Nga Uran Butka*/
Mërgimi i shqiptarëve në Amerikë kishte nisur në fund të shek.XIX, ndërsa në shek.XX Amerika u bë vendi kryesor dhe më i lakmueshëm i emigracionit shqiptar.Dallohen tri etapa të emigracionit shqiptar drejt Amerikës: e para fillon nga fundi i shek.XIX dhe mbaron në vitin 1920, me rikrijimin e shtetit të pavarur shqiptar; etapa e dytë përfshin periudhën midis dy luftërave botërore dhe etapa e tretë përfshin periudhën pas Luftës së Dytë Botërore. Periudha e parë e këtij emigrimi ngërthen vitet 1892-1920, kohë e ndryshimeve të mëdha politike e kombëtare në Ballkan dhe në Shqipëri. Ajo ka si tipar kryesor fluksin në përmasa të konsiderueshme të emigracionit shqiptar në Amerikë, përmirësimin e tij ekonomik, fillimin dhe zhvillimin e një lëvizjeje të fuqishme kombëtare në mbështetje të pavarësisë, shtetit shqiptar dhe mbrojtjes së integritetit territorial e kombëtar të Shqipërisë të rrezikuar nga pushtuesit fqinjë, por edhe nga pazarllëqet dhe interesat e Fuqive të Mëdha.[1]
Edhe pse kishte shkuar më parë ndonjë shqiptar i vetmuar, viti 1894 shënon vajtjen në SHBA të një grupi prej 17 korçarësh, me udhërrëfyes Kol Kristoforin, duke formuar bërthamën e diasporës shqiptare në Amerikë.[2]
Motivi parësor i shqiptarëve që emigronin nga vendi i tyre, ishte ai ekonomik.
Gjendja ekonomike e Shqipërisë në fillimet e shek.XX ishte e shkatërruar plotësisht. Ende nën pushtimin e të “sëmurit të Bosforit”, ajo vuante, veç të tjerash, edhe nga një krizë e rëndë ekonomike e pashpresë, e shkaktuar nga regjimi feudal otoman, prapambetja e gjithanshme, rrënimi total i bujqësisë dhe taksat e papërballueshme.
Krahas emigrantëve ekonomikë, u shfaqën edhe emigrantët politikë, që gradualisht përbënin numrin më të madh ndër ata. Faktori politik ka luajtur një rol të rëndësishëm për emigrimin shqiptar drejt Amerikës. Madje, sipas burimeve të ndryshme, ky faktor ka rolin kryesor. Shpërthimi i kryengritjeve shqiptare antiosmane, trazirat e shpeshta brenda Perandorisë Turke dhe kriza e saj e thellë politike, luftërat e vazhdueshme, sidomos Lufta italo-turke, shpërthimi i luftërave ballkanike, por edhe i mynxyrave të brendshme, shkelja e Shqipërisë nga ushtritë e huaja, pasiguria e jetës e të tjera kanë qenë faktorët kryesorë që shkaktuan një valë të madhe emigracioni nga Shqipëria, kryesisht nga Shqipëria e jugut drejt SHBA. Ndër ta, duhet veçuar pushtimi i Shqipërisë së jugut nga ushtria greke në prag të shpërthimit të Luftës së Parë Botërore, masakrat dhe terrori që bënë gjatë këtij pushtimi.[3]
Gazeta “Kombi” e Sotir Pecit, shkruante: “Nuk jemi më tepër se 50 e ca, që ne, duke marrë shembuj të tjerët, erdhëm këtu në Amerikë, e cila pas pakë do të jetë vendi, që do të ketë më shumë shqiptarë” [4]
Emigrantët e parë shqiptarë u vendosën në qytetin e madh të Bostonit, por u përhapën edhe në qytetet e tjerë të shtetit Massachusetts. Mandej, për arsye pune, u përndanë edhe në shtetet e New York-ut, Pennsylvani-së, Michigan-it, Missour-it, Ohio-s etj. Qendër e rëndësishme e emigrantëve shqiptarë u bë New England, që përfshinte shtetet: Maine, New Hampshire, Massachusetts, Rhode Island dhe Connecticut.[5]
Emigantët shqiptarë u punësuan kryesisht në fabrikat e tekstileve, të këpucëve dhe industrinë e rëndë, por një pjesë e tyre u mor me tregti e biznes të vogël. Sipas gazetës “Kombi”, shqiptarët ishin shpërndarë në 12 qytete amerikane dhe kishin hapur 6 restorante, tri furra buke, një berberhanë etj. Në faqet e kësaj gazete botoheshin reklamat për hotel-restorant “Skënderbeg”, hotel “Korça”, hotel “Albania”, restorant “Tomorri”, hotel “Ali Pasha” dhe biznese të tjerë.
