
Nga Rafael Floqi/
Në fillim të shekullit XX, Perandoria Osmane po përballej me sfida të thella: territoriale, politike dhe morale. Shumë historianë e kanë quajtur këtë periudhë si fundi i epokës së stabilitetit perandorak, duke e identifikuar Perandorinë si “i sëmuri i Europës”. Në këtë kuadër, figura e Ismail Kemal Vlora (1897–1903) shfaqet si një nga intelektualët më të rëndësishëm shqiptarë të kohës, i cili përpiqej të krijonte lidhje ndërkombëtare për kauzën shqiptare, duke sfiduar direkt autoritetin e Sulltan Abdülhamid II.
1. Arratisja dhe Arsyet Politike
Në maj 1900, Ismail Qemali u caktua guvernator i Tripolit nga Abdülhamid II. Sipas dokumenteve osmane, kjo emërim u perceptua si një mënyrë për ta larguar Qemalin nga qendra politike e Perandorisë, duke e konsideruar një “internim politik të lehtë”. Megjithatë, I Qemali nuk pranoi të nënshkruhej ndaj këtij vendimi. Ai u arratis në Greqi, ku qëndroi në Athinë dhe u përfshi në aktivitete politike për të mbështetur kauzën shqiptare, duke kërkuar edhe mbështetje ndërkombëtare.
Arkivat osmane tregojnë se Ismail Qemali kishte filluar të ndërtonte lidhje me Greqinë për një Shqipëri të pavarur, duke përmendur “vëllazërinë greko-shqiptare” në disa memorandume të botuara dhe duke u përpjekur të themelonte një Union Greko-Shqiptar. Po ashtu, ai kontaktoi komunitetin e krishterë shqiptar në Janinë, duke synuar një konsensus mes krishterëve dhe myslimanëve për kauzën shqiptare. Megjithatë, Ferid Pasha, kushëri dhe Grande Vizier, u përpoq ta minimizonte rrezikun që Qemali mund të përbënte për interesat osmane, duke e konsideruar atë “një figurë të parëndësishme”.
2. Botimet dhe aktiviteti publik në Evropë
Pas arratisjes, Ismail Qemali u përfshi në botime gazetare dhe publicistike. Në Bruksel, ai botoi gazetën Albania, së bashku me Faik Bej Konicën. Konflikti me Konicën e detyroi më vonë të botojë Le Salut de l’Albanie në tre gjuhë: shqip, turqisht dhe greqisht. Botimet shërbyen si instrument për të komunikuar idetë e tij mbi pavarësinë shqiptare dhe reformimin e Perandorisë Osmane. Shkrimet e tij trajtojnë kryesisht çështjen e zgjimit të ndërgjegjjes kombëtare shqiptare në prag të rrëzimit të Perandorisë Osmane.
Kësaj periudhe i përket edhe një libër i shkruar nga Ismail Qemali. Ai u botua në osmanisht në vitin 1900, dhe u përkthye në frëngjisht, anglisht dhe arabisht një vit më vonë, çka tregon ndikimin e tij të rëndësishëm. Vlera e këtij botimi theksohet edhe në një letër të ambasadorit britanik në Kostandinopojë, Sir Nicholas R. O’Conor, dërguar kryeministrit Lord Salisbury. Një version i shkurtuar në anglisht u botua gjithashtu në “The Fortnightly Review”, një nga periodikët më të rëndësishëm britanikë të kohës.
Në botimet e tij, I .Qemali theksonte rëndësinë e ndërhyrjes së Britanisë së Madhe. Ai e shihte Britaninë si fuqinë më të madhe koloniale dhe shembullin e administrimit modern, duke argumentuar se një mandat britanik mbi territoret osmane do të sillte civilizim dhe progres, në kontrast me fuqitë rivale që shpesh përfaqësonin regres dhe shfrytëzim.
