Kjo veprimtari u organizua nga Shoqata Atdhetare-Kulturore “Bijtë e Shqipes” e rastin e 100-vjetorit të lindjes/
Nga Laver Niku*/
1.
Në Shoqatën Atdhetare-Kulturore Shqiptare “Bijtë e Shqipes”, në Filadelfia të Amerikës, është bërë traditë që çdo fundviti të përkujtohen figurat e mëdha të letrsisë dhe artit tone tonë kombëtar. Kështu edhe këtë vit, vëmendja u përqendrua te 100-vjetori i lindjes së luftëtarit idealist dhe shkrimtarit të shquar, Petro Marko. Përgatitjet kishin filluar me kohë. Ishte porositur riprodhimi i smadhuar i portretit, punë e bashkëshortes së tij piktore, Safo Marko. Ishte përgatitur edhe një dokumentar, nga jeta dhe vepra e këtij shkrimtari të madh, nga nënkryetari i Shoqatës, Bujar Gjoka etj. Koleksionit të Shoqatës, ndërkaq, iu shtuan edhe dy portrete të tjera të njerëzve të shquar të penës, ai i Migjenit dhe I Dritëro Agollit, dhuratë e Androkli Kokthit, nga Tirana. Pak para fillimit të veprimtarisë, nga Virxhinia mbërriti miku ynë i palodhur, shkrimtari dhe veprimtari i njohur atdhetar, Petraq Janko Pali.
Takimin e hapi kryetari i Shoqatës, z.Sadik Elshani. Ndër të tjera, ai tha se këtë herë takohemi për të nderuar njërin nga shkrimtarët dhe intelektualët më të rëndësishëm të letërsisë dhe kulturës sonë kombëtare. Nderojmë njeriun dinjitoz dhe shkrimtarin e talentuar, Petro Marko. Ai është një rast i rrallë, ndoshta dhe i vetmi yni, ku njeriu dhe shkrimtari janë shkrirë, janë bërë një. Jeta u bë vepra e tij dhe vepra u bë jeta e tij. Emrit të tij, shkrimtar dhe intelektual, i shkojnë shumë epitete: i madh, i talentuar, modern etj. Por epiteti më domethënës, që mishëron veprën e tij dhe atë si njeri, është: I dashur. Lexuesi, që shijon veprën e tij, e adhuron atë dhe shkrimtarin, sepse në çdo faqe, në çdo rresht dhe në çdo fjalë është shpirti i tij i pastër, i gjërë dhe i çiltër, është dashuria për jetën, për njeriun.
Midis të tjerash, z.Elshani nderoi edhe kujtimin e dy figurave të shquara të kulturës sonë, që kanë 100-vjetorin e lindjes, atë të prozatorit, kritikut, leksikografit, Vedat Kokona dhe shkrimtarit, filozofit dhe profesorit të nderuar të bashkësisë shqiptare-amerikane, Isuf Luzaj.
Duke mbyllur fjalën e tij, z.Sadik Elshani përshëndeti edhe dy antarët e Shoqatës, që këtë vit dolën me botimet e tyre, z.Hatem Dervishaj, me vëllimin me tregime, “Eremiti” dhe z.Hysë Hasa, me librin “Mes shokëve, në shërbim të Atdheut”, i cili dhe u përurua në kryeqytetin Tiranë, disa kohë më parë.
Pas fjalës përshëndetëse, e mori fjalën z.Llazar Vero, që foli më gjerësisht për jetën dhe veprën e Petro Markos. “Është e vështirë të përmbledhësh në disa pak faqe jetën dhe veprën e tij. Ai jetoi, krijoi e luftoi sa për 100 njerëz dhe vuajti ende më shumë. Të gjitha për një qëllim të vetëm, për mbrothësinë e Shqipërisë, për ta parë atë një vend të lirë, të zhvilluar dhe të mbushur me dashuri njerëzore. Për të gjitha këto, ai i afrohet përmasave të një figure madhore kombëtare, që duhet nderuar dhe respektuar brez pas brezi. ” – tha ai, në hyrje të fjalës së vet. Por më bukur e ka përcaktuar vetë Petro Marko jetën e tij : “Ditën që linda unë, / planeti ishte në furtunë! / Ditën që rrojta unë, /planeti ishte në furtunë! / Ditën që vdiqa unë, / planetin e lashë në furtunë!”.
