FEDERATA PANSHQIPTARE E AMERIKES”VATRA” URON BESIMTARET MUSLIMANE:GEZUAR FESTEN E FITER BAJRAMIT, QE ESHTE SIMBOL I PAQES, I BASHKIMIT, I GEZIMIT DHE QETESISE SHPIRTERORE!/
TIRANE-Festa e Fiter Bajramit, besimtarët falen në bulevard/
TIRANË, 28 Korrik -Pas një muaji agjërimi, besimtarët myslimanë festojnë sot Fiter Bajramin. Si çdo vit, mijëra besimtarë myslimanë janë falur mëngjesin e sotëm, , në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në kryeqytet.
Bajrami u fal në orën 6:23, duke mbyllur kështu edhe muajin e madhërueshëm të Ramazanit.
Gjithashtu vend falje e Bajramit është bërë edhe në segmentin rrugor të rrugës “Myslym Shyri” që bashkohet me bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, i cili shërbeu për faljen e grave. Në këtë ditën të Fiter Bajramit, besimtarët myslimanë i bënë apel qeverisë për ndërtimin e xhamisë së madhe.
Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra, kërkoi që qeveria të marrë parasysh kërkesat e tyre pasi sipas tij, besimtarët myslimanë duan të kenë një vend ky të falen.
Në faljen e tij, Kryemyftiu i Tiranës, Ylli Gurra, ka apeluar për më shumë kujdes ndaj familjes.
“Por duke vazhduar udhën e Ramazanit, tashmë jo me agjerim, por me mirësinë dhe bujarinë , me respektin për vëllanë tënd dhe motrën, për prindërit si detyrë parësore, për fëmijët tënd e çdo krijesë njerëzore.
Të kemi kujdes individin, të kemi kujdes brezin e ri, të kemi kujdes familjen, familjen dhe familjen”.
Një ditë më parë, Kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Skënder Bruçaj, uroi besimtarët për festën e Fiter Bajramit, si dhe u lut për viktimat e Gazës duke bërë thirrje për shuarjen e luftës.
“Duke përfituar nga përkujdesja e veçantë hyjnore, që Zoti i madh ka ndaj nesh në ditët e Bajramit, unë i lutem Atij dhe ju ftoj edhe ju t’i lutemi së bashku për më shumë paqe, gëzim e harmoni, për shuarjen e luftërave dhe konflikteve anë e mbanë globit, i lutem Zotit Fuqiplotë që të sjellë paqen në Gaza, Irak, Siri e kudo nëpër botë ku shkelen parimet hyjnore dhe të drejtat themelore të njeriut”, theksoi Bruça.
Festa e Fitër Bajramit ne Trojet Shqiptare/
Besimtarët myslimanë festojnë sot Fitër Bajramin. Festë e begatshme edhe mes shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, trevat tjera dhe diasporë.
Pas 30 ditëve agjërim, lutje, adhurime, besimtarët muslimanë shqiptarë, dhe ata në mbarë botën, do të festojnë këtë festë.
Ceremonia e Faljes së Bajramit u bë në mëngjes në Tiranë, në xhaminë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, me pjesëmarrjen e një numri të madh të besimtarëve myslimanë.
Në Shkup dhe në gjithë xhamitë e Maqedonisë u zhvillua namazi i faljes së Bajramit.
Në Prishtinë manifestimi qendror u mbajt në Xhaminë ‘Sulltan Mehmet Fatih’ (Xhamia e Madhe) në Prishtinë.
Festa po shënohet edhe në Luginën e Preshevës, Malin e Zi dhe diasporën shqiptare.
Veç ritualit fetar, shtëpitë e çdo besimtari mysliman përgatiten me shumë kujdes për tryezën e drekës së festës. Pas faljes se namazit besimtarët e të gjitha moshave shkëmbejnë urimet mes njeri-tjetrit. Solidariteti dhe ndihma ndaj të varfërve janë pjesë e ritit për çdo besimtar mysliman në këtë ditë të shenjtë.
Mesazhet e urimit nga krerët fetar në Tiranë, Shkup e Prishtinë
Kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar në Shqipëri, Skënder Bruçaj ka uruar gjithë besimtarët shqiptarë me rastin e Fitër Bajramit.
“Bajrami është dita e besimit të brengave, dita e shpresave të reja, është dita e të kujtuarit për njëri-tjetrin, dita e një jete të re, e pendesës për gabimet, e projekteve dhe veprave të mira. Dita kur mëritë, hatërmbetjet, xhelozia dhe smira marrin fund. Bajrami është solidarizim me mbarë shoqërinë. Zoti e ka veçuar Bajramin si moment gëzimi, prandaj neve na takon ta vlerësojmë në këtë mënyrë”, u shpreh Skënder Bruçaj, kryetar i Komunitetit Musliman Shqiptar.
Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë e udhëhequr nga Reis Ulema Sulejman Ef. Rexhepi ka uruar të gjithë besimtarët kudo që janë me rastin e kësaj feste madhështore fetare.
“Sot, po e përfundojmë Muajin e agjërimit dhe, me plotë arsye ndjehemi më të përmbushur, më krenarë, sepse, me përulësi e me lutje, me ibadete e mirësi, duke triumfuar mbi të keqen, të ligën, të shëmtuarën, arritëm që të jemi më të devotshëm pranë Krijuesit tonë Mëshirëplotë. Nesër do ta festojmë Bajramin. Do ta falenderojmë Allahun xh.sh. për atë që na e mundësoi të agjërojmë edhe një Ramazan, e falënderojmë për të mirat që na i ka dhënë! Por, të mos harrojmë: këto falenderime do të kishin kuptim dhe do të ishin të pranueshme vetëm nëse në gëzimet tona do të përfshinim edhe njerëzit tanë që janë në nevojë: skamnorë, të varfër, jetimë, por edhe institucionet tona islame. Prandaj, në fund të Ramazanit na është bërë obligim dhënia e Zekatul Fitrit. Unë e lus Zotin Fuqiplotë që të na i pranojë të gjitha veprat e mira, të gjitha lutjet dhe ibadetet që i kemi kryer gjatë Muajit të Ramazanit. E lus Zotin Fuqiplotë të na ruaj prej të këqijave dhe prej qëllimkëqinjve”, thuhet në mesazhin e kreut të BFIM-së, Sulejman Rexhepi.
Myftiut të Kosovës, Naim Tërnava i ka uruar qytetarët e Kosovës me rastin e festës së Fitër Bajramit.
“Nesër është dita e parë e Fitër – Bajramit, e cila vjen si shpërblim i agjërimit të muajit të madhërishëm të Ramazanit, ndaj më lejoni që në emër të Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, në emër të organeve dhe institucioneve të saja, dhe në emrin tim personal, tu urojë festën e madhe të Fitër – Bajramit, duke e lutur Allahun xh.sh. që të na ketë pranuar agjërimin dhe adhurimin që e kemi bërë edhe gjatë këtij muaji të Kuranit. Ndaj edhe me rastin e kësaj feste të cilës i gëzohet çdo besimtarë,juve të respektuar e të nderuar vëllezër e motra, iu porosisë, që të shtrini dorën e ndihmës te ata të cilat kanë nevojë, të varfrit, jetimët, njerëzit e shtyrë në moshë që kanë mbetur pa përkujdesje, fëmijët e braktisur. Ti gëzojmë ata edhe gjatë kësaj feste ashtu siç i gëzuat me ndihmat e juaja edhe gjatë muajit të Ramazanit, ngase kështu po na thërret Allahu xh.sh. dhe Muhamedi a.s.
Më lejoni që edhe njëherë tua uroi festën e Fitër – Bajramit të gjithë besimtarëve në Kosovë dhe brenda trojeve tona etnike shqiptare, por edhe të gjithë vëllezërve e motrave në mërgatën tanë kudo që gjendën ata.
Presidenti i Republikës Bujar Nishani, me anë të një mesazhi ka uruar të gjithë besimtarët Mysliman për festën e Fitër Bajramit
“Nuk ka gjë më të aftë se kjo festë për ta larguar urrejtjen dhe afruar dashurinë, pakësuar veset dhe shtuar virtytet, harruar mëritë dhe sjellë pajtimet. Është kjo Festë e madhe që ka aftësinë e rrallë për t’i bërë të rinjtë më të pjekur, të moshuarit më të rinj, të sëmurët më të shëndetshëm, të shëndetshmit më të mëshirshëm, fatkeqët më pak të dëshpëruar, fatlumturit më të përmbajtur, fukarenjtë me më tepër shpresë, zengjinët më zemërgjerë”, shkruan Presidenti në mesazhin e tij.
Me rastin e festës së Fitër Bajramit, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, i ka uruar udhëheqësit e Bashkësisë Islame të Kosovës dhe gjithë besimtarët myslimanë. “Dita e Bajramit të Madh është një ditë feste, që vjen pas muajit të Ramazanit, e karakterizuar me sakrificë dhe solidaritet mes gjithë njerëzve. Uroj që këtë ditë ta shënoni së bashku me më të dashurit tuaj, me të mirat që ua ka dhuruar Zoti”, ka thënë Jahjaga në urimin e saj.
