Fatmir Terziu/
Treni u ngadalësua. Dhe kjo ndodhi papritmas, ndërsa trupi i tij i metaltë u tërhoq në la Gare de l’Est. Vagonat paliteshin dhe rrotat bluanin metal me dhëmbë derisa ai ndaloi. Ishte vonë. Do të më duhej të lëvizja shpejt për të kapur metronë e fundit pas atij takimi për në hotelin ku më priste ime shoqe. Nuk kisha energji. Isha i lodhur. Ndjehesha i ftohtë dhe i uritur, gjë që më bënte të mërzitur. Vura çantën time rreth gjoksit, kapa bagazhin tim dhe u nisa për në dalje. Ndërsa iu afrova derës, ndjeva ajrin e freskët të majit që vërshonte në hapësirë. E ngjesha më shumë trikon rreth meje ndërsa zbrita shkallët në kalatë, duke peshuar më shumë në dorën e djathtë.
Duke kërkuar për daljen më të afërt, u ktheva majtas, pa parë, dhe u përplasa me një vajzë. Trupat tanë u përplasën, koha u ngadalësua, ndërsa ne u ngjeshëm thuajse me njëri-tjetrin. Flokët e saj rrodhën në fytyrën time si një valë oqeani. Mund të nuhasja flokët e saj, aromën e saj, feminilitetin e saj. Ajo bërtiti e habitur, me zërin e saj plot rini dhe nubilitet. Bota u kthye në kohë reale dhe unë e pashë drithmazi atë. Sytë e mi u hapën gjerësisht nga frika dhe mosbesimi se një vajzë mund të ishte kaq e bukur. Më kujtohen sytë e saj, blu të mbinatyrshme, thuajse një blu safiri, sikur të shkëlqenin nga një fuqi mitike brenda atyre gropëzave të fryra. Lëkura e saj, e bardhë, qumështore, alabastri, sikur të ishte një statujë mitologjike e marrë hua nga Musée du Louvre, që kisha parë dy ditë më parë dhe që ishte vënë me metodat më të avancuara shkencore në jetë. Flokët e saj, të zinj, me shkëlqim, si puplat e korbit të vendlindjes sime.
Sytë na u mbyllën. Vështrimi i saj i deleguar me finesë më përshkoi tej e tej. U ndjeva i ekspozuar dhe në rrezik të dështoja me burrërinë time. Shikova poshtë si i zënë në faj të madh dhe kërkova falje. „Excusez-moi mademoiselle,“ – i thashë, duke vënë dorën time të djathtë në zemër dhe duke u përkulur pak, sikur t’i drejtohesha një mbretëreshe. Shikova përsëri lart. Sytë tanë pikëtakoheshin ende në atë pikë delikate të rrezatimit. Ajo më kishte peshuar tërë ndjesinë time, sa hap e mbyll sytë. Pastaj mori drejtqëndrimin e saj. Trupi i saj u relaksua. Më pas më preku krahun dhe më tha, “false-moi, je ne regardais pas où j’allais”, gjë që e ndjeva se ishte e pavërtetë.
Unë u largova mënjanë. Ajo kaloi nga ana tjetër. Ktheu kokën, më pa si të shikonte një të vdekur në sy. Më bëri një buzëqeshje të lehtë dhe u zhduk në rrjedhën e turmës që po dilte si lumë i tërbuar. Isha i hutuar dhe i tromaksur. Nuk kisha pasur kurrë një shkëmbim të tillë me një vajzë të atillë më parë. Nuk dija çfarë të bëja me të. Ishte mirë, keq apo diku në mes?
Turma ishte rralluar. Fillova të ecja drejt stacionit të metrosë, duke kërkuar për Port d’ Orleans, duke rritur ritmin para se të humbisja trenin e fundit të metrosë. Unë ndoqa tabelat dhe zbrita shkallët për në kalatë. Kishte pak veta dhe ishin thuajse disa grupe-grupe njerëzish në qejf të vetë, lart e poshtë në kalatë, që prisnin qetësisht. U mbështeta në një shtyllë të madhe betoni, tepër i lodhur për t’i kushtuar vëmendje mjedisit të atij stacioni të metrosë, duke pritur trenin, duke nuhatur ajrin e mbushur me shter nga motorët elektrikë. Mund të dëgjoja zhurmën e trenit që po afrohej. Në një çast ishte para meje, duke u ngadalësuar, duke u ndalur, dyert fërshëllyen dhe u hapën. Prita pak, që grupet e njerëzve të dehur e gjysmë të dehur të hipnin në tren. I lodhur dhe me auto-pilot, u përkula, mora bagazhin tim, hipa dhe u ula në një ndenjëse të palosshme pranë derës, duke e vendosur bagazhin midis këmbëve.
Treni u përshpejtua ngadalë, duke gumëzhitur, duke u lëkundur, mbrapa dhe mbrapa melodikisht. Ngrita sytë nga kurioziteti për të parë se kush ishte tjetër në trenin e fundit dhe e pashë atë, ulur në këndin e parë të stolit, përballë meje. I befasuar dhe i zënë në befasi, se do ta shihja më, hodha menjëherë i lëshova sytë poshtë, duke mos dashur të më kapnin atë, isha tashmë thjesht duke e parë me bisht të syve.
