
Prof. dr. BegzadBaliu – Prof. dr. Bahtijar Kryeziu – Prof. dr. Petrit Kotrri
Recensues: Prof. dr. Ali Jashari/ Prof. dr. Valter Memisha/
Objekt i kërkimeve tona në këtë vëllim modest nga fusha e leksikografisë letrare janë bërë një dorë fjalësh, të cilat për nga prejardhja historike, dialektore, kulturore apo letrare përfaqësojnë zë më vete në krijimtarinë letrare të MartinCamajt. Përzgjedhja e tyre nuk është e rastit, përkundrazi, sikur është vënë re nga studiuesit e gjertanishëm, ato përfaqësojnë të folmen e vendlindjes a të krahinës etnografike nga vinte ai, gegërishten përgjithësisht dhe forma a trajta të reja të krijuara nga ai. Fati jetësor i tij, ashtu si edhe mbijetesa e tij, si edhe qëndrimet politike, shkencore e kulturore të tij, sikur u bënë lajtmotiv i ligjërimit të tij: në letërsi duke i përpjekur ta ruante shkollën letrare të prejardhjes së tij; në shkencë, duke u përpjekur të arrinte majat e gjuhësisë historike europiane të kohës së tij; ndërsa në gjuhë, jo pak i politizuar, duke u përpjekur të ndreqte gabimet e bashkëkohësve të tij.
MartinCamaj lindi në Temal, më 13. 7. 1927, në një nga zonat më epike të Veriut të Shqipërisë. Dhjetë vitet e para i kaloi në vendlindjen, pa shkollë, pa kushte jetese, pa tokë të punueshme dhe pa perspektivë. Në vitin 1935 me ndërmjetësimin e priftit të zonës e dërgojnë në Kolegjin Jezuit në Shkodër, por pavarësisht rezultateve të mira, mësimet e tij ndërpriten për shkak të mbylljes së Kolegjit në vitin 1946. Pas Luftës së Dytë Botërore në fshatin Prekallë themelon shkollën fillore, në të cilën mbante edhe mësimin për fëmijët e fshatit, por me të mësuar për ikjen e një grupi antikomunistësh në Jugosllavi në krye me At DanielGjeçajn, ai ju bashkohet dhe largohet nga Shqipëria.
I ri, pa përvojën e mjaftueshme të jetës, mes dallgëve të politikës, sigurimit shtetëror jugosllav dhe përkushtimit ndaj jetës shkencore, MartinCamaj, mbaroi një kurs mësuesie në Pejë dhe pastaj punoi mësues një vit në Tuz të Malit të Zi (1949-1950).
Në vitin 1950 regjistron studimet romane në Universitetin e Beogradit, në të cilin diplomon në vitin 1955, ndërsa vazhdon studimet në Sarajevë, te Profesori i njohur HenrikBariç, e ku për tezë doktorate zgjedh “Gjuhën e Gjon Buzukut”. Për shkaqe shëndetësore po në vitin 1956 shkon në Itali, ndërsa i ndihmuar nga ErnestKoliqi dhe të tjerë vazhdon studimet në Itali, për t’i përfunduar ato me mbrojtjen e doktoratës në vitin 1960. Në Romë ndjek studimet jo vetëm në fushë të gjuhësisë po edhe të letërsisë, duke u përqendruar edhe në të folmet arbëreshe.
Në fund të vitit 1960 shkon si bursist në Mynih të Gjermanisë, ku pas pesë vitesh, fiton edhe gradën e habilitacionit, për të vazhduar jetën akademike deri në vitin 1990. Pas dy vitesh vdes në Munih, më 13. 3. 1992.
I
MartinCamaj radhitet tashmë ndër shkrimtarët dhe albanologët më të shquar shqiptarë të gjysmës së dytë të shekullit të kaluar. Është për të ardhur keq, që vepra e tij letrare dhe gjuhësore filloi të njihet në Shqipëri vetëm nga viti 1990 e këtej, megjithëse dy veprat e tij të para “Një fyell ndër male” (1953) dhe “Dallgët e vërrinit” (1954) ishin botuar në Prishtinë; ndërsa punimet dhe ndihmesat e tij për shqipen nuk janë bërë ende objekt sa e si duhet nga studiuesit tanë, në një kohë që ai ishte afirmuar jashtë Shqipërisë si një shkrimtar i shquar, poet dhe prozator, por gjithashtu edhe si një studiues dhe gjuhëtar me vlera: gramatolog, dialektolog dhe historian i gjuhës shqipe.
MartinCamaj ishte figurë e shquar e gjuhës dhe e letërsisë shqipe – figurë poliedrike, “shkrimtar i lartësive”, siç e ka quajtur Ismail Kadare. Në një kohë kur vepra e tij nuk publikohej në Shqipëri, studiuesit dhe albanologët e huaj, sidomos rrethi i Munihut për studimet e Europës Juglindore, kanë njohur e vlerësuar tek MartinCamaj një nga përfaqësuesit më të rëndësishëm të studimeve albanologjike të dhjetëvjeçarëve të fundit të shekullit të kaluar.
