Çerek shekulli poezi
Xhelal Zejneli
Prej 21–24 tetor 2021, u mbajt në Tetovë Edicioni jubilar i 25-të i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”. Festivalin e hapi drejtori i tij Shaip Emërllahu.
Në të morën pjesë poetë nga vende të ndryshme të botës si: Kama Syvor Kamanda (Kongo), Nivedita Lakhera (SHBA), Xhuzepe Napolitano (Itali), Chad Norman (Kanada), Jorge Medina (Kolumbi), Jona Burghart dhe Esteban Charpantier (Argjentinë), Erling Kitelsen (Norvegji), Rati Raksena (Indi), Mohamed al Amroi (Maroko), Metin Çengiz (Turqi), Atila F. Balazs (Rumani), Triin Somets (Lituani), Tobias Burghart (Gjermani), Mehmet Ismail (Azarbajxhan), Endre Kukureli (Rumani), Agneshka Herman dhe Alicja Kuberska (Poloni), Rosana (Bullgari), Olimbi Velaj dhe Viola Isufaj (Shqipëri), Naime Beqiraj dhe Shqipe Malushi (Kosovë), Marta Markoska, Salajdin Salihu dhe Isuf Sherifi (Maqedonia e Veriut),
Në orën e madhe letrare Globi poetik, 25 poetë i lexuan poezitë e tyre me prezencë fizike, ndërsa 7 poetë në mënyrë virtuale.
Juria e përbërë nga Prof. Dr. Ymer Çiraku, Mr. Ndue Ukaj dhe Prof. Xhelal Zejneli laureat të çmimit “Naim Frashëri” e shpalli poetin Kama Kamanda, ndërsa drejtori i Festivalit, Shaip Emërllahu ia akordoi titullin “Anëtar Nderi”.
Në ditën e dytë të programit, poetët vizituan qytetin e Strugës dhe të Pogradecit. Në odeonin e bukur buzë liqenit mbajtën orën letrare “Poetë dhe vargje”. Në ditën e tretë u hap ekspozita me fotografi e titulluar “25 vjet Ditët e Naimit”, ndërkaq me rastin e përvjetorit të parë të vdekjes së poetes Silke Liria Blumbah, u dha filmi dokumentar i Narta Emërllahut, “Një vit pas vdekjes sime”.
Në kuadër të programit, u bë edhe përurimi i pesë titujve të Sh.b. “Ditët e Naimit”: “Tash dhe këtu” i laureates maqedonase Lidija Dimkovska, libri me punime shkencore “Naim Frashëri dhe atdheu”, i studiuesve të huaj dhe shqiptarë, antologjia me poezi e poetëve pjesëmarrës “Simfonia e erës” e përgatitur nga Shaip Emërllahu, vëllimin me poezi “Frymë” i poetit Isuf Sherifi dhe libri poetik dygjuhësh, shqip dhe anglisht “Fjala e gjymtë” i poetit Bujar Plloshtani.
Me rastin e Edicionit jubilar të 25-të u mbajt Konferenca shkencore ,,Ditët e Naimit, Naim Frashëri dhe Silke Liria Blumbach”, me ç’rast studiues dhe poetë shqiptarë e të huaj lexuan dhe depozituan kumtesat e tyre, si: profesori dhe laureati amerikan Xhorxh Vallas nga SHBA, Xhuzepe Napolitano nga Italia, Mr. Jasmina Salija nga Sllovakia, Prof. Dr. Ymer Çiraku, Prof. Dr. Olimbi Velaj, Prof. Dr. Begzat Baliu, Prof. Dr. Myrvete Dreshaj, Prof. Dr. Salajdin Salihu, Prof. Dr. Flamur Shala, Dr. Izmit Durmishi, Prof. Dr. Jeton Kelmendi, Mr. Ndue Ukaj, Prof. Arjan Kallço, poetja Puntorie Muça Ziba, Prof. Xhelal Zejneli, poeti Remzi Salihu, poeti Iljaz Osmani, poeti Bujar Plloshtani, etj.
