Falenderoj perzemërsisht dhe me mirënjohje të thellë Unionin e Gazetareve Shqiptare për akordimin e çmimit “Karriera.” Nderimi nga një shoqatë që përfaqëson gazetarë nga të gjitha trevat shqiptare është një privilegj i jashtëzokoshëm për mua. Falenderime te posacme edhe kolegut Armand Mero, i cili me perfaqesoi ne ceremonine qe u zhvillua ne Tirane, me 10 nentor.
Urime te gjithe kolegeve fitues te cmimeve vjetore te akorduara nga Unioni i Gazetareve Shqiptare.
*****
Mesazh Falenderimi:
10 nentor 2023
Z. Aleksandër Çipa
Kryetar
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë
Tiranë
I nderuar z. Çipa,
Ju falenderoj perzemërsisht, Ju personalisht dhe Unionin e Gazetarëve Shqiptarë, për akordimin e çmimit “Karriera.” Ju jam thellësisht mirënjohës.
Gjatë karrierës time të gjatë kam marrë vlerësime të ndryshme, por vlerësimi Juaj ka nje domethenie të posaçme. Nderimi nga një shoqatë që përfaqëson gazetarë nga të gjitha trevat shqiptare është një privilegj i jashtëzokoshëm për mua. Unë kam mbajtur lidhje të ngushta me kolegë shqiptarë dhe kam ndjekur me admirimin veprimtarinë e tyre. Këtë çmim e mirëpres pikërisht për arsye se është një vlerësim nga Ju – nga njerezit e mi, nga kolegët e mi!
Kam qënë me fat që kam patur rastin të punoj për një organizatë kaq të jashtëzakonshme mediatike siç është Zëri i Amerikës. Jam përpjekur gjithmonë t’u përmbahem parimeve dhe standarteve më të larta të gazetarisë në përmbushjen e misionin fisnik të Zërit të Amerikës – transmetimin e lajmeve dhe informacioneve të vërteta dhe objektive, përhapjen e vlerave demokratike dhe rrëfimin e historisë së pashembullt të Amerikës. Jam përpjekur gjithashtu që t’i përmbahem parimit se pasuria më e madhe e një gazetari është besueshmëria dhe llogaridhënia për veprimtarinë e tij.
Me këtë rast, dua të falenderoj kolegët e Zërit të Amerikës, me te cilët e ndaj këtë vlerësim, për bashkëpunimin, mbeshtetjen dhe miqësinë gjatë gjithë këtyre viteve. Jam jashtëzakonisht krenar për rolin që Zëri i Amerikës ka luajtur dhe vazhdon të luajë në shërbim të informimit të audiencave në hapësiren shqiptare në Balkan. Që nga fillimi i tij, para 80 vjetësh, Zëri i Amerikës ka qenë bashkëudhëtar me shqiptarët, duke u dhënë shpresë gjatë kohëve të vështira dhe duke mbeshtetur përpjekjet e tyre për t’u ankoruar qartësisht në rradhët e vendeve dhe shoqërive të përparuara dhe demokratike.
Përfitoj nga ky rast që të falenderoj publikisht edhe mediumet e tjera ndërkombëtare, që transmetojnë, ose kanë transmetuar në të kaluarën në gjuhen shqipe, për rolin e rëndësishëm që kanë luajtur, posaçërisht Radio Europa e Lirë, BBC, dhe Deutsche Welle.
Media e lirë dhe e pavarur është kurora e artë e një shoqërie të përparuar dhe demokratike. Ndonëse sot gazetarët në shumë vende punojnë në kushte të vështira dhe përballen me kërcënime për sigurinë dhe mirëqënien e tyre, misioni i tyre është më i rëndësishëm se kurrë. Ndërsa vazhdojmë të përmbushim misionin tonë fisnik për të fuqizuar audiencat me informacione që i ndihmojnë të marrin vendime më të mira, është jetike që vetë ne gazetarët, t’i rikthehemi angazhimit të parimeve bazë të gazetarisë për objektivitet, paanshmëri dhe saktësi. Vetëm kështu gazetarët mund të luajnë rolin e tyre tradicional të “pushtetit të katërt,” duke dhënë një ndihmesë të madhe për përmirësimin dhe përparimin e shoqërive të tyre.
Me lejoni që të shpreh edhe njëherë kënaqësinë e veçantë për këtë vlerësim.
Ju falenderoj përzemërsisht dhe me mirënjohje të thellë.
Elez Biberaj