Nga Ndue Ukaj/
Europa, para se të jetë projekt politik a ekonomik, është projekt kulturor, rrënjët e së cilit janë thellësisht shpirtërore. Mbi këtë postulat, u fillua ideja e unifikimit politik e ekonomik të Europës, mu në mesin e shekullit të kaluar, kur ajo kalonte ferrin ma të madh, pas Luftës së Dytë Botërore. Ndërmjet gërmadhave të luftës, triumfoi ideali i qytetërimit dhe ndërgjegjes. Nga këto premisa, u sintetizuan energjitë europiane dhe e bën Europën atdhe të vlerave të përbashkëta për gjithë kombet që jetojnë nën ata çati, por edhe për tjerët që aspirojnë të hyjnë në të. Sot na tingëllon profetike thënia e mençur e shkrimtarit të madh gjerman J. W. Goethes: “Çfarë e bashkon Europën është kultura, ndërsa çfarë e ndajnë janë idetë politike”. Këtë tezë, e bën platformë të punës ideatorët e Europës së bashkuar të shekullit XX. Kështu Robert Schuman, ish ministri francez dhe njëri nga ideatorët kryesor të kësaj bashkësie politike, në librin “Në emër të Europës”, ndër të tjera do të shkruan:“Europa para se të jetë Aleancë ushtarake apo entitet ekonomik, duhet të jetë bashkësi kulturore në kuptimin më të lartë të kësaj fjale”. Nga kjo kuptojmë se kultura ishte postulat i pashkruar, por motivi themelor që nxiti idenë e bashkimit të Europës. Edhe sot, kultura është themeli mbi të cilin qëndron shtëpia e përbashkët europiane dhe njëherësh përbën elementin ma të fuqishëm që ndihmon ruajtjen e kohezionit brenda kontinentit.
Në planin politik e historik, Europa, s’është histori i ideve homogjene politike, por e diversiteteve të thella, që nëpër kohë kanë ditur të prodhojnë tensione dhe luftëra. Ndërsa pika konvergjente e gjithë e këtyre dallesave, që njëherësh u bë postulat i kontinentit të vjetër, pa mëdyshje është kultura e përbashkët që ndajnë kombet e ndryshme të Europës. E kjo është arritur nëpërmjet harmonizimit të disa tipareve qenësore, nëpër të cilat kanë kaluar popujt europiane. Studiues të ndryshëm, vejnë në pah disa komponentë që e farkëtuan identitetin evropian dhe që u bën shtytëse për Europën kulturore. E kuptuar kështu, Europa është bashkim i mendimit filozofik dhe letërsia antike greko-romake, krishterimit dhe së drejtës romake. Këto shtylla, ndër vite u harmonizuan dhe kanë krijuar mendësinë europiane me një ndërgjegje lirie dhe arsye. Ky identitet natyrisht nëpër kohë u plotësua, ndërsa kulmin e arriti me mendimin filozofik e letrar, që përjetoi një zhvillim të hovshëm gjatë iluminizmit, impakti kulturor i të cilës lëvizje është i jashtëzakonshëm brenda qytetërimit perëndimor.
Me 9 maj është dita e Bashkimit Europian, e vendet shqiptare vazhdojnë rragatjet drejt Brukselit, pa ndonjë vetëdije të qartë. Gjatë këtyre viteve, shpeshherë na ka ra të dëgjojmë dhe lexojmë deklarata shterpe të lidershipit shqiptarë për Europën. Madje as reflektimet e medias s’janë ma substanciale. Ndodh ndonjëherë të dëgjojmë edhe akuza absurde në adresë të Europës. Ndërkohë që politika shqiptare këto dy dekada, është dëshmua e paaftë të ec krahas kombeve të qytetëruara të kontinentit, shqiptarët janë lodhur duke dëgjua parulla të bukura për afrimin e kombit tonë me Familjen Europiane. Njëmend, për shqiptarët, Europa sot s’është e largët si dikur, mirëpo kjo s’është aspak meritë e forcave politike shqiptare, as në Shqipëri as në Kosovë. Përkundrazi, me veprimet e tyre amorfe politike, me një mendjeshkurtësi dhe politikë meskine, këto elita politike kanë penguar vetëdijshëm ose jo rrugën europiane të shqiptarëve. Politikanët shqiptarë e kuptojnë se ne Europë s’shkohet me politika korruptive, me nepotizëm dhe krim, me media të kontrolluara dhe demokraci të brishtë. Këto elita janë në dijeni se në Europë duhet rendi dhe ligji, prandaj ata s’mund të amnistohen nga kjo zvarritje që i kanë bërë rrugës europiane të shqiptarëve.
Në prizmin e gjithë kësaj, me të drejt për shqiptarët shtrohet pyetja: elitat politike shqiptare a e kuptojnë çfarë është në thelb Europa? A është ajo një kazan ku ne shkojmë me marrinat tona, apo një sistem i farkëtum i vlerave të mirënjohura, që janë bërë ndërgjegjja e këtij qytetërimi?
Pikërisht për këto arsye sot pyesim, si shpjegohet mosgatishmëria e klasës politike shqiptare, për ta ndjek me përgjegjësi dhe angazhim serioz rrugën e integrimeve europiane? Alibitë dhe kritikat që shkojnë në adresë të perëndimit, a mos janë shfaqje e qëllimshme e gatishmërisë për të ikur nga Europa, duke mos i kryer detyrat që i ka parashtruar kjo organizatë për çdo shtet tjetër para nesh. Si shpjegohet kjo ikje, pikërisht në kohën kur Europa ka hap gjitha portat për ne? Këto pyetje e dilema, shfaqen sa herë shohim sesi vetëdijshëm kjo klasë politike mjegullon rrugën e integrimeve, me qeverisjen e keqe, me korrupsion e demokraci selektive, me sisteme elektorale të përçudnuara.
