“Ndikimi i një mësuesi të mirë nuk mund të fshihet kurrë”/
Kjo javë ishte java e mësuesve. Personalisht nuk besoj në një ditë ose një javë kur duhet të vlerësojmë diçka apo dikë. Unë besoj në shfaqjen e mirënjohjes dhe vlerësimit të mësuesve për atë që ata bëjnë çdo ditë, por duke menduar për situatën që Amerika dhe gjithë bota po kalon së fundmi, unë mendoj se mësuesit me gjithçka që po bëjnë duhet të vlerësohen, dhe duartrokiten më shumë se kurrë. Këtu nuk po flas për para, (megjithëse do të ishte nje ide e mirë pasi të gjithë e dimë se mësuesit janë të nën-paguar – kjo ishte një shaka), unë po flas për të reflektuar në faktin se pse mësuesit janë kaq të rëndësishëm për shoqërinë e tashme dhe te ardhme. Mendoni për një mësues që ka pasur një ndikim të vërtetë në jetën tuaj, dhe ju hapi rrugën për tu bërë ai person qe jeni sot.
Kur shkollat u mbyllën në New York, imazhet me humor pushtuan internetin nga mësuesit dhe dashamirësit e mësuesve. Njëra prej tyre që unë mendova se ishte shumë për të qeshur thoshte: “Nëse mendonit se mund të bënit një punë më të mirë në edukimin e fëmijëve tuaj sesa mësuesi i tyre, ju erdhi shansi që të shkëlqeni.”
Kurrë nuk e kam fshehur faktin se për mua është më e lehtë të mësoj fëmijët e të tjerëve sesa të mitë (mbase jam një nënë e keqe dikush do të thoshte!) Fakti që ne nuk mund t’i mësojmë fëmijët tanë nuk na bën prindër të këqij. Kjo është arsyeja pse mësuesët ekzistojnë dhe paguhen apo jo? Kjo megjitatë, duhet te jetë një nga arsyet e shumta pse ne duhet t’i vlerësojmë ata më shumë se kurrë.
Po dëgjoja një program ne radio sot, dhe u ndjeva mirë kur transmetuesi tha se mësuesit sot vlerësohen njësoj si punonjësit e shëndetësisë. Ndoshta kjo ka të bëjë me situatën, ndoshta me pjekurinë. Ndoshta jo, por unë, sot më shumë se kurrë i vlerësoj mësuesit e mi. Disa prej tyre më shumë se të tjerët. Dhe meqenëse mu paraqit rasti në mënyrë të përkryer, dua të falënderoj mësuesen time të klasës së parë Merjeme Rrasa, një nga mësuesit e shkollës 8-vjeçare Eftimija Selmanaj, mësuesit e shkollës së mesme, Shpend Sallaku, Noe, Margarita Kola, si dhe shumë të tjerë, mbiemrat e të cilëve i kam harruar; si mësues Sabriu, mësuese Arta e shumë e shumë të tjerë. Mbiemrat e harruar apo jo, disa nga ata do të jenë gjithmonë në zemrën dhe kujtesën time, për gjithçka qe kanë bërë për mua.
Tani më shumë se kurrë, edhe pse ndoshta nuk e keni bërë ndonjëherë, është koha për të treguar vlerësim dhe mirënjohje ndaj mësuesve tanë.
Arsyeja # 1
Mësuesit kurrë nuk heqin dorë nga ne, dhe ata besojnë tek ne dhe aftësite tona, më shumë sesa ne besojmë në vetvete.
A keni pasur ndonjëherë një mësues që kishte besim tek ju më shumë sesa besonit në veten tuaj? Mendoni pak kur keni qenë në shkollë nëse ndonjëherë jeni dekurajuar dhe keni dashur të hiqni dorë nga një problem matematike, ose një hartim në gjuhë? Pastaj mendoni per atë mësues që ju thoshte: Unë e di që mund ta bësh. E di sepse ti je një student i zgjuar, i zellshëm dhe këmbëngulës. Dhe në atë moment edhe pse keni qënë duke menduar se nuk do ja dilnit mbanë, e keni besuar mësuesin dhe nuk keni hequr dorë.
