Posta Shqiptare me rastin e 90 vjetorit të heroit kombëtar, mbrojtësit të kufijëve nga dyndjet e sllavëve, Elez Isufit, Gjeneralit me shajak- dekoruar edhe nga Perandori Franc Jozef, ka emetuar një pullë postare me portretin e heroit, i cili me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë u nderua nga Presidenti I Shqipërisë, Bujar Nishani, me urdhërin”Nder Ii i Kombit”. Pulla me portretin e Elez Isufit ka përmasat 30 x 40 mm.
PO KUSH ESHTE ELEZ ISUFI, ARUSHA E MALIT-GJENERALI ME SHAJAK?
Risjellim nga arkivi i Diellit artikullin e Naim Plakut me titull:
ELEZ ISUFI- FUQI, BESË, SHPËTIM DHE SHPRESË PËR KOMBIN /
Në analet e historisë sonë kombëtare, nga kohërat më të lashta e gjer tek më të rejat, Dibra ka qenë kurdoherë e pranishme dhe ka pasur peshë të rëndësishme, shpesh dhe përcaktuese, në lëvizjet tona kombëtare për liri dhe pavarësi, duke u dhënë këtyre pasazheve dhe peisazheve pikante ngjyrën e gjakut të kulluar të lirisë. Pozicioni i saj gjeofizik, një luginë e bukur e pjellore plot dritë e gjelbërim në rrjedhën e mesme të Drinit të Zi, me ujëra të kulluar e pyje madhështorë, përtej dallgëve të kripura të detit, kënetave dhe moçaleve, të verdha e të mpira, e mbrojtur nga një kurorë malesh të lartë në perendim e në lindje, tërhoqi lakmitë e pushtuesve duke filluar nga falangat e ushtrive romake e gjer te urditë shoviniste sërbe. Prandaj themi me të drejtë se Dibra ka histori. Kjo histori ka brenda saj ngjarje, perpjekje, luftëra, qëndresë madhore, ka tym të zi e gjak të pastër, besë të rëndë dhe hakmarrje vigane, ka luftëtarë e martirë, dëshmorë e heronj të vërtetë, prijësa të shquar e trima mejdani, ka varre lapidarë dhe këngë frymëzuese…
Ngjarjet që ndodhën në gjysmën e dytë të shek XIX dhe fillimin e shek.XX që shënojnë dhe fundin e sundimit otoman dhe kurorëzohen me shpalljen e Pavarësisë e bëjnë Dibrën epiqendër të përpjekjeve shqiptare për liri e pavarësi. Mjerë kush s’e njeh dhe s’e do! Le të kujtojmë qëndresën vigane kundër reformave të Tanzimatit, kontributin dibran në Lidhjen e Prizrenit, përpjekjet për gjuhën dhe shkollën shqipe, kryengritjet antiosmane për shpalljen e Pavarësisë, kuvendet, kararet dhe itifaket, besëlidhjet e famshme, prologun e gjithë atyre betejave legjendare, nga dolën heronjtë pishtarë të qëndresës popullore. Kurora e lavdisë dibrane është, padyshim, epopeja e luftrave 9-vjeçare kundër pushtuesve sërbë 1912-1921, përcaktuese në kufinjtë që kemi sot, e dhimbshme gjer në palcë, por madhështore gjer në pavdekësi, të cilën gishta të shkapërderdhur historianësh ose e kanë prekur pak, ose e kanë shkruar keq. Mjerë ata që luajnë me të vërtetën!
Sado të keqinerpretohen apo të keqpërdoren, memoria e shëndoshë e kombit kurrë nuk do të fshijë emrat e mëdhenj të patriotëve tanë. Ata janë si lulet që mbijë e lulëzojnë, sa herë fryjnë erëra të ngrohta behari. Të tillë janë Cen Leka e Salë Markja, Sheh Zerqani e Fejzë Bulqiza, Dan Cami e Iljaz Dibra, Selman Alia e Llan Kaloshi, Selim Rusi e Jusuf Bageri, Sefedin Pustina e Ismail Strazimiri, Baftjar Doda e Mustafë Lita, Hoxhë Voka e Hoxhë Muglica, Elez Isufi e Sufë Xhelili e plot të tjerë.
