
Dielli
Marjan Cubi me familje organizoi për të katërtin vit me radhë festën e Nënë Terezës, një traditë familjare dhe fetare në nderim të Shenjtores shqiptare. Familjarë, vatranë dhe patriotë të dalluar e klerikë katolikë bashkohen çdo vit në shenjë nderimi dhe respekti për figurën e Nënë Terezës, shembullin e saj, shërbimin që i dha botës dhe mbi të gjitha përfaqësimin e vlerave më të larta të kombit shqiptar. Një festë sa fetare por edhe patriotike që familja Cubi organizon me fisnikëri e bujari çdo vit.


Ceremoninë festive e hapi Ilir Cubi i cili falenderoi të pranishmit dhe zbuloi detaje nga festa e përvitshme për Nënë Terezën.. Presidenti i Nderit të Vatrës z.Agim Rexhaj u shpreh se: “Marjan Cubi është punëtor, shqiptar me cilësi të mira, kontributor i madh për Shqipëri e Kosovë. Ilir Cubi është një djalë energjik, aktivist dhe patriot i angazhuar. Zoti e bekoftë familjen tuaj. Shëndet, mirësi e bujari për familjen tuaj të nderuar” uroi z.Rexhaj. Ish nënkryetari i Vatrës z.Asllan Bushati vlerësoi kontributin e Marjan Cubit ndër vite si një patriot e veprimtar. Dalip Greca Editori epokal i Diellit që e drejtoi Diellin e Vatrës për 12 vjet u ndal në cilësitë e Marjan Cubit si vatran, patriot e shqiptar i ndershëm. Nënkryetari i Vatrës Dr. Pashko Camaj solli përshëndetjet e patriotëve shqiptarë nga Kosova, Shqipëria e Mali i Zi. Marjan Cubi u shpreh për Diellin e Vatrës se këtë festë do e vazhdojë përgjithmonë duke e kthyer në një traditë shqiptare në vlerësim e respekt të shqiptares universale. Nënë Tereza bën çdo shqiptar krenar me përkatësinë e saj kombëtare, me atë që i ofroi botës, me dashurinë e saj, përkushtimin e saj, përshpirtshmërinë e saj, devotshmërinë e saj dhe thjeshtësinë e saj. Nënë Tereza bashkon vlerat shqiptare me vlerat më të larta universale.