Megjithatë, mendoj se emigrimi për shkaqe politike ka qënë determinant, sepse gjatë kësaj periudhe ( 1900-1920) në hapësirën shqiptare ndodhën ngjarje të rëndësishme politike, siç ishte lufta e armatosur për çlirim kombëtar, shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, zaptimi i vendit nga ushtritë greke e serbo-malazeze, që bënë masakra të padëgjuara, mandej pushtimi nga ushtritë italiane, austriake dhe franceze përgjatë Luftës së Parë Botërore, kryengritja antikombëtare e Haxhi Qamilit dhe rrëzimi i shtetit shqiptar, kthimi i Shqipërisë në një shesh lufte dhe interesash politike të forcave ndërluftuese ballkanike dhe europiane etj. Të gjitha këto situata kombëtare, por edhe mjaft ngjarje të rënda lokale, e tronditën dhe e rrezikuan seriozisht jetën, qenien dhe ekzistencën shqiptare në trojet e tyre etnike, ndaj një pjesë e popullsisë shqiptare u largua nga Shqipëria për në vendet e tjera, kryesisht në Turqi, Misir, Rumani, Bullgari, ku ekzistonin kolonitë e mëparshme të emigracionit shqiptar, por, më së shumti, në Amerikë, ku u mundësohej punësimi dhe jetesa.
Studiuesi J.S. Roucek, i njohur për hulumtimin e emigracionit shqiptar dhe jugosllav në Amerikë, thotë se refugjatët politikë përbënin shumicën e emigracionit shqiptar në SHBA.[6]
Ky fakt bëri që edhe veprimtaria e tij kryesore të ishte politike, e lidhur ngushtë me fatin e Shqipërisë dhe të kombit shqiptar.
Kjo periudhë e parë përkon edhe me migrimin dhe veprimtarinë e Kristo Kirkës në SHBA, refugjat për motive politike, por që u bë një nga veprimtarët më të shquar të çështjes sonë kombëtare.
Ai është një nga të parët shqiptarë që shkeli në Tokën e Re, më 28 qershor 1904, kur sapo ishin bërë përçapjet dhe ishin hedhur hapat e parë të lëvizjes kombëtare shqiptare nga atdhetari dhe intelektuali i shquar Petro Nini Luarasi, i cili kishte ardhur në Amerikë në maj të vitit 1904, gati dy muaj më parë se Kristoja. Petro Nini Luarasi, ish-mësuesi i shkollave të para shqipe në Kolonjë dhe në Korçë, por edhe mësuesi i parë i Kristos, rilindësi që Patriarkana Greke e kishte shkishëruar e mallkuar, e vijonte veprimtarinë patriotike dhe arsimore mes shqiptarëve edhe në Amerikë. Ai themeloi në vitin 1905 në Buffalo dhe dhe Jamestown të New-Yorkut shoqëritë e para shqiptare “Pellazgu” dhe “Mall’i Mëmëdheut”. Këto shoqëri patriotike e arsimore mblodhën mjaft shqiptarë jo vetëm në Buffalo dhe Jamestown, por edhe më gjerë dhe u bënë vatrat e para të rëndësishme të lëvizjes kombëtare shqiptare në SHBA.
Gazeta “Kombi” shkruante: “Qëllimi i shoqërisë me qendër në Buffalo, themeluar prej intelektualëve të vërtetë, është të mbjellë vëllazërinë, dashurinë, bashkimin, duke përhapur udhën e qytetërimit me anën e librave, që do të shtypë”.[7]
Petro Luarasi, si një rilindës, e kishte kuptuar me kohë se bashkimi, organizimi dhe mbrothësimi i shqiptarëve mund të bëhej me anë të dijes, ndaj ai u bë pishtar i saj. “Ai ishte një librari me dy këmbë, me xhepat mbushur plot me pamflete, revista e gazeta. Petron mund ta krahasojmë me Shën Janin, sepse përgatiti udhën e Lëvizjes Kombëtare për ata që ardhën pas tij” –shkruante Konstandin Demo.[8]
Ndërsa Fan Noli e quante Petro Ninin – të parin pionier të lëvizjes kombëtare në Amerikë.[9]
Shoqëria “Mall’i Mëmëdheut” bëri thirrjen e parë për t’u bashkuar gjithë shqiptarët në një shoqëri të përbashkët.
