
Luan Rama/
“Çdo tentativë e politikës për të rishkruar historinë është anakronike, anti-historike dhe anti-humane.”
Historia njerëzore është përvojë njerëzore, eksperiencë, mësim nga e kaluara. Në përshkrimet e historisë kanë ekzistuar gjithnjë dy lloje historianësh : kronistët e vërtetë, dëshmitarë të historisë dhe ngjarjeve, luftrave, armëpushimeve, zhvendosjes së popujve dhe shuarjes së qytetërimeve të tyre (Pausanias apo Herodoti ishin ata që udhëtonin dhe shkruanin atë çka u shikonte syri) dhe haxhiografët, ata që jetonin në oborret e perandorëve, tiranëve e diktatorëve, me detyrën për të shkruar atë çka u pëlqente atyre (çka e shohim edhe sot me Putinin që kërkon ta shuajë historinë dhe gjuhën e Ukrahinës). Pra ndodh që dhe kur historitë, ngjarjet janë shkruar nga kronistë të vërtetë, dëshmitarë okularë të një jete e qytetërimi, kjo lloj historie kthehet në një lloj makthi për një politikë zyrtare, e cila kërkon ta shuajë, dhe fshehë një të vërtetë historike, një ngjarje të hidhur që ka ndodhur me qeveritë paraardhëse. Dhe në këtë rast, shëmbulli i Greqisë « demokratike » është më se i dukshëm në sferën historike të vendeve të Bashkimit Europian. Shumë studime janë shkruar rreth kësaj teme, shumë kërkesa i janë bërë qeverive të njëpasnjëshme greke që pas ndryshimeve politike në Shqipërinë e fillimit të viteve ’90, që Greqia të kërkojë falje për krimet e kryera në emër të një ideologjie dhe urrejtje nacionale dhe masakrën historike ndaj shqiptarëve të Çamërisë e cila pas Konferencës së Londrës mbeti në kufijtë e Greqisë.
Por në të kundërtën, Greqia vazhdon të këmbëngulë në negacionizmin e saj, thua se “kjo histori s’ka ndodhur ndonjëherë dhe se s’duhet të flitet më për të ». Ajo që deklaroi koloneli Zerva kur ndërmori masakrën ndaj shqiptarëve çamë se « këtej e tutje s’do të dëgjohet më fjala çam dhe Çamëri », duket se ka mbetur sllogan i përqafuar nga tërë politika greke. Përse ky makth i madh kur flitet për Çamëri dhe çamë, term që më së fundi gjatë këtyre 80 vjetëve Greqia zyrtare e varrosi në të gjitha tekstet e saj të shkollave apo dhe në tekstet e vetë historianëve, të cilët jo rrallë kanë guxuar ta thonë fjalën e tyre por që janë ndëshkuar. Madje Greqia, përmes presioneve të ndryshme politike arriti ta zhdukë atë dhe nga kurrikulat e teksteve shkollore shqiptare që në vitin 2018. Ky është absurdi më i madh fatkeqësisht i pranuar nga politika shqiptare që për interesa të caktuara dhe jo rrallë personale, ti shtrojë « qilimin e kuq » historisë politike greke.
Historia nuk mund të diktohet nga qeverisësit dhe dëshirat e tyre. Historiografija moderne duhet të ketë koncepte moderne dhe të gjykojë mbi koncepte novatore, siç janë ato të historianit të madh evropian Fernand Braudel lidhur së pari mbi identitetin kombëtar por dhe mbi impaktin e gjeografisë mbi historinë, që është një nga konceptet revolucionare të tij, të impaktit të ekonomisë dhe lëvizjeve sociale apo të asaj që ai e quante « civilisation materielle », pra « qytetërim material ». Para më shumë se dy dekadash, kur parlamenti francez tentoi të vendoste diçka për tekstet shkollore lidhur me përkufizimin e historisë së kolonializimit francez, historianët nuk e pranuan diktatin e politikës. Madje edhe vete ish kryeministri francez De Villepin pohoi se « historinë nuk mund ta bëjnë legjislatorët ». Dhe këtu ishte fjala vetëm për « rolin pozitiv » që kërkohej ti jepej kolonializimit dhe jo siç ndodh në botën shqiptare për diktatin që i bëhet botës shkencore për ta rishkruar me urdhër historinë.
