
Instituti Albanologjik i Prishtinës/
Më 30 prill 2025, në ambientet e Institutit Albanologjik në Prishtinë, u zhvillua një tjetër takim pune i rëndësishëm i grupit hartues të projektit “Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe”. Në këtë takim morën pjesë përfaqësues nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë: akademik Valter Memishaj (sekretar shkencor i Fjalorit dhe hartues), prof. asoc. dr. Anila Kananaj (hartuese dhe koordinatore), msc. Eglantina Shtylla dhe msc. Engjëllushe Karaj (hartuese).
Instituti Albanologjik i Prishtinës u përfaqësua nga: prof. dr. Shefkije Islamaj (hartuese dhe anëtare e redaksisë së Fjalorit), prof. asoc. dr. Naim Berisha (hartues dhe ushtrues i detyrës së drejtorit të Institutit), prof. asoc. dr. Abdurrahim Maxhuni (hartues dhe shef i Degës së Gjuhësisë në IAP), si dhe prof. ass. dr. Sejdi M. Gashi (hartues).
“Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe” është projekt madhor dhe gjithëpërfshirës, që po realizohet nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, nëpërmjet Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, në bashkëpunim me Institutin Albanologjik të Prishtinës, si dhe me disa institucione tjera akademike në hapësirat mbarëkombëtare.
Aktualisht, puna për përmbylljen sa më shpejt të Fjalorit ka arritur në një fazë të rëndësishme për nga volumi dhe cilësia e përmbajtjes. Deri tani janë përpunuar rreth 103.000 fjalë, mbi 12.500 njësi frazeologjike, 1.400 shprehje të paasimiluara, 1.200 akronime, rreth 4.000 emërtime të pathjeshta dhe afro 3.000 – 4.000 fjalë të përfshira brenda lemave të tjera. U konstatua me kënaqësi se procesi hartues dhe redaktues në nivelin e parë është përmbyllur.
Megjithatë, puna vazhdon në redaktimin shkencor, në njësimin e elementeve gramatikore dhe të formulave të shpjegimit të kuptimeve, si dhe në shtimin e fjalëve e kuptimeve të reja të nxitura nga analiza e korpusit apo nga vjeljet në proces. U diskutuan dhe u zgjidhën çështje të rëndësishme të harmonizimit dhe të unifikimit teknik e përmbajtësor. Po ashtu, u nënvizua rëndësia e zgjerimit dhe përpunimit të mëtejshëm të korpusit leksikografik, duke ruajtur frymën e mirë të bashkëpunimit mes Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Institutit Albanologjik të Prishtinës.
Në kuadër të kësaj vizite pune në Prishtinë, grupi i hartuesve të Fjalorit u prit gjithashtu në një takim të veçantë nga ushtruesi i detyrës së drejtorit të Institutit Albanologjik, prof. asoc. dr. Naim Berisha. Gjatë këtij takimi u diskutua edhe për projekte të reja me karakter kombëtar në fushën e albanologjisë, të cilat parashikohet të nisin në një të ardhme të afërt. Këto projekte do të mbështeten mbi bashkëpunimin e qëndrueshëm ndërmjet Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Institutit Albanologjik të Prishtinës, në funksion të zhvillimit të mëtejshëm të studimeve albanologjike në hapësirën mbarëkombëtare.
Në përmbyllje, akademik Valter Memishaj falënderoi të gjithë hartuesit për angazhimin, mirëkuptimin dhe arritjen e objektivave të planifikuara, duke vënë theksin te rëndësia që ky projekt ka për pasurimin dhe njësimin e gjuhës shqipe në nivel mbarëkombëtar.