Në stendën e Shtëpisë Botuese Onufri, e cila ka ekskluzivitetin e botimit të librave të Ismail Kadaresë, qëndrojnë edhe “Tirania e Tranzicionit” dhe “Traumat e Tranzicionit” – të Elida Buçpapajt.
Librat përfshijnë periudhën e ngjarjeve 2011-2012-2013 të mbushur me ngërçe dhe kriza në politikën shqiptare ndaj të cilave autorja mban një qendrim kritik dhe antikonformist, ndryshe nga opinionistët e Tiranës të cilët janë në kthyer në zëdhënës të politikës dhe oligarkisë financiare, duke tradhëtuar interesat e opinionit publik dhe profesionin e tyre. “Traumat e Tranzicionit” Libri ka edhe një kapitull me blogje të botuara si statuse në Facebook dhe kapitujt ndahen midis tyre me poezi të autorëve me famë botërore, të cilat Elida Buçpapaj i përkthen zakonisht gjatë pauzave të punës si gazetare.
Libri i parë ka si redaktor Akademik Mark Krasniqin. Parathëniet e librit i kanë shkruar shkrimtari i shquar Jusuf Buxhovi dhe një nga zërat më të fuqishëm të elitës në Shqipëri Dr.Përparim Kabo.
Për librin e dytë “Traumat e Tranzicionit” është redaktor Skënder Buçpapaj, ndërsa parathënia është shkruar nga gazetari i shquar shqiptaro-amerikan Frank Shkreli, ish Drejtor i seksionit shqip dhe ish Drejtor i Divizionit të Euroazisë në Radion Zëri i Amerikës.
Librat janë botuar të sponsorizuar nga dy shqiptaro-zviceranë, ndaj të cilëve autorja shpreh mirënjohje dhe respekt të thellë.
Ndërsa fton lexuesin që t’i blejë.