Kristoja gjeti te Petro Nini mikun e vjetër të familjes Kirka. Kur ishte mësues i shqipes në shkollën shqipe të Korçës, Petroja vinte shpesh në shtëpinë e Dhimitrit, ku bisedonin për hallet e kazasë së Korçës, pengesat për gjuhën e shkollat shqipe, propagandën turke e greke si edhe për përpjekjen atdhetare shqiptare brenda e jashtë Shqipërisë. Kristoja i vogël nuk merrte pjesë në këto kuvendime, por dëgjonte nga prindët fjalë të mira për mësues Petron dhe i rritej dashuria për atë. Por ja që e solli fati që ata të dy, të ndodheshin në të njëjtën kohë në Amerikë dhe të bashkëpunonin si veprimtarë kombëtarë, madje, kur Petroja u kthye në Shqipëri, veprën e tij e vijoi Kristoja, i cili përfaqësoi edhe shoqërinë “Mall’i mëmëdheut” në përpjekjet për themelimin e “Vatrës”.
Kristoja i ri u vendos në qytezën e Natick-ut, afër Bostonit, ku kishte disa emigrantë shqiptarë nga treva e tij. Si gjithë të tjerët, bënte punë krahu për gjashtë ditët e javës, ndërsa të dielave shkonte në Buffalo dhe bashkëpunonte me Petro Ninin në shoqatën “Mall’i Mëmëdheut”, por edhe Petroja vinte shpesh në Natick, ku banonte Kristoja dhe mjaft miq të Petros.
“Banonim së bashku, në grupe deri në dhjetë veta, në banesa që i quanim “konakë”. Gatuanim e hanim së bashku dhe secili paguante pjesën e vet, në mënyrë të barabartë. Kështu, kursenim më shumë para, që t’ua dërgonim familjeve në Shqipëri. Njëri zgjidhej kryetar i konakut dhe ai caktonte detyrat për të tjerët, siç ishte përgatitja e ushqimit, larja e enëve, pastrimi e të tjera. Në kësi rastesh, kur ishim tok, nuk mungonte as muhabeti e as humori. Një herë, kur unë isha kryetar konaku, mbasi u caktova të gjithëve detyrat, hidhet Ndrekoja dhe më thotë:
– Po ti, Taqi, ç’do të bësh, se nuk i vure vetes asnjë punë!
– Unë do të pres e do të përcjell miqtë, kur të na vijnë, se jam i pari i fshatit! – qesha unë.
Po më e bukura ndodhi me Vasil Dardharin. Meqenëse ai punonte gjatë gjithë natës për të shpërndarë qumështin me karrocë nëpër shtëpitë e klientëve, e lamë të lirë nga çdo detyrë në konak, në mënyrë që ai të mund flinte gjatë ditës. Por vumë re që Vasili, sa kthehej nga puna në sabah, në vend që të flinte, dilte jashtë për të shëtitur. Një ditë shokët e pyetën:
– More Vaso, si ia bën ti pa vënë gjumë në sy?
– Fle unë, fle, – u përgjigj qetë-qetë Vasili.
– E kur fle, zotrote? Ne këtu jemi…
– Fle gjatë natës, kur punoj.
– Si?!
– Po, fle që çke me të, kur kuajt ecin në rrugë dhe ndalen vetë para shtëpisë, ku do të lë shishet e qumështit. Janë mësuar tashmë, se i njëjti avaz është. Atëherë zgjohem, lë shishet te porta dhe hip përsëri në karrocë. Hya! Kuajt nisen dhe unë ia këpus gjumit prapë.
U shkulëm së qeshuri.
