
Lekë Gjoka, Kçirë/
Kçira, ka qenë dhe është e gjitha e besimit katolik, famulli në vete e Dioqezes së Sapës, qe në vitin 1291 me ipezhkëv të parë Pjetri I.
Kisha, ka qenë në mes të fshatit, sepse banorët e hershëm të Kçirës, kanë jetuar në Kçirë të poshtme dhe kishagji, pasi ishte e mbrojtur nga erërat e ftohta të veriut, toka të mjaftueshme dhe shumë pjellore, të krijuara nga lymi i Lumit Gomsiqe, pyje për kullosë bagëtish e dru zjarri për ngrohje, ujë vade e të pijshëm, për atë popullsi të pakët.
Kisha emertohej, kisha e Sh’Totrrit, është kishë varrezash për lagjet Plet, Rrukaj, Kishagji, Luf, Uraj dhe Vmerez, që përbënin 2/3 e fshatit Kçirë. Burimet gojore tregojnë: Se këtë kishë turqit e kthyen në xhami, duke i vënë minaren me yll e hëne.
Duhet theksuar nga ana e tjetër, se asnjë Kçiras nuk u konvertua në islam, dhe Kçirësit kështu e lanë në pamjen e jashtme dukej xhami dhe brenda thuhej Rruzarja e shenjt.
Kështu vazhdoi deri në vitin 1848, kur ketë kishë e dogji Begolli i Pejës. Në vitin 1848 krerët e Kçirës, mblodhën katundin dhe vendosën të mos i paguanin taksat Begollit.
Pashaj, erdhi me ushtri të madhe, ku dogji 40 shtëpi dhe vrau disa kryengritës, sikurse shkruhet në histori. Kisha katolike, u rindertua nga famullitari dom Jak Negri, gjatë vitit 1851-1855. Me rritjen e numërit të popullsisë së Kçirës, banorët u shtrinë me banesat e tyre përgjatë Luginës se Gomsiqes nga zona e veriut, duke krijuar kështu dy lagje të reja, Kçirçn e epër dhe Planin.
Për këto lagje në fjalë, u ndërtua një kishë e re katolike, në vitin 1800, e cila mori emrin kisha e Shën Gjergjit dhe e shenjtit Baft, që u zgjerua në vitin 1863 nga meshtari dom Jak Plezha.
Edhe kjo kishë ishte kishë varrezash për lagjet Kçirë e epër, Pla dhe Zagrada. Kjo kishe ishte e ndërtuar me gur gëlqeror, të gdhendur me daltë nga mjeshrit duarartë kçiras.
Në muajit qershor-dhjetor të vitit 1915, kçirasit luftuan kundër Esat Bej Toptanit, që i printe ushtrisë serbe. Më 25 shtator 1915, ushtria serbe hyri në Kçirë, dogji të gjithë shtëpitë dhe kishën me gjithë dokumentet, që ajo kishte brënda.
Kësaj lufte heroike, poeti popullor Pernush Gega, i ka thurur një këngë trimërie, që këndohet me çifteli në fshatra e më gjërë.
