TIRANË, 4 Korrik/- Krytari i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Skënder Bruçaj, uroi sot besimtarët myslimanë për festën e Fiter Bajramit.“Ditën e Fiter Bajramit duhet ta shohim si ditën e shpresës, vëllazërisë dhe solidaritetit.Ne po e përcjellim me përmallim Muajin e Bekuar të Ramazanit, me shpresën e madhe, që Zoti të na ketë falur mëkatet tona dhe të ketë pranuar lutjet, adhurimet dhe sakrificën tonë. Ramazani na mësoi se mirësitë dhe begatitë që na ka dhënë i plotfuqishmi, marrin kuptim, vetëm atëherë kur ndahen me të tjerët me synim fitimin e kënaqësisë së Zotit. Ky muaj i madhërueshëm na mësoi se sofra e iftarit është sofra e harmonisë dhe e vëllazërisë, mes besimtarëve, mes vëllezërve dhe miqve, mes të pasurve dhe të varfërve”, shprehet Bruçaj.
Të gjithë jemi të barabartë para Krijuesit, vijon Bruçaj, dallimi është vetëm në devotshmëri, në përkushtim, në bujari dhe te sinqeriteti në adhurim, lutje dhe vepër të mirë që bëjmë.
“Lutjet, adhurimet, sakrifica, dhe ripërtëritja shpirtërore që përjetuam gjatë muajit të bekuar të Ramazanit na forcon dhe motivon ta shohim festen e Fitër Bajramit si ditën e shpresave të reja, si ditën e të kujtuarit dhe solidaritetit me njëri-tjetrin, si ditën e ripërtëritjes së vëllazërisë, miqësisë dhe dashurisë për njeriun dhe njerëzoren. Më lejoni së fundmi në këto çaste të gëzuara të festës së Fitër Bajramit, këtij momenti të gëzimit dhe të lehtësimit shpirtëror, t’ju përcjell mesazhet e mia më të sinqerta për një jetë sa më të lumtur, për shëndet dhe mirësi, për sukses në çdo moment të jetës suaj. Zoti e begatoftë çdo ditë tuajën. Zoti e begatoftë Shqipërinë dhe të gjithë Shqiptarët”, përfundon urimi i kreut të KMSH-së, Skënder Bruçaj.
Nesër myslimanët në të gjithë botën do të kremtojnë festën e Fiter Bajramit, e cila shënon përfundimin e muajit të shenjtë të Ramazanit.