Pukvili, helenisti i madh për Çamërinë
Një nga helenistët më të mëdhenj të para Revolucionit Grek për Pavarësi ishte konsulli francez François de Pouqueville që Napoleon Bonaparte e dërgoi si konsull të tij pranë Ali Pashës në Janinë. Meqë Greqia zyrtare sot kërkon të zhdukë përfundimisht emrin Çamëri dhe çam nga librat e historisë (çfarë ka bërë prej kohësh në botimet e saj në gjuhën greke) le të kujtojmë këtu shkrimet dhe atë çfarë pohonte dikur në vitet 1810-1820 mbojtësi më i madh i Greqisë së shtypur në librat e tij si “Udhëtim në Moré, në Konstantinopojë dhe Shqipëri” (Voyage en Morée, à Constantinople et en Albanie), “Udhëtim nëpër Greqi” (Voyage de la Grèce) dhe “Rilindja e Greqisë” (La Régéneration de la Grèce), tre libra themelorë për të kuptuar se ç’ishte Greqia e asaj kohe. Në të tri librat, kur udhëton apo bie fjala për çamët dhe Çamërinë, ai nuk shkruan thjeshtë për banorë të Epirit, por shkruan për çamët dhe Çamërinë, siç e shkruanin dhe disa historianë disa shekuj para tij. Ja çfarë shkruan ai në librin “Voyage de la Grèce » në faqet 217-220 : « Në brigjet e detit jonian, mes vendeve të mrekullueshme të Thesprotisë, në vendet e gjelbëruara që përmbledhin Thyamis dhe Achéron, jetojnë çamët, që i kanë shpëtuar shpatës së satrapit të Janinës… Camet thesprote kanë sy të mëdhenj dhe të zinj, flokë të gjatë e gështenjë, kanë një lëkurë delikate, disi brune ku shfaqet qafa e tyre e bukur, sensuale e me këmbë të holla…”
Në vëllimin e dytë të këtij libri prej 6 volumesh, në f. 53 ai vazhdon: “Fshatarët e fshatrave që ngrihen nga ana e djathtë e lumit Thyamis, të cilët i numurova që nga Sarashovica, janë shqiptarë kritianë që flasin gjuhën çame (chamides). Mes tyre gjen një vitalitet të lindur, një gjak të pastër, burra bjondë apo brunë dhe krenarë që nuk e durojnë dot zgjedhën…” Madje në këto faqe ai sjell dhe një këngë të bukur, “këngën e zambakut”, një këngë lirike të cilën e ka regjistruar dhe sjellë në frëngjisht me një poetikë të jashtëzakonshme. Në kapitullin e VI, nën titullin “Cestrine dhe Chamourie”, ai shkruan: “ Cestrine është ajo pjesë e Thesprotisë që përfshin zonën mes Thyamis dhe Acheron dhe që grekët e quajnë Çamëri, ndërsa turqit Çam-Sanxhak, me kryeqendër Paramithinë”. Më tej, në faqen 132 ai shton se “Çam-Sanxhak ose pashallëku i Çamërisë përfshin dhe zonat e Ajdonatit dhe Margaritit gjer në brigjet e detit jonian. Ky territor është i shënuar në arkivat perandorake të Konstantinopojës nën titullin “Vilajeti i Ajdonatit”. Në vitin 1815, me fundin e epopesë napoleoniane, Pukvili largohet nga Janina dhe caktohet konsull në Koron të Peloponezit dhe rrugës në një port, ndesh, siç shkruan ai me 80 agallarë çam të lidhur me zinxhirë dhe të syrgjynosur me anije nga Ali Pasha drejt burgjeve të pashait të Tunizisë (“Ringjallja e Greqisë”).