3. Egjipti dhe Shoqata “Şafak”
Në vitin 1901, diaspora shqiptare në Egjipt e ftoi Ismail Kemalin në Kajro. Kolonia shqiptare në Egjipt, e vendosur kryesisht në Kajro dhe Aleksandri, përbënte një komunitet të ngushtë dhe mjaft të organizuar, i përbërë nga ish-ushtarakë, administratorë dhe tregtarë shqiptarë që kishin shërbyer nën Perandorinë Osmane. Ky komunitet luante një rol të rëndësishëm në jetën politike dhe kulturore të diasporës shqiptare, duke mbështetur iniciativat për autonomi dhe pavarësi të Shqipërisë. Në fillim të shekullit XX, koloninë e karakterizonte një aktivitet intelektual i lartë, ku zhvilloheshin diskutime mbi politikën osmane, reformat evropiane dhe mundësitë e mbështetjes ndërkombëtare, veçanërisht nga Britania e Madhe.
Në Egjipt, ai themeloi shoqatën “Şafak”, një organizatë që përfshinte shqiptarë, armenë dhe disa xhonturq. Mbështetja e Khedivit Abbas Hilmi II ishte e rëndësishme, pasi lejonte Qemalin të zhvillonte aktivitetin politik në një territor që, megjithëse formaliteti i tij i nënshtrimit ndaj Portës ishte i qartë, praktikisht vepronte në ndikim britanik. Fjala “Şafak” vjen nga turqishtja dhe do të thotë “Agim”.
Khedivi Abbas Hilmi II u paraqit si një figurë intrigante dhe e paqëndrueshme: ndihmonte aktivitete që nuk e kërcënonin drejtpërdrejt autoritetin e tij, por shpesh lejonte përdorimin e pozicionit të tij si fasadë për lojëra politike ndërkombëtare. Khedivi nuk ishte iniciator i intrigave, por figura e tij shërbente si mburojë politike. Ai ofronte një nivel mbrojtjeje dhe legjitimiteti ndaj Qemalit, duke i lejuar këtij të ndërtonte rrjetin e tij. Megjithatë, raportet arkivore e paraqesin Khedivin si të paqëndrueshëm dhe të manipulueshëm: “Ambicioz pa ambicie, i manipulueshëm nga kushdo që i flet me autoritet”, thuhet në raportin britanik të Kajros. Kjo e bën figurën e tij të errët, por gjithsesi të rëndësishme për kuptimin e rrjetit politik të I. Qemalit.
Në një raport të vitit 1901, një zyrtar osman shkruante: “Egjypti është strehë e komplotistëve; Vlora atje gjen mbështetje, para dhe aleatë.” Një tjetër dokument e cilëson Ismail Qemalin si: “abuzim i britanikëve dhe helm i racave të pakënaqura të Perandorisë.”
Khedivi Abbas Hilmi II ishte i lindur në Kajro më 1874 dhe ishte trashëgimtari i fundit i Egjiptit dhe Sudanit nga dinastia e Muhamed Aliut. Ai kishte origjinë shqiptare, pasi familja e tij, e themeluar nga Muhamed Ali Pasha nga Kavalla, vinte nga Shqipëria. Megjithëse ishte rritur në ambientin egjiptian dhe ishte pjesë e elitës osmane, rrënjët etnike të dinastisë mbetën shqiptare. Khedivi Abbas Hilmi II Pasha, përkundër rolit të tij dytësor, ishte një instrument i rëndësishëm për platformën operative të Qemalit, duke ofruar një fasadë legjitimiteti dhe mbrojtjeje të pjesshme.
4. “Oferta e Fronit shqiptar”
Mehmet Ali Pasha, vëllai i Khedivit, më vonë denoncoi Ismail Qemalin për ofertën e pretenduar të fronit shqiptar, gjë që solli aktgjykimin e Qemalit në mungesë nga gjykata osmane dhe konfiskimin e të gjitha të drejtave civile dhe pronave të tij. Një nga episodet më të diskutueshme është pretendimi se Ismail Qemali i kishte ofruar fronin shqiptar Mehmet Ali Pashës, vëllait të Khedivit. Denoncimi u përdor nga Pallati për të justifikuar gjykimin e I. Qemalit në mungesë dhe për të eklipsuar reputacionin e tij politik. Historianë modernë dhe burime britanike argumentojnë se ky skenar ishte i ekzagjeruar dhe shpesh i trilluar për qëllime politike, duke reflektuar tensionin midis interesave osmane dhe aspiratave të Qemalit për autonomi shqiptare.