Në Maqedoni mesazhe urimi kanë dërguar krerët e partive politike si kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, Rilindja Demokratike Kombëtare (RDK), por edhe krerët e institucioneve shtetërore si presidenti Gjorgje Ivanov, kryeministri Nikola Gruevski, por edhe ministrat dhe zyrtarë të lartë të institucioneve shtetërore në Maqedoni. Mesazhe urimi janë përcjellë edhe nga kryetarët e komunave si kryetari i komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta, kryetari i Strugës Ziadin Sela dhe kryetarët e komunave tjera.
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë për festën e Fiter Bajramit.
“Kam kënaqësinë e veçantë që në emër të të gjithë anëtarëve dhe përkrahësve të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) si dhe në emrin tim personal, të uroj të gjithë besimtarët mysliman për festën e madhe të Fitër Bajramit duke ju dëshiruar shëndet dhe mbarësi në gjirin e tyre familjar. Muaji i Ramazanit dhe Fitër Bajramit na rikthejnë tek vlerat më të mira njerëzore mbi të cilat reflektojmë fuqishëm gjatë muajit të agjërimit dhe festës së Bajramit. Uroj që kjo festë t’ju gjejë në gëzime familjare dhe të na bashkojë në paqe dhe në shtrimin e dorës së mirëkuptimit, solidaritetit dhe bamirësisë”, thotë Ahmeti në urimin e tij.
Lideri i Bashkimit Demokratik ka uruar në fund që kjo festë ti gjejë të gjithë shqiptarët të bashkuar, në paqe, mirëkuptim dhe në solidaritet me njëri-tjetrin.
Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë për Fitër Bajramin.
“Sakrifica dhe devotshmëria që karakterizojnë këtë Festë, na bëjnë të fortë për të mos devijuar nga rruga e drejtë dhe besimi, duke vazhduar me angazhimet e mëtejshme si dhe me kultivimin e vlerave tona fetare dhe kombëtare. Uroj që kjo festë të përcillet me dashuri, respekt, solidaritet dhe vullnet të mirë! Në emrin tim dhe në emër të Partisë Demokratike Shqiptare, u’a uroj gjithë besimtarëve mysliman Festën e Fitër Bajramit me shumë shëndet dhe mbarësi. Qofshi të gëzuar gjithmonë!”, ka uruar Thaçi.
Mesazh urimi nga Lidhja e Diasporës Shqiptare për Maqedoni
“Me rastin e ditës së madhe për të gjithë myslimanët, Fitër Bajramin, shfrytëzoj rasti që të urojmë të gjithë besimtarët. Urojë që në familjet e të gjithëve të mbizotërojë shëndeti, lumturia, harmonia dhe mbarësia. Uroj që kjo festë e solidaritetit dhe sakrificës të sjellë fat dhe mbarësi mes shqiptarëve, por edhe gjithë myslimanëve”, thuhet në mesazhin e urimit të kryetarit të LDSHM, Xhevat Sherifi me porosinë “Zoti i bekoftë të gjithë!”.
Ambasadori i Kosovës në Shkup, Ylber Hysa ka uruar komunitetin mysliman në Maqedoni dhe kreun e Bashkësisë Fetare Islame me rastin e festës së Fitër Bajramit.
“Kam nderin e veçant që në emër stafit të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Maqedoni dhe në emrin tim personal, t’ju uroj për festën e madhe të Fitër Bajramit me dëshirat më të sinqerta për begati dhe mirëqenie në çdo familje të besimtarëve. Festa e Fitër Bajramit kurorëzon muajin e agjërimit dhe sakrificës tek besimtarët musliman dhe vjen si shpërblim për mishërimin e tyre me vlerat hyjnore dhe familjare. Më lejoni ju lutëm që të uroj shëndet e mbarësi për të gjithë besimtarët në këtë festë të madhe fetare me shpresë që paqja dhe toleranca të mbizotërojë në mesin tone”, thuhet në mesazhin e ambasadorit Hysa. (INA)
Urimet janë përcjellur edhe nga një numër i madh i shoqatave joqeveritare dhe fetare.
Edhe mergaten Shqiptare ne SHBA dhe Europe eshte festuar Fiter Bajrami.
FEDERATA PANSHQIPTARE E AMERIKES”VATRA” URON BESIMTARET MUSLIMANE:GEZUAR FESTEN E FITER BAJRAMIT, QE ESHTE SIMBOL I PAQES, I GEZIMIT, I QETESISE SHPIRTERORE!/