Në mbrëmjen e natës së tretë u mbajt ora e madhe letrare “Meridiane Poetike”, ku lexuan poezi dhe u ndanë çmimet e tjera letrare të Festivalit. Çmimi letrar “Ditët e Naimit”, që jepet për karrierë letrare iu dha poetit norvegjez, Erlin Kitersen, çmimi ‘Menada’, që jepet për vlera të veçanta poetike iu dha poetit turk Metin Çengiz, çmimi letrar ‘Oeneumi’, që jepet për ciklin më të mirë poetik iu dha poetes nga Kosova, Naime Beqiraj, çmimin letrar ‘Qiriu i Naimit’, që jepet për poezi më të mirë e mori poetja, Viola Isufaj, ndërsa çmimi letrar “Silke/Liria” që jepet për shprehjen poetike iu dha poetes polake, Alicja Kuberska.
* * *
Njëzet e pesë vjet me radhë vijnë në qytetin rrëzë Sharit, krijues artistikë, poetë nga të gjitha anët e rruzullit, nga të pesë kontinentet e botës. Që nga fillimi i këtij festivali e deri më sot, kanë ardhur ndër ne rreth 500 krijues të artit të fjalës. Është një manifestim madhështor, festë e vërtetë për adhuruesit e artit poetik. Koncert i vërtetë poetësh, të pritur me zemër nga publiku artdashës.
Vijnë poetë nga të gjitha trojet shqiptare, nga Shqipëria, nga Kosova, nga Kosova lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë), nga mali i Zi, nga Maqedonia. Vijnë dhe poetë çamë. Vijnë krijues artistikë arbëresh nga Kalabria dhe Sicilia.
Vijnë poetë të njohur të rajonit të Ballkanit, të kontinentit evropian, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të Amerikës Latine, të Izraelit, të botës arabe, të Afrikës, të Tajvanit të largët, të Australisë, të Indisë, të Evropës Lindore.
Në aeroportin e Shkupit poetët e meridianëve të botës priten nga drejtori i festivalit – Shaip Emërllahu. Gjatë qëndrimit katërditor në Tetovë, mysafirët i vizitojnë monumentet historike, kulturore dhe arsimore të qytetit: teqenë Arabati, Universitetin e Tetovës, Universitetin e Evropës Juglindore, Kodrën e Diellit, kalanë ilire të qytetit.
Në ditët në vijim, poetët e botës përcillen në Strugë, në Ohër, në Shkup, ku mahniten me përmendoren monumentale të Gjergj Kastriotit. Bëjnë homazh para përmendores së Nënë Terezës së Shenjtë. Vendosin lule dhe fotografohen. Të frymëzuar, shumë prej tyre i nxjerrin fletoret dhe thurin vargje për dy figurat gjigante të kombit. Vargje lirike për nënën e gjithë njerëzimit.
Gjatë qëndrimit të tyre në Tetovë, krijuesit letrarë përcillen për në Kosovë. Me këtë rast ata e vizitojnë kryeqytetin – Prishtinën dhe Prizrenin. Të entuziazmuar, e vizitojnë muzeun historik të Lidhjes së Prizrenit.
Bordi i festivalit, nuk lë pa i dërguar poetët e botës në Shqipëri, për ta parë Pogradecin, qytetin e lirikut të madh, Lasgushit. Vizitojnë kryeqytetin, Tiranën. Që andej shkojnë në Krujën historike. Atje blejnë suvenire me motive kombëtare shqiptare. I marrin me vete për t’ua dhuruar të dashurve të tyre në vendet nga vijnë. Nuk harrohet as Korça, qyteti i serenadave.
* * *
Hapja e festivalit bëhet në mënyrë solemne, në orën 19.00, para Pallatit të kulturës në Tetove, aty ku ngrihet hijerëndë përmendorja e bilbilit të gjuhës sonë, Naimit të Madh, apostullit të shqiptarizmit. Hapja solemne përcillet me këngë e valle popullore të shoqërive kulturore artistike të qytetit. Në ceremoninë e hapjes marrin pjesë qindra qytetarë, adhurues të poezisë. Midis tyre nxënës, studentë, mësues, arsimtarë, profesorë, drejtorë institucionesh arsimore, krijues artistikë, poetë. Me këtë rast, Naimit që duket i gjallë, i vihen lule të freskëta. Pas kësaj, qiellin e Pollogut dhe Sharrit e ndriçojnë fishekzjarrët shumëngjyrëshe.
