Nga Zaim Kuçi/
Me gjithë angazhimin e kohëve të fundit të mbarë botës për situatën në Siri, tashmë me vonesë, bazuar në katastrofën çnjerëzore të kryer në këtë vend nga një regjim vrasës, vlerësoj më shumë sipas meje një “bërje sehir” të organizmave ndërkombëtare dhe të shteteve “elitë” të botës përballë fakteve tronditëse të kësaj tragjedie të shekullit.
Ajo çpo ndodh në tokën e djekur siriane, ku një popull i tërë i viktimizuar kulminizohet me pamje tronditëse të fëmijëve të mbytur në gazet misterioze kimike të kohës moderne, tregon se bota u paaftësua përballë kësaj drame lufte ku shteti vrasës u vendos në pozicione luftarake kundër popullit të vet. Ajo u tregua e paaftë të parashikonte dhe të parandalonte që kriza të mos zgjerohej drejt një lufte civile, për më tepër të mos shndërrohej në një konflikt rajonal. Kjo botë moderne ku ne jetojmë, ka kuptuar se lufta mori përmasa kombëtare pasi u shkaktua jo vetëm nga politikat konfliktuale të presidentit diktator, mbrapa të cilit janë dhe interesat globale të një rusie të sëmurë apo kineze në këtë vend dhe në rajon, por edhe nga mungesa e diplomacisë vepruese të saj, më tepër, nga indiferentizmi për humanizëm botëror.
Ajo që paraqitet e “zbukuruar“ në kohën e sotme është fakti se, prioritet dhe tendencë e botës së sotme janë mobilizimi, veprimet dhe propaganda per eleminimin e pasojave të luftës, pra kur lufta ka mbaruar. Tmerret e luftës të filluar prej shumë kohësh në Siri, bilanci tragjik me vrasjet e mbi 15O mijëve sirianëve, me qindra mijëra të plagosur, si dhe largimet masive të mbi 5miljon sirianëve, (popullsia 20 miljon) nuk mund të riparohen më nga solidariteti i botës duke dërguar forca dhe mjete apo ndihmë logjistike, ata nuk kthehen më, është tepër vonë.
E vërteta është se, studiues, analistë, strategë të botës mbarë nuk kanë mundur të japin një përgjigje afatshkurtër apo të na ofrojnë për zgjidhje një strategji veprimi afatgjatë, pasi për vite të tëra nuk po gjendet formula për të zgjidhur ekuacionin më të vështirë të botës, për të parashikuar dhe parandaluar luftën në kohë. Për të fituar luftën e ideve dhe vlerave që vlon prej kohësh dhe pjell shkatërrime, për të na ofruar një kuptim më të qartë se cilët janë treguesit e mjaftueshëm për të sensibilizuar njerëzimin për katastrofën e shkaktuar nga udhëheqës diktatorë që sakrifikojnë jetën e të tjerëve, çfarë të drejta kanë ata për të humbur vlerën më të shtrenjte -jetën e njerëzve të vendit të vet- dhe si i kuptojnë këta vrasës motivet e tyre për veprim. Kjo mungesë zgjidhje ka stimuluar sjelljen ekstremiste të elementeve te tipit “naziskin” vrasës.
Por, le të ndalemi tek Organizata e Kombeve të Bashkuara, tek ky organizëm ligjërisht paqësjellës, duke shtruar pyetjen, a është sot ky organizëm funksional për interesa të paqes globale? Sa dhe si ky organizëm është i aftë të parashikojë dhe të parandalojë krizën dhe të shmangë luftën? Cila krizë e çfaqur në një shtet apo rajon është shmangur nga roli, efikasiteti dhe angazhimi i këtij organizmi? Në fillimet e krijimit të kësaj organizate bota u duk më e sigurt, madje u krijua një përshtypje se lufta do të ishte larg.
Fuqitë globale të asaj kohe gjetën gjuhën e përfaqësimit ballancues tek Këshilli i Sigurimit. Këto organizma, krijesa sigurie, arritën në formulimin e Nenit të famshëm 51 të Kartës se OKB-se, “Parimi i vetëmbrojtjes” i cili u vlerësua si shpëtimtarë dhe një nga arritjet më të arrira të asaj kohe për të parashikuar dhe parandaluar konfliktet kërcënuese të brishtësisë së kohës në zhvillim. Të paktën, me këtë Nen konfliktet e armatosura ndërshtetesh, pra veprimet luftarake të një shteti ndaj nje shteti sovran, u dukën se gjetën organizmin mbrojtës global për një kohë relativisht të gjatë.
Ajo që duhet analizuar dhe vlerësuar nga këto dy dekada të fundit, nga ky globalizëm i tejshpejtuar është fakti se bota globalizohet dhe individi tkurret, pra ka lindur një botë pragmatiste ku humanizmi është zëvendësuar nga individualizmi. Në këtë situatë të re politike, ekonomike dhe sociale të botës, zor se gjen vend unanimiteti për sigurinë në një proces vendimarrje në shkallë të gjerë. Reagimet e organizmave të sigurisë globale ndaj lëvizjeve që përfshinë vendet “pranverës” arabe apo konfliktet e deritanishme të zhvilluara në botë ishin të vonuara.
