Shtetet e Bashkuara kanë dëbuar rreth 2 milionë emigrantë të paligjshëm në pesë vjet, që kur Presidenti Barak Obama mori detyrën. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Kent Klein, disa amerikanë thonë se administrata është shumë agresive në zbatimin e ligjit të imigracionin, ndërsa të tjerë thonë se ajo nuk është agresive sa duhet.
Sipas Greg Chen me Shoqatën Amerikane të Imigracionit, administrata Obama po largon një numër rekord imigrantësh të paligjshëm nga vendi.
“Numrat janë shtuar vazhdimisht gjatë administratave të presidentëve Bush dhe Obama në dekadën e fundit dhe tani janë në nivelin më të lartë. Është e rëndësishme të pranohet se administrata ka qënë e fuqishme në praktikat e zbatimit të ligjit.”
Por numri i përgjithshëm i deportimeve ka rënë, thotë Jon Feere, në Qendrën për Studimet e Imigracionit.
“Nuk po shohim një angazhim serioz në zbatimin e ligjit të imigracionit. Numri i dëbimeve nuk çshtë shtuare, por në fakt është pakësuar. Deri tani, Shtëpia e Bardhë nuk duket shumë serioze në zbatimin e ligjeve të imigracionit.”
Si ka mundësi që ka ndryshim në shifra? Kjo vjen për shkak të ndryshimeve mes asaj që qeveria i quan “të kthyer” dhe atyre që i quan “të dëbuar”. Numri i të kthyerve – atyre që kapen në kufi dhe kthehen mbrapsht, ka rënë ndjeshëm gjatë dekadës së fundit. Ndërkohë numri i të dëbuarve, atyre që arrijnë të hyjnë dhe që dëbohen pa të drejtë rikthimi, është rritur në nivelin më të lartë.
Jon Feere është i shqetësuar se numri total i të kthyerve dhe i të dëbuarve ka rënë.
“Numri i të dëbuarve është rritur disi. Por në se sheh numrin e përgjithshëm, të atyre që dëbohen dhe të atyre që kthehen në kufi, sheh se numrat janë zvogëluar.”
Por Greg Chen thotë se qeveria ende është treguar e ashpër me imigrantët e paligjshëm.
“Duhet të pranojmë se presidenti Obama ka shtuar praninë në kufi dhe kjo ka sjell rezultatin aktual. Pasojat e arrestimeve dhe dëbimeve nga vendi janë më të rënda, dhe kjo ka shtuar numrin e të larguarve nga vendi”.
Megjithatë, avokati veteran i imigracionit Jim Tom Haynes, thotë se nëpër gjykata, të cilat janë të mbingarkuara me raste deportimesh, po shkojnë më pak raste të reja.
“Rastet që shkojnë në gjykata duan vite që të zgjidhen. Pra mendoj se ka më pak deportime tani, thjesht për faktin se gjykatat nuk mund të përballojnë më shumë raste”.
Debati nëse duhen më pak, apo më shumë masa të forta, ka të ngjarë të ndikojë në debatin për reformën e sistemit të imigracionit në Shtetet e Bashkuara. Kjo gjithashtu mund të ndikojë në rezultatin e zgjedhjeve për në kongres në muajin nëntor.(VOA)