Me personalitetin e tij, ai ka dëshmuar rrugën e formimit të një shkrimtari dhe dijetari të vërtetë, duke nisur nga arsimimi dhe edukimi që mori në Kolegjin e famshëm Saverian në Shkodër, nga studimet që bëri në Beograd, në vitet 1949-1955, ku studio sllavistikë dhe ballkanologji, duke marrë bazat e formimit gjuhësor te indoevropianisti dhe albanologu i njohur i asaj kohe, Prof. HenrikBariç, për të vazhduat më pas në Universitetin e Romës dhe duke punuar disa vjet si mësimdhënës i shqipes në Katedrën e gjuhës shqipe në Romë, ku pati një nxitje të veçantë nga ErnestKoliqi. Në fillim të viteve ’60, Camaj shkoi në Munih, ku mori përsipër lektoratin për shqipen në Universitetin e Munihut. Më 1971, ai emërohet “Profesor” për albanologjinë në këtë universitet, duke përfaqësuar për një kohë të gjatë të vetmen degë mësimore dhe kërkimore albanologjike në të gjithë hapësirën gjermanishtfolëse, ku ishte e mundur mbrojtja e doktoratave nga fusha e studimit të gjuhës shqipe. Camaj bënte pjesë gjithashtu në Kryesinë e Institutit Shqiptar, që ishte themeluar që më 1962 prej GeorgShtadtmylerit dhe ishte anëtar i redaksive të disa revistave, si AlbanischeForschungen,BeiträgezurKenntnisSüdosteuropas und desNahenOrients, MünchenerZeitschriftfürBalkankunde, Albanica etj. Ai është autori i monografive, studimeve, artikujve dhe i recensioneve të shumta gjuhësore. Krahas punimeve më vete, studimet e tij janë botuar në organe dhe revista të shumta me autoritet ndërkombëtar.
Vepra gjuhësore e MartinCamajt dëshmon për hulumtimin dhe studimin e thelluar që i bëri ai gjuhë shqipe. Punimet e tij rrokin fusha të ndryshme të shqipes, por kryesisht përfshijnë ato të gjuhës së shkruar, të historisë së gjuhës shqipe, të dialektologjisë, veçanërisht të të folmeve të arbëreshëve të Italisë, të historisë së gjuhësisë etj. Si gjuhëtar i fushës kërkimore diakronike dhe sinkronike dhe si filolog përshkrues, MartinCamaj e shqyrtonte pasurinë leksikore të shqipes në drejtime të ndryshme, duke treguar historikisht lidhjet e qëndrueshme midis formave gjuhësore të vjetra dhe të reja.
Studimet gjuhësore të Camajt nisin herët. Objekt i disertacionit të tij është vepra e parë e dokumnetuar me shkrim në gjuhën shqipe, “Meshari” i Gjon Buzukut. Monografia u botua në Romë, në revistën “Shejzat”, në vitin 1960, me titull “ IlMessale” di Gjon Buzuku. Contributilinguisticallo studio dellagenesi”. Punimi përmban 90 faqe dhe është shkruar në italisht. Pas një hyrjeje të shkurtër dhe pjesës I, ku trajton probleme të drejtshkrimit dhe të alfabetit, në pjesën II, autori analizon zanoret hundore. Në pjesën III, që titullohet “Aspekte të gjuhës së Buzukut”, ka bërë këtë nënndarje : 1. Ndryshime në gjuhën dhe stilin e “Mesharit”; 2. E ardhmja; 3. E pakryera; 4. Paskajorja. Ndërsa në pjesën V bën objekt ndikimin e huaj në gjuhën e “Mesharit”, ku veçon ndikimin e latinishtes, elementet sllave, venete dhe ndikimin e greqishtes. Punimi përmban në fund përfundimet e autorit, pjesë nga “Meshari”, duke i krahasuar me Budin e Bogdanin dhe me këngë popullore e rapsodi të Treipshit, të mbledhura më 1955, si dhe bibliografinë dhe treguesin e fjalëve.
Duke studiuar dëshmitë e vjetra gjuhësore të shqipes, Camajt i lindi ideja për t’u marrë me parahistorinë dhe historinë e shqipes. Krahas punimeve të tjera, vepra më e rëndësishme e tij gjatë asaj kohe është “AlbanischeWortbildung. DieBildungsweisederalterenNomina”, botuar më 1966, në vargun e serisë së “AlbanischeForschungen” 6, që drejtohej nga GeorgStadmyleri. Punimi u paraqit si shkrim habilitimi, me rekomandim të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Munihut dhe me mbështetjen financiare të Shoqatës së Kërkimit Gjerman (DFG) dhe u prit mjaft mirë në rrethin e studiuesve dhe të albanologëve të huaj. Këtë e tregon edhe interesimi i tyre për të shkruar recensione të posaçme për të, duke ia bërë të njohur opinionit shkencor evropian dhe më tej. Kështu mund të përmendim recensionet e H. Mihaescut më 1967, të C. Haeblerit më 1967, të H. Ölbergut më 1968, të W. Fiedlerit më 1969. Nga studiuesit shqiptarë, I. Ajeti botoi një recension për këtë vepër, më 1968, në “Gjurmime albanologjike”, nr. 1, ku , midis të tjerash, vë në dukje edhe ndihmesat që ka sjellë Camaj në fushën e etimologjisë, megjithëse, siç pohohet, atë më shumë se etimologjia, në vepër e ka interesuar gjeneza e gramatikës dhe variantet morfologjike. Ai niset nga ideja që, nëpërmjet gjuhësisë krahasuese, të arrijë të shpjegojë trajtat e shqipes, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me zhvillimin e brendshëm të saj, duke marrë parasysh prirjet historike të zhvillimit të mëtejshëm të saj. Objekt i punimit të Camajt është kërkimi dhe studimi sistematik i ndërtimit morfologjik të emrave të shqipes, duke marrë parasysh vetëm emërtimet, të cilat i përkasin fjalorit elementar të shqipes, veçanërisht ato konkrete, si për gurin, drurin, lëkurën, pambukun, emrat e pemëve dhe të bimësisë, pajisjet primitive, veshjet, prodhimet e qumështit, emërtimet nga bota shtazore, pjesët e trupit, pra, emrat e gjërave, të cilat kanë qenë pranë njerëzve që prej kohëve më të hershme.