Përgjumja, heshtja, reagimet e vagullta atëherë kur kanoset seriozisht interesi i përgjithshëm, si dhe mungesa e një ideje të shëndoshë (një ideje që do të qartësonte mbi çfarë parime mendojmë ta ndërtojmë vendin tonë), janë elemente që gjithashtu na kanë krijuar hendek mes nesh e Perëndimit.
Në parim, duket se projekti i shqiptarëve është integrimi europian. Ky projekt, parimisht është përqafuar nga gjitha shtresat e shoqërisë, duke qenë ndoshta e vetmja pikë ku shqiptarët shfaqen të bashkuar. Kjo është ajo që shihet dhe perceptohet në sipërfaqe. Mirëpo, në esencë, ka shumë vrojtues të jetës sonë që thonë se proceset e integrimeve janë të keqkuptuara me dashje, sepse në këtë formë si po ec kombi ynë, integrimi s’është afër. Madje, ka të tillë që shkojnë më larg sa pas retorikës së bukur qeveritare për integrime, thonë të fshehët një aspiratë tjetër, që është kundëreuropiane. Ndonëse në legjislaturë dhe principe qeverisëse demokratike, ne jemi shtrënguar të harmonizojmë ligjet konform kërkesave të BE-së, në praktikë veprimet e Shqipërisë dhe Kosovës, janë pak të përafërta me atë që është Europa. Kjo ka shtruar dilemën tjetër, në mos këto janë tentativa të qëllimshme për ta sabotuar heshtur procesin e integrimeve.
Fjalimet e politikanëve tanë, janë të mbushura me parulla proeuropiane. Ky diskurs është bërë klishe, ndonëse vërehet lehtë se mes diskursit proeuropian të politikës sonë dhe veprimeve të tyre joevropiane, është një humnerë.
Për çdo përvjetorë me rëndësi, te ne rritet doza e nacionalizmit shqiptar dhe kështu mësymja pas Europës shfaq tërë karikaturën e ideve europane që defilojnë ndër ne. Kjo situatë, me parulla e flamuj që valojnë kudo, të kujton tregimin e Ernest Kolqit, “Tregtarë flamujësh”.
Në anën tjetër, ka disa mendje të mykura, që duan t’i mësojnë shqiptarët me identitete labile, me identitete të fragmentuara. Këto teza janë të marra e qyqare, që shqiptarët s’duhet t’iu vënë veshin, sepse identiteti europian i shqiptarëve ndërlidhet drejtpërdrejtë me ekzistencën e kombit shqiptar. Flamurtari i identitetit europian të shqiptarëve, Ismail Kadare, para disa vitesh shkroi një tekst të shkëlqyeshëm, “Identiteti europian i shqiptarëve”. Pas botimit të këtij eseu, debatet ndër shqiptar u ashpërsuan dhe antitezat e identitetit europian të shqiptarëve, dolën në sheh se s’ishin asgjë tjetër veçse teza që promovonin shumësi indentitesh brenda trungut kombëtar. Me një fjalë, mohonin identitetin unik të shqiptarëve. Nga mendjet më të ndritura të kombit, teza e identiteteve të lëvizshme, e identiteve të fragmentuar dhe identitetit të formësuar mbi simpati fetare, u gjykua si tezë qyqare.
Mes një atmosfere të zymtë kombëtare, me një politike që është e zhytur e tëra në padije, korrupsion e klientizëm politik, shqiptarët s’duhet të humbin shansin e tyre që të marshojnë vetëdijshëm drejt perëndimit. Kombi shqiptar, ka nostalgji për perëndimin, mirëpo s’e ka të qartësuar brenda vetvetes çfarë është në fakt kjo organizatë. Këndej pari, as Shqipëria e as Kosova, nuk zbatojnë në praktikë modelet europiane për shtetin, demokracinë dhe qeverisjen.
Për gjatë gjithë vitit, ne e shohim të njëjtën klasë politike që ka gojën plot Europë, të mos bëj asgjë thelbësore për të ecur drejt Europës. Shqipëria e Kosova, sipas shumë sondazheve mbesin dy vendet me të korruptuara në Europë. Në dy vendet tona s’mbahen zgjedhje demokratike. Politikës i mungon aftësia minimale për të realizua kompromise të shëndosha për të ardhmen e vendit. Në dy vendet s’ka liri të shtypit. Në dy vendet, madje për asgjë s’ mund të merren vesh pozita e opozita pa ndërhyrjen e perëndimit. Çfarë domethënë kjo po ta përkthejmë me nevojën e ngutshme që ka kombi ynë të jetë pjesë e perëndimit?
Një dijetar i viteve të 30-ta Tajar Zavalani në eseun“Ç’pamë në Evropë. Ç’gjejmë në Shqipëri”, ndër të tjera do të shkruan “Atje u munduam, si cilido pas takatit dhe zotësisë, të shkundim pluhrin e mrapështisë ku qemë rritur, të çkëputemi nga idhetë e ndryshkura, paragjykimet e cekta dhe mentaliteti primitiv; u përpoqëm të riedukojmë vehten dhe të armatosemi me dituri dhe vullnet për punë”.
Shqiptarët kanë shumë detyra për të bërë, që nesër të mos festojmë nga periferitë ditën e Europës.