Megjithëse puna ishte e rëndë dhe lodheshim shumë, e përballonim bashkërisht. Kur ndonjëri sëmurej apo nuk ishte në gjendje pune, e ndihmonim ne të tjerët. Por, mbi të gjitha, ishte mësimi në gjuhën shqipe, sepse një pjesë nuk dinte shkrim e këndim. Çdo të diel, mua më takonte të bëja dy orë mësim në gjuhën tonë. Dhe e bëja me shpirt. Ishte kënaqësi e madhe për mua, kur ata që s’kishin pasur mundësi të shkolloheshin në Shqipëri, tani u shkruanin letra familjarëve të tyre në gjuhën e mëmës dhe merrnin letra prej tyre”. [10]
Kristoja e nisi përpjekjen me propagandimin e shoqërisë “Mall’i Mëmëdheut” , që u bë një nga organizatat më të fuqishme, ku u mbështet më vonë themelimi i Federatës “Vatra”. Ideja dhe përpjekja e Kristos në atë kohë përmblidhej tek fjala shqipe, tek lëvrimi i gjuhës shqipe tek emigrantët shqiptarë. Ai mendonte se nëpërmjet mësimit të gjuhës shqipe të lëvruar do të shkohej tek ndërgjegjësimi kombëtar dhe mbrojtja e të drejtave kombëtare. Një njeri pa identitet kombëtar është një hiçgjë, u thoshte ai bashkëkombasve, pjesa më e madhe e të cilëve ishin të pashkolluar.
Në këtë kohë Kirka mendonte dhe vepronte si një rilindës. Pema e Rilindjes ishte shqiptarizmi apo nacionalizmi i ndritur shqiptar, ithtar i të cilit ishte dhe mbeti Kristo Kirka.
“Ideja e nacionalizmit lindi, së pari, në mendjen e disa shqiptarëve inteligjentë dhe me ndjenja të larta, – shkruante Kirka. – Të parët e idesë nacionaliste na çfaqen Abdyl, Naim dhe Sami Frashëri dhe, më parë, Naum Vithkuqari, që filloi të përpiqej për të gjallur kombësinë shqiptare, pikë së pari me krijimin e shkronjave e të librave shqip, me përhapjen e gjuhës letrare dhe bashkë me këto, dijenitë njerëzore midis shqiptarëve. Ideja e nacionalizmës rrjedh nga një dëshirë, që çfaqet te njeriu për të lartësuar mendërisht, moralisht, estetikisht dhe teknikisht popullin prej ku ka dalë. Kjo ndjenjë me të vërtetë është e shenjtë, sepse përbën një vetmohim në përkrahjen e interesave kolektive të kombit” [11]
Gjatë viteve 1904-1906 në SHBA, veçanërisht në Boston, pati një valë të fuqishme emigracioni jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga kolonitë shqiptare në Egjipt, Europë etj. Ndër ta edhe mjaft figura të shquara të mendimit e të lëvizjes kombëtare, si Sotir Peci (1905), Fan Noli (1906), të cilët i dhanë shtysë, motiv dhe vlera veprimtarisë patriotike të shqiptarëve atje.
Në muajin qershor 1906, Sotir Peci botoi në Boston gazetën e parë në Amerikë, me emrin “Kombi”. Platforma politike e kësaj gazete ishte e njëjtë me programin politik të lëvizjes kombëtare në Shqipëri, e cila në atë kohë kërkonte një Shqipëri autonome në kufijtë e katër vilajeteve, në kornizë të Perandorisë Osmane, lejimin e hapjes së shkollave shqipe, krijimin e një administrate shqiptare, përdorimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare etj.
Fan Noli bashkëpunoi ngushtë me Pecin dhe të dy bashkë, ndonëse në kushte të vështira ekonomike, nxorën një gazetë bashkëkohore dhe shumë të dobishme për bashkimin dhe emancipimin e shqiptarëve.
Edhe Kristo Kirka ndihmoi në financimin dhe përhapjen e gazetës “Kombi” tek shqiptarët e Boston-it dhe të Natick-ut. Ishte një moment kritik, kur gazeta e vetme dhe e dashur e shqiptarëve ndodhej përpara një falimentimi, sepse brenda një viti ajo hyri në një borxh prej 485 dollarësh të asaj kohe. Kjo gjendje e vështirë i detyroi Sotir Pecin dhe Nolin të shkonin në Natick, njëra nga qendrat kryesore të atdhetarizmit shqiptar dhe të kërkonin ndihmë për gazetën. Këtu ata gjetën atdhetarë të flaktë, si Kristo Kirkën, Andrea Panin, Kol Tromarën, Ilo Tromarën, Sotir Nokën e të tjerë, të cilët e shlyen së bashku të gjithë borxhin e gazetës dhe ndihmësuan që ajo të vazhdonte botimin. [12]
Kështu, Kristo Kirka u lidh ngushtë me kauzën kombëtare, sidomos me shtypin shqiptar dhe u bë një nga organizatorët e drejtuesit kryesorë të gazetarisë shqiptare në SHBA.