Çamëria e diplomatit francez në Athinë, Henri Belle
Për Çamërinë dhe fisnikët e Çamërisë kanë shkruar shumë autorë, studjues, historian e gjeografë, arkeologë dhe etnografë të shekujve XVIII-XIX-të, dhe meqë s’mund ti përmendim të gjithë, jo vetëm francezë por dhe anglezë (duke filluar me Martin Leak), gjermanë, italianë, etj, le ti drejtohemi librit të Henri Belle, përfaqësuesit të Francës në Athinë në vitin 1852, i cili në raportet e tij drejtuar Quai d’Orsay-it dhe më gjerë në librin e tij “Chretiens et Turcs” (Të krishterë dhe turq”) një vend të rëndësishëm i kushton dhe Çamërisë. «Shqiptarët e Çamërisë – shkruan ndër të tjera ai, – janë konvertuar shpesh në fenë muslimane vetëm që të mos paguajnë haraç. Në familjet e tyre gjen fëmijë me emrat Mehmet dhe Abdullah, bij të Konstantinit apo të Dhimitrit…» Dhe më tutje ai shton: «Ajo çka është e famëshme, është se ata janë virtuozë në përdorimin e armëve. Madje arrijnë ta qëllojnë një mollë apo një vezë të vendosur në kokën e nënës së tyre apo të gruas, me një të qëlluar 200 hapa larg… Çamëria ka veçse agallarë dhe jo bejlerë, pasi asnjëherë nuk ka patur pashallarë, por as pasuria, fuqia, dhe fisnikëria nuk janë të pakta atje. Këta agallarë kanë patur marrëdhënie të vazhdueshme me qeveritë e ndryshme të ishujve jonianë. Venecianët i ndihmuan në luftën kundër pashallarëve në Shqipëri. Gjatë pushtimit të shtatë ishujve nga francezët, çamët ishin pro Francës.
Tregëtia e tyre në atë kohë lulëzonte dhe prijësat çamë mund të vinin të armatosur në Korfuz. Sot ata e quajnë për turp të dorëzojnë armët kur vijnë në tokat e shtatë ishujve jonianë. Të mësuar nga sulmet e papritura në tokat e tyre gjysmë të pazhvilluara, shpirti i tyre e ka të vështirë të mësohet me një shoqëri ku autoritetet ngarkohen për sigurinë e të gjithëve, duke kufizuar disi lirinë…”
Belle, i cili i ra kryq e tërthor Greqisë, në librin e tij “Të krishterë dhe turq” me një interes të veçantë përshkruan vendbanimet arvanitase dhe figurat e tyre historike gjatë Revolucionit Grek e më pas si dhe mbi çamët e famshëm Caparët, Pronjot, Dematët e Sejkatët etj, pa harruar Tafil Buzin. Si një vëzhgues i hollë dhe erudite, ai përshkruan vlerat e shoqërisë çame dhe karakteristikat e trashëgimisë çame në histori e kulturë, në zakone dhe pasurinë folklorike. “Gratë muslimane të Janinës janë shumë të bukura dhe shamia e hollë mbi kokë i bën ato akoma më shumë tërheqëse duke shtuar misterin rreth tyre. Brenda shtëpisë, zonjat greke veshin kostumin elegant çam apo të Shqipërisë së jugut që qepin aq bukur rrobaqepësit e Janinës. Fustani prej mëndafshi është i shtrënguar rreth trupit me një copë kashmiri punuar me shumë finesë. Shalli zëvendëson korsenë pa e shtrënguar fort trupin dhe ku gjinjtë nuk i humbin hiret e tyre dhe voluptetin, çka të nxit imagjinatën. Ato kanë dhe një pelerinë prej cohe pambuku në ngjyrë të hapët dhe qëndisur jashtëzakonisht bukur me kllapodan mëndafshi me një ngjyrë më të errët se pelerina, çka plotëson kështu kostumin e tyre.