Elez Isufi hyri si meteor plot dritë e shkëlqim në orbitën e përpjekjeve shqiptare për liri dhe pavarësi, kur ishte djalë i ri 17 vjeç. Familja e tij kishte pak kohë që ishte vendosur në një mjedis interesant. Një shtëpi e thjeshtë majë një kodre mes gjelbërimit dushkor të Lugjepravës, në të djathtë të Drinit, që shpejt do të kthehej në një copëz parajse me bimë e pemë gjithfarësh dhe me një kullë-fortesë majë kodrës. Djali i ri, i pajisur nga natyra me dhunti të jashtëzakonshme, i rrahur që fëmijë nga erërat e luftës dhe barotit, i pjekur në kuvende burrash, i rritur dhe i kalitur në mejdane trimërie, nën kujdesin e një nëne malësore të mençur dhe bujare, të ashpër e kryelartë, por dhe të dashur e fisnike, ziente përbrenda si një vullkan që priste për të shpalosur mrekullitë e shpirtit shpërthyes e liridashës, të një mendjeje të ndritur e të një pasioni të fuqishëm, me sy të mprehtë e vëzhgues, me atë gjoks të gjërë e të rëndë si shkëmbi majë një mali, tërë forcë e energji vepruese për të nisur vepra të mëdha. Kështu e gjejnë atë ngjarjet e Lidhjes së Prizrenit. Vëllai i tij Xhelili, sapo ishte kthyer nga misioni historik në roje të besëlidhjes së madhe të Prizrenit së bashku me Xhafer e Baftjar Dodën, kur vdiq papritur në një moshë të re. Nga kjo kohë Elez Isufi mbajti mbi supe barrën e rëndë të familjes dhe misionin e lavdishëm të mbrojtjes së atdheut, në një nga periudhat më kritike të historisë sonë. Emri i tij shpejt do të bëhej i njohur, por dhe i frikshëm për armiqtë dhe tradhtarët. Ai do të bëhej udhëheqësi më popullor dhe më i besueshëmi, më i thjeshti dhe më i dashuri, prijësi i lavdishëm i vegjëlisë. Ai ishte simboli i besës dhe i bujarisë, i sakrificës dhe i trimërisë, burri i mençur i Dibrës dhe strategu i luftrave popullore, heroi i betejave legjendare, kreshniku i maleve tona dhe diplomati i pagabueshëm me opinga lëkure e kësulë të rrafshët dibre që u jepte drejtim kthesave më të vështira historike.
Janë mbi 46 vjet të jetës së tij të mbushura me shqetësime të panumërta për mbijetesë kombëtare, vite luftërash e betejash, vite qëndrese, krenarie e lavdie në mbrojtje të trojeve tona, të nderit e të dinjitetit shqiptar. Po të ecësh në gjurmët e këtij gjysëmshekulli të jetës së tij, nuk do të gjejsh asnjë vit të papërgjakur, asnjë muaj pa tym betejash e plagë lufte, asnje ditë të qetë e pa krisma pushke. Të gjitha mbulohen, si për çudi, me një aureolë të ndritshme, me një piskamë tronditëse të thirrjes së fuqishme “ A besë-a- besë, o burra, për hatër të këtij vatani”! Dhe ngriheshin 7 e 70, përmbysej nata dhe vraponin malet, konak e oxhak mblidheshin tek pesë krismat e pushkës habertare. Dhe gjithkush pyet me të drejtë:- Ku e kishte, vallë, gjithë këtë fuqi ky njeri, ky djalë, ky bir, ky burrë? Ai e kishte fjalën fjalë e besën besë. Nga syri i tij plot dritë buronte mirënjohja dhe nderimi për njeriun e mirë, dora e tij e bardhë shtronte bujari dhe nga gishti tregues shpërthente flaka hakmarrëse për armiqtë.
Çdo beteje çiftelia i vinte pas. Tregojnë se kanë qenë mbi 20 këngë që trimëria i ka kënduar pushkës dibrane dhe prijësit të saj Elez Isufit. Ne kemi arritur të mbledhim të plota rreth 13 prej tyre, pa llogaritur këngët që i janë kushtuar atij pas vdekjes. Kënga në atë kohë ishte vlerësimi më dinjitoz për dike që e meritonte. Ishte medaljon, urdhër, ishte titull nderi e lavdie, ishte dekoratë, lapidar e monument. Kënga bënte portretin heroit, por edhe te tradhtarit. Ndaj kënga dibrane, si më e fuqishmja në trevat shqiptare, ka bërë vlerësime dinjitoze. Elez Isufin e ka quajtur arushë mali, që s’i tutet as mbretit e as kralit, burrë zotni, që Petre Kralit i rri karshi, trim me shtatë zemra, shqipja e malit që faron asqerët e kralit, ylli i mejdanit, besa e burrit, salltanet ndër krala, etj. duke i dhënë urimin e zemrës:”Gjeç rahmet, o Elez Aga”! Në dy vargje të një kënge popullore jepet qartë qëndrimi që mban populli ndaj dy figurave:
Ahmet beg, nip i Toptanit, (Është fjala për tradhtarin Esat Toptanin).