2.
Petro Marko lindi në nëntor të vitit 1913, në Dhërmi të Himarës, në “fshatin më të bukur në botë”. Vitet e para të shkollimit i kreu po atje. Pastaj e shohim në Shkollën Tregtare të Vlorës, që ishtë për kohën dhe vendin tone, si një universitet. Aty u edukuan me frymën atdhetare, të atyre viteve: ekonomistë, gazetarë, luftëtarë dhe udheheqës te shtetit të ardhshëm. Gjatë viteve në Shkollën Tregtare, Petro shkroi poezitë dhe artikujt e parë në shtypin e kohës. Në to spikatin atdhedashuria e revolta ndaj padrejtësive. Ky ishte pagëzimi i parë i tij në këto fusha, të cilave u qëndroi besnik përherë, me një vetëmohim idealisti, luftëtari, krijuesi dhe intelektuali të përkushtuar. Gjithë jetën, ai do ta kujtonte me respekt të veçantë gazetarin e shquar të atyre viteve, Branko Merxhanin, me të cilin bashkëpunoi në revistën e tij, “Përpjekja Shqiptare”, një nga më përparimtaret e kohës. Më vonë, do të shkruante edhe për organe të tjera të shtypit të kohës, si “Ora” dhe “ABC”. Për shkrimet e tij kritike, ndaj regjimit të kohës së Zogut, ai u burgos disa herë. Kështu, nisi për Petro Markon kalvari i vuajtjeve, burgimeve dhe internimeve, që kanë një shtrirje të gjerë në kohë, në vende dhe në sisteme të ndryshme politike.
Ishte ndër të paktët shqiptarë, që e konkretizoi kundërshtimin e hapur kundër fashizmit dhe padrejtësisë, qysh me Luftën e Spanjës, në vitin 1936, pjesëmarrës në brigatat ndërkombëtare të luftëtarëve të lirisë. Në Spanjë, ai ishte gazetar, luftëtar dhe komisar kompanie. Këtë luftë e vazhdoi për disa vite me radhë, në Francë dhe në Itali, kundër nazizmit gjerman, luftëtar, organizator dhe udhëheqës, në ndihmë të shokëve të tij të betejave e idealit dhe të çdo bashkatdhetari ose bashkëluftëtari të lirisë. Janë tetë vite lufte dhe vuajtjeje, si rrallëkush luftëtar i lirisë, në Luftën e Dytë Botërore. Petro ishte një luftëtar europian i lirisë, demokracisë dhe përparimit. Pra, edhe në ditën, kur Shqipëria do të futet zyrtarisht me Europën e Bashkuar, ai do të jetë aty, në radhë të parë.
3.