Indoevropianisti dhe albanologu i njohur austriak, HermannÖlberg, ka vënë në dukje se gjëja thelbësore për Camajn ka qenë paraqitja e fjalorit sipas rrënjës së fjalëve të lidhura, për të realizuar në këtë mënyrë studimin e fjalës shqipe në lidhje me etimologjinë, përkundrejt një shqyrtimi të izoluar. Në vijim, duke vlerësuar punimin e MartinCamajt, ky studiues shkruan: “Kushdo që është i vetëdijshëm, që ky libër, në hapësirën gjermanishtfolëse, qysh prej vdekjes tragjike të NorbertJoklit, paraqet përsëri studimin e parë indoevropian të shqipes, do ta marrë këtë vepër në dorë, me interesim të madh, duke parë se është një përpjekje për të çuar më tej fijet e shkollës vjeneze, nga e cila ka dalë edhe E . Çabej”. Sipas Ölbergut, kjo përpjekje pjesërisht e ka kapërcyer Joklin, por në mjaft pjesë të tjera Jokli mbetet ende gjithnjë i paarritshëm dhe kjo si rezultat i metodës së ndjekur prej tij. Gjithashtu, në recensionin e tij, ai merr në analizë mjaft fjalë që kishte shqyrtuar Camaj dhe mban qëndrime herë miratuese, por në mjaft raste edhe kundërshtuese në lidhje me shpjegimet e bëra. Kështu, bëhen objekt analize fjalë të tilla, si : leje, dardhë, tjerr, kashtë, akull, punë, derr etj. Duke njohur e vlerësuar gjithashtu punimin e Camajt edhe si një ndihmesë në fushën e etimologjisë, Ölbergu ka parasysh metodën e ndjekur nga Jokli dhe thekson se “ vendimi, nëse një fjalë shqipe duhet shqyrtuar si fjalë e trashëguar ose si huazim, mund të merret shpeshherë në mënyrë të mjaftueshme vetëm përmes çerdhes së fjalëve të një rrënje”.
Sipas VilfridFiedleri-t, vepra e Camajt u drejtohet albanologëve dhe indoevropianistëve. Kështu, u afrohet indoevropianistëve një shqyrtim prej rreth 1500 fjalëve rrënjë të shqipes (përkundrejt 800 fjalëve rrënjë në “Fjalorin etimologjik indoevropian” të J. Pokornyt). Ndërsa IdrizAjeti, duke e quajtur punimin e Camajt “studim të dorës së parë” theksonte se ai shtjellon një nga problemet më të ndërlikuara në tërë historinë e gjuhës shqipe, atë të zanafillave të para të formimit të fjalëve të gjuhës, problematikë që nuk mund të quhej e paprekur në studimet etimologjike të gjuhë shqipe, sepse ajo ishte bërë objekt studimesh, duke nisur me F. Bopin, G. fonHann, Dh. Kamardën, G. Majerin, H. Pedersenin, N. Joklin, H. Bariçin dhe prijësin e gjuhësisë shqiptare, E. Çabejn, qëndrime të të cilit i përmbahet edhe Camaj në shumicën e rasteve të problemeve të trajtuara nga fonetika historike dhe etimologjia e shqipes.
“Zbërthimi a veçimi i materialit gjuhësor që Camaj e heton në veprën e tij të zënë ngoje,- shkruan Ajeti,- paraqet punë shumë të vështirë, apo kërkon njohje të thellë të problemeve të fonetikës historike të gjuhës shqipe, pastaj zotërimin e problematikës fonetike të gjuhëve indoeevropiane, e këtu brenda edhe problemet e etimologjisë së gjuhës shqipe, me një fjalë të zotëroheshin problemet e gramatikës historike të shqipes”.
Punimi i Camajt “AlbanischeWortbildung” (Fjalëformimi i shqipes) ndahet në tri pjesë: 1. Historia e kërkimit; 2. Fjalëformimi i brendshëm; 3. Fjalëformimi i jashtëm. Vepra përbën një ndihmesë të vyer për historinë e gjuhësisë shqiptare, sepse në të kemi një vështrim dhe analizë të vërtetë prej dijetari në fushën e historisë së studimit gjuhësor të shqipes.
MartinCamaj , në kërkimet e tij gjuhësore për historinë e gjuhës shqipe ka bërë objekt edhe dukuritë e marrëdhënieve gjuhësore dhe hulumtimet te huazimet. Punimet e tij janë vlerësuar si punime me vlerë për probleme fonetike të gjuhësisë ballkanike. Kështu, mund të përmendim “ZurEntwicklungderNasalvokalederslavischenLehnëörter im Albanischen” (Për zhvillimin e zanoreve hundore të huazimeve sllave në shqipe), botuar më 1964 dhe “LautlicheParallelenentwicklungen im montenegrinischen und nordalbanischenMundarten” (Zhvillime fonetike paralele në të folmet e shqipes veriore atyre malazeze), botuar më 1966.