Elez aga, arusha e malit.
Duke ecur gjurmë pas gjurme të jetës së tij e shohim se si rritet dhe madhohet në sytë e popullit personaliteti i udhëheqësit. E nisi rininë e hershme si bari dhish dhe shpejt e shohim të ngrihet si një zë të fuqishëm kryengritës kundër shtypjes e padrejtësive. Vihet në krye të një çete komitësh si dalëzotës i mallit në fshatrat e Rekës duke vendosur rendin e qetësinë. Gradën si çaush i një poste e shfrytëzoi për të përzënë turqit e Sllovës dhe ky akt do të ishte prologu i gjithë kryengritjeve të mëvonshme antiosmane deri në shpalljen e Pavarësisë. Në vitin 1899 është pjesëmarrës në Kuvendin e Qarnanicës krahas burrave të pjekur për miratimin e vendimeve të Lidhjes së Pejës, për unifikimin e veprimeve luftarake të kërkesave të parashikuara nga besëlidhja e madhe.Turqit e shikojnë si një element shumë të rrezikshëm dhe kërkojnë ta eleminojnë. E arrestojnë dhe e burgosin në Manastir. Në vitin 1902 arratiset nga burgu. Udhëheq një çetë të armatosur, e cila kryen disa aksione të guximshme në Dibër të Poshtme. Në vitin 1908 Elez Isufi me çetën e tij siguron zhvillimet normale të punimeve të Kongresit të Manastirit. Ai tashmë ishte njohur dhe miqësuar me shqiptarët më me peshë të Perandorisë dhe kishte përvetësuar platformën e rilindasve. Në maj 1910 në krye të më se 2000 dibranëve shkon në mbrojtje të Kosovës dhe merr pjesë në luftimet e përgjakshme të Qafë-Prushit. Arrestohet dhe dërgohet në burgun e Manastirit. Më 27 mars 1912 nën kryesinë e tij dhe Selman Alisë shkrepi krisma e parë e çetave kryengritëse dhe formohet Komiteti Nacional i Dibrës. Elez Isufi ishte flamurtari më i flaktë i sulmit të përgjithshëm. Kryeson delegacionin që niset në Prishtinë më 6 gusht dhe takohet në Ferizaj me Hasan Prishtinën, Bajram Currin e Isa Boletinin, të cilët do t’i lidhë, siç dëshmojnë ngjarjet e mëvonshme, miqësia e përjetshme. Caktohet delegat për në Vlorë, por ngjarjet që rrodhën me vërtik, e penguan këtë udhëtim historik. Me Ismail Qemalin ai do të takohej më 14 gusht 1913, pak muaj pas shpalljes së Pavarësisë duke mbyllur kështu njërën prej faqeve të historisë së lavdishme.
Lufta me sërbët është padyshim më tragjikja për Dibrën. Elez Isufin e kemi në krye të kësaj epopeje 9-vjeçare. Në nëntor, 20 ditë para shpalljes së Pavarësisë sërbët hyjnë në Lumë, Shkodra rrethohet nga malazestë. Elez Isufi me një pjesë të dibranëve kthen nga rruga për në Shkodër dhe hidhet në betejën e famshme të Kolosnjanit, kundër armikut rezil që tashmë kishte trokitur te porta e nderit. Fitorja e kësaj beteje qe befasuese. Bisha tërbohet dhe më tepër dhe mësyn e pushton Dibrën e Madhe dhe viset gjer në Dri, pikërisht një ditë para se Plaku i Vlorës të ngrejë flamurin e lirisë. Një natë të bekuar ai me shumë zgjuarsi arrin të çajë rrethimin e kullës dhe të shpëtojë 70 anëtarët e familjes dhe vetë arratiset në mal. Sërbët djegin kullën, por flamurtarit të rezistencës i rritet nami fort, sa që fillon ta dëgjojë dhe Evropa e shurdhër. Në shtator fillon kryengritja e madhe dhe brenda një nate korret një fitore tjetër historike. Në tetor fillon ofensiva sërbe me terror të padëgjuar në masën e popullsisë. Digjen e shkretohen tërë viset shqiptare në dy anët e Drinit të Zi. Shpërngulën mbi 20.000 dibranë. Elez Isufi shkon pak kohë të luftojë në Shkodër kundër malazezve. Në vitin 1914 qeveria e Durrësit e ngarkon të ruajë rendin e qetësinë nga provokacionet sërbe. Në mars 1915 mblidhet një kuvend i madh në Sohodoll dhe vendoset për të luftuar lëvizjen esadiste. Në dhjetor të atij viti ndizet Lufta e Kaushit, një ndër kulmet e fitoreve, ku futet në darën e hakmarrjes popullore një divizion sërb që priste të kalonte në Durrës. Në tetor 1918 Dibra bije sërish nën kthetrat sërbe, tashmë krejt e lodhur dhe e përgjakur.
