Viliem Kurtulaj/
Feja dhe filozofia shpeshherë takohen me njëra-tjetrën te metafizika. Përveç kësaj, ato nuk kanë pothuajse asgjë tjetër të përbashkët. Të vërtetat universale feja i ka të zbuluara në një libër të caktuar (p.sh. Dhjata e Vjetër, Bibla, Kurani, etj.), të cilin nuk ka as lejen e as guximin ta vërë në dyshim. Për sa kohë që je besimtar i një feje, të vërtetat që zotëron ajo fe janë absolute, përfundimtare, universale dhe nuk mund të vihen në dyshim e aq më pak të hidhen poshtë. Pra, pak a shumë, feja e ka arritur fundin e historisë pasi i di të gjitha të vërtetat në mënyrë absolute. Në fakt, përdorimi i termit “fundi i historisë” na kujton librin e Francis Fukuyama me të njëjtin titull. Fukuyama në këtë libër hidhte idenë se tashmë njerëzimi në botën e zhvilluar perëndimore e kishte zbuluar dhe arritur tashmë fundin e historisë së vet në aspektin politik dhe ekonomik. Vetëm këtë të vërtetë përfundimtare pretendonte se kishte zbuluar Fukuyama dhe rrezikoi të bëhej aq qesharak sa u detyrua më vonë të shkruante librin “Second Thoughts”. Pra, filozofia dhe feja nuk pajtohen me njëra-tjetrën, pasi e para është gjithmonë në kërkim të së vërtetës, ndërsa e dyta i di të vërtetat të cilat për të janë të pandryshueshme. Filozofia dyshon mbi gjithçka, feja nuk dyshon mbi asgjë që ndodhet në librin e saj të shenjtë.
Filozofia nëpërmjet dyshimit dhe kërkimit të pafund të së vërtetës është kontribuues në zhvillimin e botës. Feja nga ana tjetër, me pasjen e të vërtetave absolute përfundimtare universale, ka ndaluar në zhvillimin e botës. Po t’i referohemi filozofit të madh gjerman, Immanuel Kant, në esenë e tij “Ç’është Iluminizmi”, botuar në revistën “Berlinische Nonatshrift” në vitin 1784, në lidhje me fenë, ai shkruan: “Të bashkohesh me një institucion fetar të pandryshueshëm, askush të mos e vërë në dyshim, qoftë edhe për një periudhë kohe të gjatë sa jeta e njeriut, e thënë ndryshe, të anulosh një periudhë kohe në progresin e njerëzimit drejt përmirësimit, ta shterpëzosh, madje ta bësh dëmprurëse edhe për pasardhësit, është absolutisht e paligjshme”. Pra, sipas Kantit, feja e cila pretendon që zotëron pa asnjë dyshim të vërtetat e universit dhe si pasojë është e pandryshueshme, madje e padyshueshme, është një pengesë në përparimin e botës dhe si pasojë duhet të shpallet e paligjshme. (Theksojmë këtu se Kanti në asnjë vepër të tij nuk e ka mohuar ekzistencën e Zotit.) Për sa kohë që filozofia dhe feja kanë këtë përplasje themelore, është e pamundur që një person të jetë edhe besimtar i një feje (islam, krishtërim, judaizëm) dhe filozof në të njëjtën kohë. Mund të jetë fetar dhe studiues i filozofisë, por kurrsesi nuk mund të jetë fetar dhe filozof për sa kohë që nuk vë në dyshim asgjë nga Kurani, Bibla, Dhjata e Vjetër apo ndonjë libër tjetër i konsideruar i shenjtë. Dikush që i di të vërtetat e botës, madje dhe të universit, dhe nuk guxon t’i vërë në dyshim ato, e ka të pamundur të jetë filozof, detyra e të cilit është të vërë në dyshim çdo gjë dhe të rendë pa fund pas të vërtetave.
Në fakt, në histori njohim disa fetarë të cilët kanë shkruar libra me pretendime filozofike. Të tillë mund të përmendim Shën Agustinin, Thoma D’Akuinin, Al-Ghazalin, Al-Farabin, etj. Pikërisht këtu na del në shteg teologjia, e cila merret me studimin e feve. Shpeshherë teologët, kryesisht besimtarë të një feje, përdorin mjetet, konceptet, qasjen filozofike për të shpjeguar apo mbështetur një fe të caktuar. Pra, ata nuk kërkojnë të zbulojnë të vërtetat pasi të vërtetat për ta janë të shfaqura prej kohësh në librat fetarë. Ata thjesht mundohen që nëpërmjet qasjeve filozofike, t’i arsyetojnë ato. Kjo në fakt më kujton kohën e regjimit komunist në Shqipëri, ku në shumë fusha, të vërtetat i caktonte partia dhe shkencëtarëve iu mbetej vetëm t’i vërtetonin ato. Teologu mund të jetë ose jo fetar. Ai mund të studiojë fetë, duke besuar ose jo në ndonjërën prej tyre apo edhe në Zot. Madje mund të jetë teolog dhe klerik në të njëjtën kohë. Pavarësisht kësaj, si klerik ai ka një detyrë të caktuar, ndërsa si studiues, ka detyrë tjetër. Po t’i referohemi sërish Kantit në të njëjtin shkrim, ai shprehet: “Përdorimi që i bën një famullitar arsyes së tij përballë bashkësisë është vetëm një përdorim privat, meqenëse kjo është gjithmonë një mbledhje familjare, sado e madhe; përballë saj ai, si prift, nuk është i lirë, madje s’duhet të jetë, sepse zbaton një detyrë të ngarkuar nga të tjerë. Nëse ai gjen në fe diçka kundërshtuese, nuk mund ta administrojë pozicionin e tij me ndërgjegje, kështu që duhet ta braktisë. E kundërta, si studiues, kur i drejtohet publikut me mendimet e veta, domethënë gjithë botës, pra si klerik por në përdorimin publik të arsyes vetjake, gëzon liri të pakufizuar për ta shfrytëzuar arsyen e tij dhe për t’iu folur të tjerëve në vetën e parë”. Ky është dallimi që kleriku dhe teologu duhet të kenë, edhe pse mund të jenë i njëjti person.
Pra, fetari, kur e vendos arsyen në përdorim privat, mbetet thjesht një zbatues i doktrinës fetare. Kur e vendos arsyen në përdorim publik, ai mund të bëhet teolog, mund të dalë nga besimi i tij fetar, madje mund të bëhet edhe filozof. Ai ka mundësi të bëhet filozof atëherë kur vë në dyshim çdo gjë dhe është gjithmonë në kërkim të të vërtetave, duke lënë sërish hapësirë për dyshim në çdo të vërtetë që mund të zbulojë. Fetari nuk mund ta vërë në dyshim fenë e tij për sa kohë është i tillë. Mirëpo, pa vënë në dyshim fenë dhe ato çka thotë feja, ai mund të jetë teolog, por nuk mund të jetë filozof. Kështu që atij i duhet të zgjedhë ndërmjet fetarit dhe filozofit.