Një vend të rëndësishëm në ndihmesat e tij për gjuhësinë shqiptare e zënë edhe ato nga fusha e dialektologjisë. Qëndrimet dhe studimet e shumta që bëri tek arbëreshët e Italisë, i dhanë mundësi të hartonte mjaft monografi dhe punime me interes shkencor. Studiuesit e dialektologjisë, JorgjiGjinari dhe GjovalinShkurtaj, kanë vënë në dukje se MartinCamaj ka bërë një hetim sistematik të të folmeve të arbëreshëve, në një periudhë kohore që fillon në vitet ’60 deri në fund të viteve ’80 të shekullit të kaluar. Ai ka arritur të përshkruajë “tipin më përfaqësimtar të zonave të ndryshme dialektore, sidomos të atyre më anësore (periferike) dhe më të ekspozuara ndaj ndikimit asimilues të italishtes”. Më tej ato shkruajnë : “Këto studime të Camajt, të mbështeturas në metodologjinë gjuhësore strukturale, sipas modelit të gjuhësisë funksionale të A. Martinesë etj. , përbënin një ndryshim rrënjësor në kërkimet dialektologjike në trevat arbëreshe e përgjithësisht në dialektologjinë shqiptare”
Ndër monografitë e shkruara nga Camaj nga kjo fushë, mund të përmendim:
- “La parlataAlbanese di Greci in province di Avellino”, botuar në Firencë, më 1971, që përbën monografinë e parë të plotë të një të folmeje arbëreshe.
- “DiaalbanischeMundartvonFalconoraAlbanese in derProvinzCosenza”, botuar në “AlbanischeForschungen”, 16, në Munih, më 1977.
- “La partlataAlbanese di San ConstantinoAlbanese”, botuar pas vdekjes, më 1993.
Përveç këtyre, Camaj ka shkruar mjaft artikuj dhe punime të tjera për të folmet ë arbëreshëve të Italisë, që përbëjnë ndihmesa me vlerë, si: “ ZuralbanischenMundartvonBarile in derProvinzPotenza” (1971); “IlbilinguismonellelinguisticheAlbanesedell”Italia meridionale. Bilinguismo e diglossia in Italia” (1974) ; “ SprachrestederalbanischenMundartvonVillaBadessa in derProvinzPescara” (1975); “Perunatipologia dell’ arbëresh. Etnia Albanese e minoranzelinguistiche in Italia” (1983). Gjithashtu , në studimet e tij nga dialektologjia ka bërë objekt edhe probleme të bilinguizmit dhe të pluralinguizmit gjuhësor. Kështu, më 1985, botoi artikullin “Rreth problemit të dygjuhësisë (bilinguizmit) ndër shqiptarët e Amerikës”, botur te “Dielli” i Bostonit të SHBA-ve, më 1 mars 1985, f. 2 dhe më 1996 pjesën e parë të artikullit “Aspetti del plurilinguissmopresso gli arbëresh d’Amerika”, botuar te “Zjarri” i Kozencës, dhe më 1989 pjesën e dytë të punimit.
Ndër punimet e Camajt për shqipen është vlerësuar edhe vepra e tij që është botuar anglisht “ AlbanianGrammarëithExercises, ChrestomathyandGlossaries”, më 1984, ku autori është përpjekur që pasurinë tërësore të shqipes ta paraqesë në nivelin e zhvillimit të saj. Vlerësime për këtë vepër janë bërë në recensionin e F. Altimarit, botuar te “Zjarri”, Kozencë, 1985, nr. 29, f. 94-95 dhe në dy artikujt e T. Osmanit dhe N. Gokajt: 1. “Çështje të shqipes së sotme letrare në “ Gramatikën” e M. Camajt”, botuar në “ MartinCamaj, tradita dhe bashkëkohësia”, Simpozium 24 qershor 1993”, Shkodër, 1994, f. 107-115; 2. “MartinCamaj – AlbanianGrammarwithExercises, ChrestomathyandGlossaries”, Wiesbaden, 1994, 337 faqe”, botuar në “Buletin shkencor”, Seria e shkencave shoqërore, Universiteti i Shkodrës “ Luigj Gurakuqi”, Shkodër, 1994, nr. 1, f. 93-95.
Ndër ndihmesat e MartinCamajt për shqipen duhet përmendur edhe libri mësimor “LehrbuchderalbanischenSprache”, që ai ka shkruar më 1969, i cili ka shërbyer si një mjet ndihmës për përvetësimin e shqipes nga të huajt, kryesisht në fushën e veprimtarisë mësimore që ka zhvilluar autori në Munih të Gjermanisë. Libri është ribotuar më 1991 dhe më 1997. Recensione për të janë bërë nga E. Kowal-Lange më 1970, H. Mihaescu më 1970 dhe K. Steinke më 1973. Gjithashtu Camaj ka një meritë të veçantë se është përkujdesur për ribotimin e veprës së PjetërBogdanit “CuneusProphetarum” ( 1971).