Në gusht 1920 formohet ajo që njihet si qeveria e Arrasit. Mblidhet kuvendi i madh dhe zgjidhet një komitet lufte me komandant të forcave kryengritëse Elez Isufin. Shpërtheu kryengritja që ndezi mbarë Dibrës flakën e fitores. Në Lanë-Lurë, në një ditë breshëri dhe shiu, ndizet beteja e përgjakshme e vendimtare për fitore. Elez Isufi qe kundër synimeve diktatoriale dhe mbështeti gjithmonë krahun e demokratëve përparimtarë si Hasan Prishtina, Ramiz Daci, Ramiz Dibra,etj. Në dhjetor 1921 i tërheq vemendjen parlamentit për të thirrë Asamblenë Kushtetuese. Në prill 1922 gjykata ushtarake e dënon me vdekje. Udhëheq Lëvizjen e Marsit dhe falanga e tij me malësorë, e kalitur në qindra beteja, pas luftimeve të ashpra, hyn triumfalisht në Tiranë:
Meleq Frashni, mor budallë,
Mos u dil para Reç-e-Dardhë!
Reç-e-Dardhë mos u dil para,
Çe nand vjet luftojnë me krala!
Ahmet Zogu fillon spastrimet me vrasjen e kundërsharëve. Me Plakun e Sllovës fillimisht nuk pati sukses, se ai e mbante pushkën për syri ngulur te kulla e Ndreut, e cila në preludin e Revolucionit të Qershorit mblodhi në gjirin e saj qindra patriotë e malësorë duke u kthyer në qendër organizative për tërë Dibrën. Demokratët e vërtetë e mbështetën këtë revolucion, sepse e shikonin si një mundësi për realizimin e aspiratave të tyre, megjithatë ishin të detyruar ta mbanin syrin dhe veshin zgjuar, sepse diçka e zezë po lëvizte matanë dhe përbindshi i kahershëm sërb duke derdhur arin si ujë në xhepat e lakmitarëve tradhtarë, rigjallëroi shëmtyrat e kombit dhe vuri në lëvizje kthetrat e gjakosura të hasmit të vjetër. Kështu zbritën nga Skërteci në mesin e dhjetorit hordhitë mercenare e tradhtare, rusë të bardhë e sërbë të zinj të Pashiqit, drejt Peshkopisë, ku ishin forcat vullnetare me në krye Elez Isufin. Disa nga paria dibrane, e zverdhur e xheloze, dinake dhe tinzare, e shitur për pesë pare, duke shkelur mbi gjakun e kulluar të lirisë, shtriu dorën e zezë të tradhtisë dhe vrau në pabesi shqiponjën e betejave liridashëse, Sufë Xhelilin dhe kreshnikun e maleve Elez Isufin, ata që kënga do t’u vinte pas vit pas viti e brez pas brezi:
Çou, Elez, thërrasin malet
Besë-a-besë përmbi urdi,
Herë me mbret e herë me kralët
Për vatan e për liri!
Kam shpresë se historia do të trokasë shpejt në mendjet e turbulluara, do të zhvishet nga gjethet e thara dhe do të zbulojë fytyrën e bukur të së vërtetës e do t’iu thotë me zë të qartë: – Ja ku jam e kush jam!
Janë disa burra të cilët nuk e kanë ndjekur lavdinë, por ajo u ka shkuar pas. Dhe nuk kanë nevojë fare as për grada, as për lavdi e as për monumente. Elez Isufi dekorohet nga perandori i Austro-Hungarisë me urdhërin “Franc Jozef Orden” për luftë kundër sërbëve. Për meritat e tij si udhëheqës gradat më të larta ia vuri në gjoks populli i tij: Komandant, gjeneral, burrë burrash, shqipe mali, i pari i të parëve, kreshniku i Dibrës, bajraku i mejdanit, diplomat, Plaku i urtë i Sllovës, njeriu që i ka fry hizri në gojë, etj.