Kanë flokë të dendur gështenjë, shpesh bjonde, që kapen me një fjongo të kuqe. Në këmbë mbajnë pantofla. Këto krijesa të mrekullueshme i respektojnë europianët, çka sjellin admirimin e tyre. Me pjatanca ato u ofrojnë fruta dhe akullore të hijshme. Nganjëherë dhe vetë ato ndezin cigarishten…” Duke shkruar për kontributin e madh të arvanitasve në Revolucionin Grek ai shton se “Tombazët, Çamidët (familje e Çamërisë) dhe veçanërisht Miaulët e Hidrës, panë që emri i tyre u duartrokit shumë herë nga e gjithë Europa…” Këtë aleancë të arvanitasve dhe çamëve me liderët e Greqisë së kohës së Revolucionit e gjen në shumë tekste historike. Në librin e tij, Belle nuk harron të përshkruajë dhe udhëtimin e tij drejt Sulit dhe Çamërisë, i shoqëruar nga sulioti Niko Zerva, i cili i zemëruar me qeverinë e Athinës, ishte bashkuar me pashain e Janinës i cili e kishte lënë si kapedan që të mbronte interesat e suliotëve dhe çamëve. Duke ndaluar në Kamarina, Belle shënon: “Që andej shikohej Saint-Maure, i cili shfaqej si një kurorë në ngjyrë indigo nga deti Jon e po kështu, tutje, dukej dhe Preveza e Salohora, të cilat lageshin nga ujrat e errta ngjyrë blu të gjirit të Artës. Sapo u ulëm në taracë kur agallarët e fshatrave përreth erdhën të na takojnë.
Ishin veshur njëlloj si Zerva, me kostumin shqiptar e me një fez në kokë, me ato flokë të gjata e të shpërndara në mënyrë të çrregullt: balli i rruar, këmisha e hapur nga ku u shfaqej qafa e gjoksi që nxehtësia e diellit i kishte rrahur fort, ashtu si dhe fytyrat e tyre ku lexohej një kërshëri e madhe, trimëri dhe një dinakëri që binte në sy. Ishin muslimanë dhe me Zervën flisnin vetëm shqip apo “skip”, dhe quheshin “skipëtares”. Agallarët u vendosën rreth nesh dhe vëzhgonin me një kureshtje fëminore e të vrazhdë armët e mia, hartat gjeografike që kisha, librat dhe nargjilenë time. Vështirë të kuptonin dhe të bindeshin se Çamëria tashmë ishte e njohur nga gjithë europianët si shqiptare dhe jo greke. Lëshonin britma habie duke parë apo dëgjuar kur u tregoja në hartë emrat e fshatrave të tyre…” Dhe më pas, duke vazhduar udhëtimin e tij ai shton: “Le ta lemë tani Sulin dhe të shohim Margaritin, qytezën e vogël të Çamërisë që varet nga peshkopata e Paramithisë, Pargën në bregun jugor të Margaritit, qytezën e fortifikuar, emri i të cilës duhet grisur nga faqja e historisë së Anglisë; Delvinën, qytezën e vogël dhe të fortifikuar, e cila varet nga peshkopata e Janinës, me shtëpitë e saj të shpërndara mes lirishtash dhe popullsinë e saj të armatosur, me familjet rivale dhe prijësat e vegjël feudalë që jetojnë në një frikë të dyanëshme të pritave dhe vrasjeve…”
Në librat e shekujve XVIII-XIX të autorëve perëndimorë që i referohen historisë greke dhe ngjarjeve të mëdha, shkrimet për çamët janë të shpeshta.
Gjenerali Grivas në Nafplio hidhte vallen çame, shkruan një tjetër autor. Të tjerë shkruajnë për kontributin e madh të admiralit dhe familjes Chamides në Hidra, etj, etj. Mjafton të hapësh librat e vjetër për të gjetur aty të vërtetën! A nuk ishte linguisti Ksylander që na solli nga Greqia gjuhën e vërtetë çame siç flitej në përrallat dhe këngët e vjetra çame të shekujve XVIII dhe XIX? … E po kështu piktori francez Louis Dupré që në librin e tij “Voyage à Athènes et à Constantinople” shkruante se në “Regjimentin e shqiptarëve” që takoi dhe pikturoi disa prej tyre, “ndër 3000 luftëtarët e regjimentit ishin shumica suliotë dhe çamë”? Ja pra çamët dhe historia e vërtetë e luftës së tyre…
Një mësim për ministrat dhe politikanët tanë