Në ndihmesat e tij të shumta për historinë e gjuhësisë shqiptare radhiten edhe një varg artikujsh dhe recensionesh që ai ka shkruar për vepra të ndryshme gjuhësore të studiuesve dhe të dijetarëve, qofshin këta shqiptarë apo të huaj. Kështu, ai ka recensionuar punime të IdrizAjetit, Karl Gurakuqit, FrançeskoSolanos, AntonioGuzzetës, FrançescoAltimarit, Vaclav Polakut, NorbertJoklit, ClausHaebler-it, PetarSkokut, NorbertBoretzkyt, ArminHetzer-it, CarloTagliavinit etj. Po ashtu, nga fusha e sipërpërmendur, mund të vihen në dukje edhe këto shkrime të Camajt: “Jeta dhe vepra e JohanvonHahn”, botuar në “Shejzat”, IX, 1965; “VierBriefevonHolgerPedersen an derGustavMeyer”, botuar te “BeiträgezurGeschichtederAlbanologie), München, 1978; “Eqrem Çabej (1908-1980), te “Zjarri”, Kozencë, XII, 1980, f. 5-7; “CarloTagliavini” ( 18. 06. 1903 – 31. 05. 1982), te “Mitteilungen – Südost – Forschungen”, München, 1984, Bd. 43; “In memoriamGerhardRohlfs (1892-1986), te “Zjarri”, Kozencë, XVIII, 1986; “Vdiq gjuhëtari Selman Riza”, botuar te “ Dielli”, Boston, USA, 28 prill 1989, f. 3 etj.
Nga fusha e historisë së gjuhës së shkruar vlejnë për t’u përmendur, midis të tjerash, edhe “Unafrase in arbëresh dell’ anno 1483”, botuar te “Zjarri” më 1979 dhe “EinalbanischerSatzaus dem Jahre 1483”, botuar te “ZeitschriftfürvergleichendeSprachforschung”, 86 Band, I. Heft, 1972, f. 1-6, ku këtë të fundit e shkroi me LudvingBraun.
MartinCamaj, me punën e tij të palodhur, me talentin dhe përkushtimin e lëvrimit dhe studimit të gjuhës shqipe, si shkrimtar me vlera të shquara, gjuhëtar dhe albanolog me emër, do të mbetet gjithmonë i nderuar dhe i respektuar në kujtesën e kombit shqiptar. *
II
Gjuha është pasuri kombëtare. Si e tillë ajo duhet të njihet, të ruhet dhe të zhvillohet. Një ndihmesë të çmuar japin të gjithë së bashku, individët dhe institucionet, studiuesit, gjuhëtarët, shkrimtarët dhe artistët, gazetarët dhe politikanët, nxënësit dhe mësuesit, profesionistët e fushave të ndryshme të dijes, pra, me një fjalë, e gjithë shoqëria. Studiuesit kanë mundësi të hedhin dritë mbi çështje të palëvruara mirë në fushën e leksikologjisë apo të leksikografisë, si ato mbi konceptin e fjalës në gjuhën shqipe, kuptimin leksikor, njësitë frazeologjike, sikurse janë gjithashtu drejtimet e studimit në fushën e semasiologjisë leksikore apo të stilistikës gjuhësore.
Është me fat dhe rëndësi të veçantë lëvrimi i gjuhës nga shkrimtarët. Ato japin mundësi për një njohje, ruajtje, pasurim dhe zhvillim të mëtejshëm të leksikut të përgjithshëm të gjuhës shqipe. Rasti i MartinCamajt, i këtij kolosi të letrave shqipe, është një provë e shkëlqyer. Vepra e tij letrare është një pasuri e çmuar për shqipen.
Ai e ka lëvruar gjuhën amtare jo vetëm me natyrshmërinë e krijuesit si poet dhe prozator, por edhe me vetëdijen e studiuesit të shquar të gjuhës shqipe. Le të kujtojmë se ai, krahas vlerësimeve si shkrimtar i shquar i letërsisë shqiptare, si një ndër më të mëdhenjtë e saj në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar, radhitet edhe ndër gjuhëtarët dhe albanologët e shquar, që, ndonëse për rrethanat e krijuara punoi jashtë Shqipërisë, solli ndihmesa të shkëlqyera për shkencën e gjuhësisë shqiptare.
Vepra letrare e MartinCamajt përfshin gjithsej 9 vëllime poetike, tre romane dhe një vëllim novelash. Poezia e tij është tashmë e përkthyer në italisht, anglisht dhe gjermanisht. Si një ndër personalitetet e letrave shqipe, ai përveçse poet, dramaturg dhe romancier ishte edhe një studiues i shquar i gjuhësisë shqiptare. Punimet e tij shkencore në fushën e historisë së gjuhës shqipe, të gramatologjisë dhe të dialektologjisë janë me vlerë shkencore. Ato ndriçojnë historinë e shqipes dhe dëshmojnë për pasurinë e madhe leksikore të saj. Jo më kot, që herët, midis të tjerave, në vitet 1949-1953, ai u mor edhe me përgatitjen e Fjalorit të gjuhës shqipe të Konstantin Kristoforidhit, duke bërë shpjegimet në frëngjisht. Për këtë, profesor Emil Lafe, duke iu referuar kohës kur është marrë Camaj me këtë fjalor, ka shkruar: “ Puna e tij mbi këtë fjalor dëshmon për pasionin shkencor të këtij studiuesi të ri dhe për njohjen e mirë të greqishtes e të frëngjishtes që në atë moshë. “ Dhe më tej shton “Fjalori i Kristoforidhit, i përpunuar nga M. Camaj vlen edhe si një burim i ri për të njohur passurinë leksikore të gjuhës shqipe”[1].
T’i kthehemi dhe njëherë veprës sonë – Fjalësit të saj.