Nuk mund ta bluaja më shumë se sa e bukur ishte. E seleksionuar prej natyrës më të bukur, sikur të mos ishte një frymore prej nesh, disi jo njerëzore. Ajo po lexonte një Kindle, me iPod në veshët e saj. Fustani i saj ishte Parisienne, i zi në të errët të butë, ngjyra e vetme, bluja në sytë e saj dhe e kuqe gjaku në buzët e saj. Ajo nxirrte sensualitet, sofistikim dhe besim. Si mund të ishte kjo për një vajzë kaq të re, një vajzë në fillim të të 20-ave?
Ajo lexonte në heshtje, vetëm gishti i madh i lëvizte, gjithnjë kaq pak, teksa hapte përpara përmes Kindle-it të saj. Sytë e saj nuk u ngritën kurrë lart, as për të parë se kush hyri në vagon, e as kush doli nga vagoni, ndërsa treni ndalonte në stacionet e reja. Herë pas here shikoja lart për ta parë atë. Ajo ishte magjepsëse për mua, jo vetëm për shkak të bukurisë së saj, por edhe për shkak të elokuencës së saj. Nuk mund ta shpjegoja, nuk mund ta kuptoja. Pse isha kaq i tërhequr pas saj, si tenja në flakë?
Treni u fut në Île de la Cité, duke u ngadalësuar me shpejtësi, pasagjerët u balancuan në mënyrë që të mos rrëzoheshin. Dyert u hapën. Në cep të syve të mi, e pashë të ngrihej në këmbë dhe filloi të ecte në korridor drejt dyerve, thuajse drejt meje. Ngrita kokën ngadalë, sytë tanë u takuan sërrish, u mbyllën më pas. Aty koha ndaloi. Ajo buzëqeshi, me delikatesë, por mjaftueshëm që unë ta shoh. Sytë e saj, të butë, të urtë, ftues më vunë flakën nga brenda. Unë buzëqesha, një buzëqeshje e lehtë e tradhëtuar, sytë e mi duket se dëshironin të thoshin gjithçka, e që ajo donte të dëgjonte.
Ajo u kthye dhe doli nga treni. E shikova me gojë hapur nga habia. Tingëlloi klaksoni, dera filloi të mbyllej. Paniku u rrit brenda meje, pasi kisha frikë se nuk do ta shihja më. U ngrita nga vendi, u drejtova drejt derës, duke lënë gjithçka pas meje. Dyert u mbyllën me zhurmë, unë tërhoqa poshtë dorezën, ato ishin të kyçura. Treni filloi të lëvizë, unë nuk e pashë më atë. Ajo po ikte diku në thellësi. Ishte një pasnajë ftilluese. Sytë m’u mbyllën më shumë, ndërsa ashtu duke shtrënguar fort tavolinën e drunjtë m’u duk se yjet u larguan me shpejtësi në errësirën e natës. Ishte një e lehur qeni në katet përballë që bëri të kundërtën e asaj që isha duke parë. Pastaj u dëgjua një britmë e madhe. Një britmë therrëse. Sytë e tromaksuar u gjendën në shoqërinë e dritave parisiene dhe të lehjes papushim të qenit në apartamentin përballë.
Në apartamentin ku ai ishte banor i zakonshëm në krahët e një zonje të veshur me të gjumit, ndoshta kishte kohën të freskohej në atë orë të vonë të natës. Ose ndoshta …
„Ndoshta kafshët kanë një intuitë për rrezikun“. – po mundohesha ta kujtoja se ku e kisha lexuar.
„Burrat kanë ndjenja të brendshme“ – më tha ime shoqe, ndërsa përthithte meditimin tim dhe bashkë me mua u bë palë në shikimin rrezatues të Parisit.
„Nuk duhet të kisha dëgjuar ndjenjat e mia“ – i bëra vërejtje të heshtur vetes. Herën e parë që e pashë, e dija se ishte e rrezikshme. E ndjeja dhe më emocionoi. Ajo m’u duke se ishte një grabitqare, një tigreshë, një joshëse në gjueti, një femër e egër. Mjaft e egër. Thuajse krejt e paprekshme, aq sa që i shkatërronte burrat vetëm me atë shikimin në kalatë. Eh, e ndjeva… e ndjeva. Ajo do të më shkatërronte edhe mua. E pashë në sytë e saj. Dhe që herën e parë që e pashë m’u duk e atillë. Ajo po kalonte me të njohurat e saj, duke qeshur dhe duke lëvizur këmbë e duar papushim. Ajo ngriti sytë, më tërhoqi vështrimin dhe ndjesia ime u ngri papritmas. Një mijë ndjenja u shprehën sa hapa e mbylla sytë. Ajo më tha se isha tashmë pre e saj. Ajo më tha se do të vdisja. Ajo buzëqeshi duke më lëshuar shikimin e saj tipologjik. Bota ime u kthye në fokus me ashpërsinë e papritur të një shuplake në fytyrë.
Po djersitja. Kisha frikë. Isha i emocionuar teksa e pashë të zhdukej në turmë. Ishte hera e parë që e pashë. Si mund t’a harroja. Fundja kush më dëgjonte? Kujt po i interesonte ëndërra ime, ndërsa Parisi ishte bërë gati të rikthehej në lëvizjen e tij maramendëse të ditës së re. Në hotelin ku ishim ne ishte qetësi absolute…E gjitha dukej si në ëndërra. Teksa kisha folur me veten, ndoshta padashje kisha shkëputur me zë fjalën ëndërra. E në atë çast ime shoqe m’a ktheu menjëherë. Eh, nuk e sheh, kushedi se çfarë, ëndërra në Paris, thjesht për ti parë me çmimin parisien.