Deklamimi i poezive nga poetët e botës, në sallën e madhe të Pallatit të kulturës, është pjesa më e shumëpritur e publikut. Çdo artist lexon ose deklamon në gjuhën e vet. Ka poetë që recitojnë, ka të tillë që gjatë recitimit, edhe aktrojnë. Poezia ka vetëm një gjuhë, atë të fjalës artistike. Gjuhën e tyre e kupton çdo pjesëmarrës në këtë eveniment artistik. Deklamimet përcillen edhe me duartrokitjet e publikut. Në këto çaste të rralla, fjalët e së përditshme sonë banale, zëvendësohen me poezi. Poezi bëhet edhe dialogu. Poetët e meridianëve të rruzullit, me vargjet e veta sjellin jetë dhe sa më shumë vargje të ketë, aq më tepër poezia hyn në jetën tonë, depërton në ne, për të na fisnikëruar dhe për të na mbrojtur nga banaliteti dhe thjeshtësia e përditshmërisë. Poetët manifestojnë emocione artistike, forma dhe ritme, metafora befasuese të dala nga thellësitë e nëndheshme, të ardhura nga larg. Tani, në këtë festë të shpirtit pushojnë kundërthëniet, urrejtjet, përplasjet, konfliktet, zënkat, betejat dhe luftërat. Mesazhet janë njerëzore, porosi paqeje. Çdo gjë zhvillohet në frymën naimiane. Mbizotëron urtia, afria, komunikimi dhe dashuria ndaj njëri-tjetrit. Prej vendeve nga vijnë, poetët sjellin me vete fragmente jete, tablo me plot surealizëm, preokupime ekzistenciale, dëshira, dhimbje, dëshpërime, vuajtje, zhgënjime, pikëllime, lëndime, plagë, mbi të gjitha, sjellin dashuri, paqe dhe pajtim. Publiku i përcjell me vëmendje, me përqendrim maksimal. Çdo poezi, aktori i Festivalit i deklamon edhe në shqip. Të duket se po krijohet një Tetovë e re, e shkundur nga pluhuri i së shkuarës, nga barra e mendësisë provinciale. Tani në qiellin tonë të ngrysur ndriçon hijerëndë flaka e valëzuar e qiririt legjendar. Është natë e mirëkuptimit, e lartësuar në dashuri njerëzore dhe hyjnore. Rinë pranë njëri-tjetrit poetë, popujt e të cilëve janë në konflikt shekullor. Palestinezi pranë një hebreu, indiani pranë pakistanezit, greku pranë turkut, kurdi pranë turkut, serbi pranë kroatit. Këtu shtiza s’ka. As bajoneta. Emocionet poetike përcillen nga arsyeja, nga rezoni. Vargjet bëjnë thirrje: “Në këtë njëmendësi, vend ka për të gjithë. E drejta për jetë, për ekzistencë është e patjetërsueshme. Ajo as falet, as dhurohet, as mund të ndalohet”. Gjatë këtyre netëve, rretë e zeza mbi qiellin e Sharrit, zhbëhen, s’janë gjëkundi. Se ku treten nga forca magjike e filozofisë së dashurisë. Njerëzit s’e durojnë dot njëri-tjetrin ngase nuk njihen – thotë shkrimtari kroat Mirosllav Kërlezha. Poetët flasin ndër vete, komunikojnë, njihen, këmbejnë mendime, ide, afrohen me njëri-tjetrin. Drita mbulon terrin, errësirën, besimi i ndërsjellë ia shkon mosbesimit, dashuria ngadhënjen mbi smirën dhe urrejtjen, e sotmja dhe e ardhmja lë pas të shkuarën e largët, plot gjakderdhje. Poeti është ai që, si orakull, edhe në kohët më të pashpresë, synon të ruajë baraspeshën njerëzore të patjetërsueshme. Me fjalën e tij të figurshme i sjell kënaqësi dhe mirësi individit, i sugjeron paqe njerëzimit. Me gjuhë të figurshme i bën ballë luftës, kundërshton të keqen, tiraninë, despotizmin, shtypjen dhe dhunën. Me gjuhën metaforike dhe simbolike del haptas kundër ligësisë, padrejtësisë dhe shfrytëzimit. Metafora është arma e vetme e tij me të