Objekti ynë i studimit në këtë vepër është përqendruar në pasurinë e fjalorit leksikor në veprën e tij letrare, duke paraqitur të përmbledhur Fjalorin e fjalëve, të emrave dhe vendeve që dalin në krijimet e tij. Kujtojmë se kemi të bëjmë me një pasuri të madhe leksikore që duhet studiuar më tej. Fjala është për një korpus fjalësh autoktone – shqipe, krijime të Camajt dhe përdorim fjalësh të huaj, nga ato vende e qendra studimore evropiane, të cilat u bënë pronë përdorimi nga profesor Camaj në veprat letrare, gjuhësore, në recensionet e shumta etj.
Duke qenë poet dhe prozator nga treva e Dukagjinit, MartinCamaj ka shkruar në dialektin e veriut, ku, siç dihet dhe është pohuar gjithnjë edhe nga gjuhëtarët, ekziston një pasuri e madhe leksikore e shqipes, që duhet të studiohet dhe të përzgjidhet për t’u përfshirë në leksikun e përgjithshëm të gjuhës letrare shqipe. Fjalorët që do të hartohen në të ardhmen, medoemos duhet të marrin në konsideratë pasurinë leksikore të autorëve të veriut, si të At Gjergj Fishtës, E. Koliqit, A. Pipës e po ashtu edhe të MartinCamajt, pasurinë leksikore të të cilit po e bëjmë objekt shqyrtimi dhe po e përmbledhim për ta paraqitur në këtë Fjalor, pa pretenduar se i kemi vënë pikën I-së.
Studimi i pasurisë leksikore ne veprën letrare të MartinCamajt kërkon studime të mëtejshme, sepse leksiku i tij, për rrethanat e mosnjohjes sa e si duhet në trevat shqiptare, e sidomos në Shqipëri, i ka munguar shqipes së sotme. Dhe kjo është për të ardhur keq, sepse kemi të bëjmë jo me një krijues të zakonshëm, por me një shkrimtar brilant, vepra e të cilit përmbledh një pasuri të jashtëzakonshme leksikore, frazeologjike dhe semantike.
Fjalori që po paraqesim, fjalët e të cilit janë eksploruar e përkoqur nga vepra letrare e Camajt, mendojmë se jep mundësi për një pasurim të mëtejshëm të fjalorit të përgjithshëm të shqipes, ndriçon anë të reja të analizës së semantikës të arkaizmave dhe të semasiologjisë, sikurse përfton më tej shpjegime të prejardhjes kuptimore të fjalëve në gjuhën shqipe dhe pasuron rastet e përdorimit të polisemisë, sinonimisë, antonimisë dhe veçanërisht të frazeologjisë në gjuhën shqipe.
Vepra letrare e MartinCamajt përfshin një pasuri të madhe shumëdimensionale: leksikore, frazeologjike dhe semantike. Camaj shquhet për njohjen e thellë të gjuhës shqipe, të pasurisë leksikore dhe semantike të saj dhe, siç shprehet me të drejtë profesor ValterMemushaj “Ai shquhet për njohjen e thellë të mundësive dhe aftësive të mëdha të shqipes për krijimin e njësive të reja dhe vetë krijoi me qindra e qindra“[2].
Në veprën letrare të MartinCamajt ndeshim një mori arkaizmash, sinonimesh, antonimesh, homonimesh e shprehje frazeologjike të pafund, që shprehin jo vetëm bukurinë e gjuhës, por dëshmojnë edhe për hershmërinë e tyre të përdorimit dhe shtrirjen e tyre në kohë e vende në hapësirën shqiptare. Gjejmë sekuenca fjalësh apo frazash, si dhe tekste me prurje semasiologjike dhe semantike. Camaj, me aftësitë e tij krijuese, zgjeron dhe mundëson shprehje të reja fjalësh në gjuhën shqipe. Ai është gjithashtu një njohës i mirë i gurrës popullore. Fjalët e rralla që ndeshim dhe që janë përfshirë këtu janë me vlerë të veçantë. Ato do të shërbejnë si pasurim për fjalorët e ardhshëm të shqipes. Edhe disa huazime që ndeshen edhe në veprën letrare të tij janë e duhen çmuar si pasuri leksikore e shqipes, pasi shqiptarët i kanë përdorur për një kohë të gjatë dhe ato janë bërë si pjesë e gjuhës së tyre, me përdoriin e të cilave shqipja rritë funksionalitetin e të shprehurit, sidomos kur për shenja të caktuara nuk kemi fjalën përfaqësuese.