Në këtë gjeopolitikë globaliste të ardhur, shtrohet pyetja, në se strukturat e Këshillit të Sigurimit të OKB-se a janë riformuar dhe riformuluar në përputhje me këto ndryshime që tashmë janë evidente për shoqërinë? A është në operacionalitetin e duhur ligjor dhe a ka kapacitetet e nevojshme për forcën dhe rolin që duhet të luajë Organizata e Kombeve të Bashkuara, si organizëm vendimmarrës, për sigurinë e paqes globale? Sipas meje, Këshilli i Sigurimit është kthyer në një organizëm paaftësie përballë krizave dhe vatrave të luftës të kudo ndodhura në planet. Psh, në vlerësimin e situatës të humbjeve njerëzore në Siri, Franca prej kohësh ka dhënë versionin e saj për përdorim force, por shtetet formuese të kësaj organizate paqebërës nuk vlerësuan aspak bilancin e luftës civile dhe heshtën përballë viktimave në rritje në këtë vend.
Për sa më sipër, tashmë janë disa tregues për të reaguar dhe ndryshuar strategjinë apo konceptet vepruese të OKB. Në kujtesën e popullit shqiptar, si reagimet e organizmave të sigurisë në ngjarjet e -87 apo ndërhyrja luftarake në Serbi, për çlirimin e Kosovës dhe hezitimi i tanishëm për ndërhyrjet në Siri, lë të kuptosh se hallakatjet për një veprim të armatosur vërtetojnë se e drejta e argumentit (konceptet ligjore) për veprime luftarake ka evoluar dhe se e drejta ligjore ndërkombëtare kërkon evoluim për përmirësim ligjor. Kjo është paaftësi për sigurinë e popujve.
Për dakortësi vendimmarje shtetesh, është urgjente rishikimi i një pakete ligjore apo gjetjen e një mekanizmi rregullues për rastet psh: kur krimet masive kundër njerëzimit janë vepër e një qeverie diktatoriale, pra kur krijohen katastrofa humane të shkaktuar nga vet shteti. OKB nuk duhet të mbajë një qëndrim formal, thjesht për t’i denoncuar apo dënuar ato, por ky organizëm duhet të ketë potencialet e duhura, forcat dhe mjetet e mundshme për të parashikuar dhe parandaluar krizën që bëhet premisë për luftë. Këto organizma nuk e mbarojnë detyrën me konstatime, me dënime formale por ato veprojnë.
Duket qartë se, aktualisht e drejta ndërkombetare është në diskoordonancë me dëshirën mbarë botërore të popujve për të përdorur forcën kundër regjimeve të shteteve diktatoriale dhe paaftësisë apo pamundësisë ligjore të Këshillit të Sigurimit për të autorizuar përdorimin e forces luftarake kundër regjimeve diktatoriale. Ky pasivitet për veprim në kohë ka krijuar dhe imazhin se OKB nuk garanton paqen globale.
Në këtë vorbull pasigurie, popujt e botës së civilizuar kanë hedhur sytë dhe shpresojnë tek forca e vetme e botës, SHBA, si shpresëdhënës për vendosjen e paqes globale. Aktualisht, SHBA të ndodhur përballë indiferentizmit humanist të shteteve elitë (rasti Anglia , Gjermania etj), janë në kërkim të aleatëve për të vepruar në Siri, ky është një sinjal që bota ka nevojë për një “tutor” të vetëm ndërkombëtar dhe se SHBA gëzojnë politikisht, ekonomikisht, demokratikisht dhe ushtarakisht të dirigjojnë botën mbarë. Në raste ekstreme si ai i Sirisë, ata duhet të shpejtojnë për të vendosur veton, kjo për të shpëtuar jetë njerëzish.
Në se analizojmë, si konfliktet globale të deritanishme dhe ato të brendshme të vet shteteve, duket se zhvillimi i luftrave më tepër ka pasur influencën për interesa të individit delirant se sa zhvillimin e interesave kombëtare të vet shteteve dhe përballë këtij fakti ka qëndruar dhe qëndron indiferenca e atyre organizmave që kanë të drejtën e forcës së reagimit.
Në këtë rritje ambicie antinjerëzore, ndoshta dhe të stimuluar lufte, ende në horizont nuk janë shfaqur mekanizmat e duhura për të përmbysur plane e projekte armësh dhe lufte të individëve të veshur me petkun pushtet, duke afruar zgjidhje për konfliktet e shoqërisë.
Në epokën e globalizmit vërehen ndryshime të shpeshta dhe të shpejta politike dhe ekonomike, sidomos në shtete me demokraci të brishtë, ku individët me populizmin falls marrin rol përcaktues në emër të interesave të shtetit.
Le të shkojmë më tej problemit në fjalë, sipas meje, ajo që plotëson më tepër subjektin e këtij shkrimi është fakti se, …. as edhe Londra e qytetërimit evropian nuk ishte e mjaftueshme për të civilizuar studentin sirian Bashar Al-Asad; e të tjera histori të ngjashme diktatorësh formuar dhe në perëndim, tërheqin konkluzionin se, përballë këtyre specieve antinjerëzore (të sëmurët mendorë), bota nuk duhet të hesht, ata duhen të largohen herët…. edhe në mënyra dhe forma të tjera, kjo është e domosdoshme për t’u bërë, kështu shpëtojmë jetë njerëzish.