Atëbotë, Kirka ishte ende i ri, plot energji, besim në vete dhe në çështjen kombëtare. Dhe, jo vetëm që merr pjesë në çdo veprimtari, por bëhet krah i Petro Luarasit, Fan Nolit, Sotir Pecit.
Djaloshi që kishte lënë Korçën, po binte në sy për shpirtin atdhetar dhe energjitë e pakursyera. Ai shpejt fitoi besimin e lëvizjes patriotike shqiptare në SHBA.[13]
Në kujtesën e tij djaloshare mbeti i pashlyer tubimi i 1 janarit 1907 në Jamestown, organizuar nga shoqëria “Mall’i Mëmëdheut”, me rastin e ardhjes së Bajo Topullit në Amerikë, si përfaqësues i Komitetit të fshehtë të Manastirit. Në këtë mbledhje, ku merrnin pjesë edhe mjaft shqiptarë që nuk ishin anëtarë të shoqërisë, ligjëroi aktivisti i njohur i saj, Thanas Floqi, si edhe mysafiri nga Shqipëria, Bajoja, i cili foli për çetat e para kryengritëse të lirisë në Shqipëri.[14]
Po ashtu, mbresë të madhe i la mitingu i madh që u organizua nga shoqëria “Mall’i Mëmëdheut” në Boston, për të nderuar kujtimin e dëshmorit të kombit, Spiro Vani Kosturi dhe për të protestuar kundër vrasjes së tij nga shovinistët grekë në Selanik, ku kishte shkuar të siguronte armë për kryengritësit e lirisë. Kristoja e kishte njohur Spiron në Korçë, ishin pothuaj moshatarë dhe miq familjarë. Spiroja ishte atdhetar i çartur, i ngjante të atit, Vanit, që s’kursente gjë për Shqipërinë. Në këtë miting shqiptarët mbanin në duar flamuj shqiptarë dhe amerikanë dhe mbajtën fjalime të zjarrta Petro Luarasi, Fan Noli, Sotir Peci e të tjerë.[15]
Kështu, Kristoja i ri u fut dalëngadalë në rrjedhën kombëtare, si edhe në veprimtaritë e lira shoqërore të shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këtë liri dhe këtë ndjesi nuk e kishte provuar kurrë më parë, ndaj edhe ishte aq i çlirët, i hedhur dhe optimist.
Qazim Prodani, një nacionalist i shquar kolonjar, shkruante në gazetën “Besa”:
“Kirka popullor dhe shumë i dashur, rrallë bëhej mik me lehtësi, rrallë lidhte shoqëri menjëherë. Sepse rrallë gjente te njerëzit atë kuptim që ai i jepte kauzës shqiptare, detyrës së shqiptarit; atë shpirt vetmohimi dhe guximi, që e priu tërë jetën si ushtar lirie në mërgim dhe në atdhe. Dhe një ditë me qiell të ngrysur, plot me re të zeza që mbulonin horizontin e Ballkanëve, djaloshi Kristo, pa i dirsur mustaqja, por q’e ndiente veten burrë, burrë shqiptar, merr rrugën e gjatë drejt Botës së Re. Nuk vete në kurbet të fitojë para, nuk e lë Shqipërinë për ta harruar. Jo, vete të punojë, të përpiqet, të luftojë për lirinë e Shqipërisë. Kërkon të shohë në Korçën e tij, në Shqipërinë katërvilajetëshe, të valojë flamuri me dy krerë, flamuri kuq e zi dhe asnjë tjetër. Kristoja nuk ndjente dashuri më të madhe në shpirt sesa dashuria për mëmëdhenë, ashtu si e thërriste ai në atë kohë. Dhe kësaj dashurije, iu kushtua tërësisht, sa i ri e plak, në luftë e në paqe, në Shqipëri e në dhe të huaj. Mëmëdheu ishte kulti i Kristos dhe kombi e shqiptarizmi – feja e tij, besimi i shpirtit fisnik, që qëndronte n’atë trup të pastër, i pastër si dëbora e Gramozit!”. [16]
Në jetën e Kristo Kirkës së ri, ka luajtur një rol të veçantë njohja, miqësia dhe bashkëpunimi me Fan Nolin. Noli, pasi arriti në New York (maj 1906), shkoi në Buffalo, ku ishte ngritur shoqëria “Mall’ i Mëmëdheut”. Ai u vendos në këtë qytet për të ndihmuar në punët patriotike të shoqërisë dhe për ta kthyer atë në një vatër për të gjithë shqiptarët. Në Buffalo Noli filloi punë në një punishte tanini dhe banonte në një konak ku flinin nëntë shqiptarë. Por miqësia me ta, sidomos bashkëpunimi me Petro Ninin, e bënin të përballonte çdo vështirësi.
