirë e patën të mëkëmben. Nuk pretendoj t’i mbroj ata që eventualisht kanë kryer ndonjë vepër të ndëshkueshme, por siç thotë një fjalë popullore “ katundi që shihet kallauz nuk do”.