cilën mbron të vërtetën. Poeti, me stuhitë përplaset, me vetëtimë i mpin sytë, mu si albatrosi i Bodlerit në lartësitë qiellore. Te “Ditët e Naimit”, tribunë kjo e artistëve, secili është i mbrojtur, i sigurt, i barabartë dhe i respektuar. Ndër artistë s’ka pabarazi, padrejtësi as diskriminim. Këtu shuhen dallimet, ngjyrat, shtresat, ideologjitë. Poezia i ul flamujt e grindjeve, të përplasjeve, të përçarjeve. Duke qenë shpirt fisnik i njerëzimit, poeti dhe poezia mbajnë lart flamurin e mirësisë, të së bukurës. Poetët ndjehen të lirë. Liria është ajo për të cilën treten gjatë gjithë jetës së tyre. Liria është sinonim i poezisë.
Manifestimi i sipërthënë ndikon fuqishëm në transformimin e shoqërisë sonë, të bashkësisë njerëzore, ngre vetëdijen tonë qytetëruese. Në momente të caktuara historike, poeti është edhe misionar i kombit. I tillë ishte Naimi me qiririn e tij. Të tillë ishin rilindësit tanë. Me vargjet e tyre s’kërkonin dot asgjë më shumë se liri, liri për të gjithë. Poetët që vijnë te “Naimi”, kërkojnë një botë re, ku të ketë jetë për të gjithë, një botë pa uri, pa sëmundje, pa racizëm dhe ksenofobi. Kjo është ajo që i bën të fisme “Ditët e Naimit”, ngase vetë poezia është e fisme në hierarkinë e vlerave njerëzore. Ajo prore bën thirrje për lirinë e ndërgjegjes, për ngadhënjimin e së bukurës, për ndërtimin e raportit human ndërmjet objektit dhe subjekti. Pa poetë, pa artistë, bota do të ishte e zbrazët dhe e varfër, shumë më e varfër se ç’është.
Në “Ditët e Naimit” marrin pjesë poeta laureatus, d.m.th. krijues letrarë të mëdhenj të lauruar për krijimet e tyre poetike me çmime ndërkombëtare në vende të ndryshme të botës. Midis tyre ka edhe poeta vates (poet-profet), të tillë që profetizojnë fatin e popujve të vet. Shumë prej tyre, me formën shprehëse të poezisë dhe me synimet emocionale dhe ideore të kthejnë në epokën e simbolistëve, te Bodleri, Malarmeja, Verleni dhe Remboja. Në vend të vargut me ritëm të matur me përpikëri, përdorin vargun e lirë. Por ka prej tyre që i zbatojnë edhe format e vargut të përdorura në të kaluarën. Elemente themelore të gjuhës së tyre poetike janë metafora, ritmi, dhe muzika. Forcën e shprehjes poetike të poezisë së tyre e përforcon zgjedhja e fjalëve, renditja e tyre në varg, përsëritja, pauza. Në lirikat e tyre ata japin pasqyrën e jetës më të plotë dhe më përmbajtësore, të përpunuar me imagjinatën poetike, duke zbuluar kësisoj thelbin e botës dhe duke mundësuar njohjen më të thellë të saj. Ka raste kur ndonjë prej këtyre krijuesve poezitë e veta i ndërlidhin me muzikën dhe me vallëzimin. Motiv i poezisë së tyre është çdo gjë që e shqetëson ndjeshmërinë e njeriut. S’ka kurrfarë kufizimesh ngase edhe dukuritë më të parëndësishme në jetën e poetit, aq sa edhe ngjarjet e mëdha dhe tragjeditë njerëzore, mund të shkaktojnë shqetësime të papritura dhe atmosferë të përshtatshme për veprimtari krijuese. Këta poetë i ripërtërijnë format e hershme lirike por krijojnë edhe forma të reja. Edhe poetët modernë i përdorin format e hershme dhe të vjetra, p. sh. ditirambin, rapsodinë, epitafin, elegjinë, baladën etj. por duke ua dhënë domethënien e vet, duke ruajtur tonin themelor. Me gjuhën poetike të kthejnë edhe te lirikët e lashtësisë, te Alkeu, poetja Safo.