Petro Marko kthehet në Shqipëri disa muaj para çlirimit të vendit nga nazizmi gjerman. Eshtë i mbushur plotë ëndërra. E caktuan kryeredaktor të gazetës së vetme të përditshme të vendit, “Bashkimi”, e cila i kishte rrënjët që më 1908 dhe që u rishfaq përsëri, në mars të vitit 1943, organ i Frontit Nacionalclirimtar të Shqipërisë. E filloi punën me zellin dhe pasionin e gazetarit, artistit dhe idealistit të papërkulur. Pasqyronte hapat e para të një shoqërie të re, që po ngrihej me mundime. Petro drejtonte, redaktonte dhe shkruante vetë përditë për hallet e popullit. Gazeta “Bashkimi” e atyre viteve është një thesar i gazetarisë dhe historisë shqiptare të asaj kohe. Aty gjenë jetën e vendit, të pasqyruar me vërtetësi, profesionalizëm dhe kulturë, mëson për hallet dhe gëzimet, proceset e plota nga gjyqet ndaj kolaboracionistëve të pushtuesve dhe fjalimet e udhëheqësve të Shqipërisë së re. Kur ambasadori jugosllav në Tiranë i sugjeron Petro Markos, që ta bëjnë gazetën “Bashkimi”, si gazetën ‘Borba” të Beogradit, shpirti atdhetar i bregasit shpërthen dhe i thotë: “Përse mos ta bëjmë “Borbën” si “Bashkimi”, pasi ky organ është më i vjetër se “Borba””? Ambasadori u thartua nga kjo përgjigje dhe u ankua tek udhëheqësit e vendit, për këtë gjë. Ishte koha, kur rruga për në Moskë kalonte nga Beogradi. Pastaj, ai shoqëroi disa gazetarë perëndimorë e të tjerë përfaqësues të UNRA-s dhe u akuzua si bashkëpunëtor i tyre, kundër interesave të Shqipërisë. Por kjo gjë nuk u vërtetua edhe pas tre viteve burg, hetimeve dhe torturave. Ndërsa, të mendosh, se sa oferta kishte patur ai njeri nga shokët e luftës, në Itali, që u bënë edhe udheheqës të saj ose nga kushërijnjtë, në Greqi. Me asgjë nuk mund ta këmbente Shqipërinë Petro, me gjithë vuajtjet dhe mundimet e mëdha, që padrejtësisht i dha ajo. Ai qëndroi deri në fund e i shërbeu dhe i shërben Atdheut e popullit të vet. përtej jetës së tij, të djalit që ia burgosën, të gruas dhe vajzës, të dyja piktore. Megjithatë, ai nuk u thye.
Pak vite pas daljes nga burgu i Tiranës, ulet dhe shkruan romanin “Hasta la vista”, kushtuar bashkëluftëtarëve, shokëve dhe miqëve të tij bashkatdhetarë, vullnetarë të lirisë, në Luftën e Spanjës. Jo pa vështirësi, por botimi i tij ishte një ngjarje në letërsinë shqipe, për pritjen e ngrohtë që iu bë nga lexuesit e sidomos nga të rinjtë dhe për vetë faktin, që ishte romani i parë i mirëfilltë i kësaj letërsie të re, pas dështimit të romanit “Çlirimtarët” të Dhimitër Shuteriqit. Pas atij, boton librin “Qyteti i fundit”, që padyshim është romani i tij më i mirë. Ky ishte një sukses edhe për gjithë letërsinë shqipe. Është i pari roman modern i kësaj letërsie. Aty shquhet për një stil të ri së shkruari, për një temë origjinale, për një gjuhë të përpunuar artistike dhe kompozicion origjinal. Ky roman doli disa vite para romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” të Ismail Kadaresë, por nuk pati atë jehonë dhe mbështetje, që pati ky i fundit.
Pa dashur të përmendi, një për një, të gjitha romanet e shkruara nga Petro Marko, të tërë me një ” biografi” të vetën krijuese dhe botuese, po ndalem vetëm te romani “Një emër, në katër rrugë”, që nuk e pa dritën e botimit, kur u shkrua, më 1972, pasi u kthye në karton pas shtypjes. Ai qarkulloi vetëm në vitin 2001, pra pas 29 vitesh. Shumë vepra të tjera të këtij autori presin në dorëshkrime.
Petro Marko botoi edhe disa romane të tjerë, si “Stina e armëve”, “Ara në mal” e “Nata e Ustikës”, por kryeromani i tij ose romani “sa për 100 romane” mbetet “Retë dhe gurët” (Intervistë me vetëveten), një jetëshkrim i letrarizuar i tij. Ka jetë, ka vërtetësi, ka dhimbje dhe dashuri, në faqet e tij. Aty është Shqipëria e shekullit të kaluar. Ashtu, siç ishte në realitet. Eshtë një rrëfim i veçantë dhe i sinqertë, para historisë. Ky libër pasuron bibliotekën shqiptare dhe bibliotekën e çdo shtëpie, pasuron çdo njeri që e lexon, e bën më të mirë dhe më të mënçur.