Lufta kundër Esat Pashës
Janë mbledh shkodra, e bëjnë kuvend,
Merren vesht o turq e t’kshtene
Na ka ardh, ky pashe me rrene
Thotë jam turk, e po pij venë
Po pij venë, po pij raki
Ramazan, ka thanë nuk di
Rrene, jam Shah përmbi Shqipni
Ai Dom Ndoci, isht kone Dai
Po bashkon, tha 100 shpi
Qaj Ndrek Ndoj, u ka pri
Qysh t’ja bajm moj famulli
Fammulli qysh po m’thoni
Si t’ja bajm mor Zef Nikolli
Me i dhan pushken ktij manovi
Ky manov me kto magjupe
Kane ardh qenat me na tut
Lypin mish, e lypin buke
Kekan ba marak për luftë
Fort për luftë jan ba marak
Po luftojn nja dy sahat
Dy sahat e gjithë një ditë
Maje Lehes, kanë zanë një pritë
Nikoll Gjini me komite,
A nis pushka nëpër dritë
Shum janë vra ma shum kan ik
Qa asht kjo luftë o prej Bojeti
Qaj Ndue Hila e dom Lareci
Thon çfarë asht ky far kjameti
Si bim n’dorë pa u ba gazepi
Pasha çadrat ku na i ngrehi
Pasha çadrat ku i ka ngul
Ka Qafe Rrasa në Korthpul
Kapne pushkën kush asht burr
Kapne pushkën kush asht djal
Paska ardh o Kçira mbare
U nis lufta balle për balle
balle për balle kishin luftue
Istikami me gjak a mblue
Shum kan vdek e shum varrue
Shum kan mbet n’ket istikam
Qaj Gjok Kola pelivan
Kollaj iken nuk e ban
Paskan ik Shkoze e Gojan
Ka met Kçira, pa kerkan
pa kerkan kjo Kçira e shkrete
Taksirat i paska gjet
Mashkujt vra e shpijat djege
Aj Dom Ndoci dul te kisha
Unë t’a disha nuk ja nisa
Se po me ik Thaçi e Berisha
Në katër qoshet u thy komita
Deshti Zoti su korita!
Si rezultat i shtimit të popullsisë nga lagjet e vjetra Kçira e poshtme uraj e kishagji familje të tëra të këtyre lagjeve dulen me jetu në Luf dhe lindi nevoja e ndërtimit të një kishe të re në vitin 1928, në fushë të Bulsharit, me terren më të përshtatshëm se dy kishat e përmendura më lart, kishë famullitare me çelë të priftit me pronë toke, pyje e livadhe dhe ujë të bollshëm vade e të pijshëm.
Në këtë kishë shugurohet prifti i parë kçiras At Paulin Margjokaj me 26 mars 1932, ku ishte i pranishëm ipeshkvi i Sapës imzot Zef Gjinali, dhjetra priftërinj e xhakonj të dioqezës si dhe banorë të fshatit shtëpi për shtëpi.
Të afërmit e familjes së priftit, u shtruan një drekë festive të pranishmeve për gëzimin, se doli një prift nga familja e Margjokës. Kjo kishë mban emrin e shenjtit Shën Koll, që kçirasit i ndezin qirinj çdo 5 dhjetor dhe e festojnë me miq.
Kjo shtëpi e Zotit, ka shërbyer në edukimin shpirtëror të besimtarëve deri në mars të vitit 1967. Këtë kishë nuk e dogjën turqit as serbët, por e persekutoi dhe e masakroi regjimi i pafe e i paatdhe i Enver Hoxhës.
Viti 1967, do të mbahet mend si viti i shkatërrimit të bazës materiale të fesë të të gjitha besimeve.
Prifti i fundit, që u përzu nga Kçira ishte dom Mhill Troshani. Ai ishte një shërbestar i përvujtur i mësimeve të Krishtit, por dhe një punëtor i palodhur, i dijshëm, që punonte në pronën e vet. Duart i kishte me kallo si të bujkut. Ne bahçen e tij kishte perime, hardhi, pemë drufrutore, por nuk mungoninn edhe lulet e shumëllojshme e shumëngjyrëshe.
Ai ishte shumë i lidhur dhe i dashur me grigjen e vet, i mësonte si të punonin, si të edukonin fëmijët, si te jetonin me djersë të ballit.
Për këtë arsye, ditën e largimit të tij ishin dhjetra besimtarë, duke e ndihmuar për mbajtjen e plaçkave nga çela e priftit në fushë të Bujarit deri në rrrugën nacionale Pukë-Shkodër.
Ndarja me priftin, ishte e dhimbshme mallëngjyese e jo si në disa vende të tjera, që priftërinjtë përbuzeshin gjatë përcjelljes. Bashkë me te ikën edhe dy murgeshat: Motër Lula nga Zadrima dhe motër Tereza nga Shkodra. Edhe këto motra ishin shumë të dashura nga fshatarët dhe u përcollën me shumë respekt.
