Një nga ngjarjet më tragjike në Shqipëri, shpërthimi i Gërdecit që u mori jetën 26 personave dhe plagosi mbi 300 të tjerë, ka përfunduar në industrinë më të madhe të filmit në Hollywood. Filmi “War Dogs”, (Lufta e Qenve) me protagonist tregtarin amerikan të armëve, Efraim Diveroli dhe David Packouz, do të shfaqet në kinema më 19 gusht. Ky film i regjisorit të ciklit “Një natë Luanësh”, i përshtatet shumë shpirtit të filmit “Pain & Gain” apo “Ujku i Wall Street”. Ai vë në lojë me një histori që sigurisht është frustuese për personat që janë pjesë e saj, argëtuese për ata që kanë ambicie jashtë mundësive të tyre dhe e jashtëzakonshme për të gjithë të tjerët. Pjesa më e çmendur e gjithë kësaj çështjeje, është se ndryshe nga “Hangover”, ajo bazohet në një histori të vërtetë. Posteri i filmit është frymëzuar gjithashtu nga ai i filmit “Njeriu me Shenjë”. Kjo histori flet për dy trafikantë të rinj të armëve David Packouz dhe Efraim Diveroli që morën një kontratë me vlerë me 300 milionë dollarë për furnizimin e armëve të trupave amerikanë në Afganistan. Efraim Diveroli,u dënua me 4 vite burg për mashtrim, pasi me skemën e tij spekulative vuri në lojë Departamentin Amerikan të Shtetit dhe qeveritë e disa shteteve, përfshi dhe Shqipërinë. Kontrata me kompaninë e Diverolit “Aey” hodhi dritë mbi një seri aferash korruptive në Shqipëri, ku u përfshinë zyrtarët më të lartë të shtetit. Diveroli u arrestua në 2008-n nga autoritetet amerikane për trafik armësh. Filmi me regji të Todd Phillips, nuk lë pa shfaqur si pjesë të kësaj afere korruptive edhe djalin e ish-kryeministrit Berisha, Shkëlzen Berishën, i përfshirë në tragjedinë që u mori jetën 26 personave. Kohëzgjatja e këtij filmi është 114 minuta dhe trajtimi i ngjarjeve vjen sa në mënyrë komike aq edhe tragjike.
Subjekti i filmit
Protagonistët në film janë dy të rinj të cilët bëhen tregtarë armësh për llogari të qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke përfituar dhe mbyllur kontrata shumë miliona dollarëshe dhe duke jetuar në jetë të nivelit të lartë, para se gjithçka të shembej. Bazuar në një histori të vërtetë “War Dogs” ndjek dy shokë rreth të 20-ve (Hill dhe Teller) që jetojnë në Majemi. Gjatë luftës së parë në Irak, ata shfrytëzojnë një iniciativë pak të njohur të qeverisë, e cila lejon bizneset e vogla të konkurrojnë për kontrata ushtarake të SHBA. Duke nisur pak e nga pak, ata arrijnë të fitojnë shumë para dhe fillojnë të bëjnë një jetë luksoze. Por të dy arrijnë maksimumin kur fitojnë një kontratë 300 milionë dollarë për të furnizuar me armë ushtarët afganë, një marrëveshje që i fut ata në biznes me njerëz shumë të dyshimtë, ku njëri prej tyre rezulton të jetë edhe qeveria e SHBA-së. Në skenarin e filmit, do të paraqitet “arroganca e madhe të një të riu i cili u pasurua shpejt”. “Në qoshe të tavolinës qëndronte ulur një djalosh me sy të akullt si të peshkaqenit, i cili nuk fliste. Ishte djali i kryeministrit, një anëtar i “Familjes”, siç njihej rëndom te shqiptarët. Marrëveshja për të cilën ndodhej atje, më pas do ta çonte Diverolin në burg. 2 milionë fishekët që duhet të dërgoheshin në Kabul nga Tirana,duhej më parë të ripaketoheshin për të hequr germat kineze të kutive origjinale. Shqiptarët i kishin këto rezerva municionesh për dekada të tëra, por gjurmët kineze do t’u shkaktonin “çunave” telashe me ligjin. Me njëmijë e një praktika korruptive, u bë e mundur që municionet të transferoheshin në Kabul”, shkruan gazetari, ne hetimin e te cilit bazohet skenari i ketij filmi.