Kushdo e ka kuptuar dhe e kupton që pas shfarosjes së popullsisë çame muslimane, një fat ky i njohur historisë (i mbyllur në arkivat greke por i hapur në arkivat europiane), politika greke ka kërkuar me këmbëngulje dhe me të gjitha format ta zhdukë jehonën e kësaj masakre të paparë ndaj çamëve në qershor 1944 – mars 1945 në gjithë Çamërinë, duke i shkelur kështu jo vetëm principet humaniste të një shteti demokratik por dhe principet e të drejtave në konventat ndërkombëtare. Por ajo që është jo vetëm e habitshme por dhe tepër tronditëse është se që nga vendosja e demokracisë në Shqipëri politika shqiptare i është nenshtruar presioneve të politikës greke, çka mendoj se duhet të rëndojë në ndërgjegjen e kësaj klase politike që ka drejtuar Shqipërinë. Nuk kam lexuar diku që një ish kryeministër, ish president, kryetar Kuvendi apo ministra të shprehin përgjegjësinë që kanë patur në këtë drejtim. Po si është e mundur edhe sot që Shqipëria të pranojë që në kurrikulat e teksteve shkollore fjala “Çamëri” të mos ekzistojë, të mos përmendet, si të ishte një fjalë heretike në kohë inkuizicionesh ? Nga se ka frikë Greqia dhe çfarë e kërcënon kur shqiptarët nuk kanë pasur dhe nuk kanë pretendime territoriale për ndryshime kufijsh por përkundrazi, për një miqësi dhe bashkëpunim akoma më të madh me fqinjin tonë historik ? Si rrjedhojë lind pyetja : këta ministra e politikanë që drejtojnë politikat dhe arësimin në Shqipëri a e njohin historinë e Çamërisë siç mund të njohin historinë e Kosovës, kur historikisht Kosova dhe Çamëria kanë qenë dy gjymtyrë të fuqishme të trungut kombëtar dhe pjesë thelbësore të historisë sonë ?
A kanë ata një formim historik për të kuptuar se përse ngulmohet nga pala greke në rektifikimin e “revizionimin” e historisë, në ndryshimet e teksteve historike, çka nuk ndodh në asnjë nga vendet e Evropës së qytetëruar ? Nëse ministres së Arësimit i është kërkuar verbalisht apo me shkresë të japë urdhër që të hiqet termi “Çamëri” në tekstet shkollore, përse e ka pranuar verbërisht, pa iu më parë referuar historisë shqiptare, pa pyetur Akademinë e Shkencave dhe historianët e saj ? Në ç’republikë jetojmë ? Dhe më së fundi kur dhe kush duhet ta ndreqë këtë gabim, këtë « nënshtrim » ndaj politikës greke, ndërkohë që Evropa e Bashkuar përmes shumë programesh, ndihmon në promovimin e trashëgimisë historike, kulturore e gjuhësore të komuniteteve të ndryshme që janë pjesë e shteteve përkatëse ? Këta nuk duhet të ndjejnë fyerje nëse ju kërkohet të vihet në vendin e vet emri i Çamërisë.
Mësimet historike të Lucien-it
Tentativat për revizionimin e historisë na bëjnë ti kthejmë sytë prapa dhe ti drejtohemi urtësisë antike, pasi historia moderne gjithnjë u referohet historianëve të mëdhenj të antikitetit si Herodoti, Ksenofoni, Tuqididhi, Tit-Livi, Lucieni, etj. Ishin pikërisht ata që hodhën bazat e historiografisë, baza që dhe sot mbeten aktuale, pasi në to është një përvojë mijëravjeçare, ku pleksen drama de tragjedi të perandorive të mëdha, luftra dhe shuarje kombesh, shtetesh, ndryshime kufish dhe krijime shtetesh të tjerë, pra ndryshime gjeopolitike të mëdha. Pikërisht ata na mësojnë se ç’janë haxhiografët. Shkrimet e tij për historinë dhe historiografinë mbartin vlera të mëdha për historiografinë moderne, pasi në to është shprehur thelbi i vërtetë i shkencës së historiografisë : e vërteta, fakti, ngjarja dhe pavarësia e atij që e shkruan historinë. «Historiani, – shkruani Lucieni, – duhet të jetë i lirë në opinionet e tij. Ai s’duhet të ketë frikë askënd. Ai s’duhet të shqetësohet që po na e tregon Filipin me syrin që i nxorri Asteri, harkëtari i Amfipolis. Ai s’duhet të ketë frikë të thotë se Cleon, ky kryetar i deputetëve, ky zot absolut i tribunës, ishte një njeri i rrezikshëm dhe i shfrenuar. Historiani nuk është poet, por një «narator», një dëshmues, pasi kur anijet athinase mbyten në një betejë detare, nuk është ai që i mbyt ato, dhe nëse luftëtarët i a mbathin, nuk është ai që i përndjek ata».
