NGA FATJON PAJO/
1. Në zgjim./
—————-
Unë devolliu i shekullit të ri/
e kam të vështirë të ndryshoj/
në këtë tjetër gjysmëhemisfere./
Në zgjim, s’i lyej flokët e përthinjur/
të bëj për vehte ndonjë syresh,/
s’kam kohë për to,/
më duhet të ze trenin e kohës,/
si robot frymor jam shndërruar./
Shuaj dritat, marr kafenë,/
këpucët vesh pas portës/
të mos ia tremb ëndrën gruas./
Shkoj duke lënë përqafimin,/
aromën e puthjes së shpejtë,/
natën me sytë e gjysmuar./
2. Meditim.
——————
Askënd s’kam lënduar
në udhën e gjatë
burimin tim pij
qetësisht…
Me askënd s’jam përfolur
ditëve plot trazim
arën time lëroj
paqësisht…
Askënd s’kam fajësuar
për dimrat në vetmi
ëndrës sime i flas
Shpirtërisht…
3. Boshllëk.
——————
E akullt më duket shtëpia
asgjë s’pipëtin, veç hapave në dhomë
të dal,
ku të shkoj i vetëm
të ulem të lexoj,
s’kam nerva.
Me godën e rakisë ulem në divan
para meje sytë e Tu
vështrim që më lehtësojnë shpirtin.
Si shpuzat e zjarrit në vatër
netëve të dimrit
sonte trazohen tek unë
të argjendtat kujtime.
Fola gjatë me ata sy
u çmalla si kurrë më parë
vetmisë ia grisa brymimin.
4. Nënës
—————-
Vuajte shumë në pritje
asnjë zë e as lotë
Dy emra veç mërmërisje
pa na parë s’shkoje dot.
Vuajte shumë në ikje
ku ishte ajo forcë
Heshtja shkëmb në rrokullisje
nata ngricë e fortë.
5. Atë mëngjes.
———————-
(viti 1997)
Atë mëngjes pas “luftës” kur u pamë
klorofili i fjalës humbi mes nesh
kryeneçja heshtje s’na fajësoi.
Unë nga nata bastarde shokuar
Ti me lotët mbetur rrugës malluar,
eh, falë Zotit jemi sërish pranë.
6. Ndjehmë poezi!
————————
Pas kaq vitesh shëtitur
ugareve të letrës së bardhë
me këpucët e lidhura nyje
pas gjymtyrëve të lodhura
bujk i fjalës u bëra sot.
Vendosa të përvesh mëngët
“pronar me letra” u bëra.
Parcelat e muzës etiketova
sipas kualitetit hodha ndjenjën
I vadita si di.
Nën perëndimin e Diellit
me ëndje thërmova syvet lodhjen
“Do pres verën të shoh ç’mbolla.”
Në s’kam qullur gjë
edhe kësaj here,
ndjehmë poezi!
Nëntor, 2015