
Donika Gërvalla/
Në Kazermën e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Prishtinë, e cila mban me pietet emrin e Komandantit legjendar Adem Jashari, aty ku ushtria jonë mban gjallë shpirtin e pavdekshëm të qëndresës dhe trimërisë kombëtare, në praninë e Bacit Rifat ndoqëm ceremoninë madhështore të Rreshtimit të Kuadrateve Ushtarake të FSK-së.
Aty ku çdo hap pëshpërit historinë e lavdisë dhe sakrificës, ushtarët tanë të pathyeshëm ecnin me krenari, dëshmuan forcën dhe vendosmërinë e një kombi që kurrë nuk është përkulur përballë asnjë stuhie. Në këtë tokë të shenjtë, ku çdo pëllëmbë mban kujtimin e sakrificave sublime, emri i Adem Jasharit—simbol i flijimit dhe guximit të pashoq—jehon si një amanet për brezat e ardhshëm. Nën uniformen e tyre rreh një zemër që digjet për atdheun, një shpirt që nuk kursen asgjë për të mbajtur të gjallë ëndrrën e lirisë dhe për të mbrojtur çdo cep të territorit tonë.
Me disiplinë të hekurt dhe zemër të madhe, ushtarët tanë janë jo vetëm mburoja e shtetit, por edhe drita që ndriçon rrugën drejt paqes dhe sigurisë. Ata janë në pararojë të mbrojtjes së vlerave tona kombëtare, duke mishëruar shpirtin e çdo heroi që dha jetën për Kosovën. Kurdo dhe kudo që shteti ka nevojë, ushtarët tanë janë aty—të vendosur, të palëkundur dhe gjithmonë të gatshëm kur Kosova thërret. Bijtë e bijat tona janë shpresa dhe garancia e një Kosove të lirë, të sigurtë dhe krenare.