
Anila Prifti/
Nuk është e lehtë të flasësh për vështirësitë që ke, edhe kur e di mirë se janë aty. Edhe unë, pas kaq shumë vitesh si gazetare, i kam mbajtur për vete shumë gjera. Nuk i kam ndarë as me miqtë, as me familjen. Ndoshta për të mos u dukur e dobët, ndoshta për të mos i ngarkuar të tjerët. Është një lloj mbrojtjeje që e krijon vetë, me vetëdije. Në punën time si gazetare, duke ndjekur historitë e të tjerëve, më ka rënë në sy një gjë që përsëritet: të gjithë kanë vështirësi, por shumë pak flasin për to. Shumica mësohen t’i përballojnë vetëm, pa zë, sepse njerëzit kanë frikë nga ngarkesa emocionale e tjetrit. Frika i bën të mbyllen, t’i shmangen atij që është në nevojë.
Por nuk është vetëm frikë, ka edhe shumë turp. Turpi për të treguar se nuk je mirë, se nuk po ia del, se po dobësohesh. Kur ke folur një herë dhe nuk të kanë kuptuar, më pas më mirë e mban për vete. Është më e thjeshtë të marrësh gjithçka mbi supe sesa të përballesh me keqkuptimin ose, edhe më keq, me indiferencën. Dhe kështu, dalë-ngadalë, tërhiqemi nga njëri-tjetri, dhe kjo shtyrje kthehet në mënyrë jetese. Vetmia më e rëndë është pikërisht kjo: të jesh mes njerëzve dhe të mos kesh asnjë që të afrohet me të vërtetë.
Jeta është e shkurtër; mbajtja për vete nuk të forcon. Në fund, nuk është vuajtja ajo që na lodh me shumë, por largësitë që krijojmë vetë, nga frika ose krenaria.
Mos harro kurrë: kjo është vetmia më e keqe që mund të njohë njeriu.