Sokol Paja/
Massachusetts, 2 Qershor 2023 – “Festivali Shqiptar” bashkoi mijëra shqiptarë në emërtimin e rrugës “Gjergj Kastrioti- Skenderbeu” në Worcester, Massachusetts. Një festë madhështore e shqiptarëve të bashkuar tradicionalisht në festivalin e traditës, identitetit, historisë e kulturës shqiptare. Festivali Shqiptar në Worcester, Ma ka 40 vjet që organizohet në Kishën Shqiptare Orthodokse “Fjetja e Shën Mërisë” në Ustër, Worcester, MA. Prof.Thanas Gjika tregon detaje të organizimit patriotik të shqiptarëve në Worcester dhe histori të Kishës dhe Festivalit.
Dhimitër Çika është ikonografi i afreskeve murale të kishës i cili e filloi projektin në Janar të vitit 2000 dhe e përfundoi projektin në Dhjetor të vitit 2007. Kisha “Fjetja e Shën Mërisë” e ndërtuar në vitin 1982 bashkon të gjithë shqiptarët në Worcester dhe krahas aktiviteteve të rëndësishme, Festivali Shqiptar është aktiviteti kryesor që Kisha e organizon çdo dy vjet. Festivali i vitit 2023 që filloi sot dhe vazhdon në ditët 3 dhe 4 Qershor, është një aktivitet patriotik që mbledh bashkësinë shqiptare dhe sukseset e patriotëve tanë duke promovuar traditën, kulturën, identitetin, historinë dhe shpirtin shqiptar në mërgatën e Amerikës.
Kryetarja e Vatrës Worcester zonja Efi Qeleshi u shpreh se “Festivali Shqiptar është një ngjarje shumë e shënuar për të gjithë komunitetin shqiptar. Ky festival është një vlerësim për shqiptarët që e ruajnë traditën prej dekadash pa dallim feje dhe krahine, për bizneset shqiptare, për organizatorët, për pjesëmarrësit është ngjarje kulminante që lidh fort komunitetin. Këtu krijohet, festohet, bashkohet dhe gëzohet shqip”. “Festivali Shqiptar” kishte drejtor Ilia Terovën dhe bashkëpunëtorë të Festivalit, Klevis Naqe, Helios Mako, Mariola St. Jean, Ilir Mihallari, Donika Koroveshi. Nën prezantimin brilant të
Polikseni Manxhari spektakli filloi me këndimin e himneve kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë nga Androniqi Danga dhe Feride Gillsberg. Atë Mark Doku bëri lutjen liturgjike pasuar nga përshëndetjet nga Këshilli i Bashkisë Uster Distrikti 5: Etel Haxhiaj, Këshilltare në Bashkinë Ustër, Dona Colorio etj. Editori i Diellit përshëndeti në emër të Federatës Vatra, gazetës Dielli e gjithë vatranëve. Shumë emocionuese ishte fjala e Mayor Rosario Peta nga Hora e Arbëreshëve dhe Loris Castriota përgjatë ceremonisë solemne të emërtimit të rrugës në nderim të heroit tonë kombëtar. Mbrëmja vazhdoi me grupin Vallet Tona nga koreografi Dhimitri Demiri, këngë deri në orët e vona nga Ylli Baka dhe Dj Andrea dhe Helios. “Festivali Shqiptar” është një festë tradicionale shqiptare që ruan kulturën, historinë, identitetin dhe traditën shqiptare në Massachusetts të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.