Tani kçirasit ngelën pa prift dhe nuk kishin ku t’a gjenin dhe ku të ankoheshin, se ishte njësoj në të gjithë Shqipërinë.
Të dhënat gojore, tregojnë se rreth vitin 1680 ipeshkvi i Sapës e la Kçiren pa prift. U mblodhën krerët e Kçirës dhe zgjodhën 3-4 të rinj të fuqishëm, te guximshëm me kuaj, që të shkojnë në Vig të marrin priftin.
Të rinjtë shkuan natën në çelën e priftit dhe i thanë: “Bahu gati se kemi ardh me t’marre”. Prifti mblodhi petkat dhe erdhi te kisha e Sh’Totrrit, pa dalë drita. Ipeshkvi ndërhyri, që prifti të shkoj në vend të vet, por kçirësit nuk e lëshuan dhe u zotuan se do t’a mbajnë priftin vet, që të mos i mungojë asgjë.
Si e larguan nga Kçira Patër Mhillin e ngarkojnë në një punë të rëndë në ndermarrjen e tullave dhe tjegullave në Shkodër, punë shumë të rëndë për moshën e vjetër dhe shëndetin e tij të pakët.
Por edhe këtu se linin rahat, e përgjonin, e tallnin, e spiunonin. Një ditë një punonjës i Sigurimit Sekret të Shtetit komunist e pyet: “A të erdhi keq qe u prishën kishat!?” – Nuk merzitëm për një punë, që do të rregullohet shpejt, ishte përgjigja e tij.
Asnjë akuze meshtari ynë nuk e pranoi. Ai në gjyq, duke sfiduar Prokurorin dhe gjyqtaret e shtetit komunist qëndroi heroikisht. Ai u denua me 17 vjet burg, ku kreu 3 vjet e 9 muaj. Vdiq në shtëpinë e kushëririt të vet, Pjetër Zef Ndreca, i cili e përcolli me ceremoni në banesën e fundit taman si prift.
Pas heqjes së bazës materiale të fesë, komunizmi në Kçirë, nuk i rrafshoi kishat, por i përdori për magazina prodhimesh bujqësore, për brigadën e kishagjive dhe Kçirës së epërme, ndërsa kishën e Fushës së Bujarit e ndanë në dy dhoma, njëra për klasë fillore dhe tjetra për dhomë muze.
Ajo kështu vazhdoi deri në vitin 1989, kur keqberësit e rrafshuan, duke grabitur paisjet e shkollës, bankat, tavolinat, dogjën librat dhe fotot, hoqën dyert e dritaret.
Këtë fat pati edhe dhoma muze e fshatit, që e plaçkitën dhe e dogjën. Gjatë 23 vjetëve kçirasit pa prift dhe pa kishë asnjëherë nuk e hoqën besimin në Zot.
Ato festonin festat fetare fshehurazi partisë komuniste ateiste, mbanin krezhem, lëshonin dhe dëgjonin Radio Vatikanin në gjuhën shqipe, shkonin te kisha e Laçit, gjatë 13 të martave të Shën Ndout. Ato thonin rregullisht Uratë në dimër e veçanerisht në krezheme, Rruzaren, i mësonin fëmijët me ba kryq e me thënë çdo ditë uratë, pra e ndjenin shpirtërisht kthimin e lirimit të besimit, dhe kjo ditë e lumtur erdhi në vitin 1990, e cila u vendos më në fund edhe ne Kushtetutë.
Kçirasit mezi e prisnin këtë gëzim dhe me besimtarët e Kçirës si: Marka Cub Perdeda, Nikoll Zef Lleshi, Pashuk Mark Gjoka, Frrok Mark Gjergji, Ndue Doda, Prendush Mark Pjetri, Gjon Makeshdedaj dhe Dod Keçi gjeten priftin në Shkodër, dom Gjergjin, i cili kishte punuar në Korthpulë dhe i kishte shpëtuar gjenocidit komunist.