Petro Markon e deshën, në të gjitha trojet shqiptare, njerëz të thjeshtë dhe krijues e studies. Por vetëm në Kosovë u botua vepra e plotë e tij, prej nëntë vëllimesh. Kjo u bë e mundur nën kujdesin e kritikut dhe studiuesit Ali Aliu dhe u shoqërua me një parathënie – studim të akademikut Rexhep Qosja. Krijuesit kosovarë e deshën dhe e respektonin shumë Petron, për atë ç’ka ai kishte bërë, njeri dhe krijues; e deshën sinqerisht, se ishte gazetar I talentuar, poet e romancier, luftëtar dhe idealist i paepur.
Në vitet ’70-të, të shekullit të kaluar, në shtëpinë e tij, në Tiranë, vinin shumë krijues nga Kosova, si Esad Mekuli, Hasan Mekuli, Ali Aliu, Rexhep Qosja dhe të tjerë. Lidhjet e tij me burrat e Kosovës zinin fill që në vitet ’30-të, kur u njoh me Asim Vokshin, në Gjirokastër. Nëpërmjet tij, u njoh edhe me Bedri Pejanin e Ali Kelmendin. Pastaj ishte Lufta e Spanjës, që e lidhi me shumë bijë të Kosovës, si me Emrush Myftarin, Xhemal Kadën, Justina Shkupin, Shaban Bashën e të tjerë. Kjo lidhje, kjo dashuri dhe respekt vazhdon edhe sot.
Në Tiranë e kudo në Shqipëri, ai kishte shokë e miq, po unë do të veçoja dy poetët e shquar, Fatos Arapin dhe Xhevahir Spahiun, që e donin dhe respektonin atë, në mënyrë të veçantë. Kishin të tre diçka të përbashkët: talentin, por edhe guximin, sinqeritetin dhe dashurinë për popullin. Kishin të tre diçka të përbashkët: kishin Vlorën, Detin Jon.
4.
Në fund të fjalës së tij, z.Llazar Vero, përsëri, pyeti auditorin: “Kush ishte, pra, Petro Marko?” Dhe përgjigjen e gjeti tek fjalët e tij: “Kam shkruar dhe përsëri, sa të kem frymë, do të shkruaj, po me atë entusiazëm të Petros, idealist të viteve të rinisë e të luftës dhe qëndrimi im do të jetë gjithmonë kundër çdo lloj padrejtësie, kundër shkeljes së çdo të drejte njerëzore, kundër çdo pushteti diktatorial, që të pengon frymëmarrjen, që vret ëndërrat e fëmijëve dhe idealin e idealistëve, që u vë kufinj telash me gjëmba horizonteve të lira” -Ky është Petro Marko.
Më tej, në këtë takim, sekretari i Shoqatës, z. Vlashi Fili, lexoi motivacionin e Çmimit “Carlo Levi”, që iu dha para pak kohësh, Dritëro Agollit dhe letrën, që shkrimtari ynë i madh i dërgon jurisë së edicionit XVI, të Çmimit Kombëtar për Letërsinë në Itali. Ndërsa z.Sadik Elshani lexoi një përshendetje, që kishte ardhur nga Tirana, nga miku i kësaj Shoqate, profesor Murat Gecaj, publicist e studiues. Duke e përgëzuar këtë Shoqatë edhe për këtë veprimtari kuptimplote, ai shprehte respektin dhe falenderimin për nderin, që i bëhet në këtë tubim emrit, jetës e veprës të shkrimtarit dhe intelektualit të paharruar, Petro Marko.
Veprimtaria vazhdoi, pastaj, me dokumentarin kushtuar kujtimit të Petro Markos, përgatitur nga Bujar Gjoka, me materiale të regjistruara nga burime të ndryshme.
Dhe, si perherë, erdhi koktejli tradicional i Shoqatës, që këtë herë pati më shumë peshën e djemëve të Librazhdit, të mirë dhe punëtorë të palodhur, që i shikon në çdo veprimtari bashkë, si shokë e miq të pandarë. (E dergoi ne DIELLI: Bardhyl Selimi)