Në Buffalo u njoh edhe me Kristo Kirkën, i cili vinte atje në fundjavë për të marrë pjesë në veprimtaritë e shoqërisë “Mall’ i Mëmëdheut”. Kristoja e pëlqeu mendjen e ndritur të Nolit, kulturën e pazakontë dhe atdhetarinë e palëkundur të Nolit. Ata u bënë miq dhe e vazhduan miqësinë e bashkëpunimin gjithë jetën.
Me nismën e Fan Nolit, në fillim të vitit 1907, u themelua shoqëria “Besa-Besën”, e cila synonte të mblidhte rreth saj shqiptarët e New-England-it, por edhe më gjerë. Në krye të kësaj shoqërie u zgjodh Fan Noli, kryetar dhe Gerri Adams, nënkryetar. Në janar dhe shkurt të vitit 1907 u formuan shoqëritë “Koha” ( New York) dhe “Lidhja” ( Saint Louis). [17] Faksimile 4
Shoqëria “Besa-Besën” kishte në programin e saj politik mbështetjen e të drejtave kombëtare të shqiptarëve dhe në atë kulturor, hapjen e shkollave shqipe në Shqipëri, botimin dhe përhapjen e literaturës shqipe, që do të propagandonte idetë e lirisë dhe të përparimit, po ashtu edhe organizimin e shqiptarëve të Amerikës në një lob të fuqishëm në ndihmesë të kombit . Kjo shoqëri caktoi si festë të saj Shën Gjergjin, për nder të heroit tonë kombëtar dhe kjo ditë do të kremtohej nga të gjithë shqiptarët, ortodoksë e myslimanë.
Të parët që e përkrahën formimin e shoqërisë Besa-Besën” dhe që krijuan menjëherë degën e kësaj shoqërie në Natick, ishin shqiptarët atdhetarë të këtij qyteti të vogël, por me kontribute të mëdha në çështjen kombëtare. Në Natick, tashmë ishin shtuar emigrantët shqiptarë. Kristoja u bë shpirti i tyre. Në mbledhjen themeluese të degës së shoqërisë “Besa-Besën” në Natick, mori pjesë edhe Fan Noli, me cilësinë e kryetarit të shoqërisë, si edhe disa personalitete amerikane, që përkrahnin çështjen shqiptare. Pasi u miratua nga pjesëmarrësit kanunorja e shoqërisë, u bënë zgjedhjet e pleqësisë së kësaj dege dhe u zgjodh kryetar Ilo Tromara.[18]
Kjo përpjekje kombëtare bëhej edhe më e domosdoshme, sepse propaganda greke, agjentët dhe intrigat e saj gëlonin, jo vetëm në Shqipëri, por e kishin shtrirë veprimtarinë antishqiptare edhe në SHBA, në qarqet politike të saj, madje edhe ndërmjet emigrantëve shqiptarë, për t’i përçarë apo për t’i bërë për vete me të gjitha mënyrat e mjetet. Veçanërisht, nëpërmjet kishës greke.
Themelimi i shoqërive të para shqiptare si edhe veprimtaria e tyre kombëtare, nuk shikohej me sy të mirë prej qarqeve politike greke. Ato i shqetësonte fakti që shqiptarët ortodoksë të Amerikës, të cilët grekët i konsideronin si grekë të Epirit, jo vetëm që ndjeheshin etnikisht dhe kombëtarisht shqiptarë, por qëndronin në radhët e para të lëvizjes për të drejtat kombëtare të popullit shqiptar. Edhe individë apo grupe të caktuara nga emigrantët ortodoksë shqiptarë, që fillimisht ishin nën ndikimin e propagandës greke, po shkëputeshin prej këtij ndikimi. Përjashtim bënin këtu grekomanët, të cilët, në bashkëpunim me rrethe të caktuara greke, vijuan veprimtarinë e vet sabotuese ndaj lëvizjes patriotike shqiptare.[19]
Madje, për të neutralizuar idetë dhe veprimtaritë kombëtare shqiptare, emigrantët politikë ekstremistë grekë krijuan në SHBA sillogjet e tyre antishqiptare, si “Ipiro Alvanikos Sillogos” në New York apo “Vëllazëria Epiriote” në Worcester, ku bashkoheshin edhe elementë grekomanë, si edhe kisha greke.