Për pallatin osman, ky denoncim ishte shumë i rëndësishëm, sepse: Tregonte se Ismail Qemali po përpiqej të ndërtonte aleanca ndërkombëtare, duke përfshirë edhe figura të familjes sunduese të Egjiptit. Shqipëria shihej nga Stambolli si një krahinë strategjike, dhe çdo tentativë për t’i dhënë një princ të huaj ishte një akt i hapur rebelimi. Përfshirja e britanikëve (të cilët kishin influencë të plotë në Egjipt) ishte një element që i frikësonte shumë autoritetet osmane.
Si rezultat, Ismail Qemali u akuzua për tradhti të lartë, u gjykua në mungesë në Stamboll dhe u dënua me vdekje. Vendimi parashikonte jo vetëm ekzekutimin e tij, por edhe humbjen e të gjitha të drejtave civile, gradave, nderimeve dhe pasurive. Pas këtij vendimi, dokumentet osmane filluan ta përshkruajnë vazhdimisht me etiketime si “müfsid” ( komplotist), “arratisuri i rrezikshëm Ismail Qemal Vlora dhe banda e tij” apo edhe “vegël e intrigave britanike”.
5. Lidhja me xhonturqit dhe tentativat “për grusht shteti”
Ismail Qemali kishte kontakte të ngushta me Xhonturqit e arratisur në Evropë. Në Paris, Komiteti i Bashkimit dhe Përparimit diskutoi situatën e Perandorisë dhe plane për grusht shteti. Grupi i Qemalit synonte të përdorte Tripolin si bazë për marshimin drejt Stambollit dhe për të shpallur ndryshime politike, përfshirë mbrojtjen e një sistemi më liberal. Megjithatë, guvernatori i Tripolit, Rexhep Pasha, e ndryshoi qëndrimin në momentin vendimtar, duke bllokuar realizimin e planit.
Në shkrimet dhe memorandume e tij, I. Qemali shfaqej si reformist liberal dhe mbështetës i një monarkie kushtetuese. Ai argumentonte për një ndërhyrje të Britanisë në çështjet osmane, duke e shikuar si mundësi për të sjellë liri, rend dhe progres. Kjo poziciononte I. Qemalin në një vijë ideologjike pro-britanike, ndryshe nga minoritetet e tjera dhe disa Xhonturq që ishin më skeptikë ndaj ndërhyrjes direkte të fuqive të huaja.
Ismail Qemal Bej Vlora përbën një nga rastet më interesante të historisë osmane dhe shqiptare të fillimit të shekullit XX. Ai kombinon vizionin politik, aktivitetin ndërkombëtar dhe kapacitetin organizativ, duke shfrytëzuar situatën e pasigurt të Perandorisë Osmane dhe statusin e paqartë të Egjiptit.
Arratisja e I. Qemalit, botimet ndërkombëtare, përpjekjet për grusht, pretendimet e fronit shqiptar dhe lidhjet me Britaninë formojnë një rrjet të ndërlikuar politik dhe diplomatik, që tregon kompleksitetin e marrëdhënieve të kohës dhe sfidat e një intelektuali reformist në një perandori në krizë.
6. Ideja e fronit shqiptar pas Pavarësisë
Edhe pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 1912, ideja e një princi mysliman nuk u braktis plotësisht. Shumë intelektualë dhe politikanë shqiptarë, duke përfshirë Ismail Qemalin, mendonin se një mbret mysliman do të mund të shërbente si garanci për stabilitetin politik dhe ruajtjen e lidhjeve me fuqitë e jashtme, sidomos me Perandorinë Osmane dhe fuqitë e mëdha evropiane. Kjo linjë politike synonte të shmangte përplasjet fetare në vend dhe të siguronte njohje ndërkombëtare për shtetin e ri shqiptar.
Disa burime evropiane dhe raportet e arkivave osmane tregojnë se ideja e fronit mysliman u diskutua edhe gjatë periudhës së negociatave të formimit të institucioneve të shtetit shqiptar. Edhe pse nuk u realizua, koncepti ilustron vizionin pragmatik të I. Qemalit dhe disa bashkëpunëtorëve të tij, të cilët synonin të lidhin legjitimitetin e një institucioni monarkik me nevojat e stabilitetit dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.
*Ahmed Bedevi Kuran, Osmanlı İmparatorluğunda İnkılap Hareketleri ve Milli Mücadele, ed. by Ali Berktay (Istanbul: Türkiye İş Bankası Kültür Yayınları, 2012), 306.