Për Elez Isufin u shkrua shumë në shtypin e kohës duke i veshur cilësitë më të larta. Janë shkruar e vazhdojnë të shkruhen biografi, monografi, vepra letrare, këngë, poezi, drama, romane, kujtime, etj. Ai është përfshirë gati në të gjitha botimet historike të peridhës që jetoi, diku më pak e diku më shumë, sepse dhe më të padëshiruarit i ngecet penda para veprës së tij dhe s’mund të bëjë kapërcime revansh. Shumë historianë e kanë quajtur strateg luftërash, kryetrim, Roja e Kufirit Shqiptar. Të huaj e vendas janë ndalur shpesh te figura e Elez Isufit. Roze Lang, shkrimtare amerikane e quan Trim i Dibrës dhe britaniku Barnes patriot të madh. Vrasja e albanalogut kroat Milan Shuflaj që u thirr urgjentisht nga sërbët pas vizitës në shtëpinë e Elez Isufit ishte e sajuar nga ana e tyre për të eleminuar një personalitet me rëndësi që do të shkruante të vërtetën për trimin e Dibrës. Nermin Vlora i quan Elez Isufin dhe Isuf Xhelilin trima madhështorë që u vlon ndër deje gjak shqiptar. Filozofi Isuf Luzaj e quan njeri të hekurt që i tansformonte njerëzit e thjeshtë në heronj. Fan Noli flet me simpati për gegën e mençur, trim e të pashoq. Skëndër Luarasi në librin që i kushtohet Isa Boletinit tregon për dy netët e këndshme që kaloi në kullën e Plakut të Sllovës, kur po udhëtonte drejt Vlorës. Por shkrimet më të mira që e ngrejnë lart figurën e tij si patriot, -thotë në kujtimet e tij Ismail Strazimiri, – janë burimet e shumta arkivore sërbe që flasin me mllef të pashoq për heroin tonë.
Një monografi dinjitoze për gjeneralin me shajak ka shkruar Xhafer Martini. Haki Sharofi ka lënë në dorëshkrim kujtimet e tij me vlerë. Haki Stërmilli e ka personazh kryesor në dramat e tij historike, Rexhep Krasniqi e quan shtyllë të sigurtë të vijës kufitare verilindore, Ibrahim Farka i thotë trim legjendar, Abdulla Çanga kujdestar plot pasion për shkollën dhe arsimin shqip, që bën epokë dhe sjell pavekësinë shprehet për të historian Gafurr Zoto, ndërsa një ndër personalitetet më premtuese e më të talentuara, prifti shkodran Dom Lazër Shantoja, i pushkatuar më 1946 nga diktatura, e ka personazhin kryesor të dramës së tij historike “Kuvendi i dëshmorëve”. Ai e vizitoi në Sllovë dhe shkruan me shumë simpati për personin që çdo send tjetër para tij humb interesin. Në këto 5 rrokje secili shqiptar shef njeriun me famë legjendare, që ari i sërbisë nuk mundi me e thye kurrë. Elez Isufi! Fuqi, shpresë, kërcënim!- shkruan ai, i cili, siç thotë Irfan Tërshana, u thirr nga Perandori si njohës i shkëlqyer i gjermanishtes, të përkthente fjalët e malësorit të Dibrës, që e kishte ofruar për dekorim.
***
I solla këto jo se ata janë pak të njohura, por më shumë si një kujtesë historike në këtë 100-vjetor të krenarisë kombëtare, ku secila figurë duhet të gjejë vendin e vet. Trimi, ku ka vënë këmbën, ka ngritur dhe muranën. Është një vend këtu në Tiranë që quhet “Qoshja e Elezit”. A thua nuk e meriton një përmendore? Fatmirësisht pasardhësit e kësaj dere të ndritur nuk e kanë humbur shkëlqimin. Unë u ndala te lufta e Dibrës dhe posaçërisht tek njera prej figurave të saj, për të cilin, fatkeqësisht, historia e ka mbyllur njerin sy. Por, nga kjo dritare shfaqen e gëlojnë qindra e qindra ngjarje dhe figura të ndritura të Dibrës, që, padyshim, duhen vënë sipas meritës në pjedestalin e lavdisë kombëtare dhe kurrë sipas shijeve dhe interesave personale.