Kristo Kirka, iu kundërvu politikës së sillogjeve “vorio-epirote”, që propagandonin edhe në SHBA se çdo i krishterë ortodoks është grek. Përkundrazi, ai vetë, por edhe shqiptarët e tjerë ortodoksë, si: Petro Nini Luarasi, Fan Noli, Sotir Peci, Kristo Floqi, Kristo Dako, Thanas Floqi, Sotir Mikeli, Llambi Bimbli, Vangjo Miller, G.Gjoleka, At Naum Cere, Kol Rodhe e shumë të tjerë ishin gurët e themelit të kombësisë shqiptare në Amerikë. Sikundër të parët e tyre rilindës ortodoksë: Kristoforidhi, Veqilharxhi, Vaso Pasha, Vreto, Mitko, De Rada, Koto Hoxhi e të tjerë, vunë themelet e shqiptarizmës e të shtetit kombëtar shqiptar.
Kristo Kirka rrëfen:
“Aq e madhe qe propaganda greke kundër shqiptarëve dhe Shqipërisë, sa që, përveç atyre misionarëve të “Megaloidesë” që vepronin në Amerikë, dërgoheshin edhe të tjerë here pas here nga Athina. Një herë, u bënë lajmërime se një profesor i Universitetit të Athinës do të mbante një konferencë në Boston për të ashtuquajturin “Vorio-Epir”. Disa nga ne, shqiptarët e Natick-ut, vendosëm që të shkonim në atë konferencë. Grupi ynë shkoi në sallën e konferencës një orë përpara fillimit dhe zuri vend në radhët e para. Organizatorët u shqetësuan, por nuk na nxirrnin dot jashtë. Profesori Ricos mbajti një ligjëratë të gjatë për historinë e Greqisë dhe askush nuk e trazoi. Por, kur hyri në temë dhe nisi të “argumentonte” me fjalë të rreme se “Vorio-Epiri” është grek, se çdo ortodoks në Shqipëri është grek, unë nuk durova dot, u ngrita më këmbë dhe e ndërpreva, duke i folur në gjuhën greke, të cilën e kisha mësuar në gjimnazin grek të Korçës. “Unë jam ortodoks dhe, siç e dëgjon, flas mirë greqisht. Por nuk jam grek, jam shqiptar i kulluar dhe e kam për nder që jam i tillë. Kështu janë edhe ortodoksët e tjerë shqiptarë, përveç atyre që i gënjeni apo i paguani ju. Unë jam nga Korça, që ju e quani Vorio-Epir, po në Korçë nuk ka asnjë grek për be. Bile edhe Follorina, Kosturi, Konica, Janina dhe gjithë Çamëria, që ju i kini zaptuar padrejtësisht, janë shqiptare. Ti gënjen, nuk je historian i vërtetë, je falsifikator i historisë!” Grekët që ishin në sallë, m’u vërsulën, por kërcyen shqiptarët që kishin ardhur me mua dhe filloi një përleshje e paparë ndonjëherë. Krisën grushtet dhe karriket. Konferenca u prish. Mua më rrethuan shokët dhe më nxorrën përjashta. Kur erdhi policia, ne ishim larguar. Ngjarja bëri bujë dhe shkruan gazetat amerikane, shkroi gjatë edhe gazeta jonë “Kombi”. Kjo ngjarje bëri përshtypje edhe tek shqiptarët e Amerikës, që filluan të na mbështesnin dhe të afroheshin me ne, sepse u bindën se e drejta ishte me ne, por kjo e drejtë fitohej po të bashkoheshim dhe të organizoheshim. Na u afrua edhe një arbëresh i Greqisë, me llagapin Greims, që e bëra mik. Sa herë që binte fjala për veprimtarinë time dhe përplasjen me grekët, më jepte të drejtë. Ai rrëfente sesi ishin asimiluar arvanitasit në Greqi me anë të dhunës, propagandës helene, kishës greke, ndërrimit të emrave dhe mohimit të çdo të drejte kombëtare, përfshirë edhe mohimin e shkollimit në gjuhën shqipe. “Po të thuash në Greqi që jam arvanitas, ose të flasësh shqip, të shpërngulin nga trojet, të marrin pasurinë dhe të degdisin në Anadoll”, – më thoshte miku im. “Ja, unë nuk di shqip, as fëmijët e mi nuk dinë”. Kur mori vesh ngjarjen me profesorin grek, erdhi e më përgëzoi. U ulëm të pinim kafetë dhe ai më tregoi se ishte zënë me grekët, duke mbajtur anën tonë.
