-Urojnë derejtuesit institucionalë, politikë e fetarë. Manifestimi qendror në Kosovë u mbajt në Xhaminë e Madhe në Prishtinë/
PRISHTINË, 12 Shtator 2016-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Në Kosovë festohet Bajrami i Vogël dhe urohet nga derejtuesit institucionalë, politikë e fetarë. Manifestimi qendror në Kosovë kushtuar festës u mbajt në Xhaminë e Madhe në Prishtinë e edhe në xhamitë e tjera u fal Namazi i Kurban – Bajramit.
“Në këtë ditë feste e gëzimi thërras të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë që të jenë më humanë e solidarë, më mëshirues e tolerant, të ndihmojmë njëri – tjetrin, skamnorët, jetimët, të vetmuarit dhe të gjithë ata që kanë nevojë. Njerëzimi duhet të kultivojë vlera për një jetë më të mirë, për një shoqëri më të shëndosh, për një unitet dhe vëllazëri të mirëfilltë”, është theksuar në urimin e zëvendëskryetarit të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, Reshat ef. Mexhitit me rastin e festës së Kurban-Bajramit.
“Të gjithë besimtarëve myslimanë ua uroj festën e Bajramit të Vogël. Uroj që përherë të mbretërojnë mirësia, harmonia, paqja dhe solidariteti në mesin tonë”, ka shkruar në ‘facebook’ presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Kryeministri Isa Mustafa dhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, kanë uruar gjatë vizitës sot në Bashkësinë Islame të Kosovës.
“Unë jam i lumtur që çdo Bajram po e kremtojmë në një gjendje më të mirë edhe shpirtërore edhe ekonomike dhe dëshiroj që të punojmë bashkërisht në mënyrë që njerëzit të ndihen mirë, dhe që bashkërisht t’i qojmë këto procese përpara”, tha kryeministri Mustafa.
“Mesazhi sublim i kësaj feste të shenjtë, përfaqëson vlerat për të cilat gjithmonë kemi nevojë, humanizmin, solidaritetin dhe paqen mes njerëzve”, u shpreh kryeparlamentari Veseli.
Në selinë e Bashkësisë Islame të Kosovës sot ishin edhe përfaqësues të Ipeshkëvisë së Kosovës për të uruar vëllezërit shqiptarë për festën e Bajramit të Vogël, siç u shpreh Don Lush Gjergji, Vikar Gjeneral. Mesazh besimtarëve islamë u ka drejtuar edhe Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës me urimet më të përzemërta me rastin e festës së Kurban Bajramit.