





Kisha “Zoja Pajtore” kremtoi nga 30, 31 gusht dhe 1 shtator Festivalin tradicional me këngë popullore, një ngjarje që prej 34 vitesh mban gjallë kulturën, besimin dhe traditën shqiptare. Festivali, i krijuar nga dom Ndrevashaj dhe dom Ndue Gjergji, u zhvillua në një atmosferë festive ku u bashkuan breza të ndryshëm në një skenë të përbashkët arti dhe shpirtëror.
Në qendër të programit ishin grupet e fëmijëve të dy kishave: “Ilirianët” dhe “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, etj. të cilët sollën këngë popullore të interpretuara me entuziazëm e energji rinore, duke i dhënë festivalit një frymë të veçantë dhe një mesazh të qartë për vazhdimësinë e traditës shqiptare.
Festivali u pasurua edhe me interpretimin e veçantë të këngëtarit të njohur Nikollë Nikprelaj dhe të birit të tij Albin Nikprelaj, të cilët u pritën me duartrokitje nga publiku, duke krijuar një urë simbolike mes brezave në artin dhe muzikën shqiptare.
Këtë vit, kremtimi u zhvillua edhe në kuadrin e Ditës së Punës në Shtetet e Bashkuara, një festë që nderon punëtorët dhe kontributin e tyre në shoqëri. Për komunitetin shqiptar, kjo ditë mori një kuptim të dyfishtë: përveçse u festua puna dhe sakrifica e përditshme e emigrantëve, u theksua edhe vlera e ruajtjes së traditës, gjuhës e kulturës në vendin e ri.
Në tri ditët e organizimit, festivali mblodhi mijëra bashkatdhetarë, në një mjedis të përgatitur shkëlqyeshëm nga Këshilli i Kishës, drejtori e festivalit dhe dom Dino Çekrezi. Organizatorët kishin menduar çdo detaj: tenda të mëdha, kuzhina me ushqime dhe pije tradicionale shqiptare, që i dhanë festës një atmosferë edhe më të gjallë dhe bashkëkohore.
Dita e fundit u çel me një parakalim madhështor të fëmijëve të veshur me kostume kombëtare, duke sjellë ngjyra e emocione të veçanta në këtë kremtim të përbashkët.
Në njërën prej këtyre çadrave, kandidati Robert Lulgjuraj zhvilloi takime me bashkatdhetarët, regjistroi votues të rinj dhe bisedoi me zgjedhësit amerikano-shqiptarë të zonës elektorale numër 10, duke e kthyer festivalin edhe në një mundësi për angazhim qytetar e demokratik.
Ky edicion, si çdo vit, dëshmoi rëndësinë e angazhimit të të rinjve në ruajtjen e identitetit kulturor dhe fetar. Pjesëmarrja e tyre e gjallë dëshmon se Festivali i Kishës “Zoja Pajtore” mbetet një gur themeli i komunitetit shqiptar në diasporë, duke vazhduar vizionin e dom Ndrevashajt dhe dom Ndue Gjergjit për të lidhur fenë me kulturën kombëtare.