Arsyeja # 2
Mësuesit shpenzojnë shumë orë të panumërta dhe pa pagesë, për t’u përgatitur për studentët e tyre.
A keni menduar ndonjëherë se si është e mundur që një mësues për vetëm 45-minuta në ditë që i lejohet që të planifikojë, është në gjëndje të përgatisë plane dhe materiale për pesë orë mësimi që ka në orarin ditor? Ja që nuk është e mundur. Kjo është arsyeja pse mësuesit shpenzojnë orë të panumërta pas punës, për t’u përgatitur për nxënësit e tyre. Kohë që ata e sakrifikojnë nga koha për familjet e tyre, fëmijët të tyre, dhe vetvetes. Dhe pastaj, a keni menduar ndonjëherë që lapsi apo fletorja që mësuesi jua dha juve dje dhe fëmijës suaj sot, ishte paguar me paratë e saj/tij? Për më tepër, a keni menduar ndonjëherë për letrat e hundëve gjatë gjithë dimrit, që ju erdhën në ndihmë kur nuk kishit shami, për të fshirë hundët që po ju pikonin, dhe ju ndihmuan të mos turpëroheshit para gjithë klasës?
Arsyeja # 3
Mësuesit na zgjerojne horizontin për të vëzhguar mundësi të reja, dhe na ndihmojnë të gjejmë pasionin tonë.
Disa nga ne gjithmonë e kanë ditur se ç’fare i pasiononte si dhe ç’farë rruge do të merrnin në jetë. Megjithatë, disa të tjerë i detyrohen një mësuesi apo mësuese që i ka ndihmuar të ekplorojnë mundësi të reja, dhe i ka bërë të gjejnë pasionin e tyre të vërtetë. Sa studentë ndjehen të humbur dhe nuk e dinë se çfarë karriere të ndjekim, dhe me çfarë të merren në jetë? Ndoshta jeni bërë doktor apo arkitekt sot, por atëherë as vetë nuk e dinit që ishit kaq i mire në matematikë. Mendohu pak: Ndoshta ishte sepse një mësues besoi në aftësitë e tua.
Prandaj falënderoni një mësues sot për atë që ka bërë për ju dikur, ose për fëmijën tuaj sot, për të zbuluar atë pasion që as ju vet nuk e dinit që ekzistonte!
Arsyeja # 4
Mësuesit janë gjithmonë të gatshëm jo vetëm të mësojnë, por edhe të këshillojnë.
Mësuesët janë gjithmonë gati të japin këshilla të panumërta dhe t’ju ndihmojnë të ndjeheni mirë. Mendoni pak për ato ditë kur ndiheshit kaq të depresuar dhe nuk dinit ç’të bënit? Me prindërit nuk mund te flisnit dot sepse nuk donit që ata t’ju merrnin vesh sekretin (ndoshta ishte çështje dashurie!), por e dinit qe ai mësues apo mësuese që e pëlqenit, ishte gati t’ju dëgjonte. Me siguri edhe tani si prindër keni ndjerë nganjëherë se fëmija juaj dukej dhe sillej në një mënyrë të çuditshme, dhe ju nuk dinit ç’të bënit. Me siguri shumë herë nuk e keni ditur se fëmija ka qënë ndoshta duke biseduar me një mësues/e që e ka këshilluar gjatë orës së tij/saj të pushimit, duke e ndihmuar fëmijën tuaj të dilte nga situata- ç’faredo që të ketë qënë. Mësuesit janë heronj të përditshëm pasi vërtet shpëtojnë jetë, edhe pse nganjëherë nuk vihet re.
A keni menduar ndonjëherë për faktin se profesioni i një mësuesi hap rrugën për çdo profesion tjetër? Në rast se nuk keni bërë diçka të bukur për një mësues sot keni akoma kohë ta beni. I telefononi, I dërgoni një tekst dhe i tregoni se sa shumë i vlerësoni. Dërgojini një tufë me lule. E shkruajta këtë artikull për nder të gjithë mësuesve kudo që janë.
Tani është radha juaj për të komentuar. A keni një arsye për të vlerësuar dhe falenderuar një mësues? Na tregoni historinë tuaj.