Mësimi i Lucienti ka të bëjë jo vetëm me objektivitetin historik dhe të vërtetën por dhe me çlirimin nga etno-nacionalizmi, pra shikimi i historisë në frymën nacionale, shoviniste dhe të krenarisë kombëtare që nganjëherë arrin tek disa historianë gjer në megalomani. Vështrimi nacionalist ka qënë tipar jo vetëm i historiografisë ballkanike veçanërisht. «Lufta» mes historianëve ballkanas, shqiptarë apo serbë, serbo e kroatë, maqedonas, bullgarë apo grekë, etj, dëshmohet jo vetëm në konferencat e ndryshme por siç po e shohim gjer dhe në tekstet shkollore të historisë, ku për të njëjtën ngjarje, vështrimet dhe përfundimet historike janë të ndryshme, kontradiktore, të kundërta. Historia e Kosovës është një nga ato, pasi histori të shumta ngërthejnë historinë ballkanase, veçanërisht nga shekullit XII e këndej. Historia e Çamërisë, po ashtu. Kërkesa e mëparshme e Unesco-s për të « ç’armatosur historinë, një objektiv ky humanist, në Ballkan ka mbetur ende në letër. Para disa kohësh një cikël shkrimesh në revistën franceze Express, i referohej një teme që dhe për ne ballkanasit do ishte mjaft interesante dhe i dobishëm nga pikëvështrimi historiografik : Kur është krijuar Franca ? Në një gjykim të parë, mendon se çdo francezi po ti bëhej kjo pyetje do të thoshte se Franca ka qënë që në kohën e pararendësve të parë të frankëve.
Por historianët tregojnë qetësisht se Franca dikur nuk ishte kjo që është sot, se ajo nuk është ndërtuar në një ditë, se normandët e Normandisë u bashkuan me mbretërinë më 1204, se zona jugore e quajtur Midi dhe që kontrollohej nga Katalonja spanjolle, në shekullin e XI mund të kishte mbetur ndoshta pjesë e Katalonjës, po të mos kishin ndodhur ngjarje të mëdha politike. Po për Çamërinë si mund të shkruhet kur Greqia zyrtare i bën barrierë çdo lloj diskutimi? Historiografia e ka thënë fjalën e vet dhe ti politikan, i çfarëdo ngjyre qofsh, s’mund ta zhbësh historinë. Historia duhet ti shërbejë gjithnjë të ardhmes sonë të përbashkët.
Lucieni shkruante : « Faktet historike nuk duhen bashkuar në mënyrë të rastësishme por duhet ti nënshtrohen një pune të palodhur dhe një kritike të ashpër. Historiani duhet të dëgjojë vetëm ata që janë besnikë ndaj faktit ». Kjo frazë lakonike përbën një koncept të tërë, pasi ajo përmbledh një nga karakteristikat kryesore të historiografisë shkencore : atë të referimit me besnikëri të faktit dhe atë të analizës. Historia nuk mund të shkruhet apo rishkruhet pa u mbështetur në faktet konkrete. Lucieni shkruante gjithashtu se « Kur të gjitha faktet mblidhen, pikërisht atëherë historiani fillon tregimin e tij ». Çdo të thotë kjo ? Do të thotë se që të arrish në përfundime historike, për këtë duhet të kesh ezauruar, pra zbuluar materialin historik për epokën apo ngjarjet e përcaktuar historike. Dhe në përfundim, historiani i madh antik shton: “Shkruaje historinë që të tjerët të thonë: E vërteta tek ky historian shkëlqen ngado!”
Pra le t’ia lëmë historianëve të shkruajnë historinë tonë të përbashkët të lidhjeve të vjetra e të reja mes grekëve dhe shqiptarëve. Çdo tentativë e politikës për të rishkruar historinë është anakronike, anti-historike dhe anti-humane.