Fjalori i veprës letrare të MartinCamajt përbëhet nga pjesa leksikore e gjuhës shqipe , nga pjesa e krijuar nga vetë Camaj dhe nga një korpus fjalësh të huazuara. Të tria këto pjesë, të gërshetuara natyrshëm, dëshmojnë për njohjen e thelluar të shqipes nga Camaj, por edhe për aftësinë e tij krijuese leksikore. Brenda Fjalorit të paraqitur mund të vëmë re leksikun e përdorur në mbarë shtresën mbarëshqiptare dhe atë krahinore të trevës së tij të vendlindjes në kuptimin më të ngushtë të fjalës apo të dialektit të gegërishtes në kuptimin më të gjerë të fjalës. Leksiku i veprës së tij letrare na afron botën materiale dhe shpirtërore jo vetëm të trevës së Dukagjinit, por edhe të qytetit të Shkodrës dhe të Malësisë së Madhe, sikurse edhe atë të arbëreshëve dhe shqiptarëve të diasporës, duke na sjellë parasysh gjithçka që lidhet me jetën, zakonet dhe kulturën shqiptare. Në veprën e tij gjen semantikën e arkaizmave të shqipes, fjalë të vjetra dhe të reja që përbëjnë pasuri për fjalorin e përgjithshëm të shqipes. Duke qenë mjeshtër në prozë e poezi, me një stil të admirueshëm dhe aftësi të jashtëzakonshme krijuese, MartinCamaj natyrshëm përdor nuanca kuptimore nga më të ndryshmet me fjalët, duke na dhënë edhe kuptime të reja të fjalëve me ngjyrime semantike. Kjo është një tjetër arsye që leksiku i veprës së tij duhet studiuar më tej si një pasuri për leksikun e përgjithshëm të shqipes, sepse realisht deri më tani leksiku i Camajt nuk ekziston në fjalorët shpjegues të shqipes. Bashkohemi me mendimin e ValterMemishaj që, me të drejtë, pohon: “Le t’ia kthejmë shqipes së sotme fjalorin e munguar të këtij autori dhe të shkrimtarëve të tjerë të ndaluar, gjithmonë përmes një studimi e përzgjedhjeje shkencore”[3].
MartinCamaj, me veprën letrare që ka krijuar na dëshmon pasurinë e shqipes. Fjalët e burimit popullor që përdoren e duhen ruajtur e zhvilluar më tej, Prej tyre krijohen kushte e mundësi të krijohen edhe fjalë të reja. Është me fat që Camaj ishte një njohës i shkëlqyer i visarit leksikor të shqipes. Duke njohur edhe pasurinë leksikore të autorëve të vjetër, edhe fjalorët e vjetër dhe modern të shqipes, duke njohur më rrënjë të folmet e dialektit të gegërishtes, me veprën e tij letrare Camaj i ka bërë një shërbim të madh gjuhës shqipe. Pasuria leksikore e veprës së tij është aq e madhe, sa kërkon jo vetëm botimin e një Fjalori modest që po e paraqesim, por edhe studime dhe analiza gjuhësore në rrafshin leksikologjik dhe leksikografik. Përdorimi i natyrshëm i fjalëve dhe shprehjeve popullore të hapësirës së vendlindjes së tij dhe më gjerë është në të mirën e shqipees. Fjalori i fjalëve, emrave dhe vendeve nga vepra letrare e Camajtështe me interes për disa fusha, si për leksikologjinë, leksikografinë, onomastikën dhe toponomastikën. Nëpërmjet tij, studiuesi mund të përqendrohet edhe në probleme të fonetikës, drejtshkrimit, morfologjisë dhe sintaksës. Fjalorët e ardhshëm të shqipes, me siguri do ta marrin në shqyrtim e në përfshirje leksikun e pasur të veprës së këtij shkrimtari të shquar, i cili, me një pasion dhe dashuri të jashtëzakonshme, zgjodhi dhe futi në përdorim shumë fjalë dhe shprehje të bukura të shqipes që përdoren në gjuhën e përditshme. . Ky është një nga qëllimet tona në punimin tonë, që pasuria leksikore në veprën e Camajt të shfrytëzohet më tej dhe të shikohet në funksion të ruajtjes dhe pasurimit të vlerave të trashëgimisë së gjuhës shqipe. Është i njohur mendimi i Camajt që në lidhje me gjuhën letrare, gegërishtja nuk u shfrytëzua siç duhet. Ky është një mendim që pranohet tashmë në përgjithësi, prandaj po punohet që leksiku i saj të përfshihet më mirë dhe më gjerësisht në fjalorët e ardhshëm të shqipes. Studimi dhe përfshirja e gjuhës së Camajt në shqipen letrare përbën vlerë për shqipen. Siç kanë vënë re disa studiues, vërtet gjuha e Camajt është në gegërisht, por ajo nuk është larg standardit, pasi është e pasur dhe e zhdërvjellët dhe dëshmon për përdorim më shumë të trajtave të përbashkëta se ato dialektore dhe nëndialektore. Mendimin tonë, vetëm sa e përligj një thënie e studiuesit shkodran, Tomor Osmani, kur shkruan: “Veçoria dalluese e veprës së autorit në gjuhën shqipe ishte aftësia për t’iu larguar së folmes së ngushtë të vendlindjes dhe për të shkruar një gegërishte me prirtje afruese”[4]. Këtu mund të ketë luajtur rol edhe përgatitja gjuhësore e Camajt. Ai ishte një njohës i mirë shqipes, kishte formim të mirë teorik në fushën e gjuhësisë, përveç aftësisë krijuese si poet e prozator, njihte mirë autorët e veriut, si Buzukun dhe Bogdanin, duke u marrë që herët me studimin e veprës dhe gjuhës së tyre, si dhe autorët e Rilindjes Kombëtare, gjuha e të cilëve ka pasur një ndikim të veçantë në krijimtarinë e tij letrare. Afrimi i gjuhës së tij me gjuhën e përbashkët standard duhet studiuar më tej. Sidoqoftë, mendojmë se standardi ka shumë për të marrë nga gjuha e veprës së MartinCamajt. Fjalorin e paraqitur, ne e shikojmë si një mundësi të hapur për bashkërendimin trajtues jo thjesht në aspektin dialektor, por të lidhur me funksionet dhe problemet e gjuhës moderne shqipe, me funksionet e saj shoqërore në kohën e sotme dhe në të ardhmen, sepse gjuha letrare veçse pasurohet me prurjet e reja dialektore, e në këtë rast nga vepra e një shkrimtari me emër, siç është MartinCamaj.