Poetët e botës informohen, mësojnë për ne. Duan të dinë shumëçka për vlerat tona, për krijimtarinë tonë popullore, letrare artistike, për krijuesit tanë. Janë kureshtar të dinë çdo gjë për ne. Gjuhën tonë, folklorin, krijimtarinë popullore, etnografinë, historinë, heronjtë kombëtarë. Të gjithë, pa përjashtim dinë për Gjergj Kastriotin, për Nënë Terezën, për Ismail Kadarenë. Por kjo sikur nuk u mjafton. Duan të na njohin më shumë. I çmojnë lartë virtytet tona, besën, mikpritjen, bujarinë, fisnikërinë, trimërinë. E çmojnë lartë lashtësinë e gjuhës sonë, prejardhjen tonë ilire, autoktoninë. Disa prej tyre nuk janë pa informata për ne. Poetin tonë kombëtar, Naimin shumë prej tyre e dinë. E dinë rolin dhe misionin e tij, për të na bërë dritë që të dalim prej territ, prej errësirës mesjetare, prej obskurantizmit.
Me t’u kthyer në vendet e veta, shumë prej tyre botojnë shkrime për mbresat nga pjesëmarrja në festivalin tonë. Thurin vargje për ne, për nënqiellin tonë, për njeriun tonë, për publikun, për ngjarjen poetike. Shkrimet e veta i përhapin anembanë rruzullit, ndër poetë të tjerë. Kësisoj manifestimi, i bërë vendtakim poetik, shndërrohet në urë që të çon në një zemër tjetër, në zemra të tjera. Nga impresionet e fituara lindin krijime poetike për ne, të cilat në vendet e tyre shndërrohen në vëllime artistike
Festivali ndërkombëtar i poezisë “Ditët e Naimit” ndan çmime. Laurohen poetët më të mirë, artistët e vërtetë. Kjo detyrë komplekse i përket jurisë treanëtarëshe: njëri nga Shqipëria, tjetri nga Kosova, i treti, nga Maqedonia. Vlerësimi i krijimeve letrare artistike të poetëve bëhet kryekëput me kritere estetike.
Në festivalin e sipërthënë, tanimë të shndërruar në institucion, kanë marrë pjesë emra të njohur të letërsisë shqiptare, si Ismail Kadareja, Visar Zhiti, Ali Podrimja, Agron Tufa, Azem Shkreli, Adem Demaçi, Abdylazis Islami, Murat Isaku, Basri Çapriqi, Abdullah Konushevci, Primo Shllaku, Mario Bellizi, Rudolf Marku, Kujtim Shala, Ledia Dushi, arbëreshja Kate Xukaro dhe shumë të tjerë.
Festivali “Ditët e Naimit”, duke e bërë realitete profecinë naimiane, rregullisht ka botuar antologji poezish, poezi nga bota, në gjuhë të ndryshme, tani të sjella në shqip, në gjuhën e perëndisë, siç e quante autori “Fjalëve të qiririt”. Duke përkthyer poetë nga vende të ndryshme të botës i afron shqiptarët me letërsitë, kulturat dhe qytetërimet e afërta por edhe të largëta. Duke organizuar takime poetike, tribuna diskutimesh, promovime vëllimesh me poezi dhe duke bërë prezantime Festivali ndërkombëtar i poezisë “Ditët e Naimit” i afirmon ndër ne dhe në planin ndërkombëtar, vlerat universale më të çmueshme. Mbështetja e veprimtarisë së këtij festivali, me peshë kombëtare dhe shoqërore të jashtëzakonshme, nga institucionet publike përkatëse, është në dobi të përgjithshme.
Xhelal Zejneli