Prifti i thyer në moshë erdhi pa pritesë dhe u shërbeu kçirasve si për pagëzime femijësh, kurorëzime nëpër shtëpiat e njerëzve, sepse kishat ishin të papastra, por shpejt kishat u pastruan nga besimtarët dhe u bënë të gatshme për meshë.
Në vitin 1993, filloi ndërtimi i kishës së re në fushë të Bujarit, pak metra më poshtë, se kisha e vjetër e shkatërruar.
Ajo u ndërtua me kontributin e kçirasve dhe kontributin e dom Anton Kçirçs, me 10 mijë dollar, që i dhuroi nga vetja, dhe 18 mijë dollarë nga ndihmat e kosovarëve.
Më 13 tetor 1995, dom Anton Kçira celebroi meshën e parë, duke qenë kisha e re më e madhe bashkohore plot e përplot.
Gjatë vitit 1990-1999, ipeshkvi dërgonte herë një prift herë një tjetër, për të thënë meshë në Kçirë.
Në vitin 1999, ipeshkvi i Sapës cakton prift për Kçirën dom Giovanni nga Italia, një i ri plot enërgji e përkushtim ndaj fesë dhe komunikues e i dashur me të gjithë besimtarët e vet dhe mjaft tërheqës për fëmijët vendas, sepse u krijonte kushte të mira, për katekizëm dhe organizonte gara sportive dhe lojëra popullore brenda kishës famullitare, por edhe në mes famullive të tjera, brenda dioqezës së Sapës.
Dom Giovanni, përveç detyrës kryesore të edukimit shpirtëror, që e bënte shumë mirë, ai kishte njohuri edhe shumë deshirë e vullnet për zhvillimin e bujqësisë e blegtorisë në pronën e kishës, duke krijuar një fermë të përparuar e të fuqishme, që e pagëzoi me emrin: “Qendra për zhvillim Shpirtëror, Shoqëror dhe Bujqësor At Mhill Troshani”.
Në këtë fermë, ai kultivoi vreshta, luleshtrydhe, manaferra, sherbelë, rozmarinë etj., lule të shumllojshme, pemë si: arra gështenjë, mollë, dardhë e kumbulla.
Për punimin e këtyre prodhimeve, meshtari bëri punishte rakie, vere, reçelrash dhe likerna të ndryshme, që i dërgonte në treg. Në fermën e tij, ai mbante shumë derra, për mish dhe për treg. Po kështu ai kishte edhe pula për treg.
Ai bëri nje fabrikë të vogël salami, me cilësi të mirë, ku gjithashtu prodhonte edhe proshute për treg. Përpunimet e produkteve për fermën e tij, ai ka marrë edhe punëtorë nga Kçira, duke i marrë e duke i mësuar, kualifikuar dhe ka zbutur pak varfërin dhe ulur papunesinë në krahinë.
Për menaxhimin e punëve në fermë, shitjet dhe blerjet e mallrave, që prodhoheshin në fermë, rol të rëndësishëm luan edhe bashkëfshatari ynë Dod Morina.
Në vitin 2021, si familltarë në Kçirë vjen dom Zefi nga Dushi i poshtëm, nip Kçirë, i ri i dashur plot enërgji i çiltër e i qeshur, me grigjën e tij, duke ecur në vazhdën e paraardhësve të tij.
Në vitin 1997, u ndërtua kisha e “Zemrës së Krishtit” në Pla, ku prift ishte dom Marçelo (kroat), ndërsa në Plet në vitin 2021, u inagurua kisha e Shen Jozefit, nën drejtimin e priftit dom Zefi.
Kështu Kçira sot ka 6 kisha katolike, që tregon dashurinë e pakufijshme të kçirasve ndaj fesë katolike dhe Shtëpisë së Zotit.