– Është thirrja e gjakut, – tha dhe më përqafoi.
– Ore Kosta, i thashë, ti mbiemrin e ke Greims, të amerikanizuar. Si e ke pasur në Greqi?
– Ngremutis, – m’u përgjigj.
Unë mbeta me buzë në gaz. Ai dyshoi dhe më pyeti:
– Ç’kuptim ka në gjuhën shqipe?
U përpoqa t’i shpjegoja, sipas mëndjes sime, që ky emër përbëhej nga dy fjalë: ngre dhe mut, si dhe kuptimin e tyre. Ai nuk u fye, përkundrazi u gjallërua, sytë filluan t’i shkëlqenin dhe ma ktheu:
-Tamam. Gjyshi im ishte nga një fshat arvanitas në rrethinat e Athinës. Banorët ishin bujq të mirë, merreshin sidomos me kopshtari. Kam dëgjuar që i quanin barbaçë.
– Ndoshta kjo shpjegohet me fjalët “bar” dhe “bahçe”, meqenëse ishin bahçevanë.
– Nuk e di, tha Kosta, por di që tim gjysh, Kosta quhej, e thërrisnin “Ngremutis” në fshat, se ngrinte pleh me qerre dhe e çonte në kopshtet e fshatarëve. Tani e kuptoj nga e ka origjinën llagapi im shqiptar. S’e kam për turp, përkundrazi.
Më bëri përshtypje ky ngazëllim i tij. Ky rrënjëshkulur, ky Kosta Greims, tashmë shtetas amerikan, që jeton në lobin grek, mallëngjehet e gëzohet kur e kupton dhe e ndjen plotësisht se është shqiptar, se ajo shtytje e brendshme i vjen nga shtresat më të thella të ndërgjegjes, se ajo klithmë e brendshme është thirrja e gjakut arbëresh, gjakut jo të shprishur! A ka gjë më tronditëse, por edhe më të madhërishme?” [20]
Nga këto rrëfime mëmëdhetare, por edhe psikologjike, kuptojmë që Kristoja kishte një dell prej shkrimtari, por që, për rrethanat e jetës, nuk e kishte zhvilluar. Këtë prirje të tij e vëmë re edhe në shkrimet botuar në shtypin e kohës, në letëkëmbimet, sidomos në kujtimet e tij.
Me përpjekjen dhe mbështetjen e Kristo Kirkës, veprimtari tjetër i shquar në fushën e arsimit shqiptar, Kristo Dako, çeli në fillim të qershorit 1908 një shkollë në Natick, për t’u mësuar bashkëkombasve gjuhën shqipe dhe dijen, por edhe anglishten, që u duhej shqiptarëve për t’u integruar në shoqërinë amerikane.
- Marrë nga libri i Uran Butkës”Kristo Kirka”, i cili fitoi në Dhjetor 2013 “Penda e argjëndt” nga Minsitria e Arsimit dhe Kulturës
[1] Beqir Meta Federata panshqiptare “Vatra”, 2002
[2] Kostandin Demo, The Albanians in Amerika, Boston Mass 1960
[3] B. Meta,Federata Panshqiptare “Vatra”, Tiranë 2002
[4] Gazeta “Kombi” 30 qershor 1906
[5] J.S.Roucek, The Albanian and Yugoslav immigrants in Amerika, 1937-1938.
[6] Po aty
[7] Gazeta Kombi, korrik 1906
[8] The Albanians in Amerika, Boston Mass, 1960
[9] A. Uçi,Petro Nini Luarasi, Tiranë 2011
[10] N.Kirka. Për mëmëdhenë.
[11] Gazeta “Fjala e Korçës” Konferenca e K.Kirkës.
[12] K.Demo, vepër e cituar, f.60
[13] D. Greca, Gazeta “Albania”, 3 maj 2000
[14] Gazeta “Kombi”, janar 1907
[15] Sipas K. Demo, vepër e cituar dhe kujtimeve të K.Kirkës
[16] Gazeta “Besa, nr.25, shtator 1955.
[17] K.Demo, vepër e cituar
[18] Gazeta “Kombi” 1906, nr.18
[19] V.Duka, Shqiptarët në rrjedhat e Shek.XX
[20] N.Kirka, Për mëmëdhenë.
Naile says
Si te shkohet ne amerike me familje
dgreca says
Nese Fati ju troket me Lotarine Amerikane, eshte rruge e sigurte.