Pranohet tashmë se vlerat leksikore të gegërishtes duhej të kishin pasur më shumë përfshirje në Fjalorin e Gjuhës Shqipe. Ato veçse e pasurojnë atë si në sasi dhe cilësi. Projekti i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë për hartimin e një Fjalori të ri të Gjuhës Shqipe është për t’u përshëndetur. Jemi të bindur që pasuria leksikore e shqipes do të paraqitet edhe më mirë se në fjalorët e mëparshëm, duke përfshirë më mirë pasurinë leksikore të gegërishtes, e në këtë këndvështrim edhe leksikun e veprave të autorëve të veriut, përfshirë edhe të MartinCamajt. Kjo do të shënojë një drejtim shumë të rëndësishëm, sepse vlerësimi i pasurisë leksikore të shqipes, të gjuhës letrare apo dialekteve duhet parë gjithmonë në kontekstin e një pasurie të përbashkët, që është pasuri e popullit, që duhet ruajtur e zhvilluar në të gjithë drejtimet si pjesë e trashëgimisë dhe kulturës së përbashkët kombëtare.
Në tërësinë e pasurisë leksikore, vendi kryesor është pasuria gjuhësore e krijuar nga populli. Kur kjo gjë përdoret e zhvillohet aq mjeshtërisht nga shkrimtarët, siç është rasti i autorit që kemi marrë në shqyrtim, përbën një gurrë popullore që nuk shuhet kurrë dhe që i shërben pasurimit të gjuhës letrare. Punën tonë për një përmbledhje të Fjalorit të fjalëve, emrave dhe vendeve nga vepra letrare e MartinCamajt, siç kanë bërë studime edhe disa autorë të tjerë për gjuhën e At Gjergj Fishtës, E. Koliqit, A. Pipës etj. , e shikojmë si një ndihmesë modeste për studimet në këtë fushë. Ne jemi duke ofruar në këtë libër fjalë dhe pasuri leksikore të shqipes të përdorura nga MartinCamaj në veprën e tij letrare, fjalë të përdorimit të zakonshëm, me kuptime dhe ngarkesa të ndryshme semantike, fjalë të rralla dhe shprehje të bukura, fjalë nga toponomastika dhe onomastika, shprehje frazeologjike etj. , si një mundësi të mirë për të dëshmuar atë që është thënë edhe nga shumë studiues, se leksiku i shqipes është më i gjerë nga çfarë është paraqitur dhe se ekzistojnë mundësi të mëdha për ta pasuruar më tej. Mbështetja në veprat e shkruara, siç kemi bërë ne objekt atë të MartinCamajt, e cila mbështetet përgjithësisht dhe kryesisht në leksikun dialektor, na bën të gjykojmë dhe të pohojmë se leksiku i shqipes duhet ta bëjë të vetën këtë pasuri. Fjalën e kemi për studimin e mëtejshëm që duhet t’i bëhet leksikut të gjuhës letrare të ngritur në normë, sepse nëse kemi një leksik dialektor të papërfshirë në normë dhe që vërtet është i burimit popullor të shqipes, asgjë s’e pengon të përfshihet në normë, të përdoret dhe të zhvillohet më tej. Sikurse është pohuar me të drejtë nga studiuesit, norma letrare nuk është tabu. Zhvillimi letrar veçse e pasuron dhe e përtërin atë, sepse leksiku i gjuhës letrare nuk është diçka e dhënë një herë e përgjithmonë. Ai zhvillohet. Por për këtë ka nevojë të njohë e të përfshijë pasuri të reja të papërdorura, e me gjerësisht në sistemin e normës, të shprehura nëpërmjet fjalëve dialektore që shtrihen në një gjeografi më të gjerë shqiptare. Kjo është mënyra që pasuria leksikore e dialektit ngrihet në nivelin e normës letrare. Në këtë këndvështrim, mendojmë se gjuha e autorëve të Veriut që kanë shkruar në dialekt duhet të studiohet më tej. MartinCamaj, ky mjeshtër i lëvrimit të gjuhës, me veprën e tij letrare, e ka pasuruar shqipen. Në këtë Fjalor përfshihen në trajtë fjalorthi edhe fjalët e rralla dhe fjalë-forma dialektore, por të gjitha këto duhen studiuar dhe bërë krahasime, se si mund të grupohen ato më tej në Fjalorin e shqipes. Është detyra jonë ta studiojmë këtë pasuri gjuhësore me kritere shkencore në këndvështrimin e sistemit të gjuhës shqipe, ta përzgjedhim, ta ruajmë dhe zhvillojmë atë në kuadrin e gjuhës letrare të përbashkët kombëtare.
Prof. dr. BegzadBaliu, Prishtinë, 2016
Prof. dr. Petrit Kotrri, Windsor/Ontario, Kanada, 2019
Prof. dr. Bahtijar Kryeziu, Gjilan, 2021
PARATHËNIE
[1]Emil Lafe, ”Gjuha shqipe, Konstantin Kristoforidhi dhe MartinCamaj”, -Albspirit, online, Mars 2020.
[2]ValterMemishaj, Studime për fjalën shqipe, Tiranë, 2011.
[3]ValterMemisha, Po aty.
[4]Tomor Osmani, Vëzhgime gjuhësore në veprën e MartinCamajt,- në “ Tradita dhe e sotmja në vështrimingjuhësor 2, Shkodër, 2007, f. 219.