Mbresa nga dita e parë në Shkollën Shqipe “Gjuha Jonë” në Filadelfia/
NGA LLAZAR VERO/FILADELFIA/
Dita e parë e shkollës. Kë nuk emocionoi ? Të mëdhenjë dhe të vegjël. Akoma më shumë kur je larg atdheut. Shkolla Shqipe “Gjuha jonë” pranë Shoqatës “Bijtë e Shqipes” në Filadelfia fillon vitin e 12- të saj, pa asnjë ndërprerje. Ajo ka qënë dhe është në qëndër të vëmendjes së këshillit drejtues të shoqatës, të mësueseve të talentuara Rajmonda Bardhi, Kozare Doko, Irini Zenelaj, Adelina Ramizi, të prindërve dhe të afërmëve të fëmijëve. Është një festë e vërtetë.
Art Rukiqi është i pari që mbërrin para shkollës, gjithë shend e verë. Në duar ka një tufë lulesh për mësuesen, nga pas i shkojnë babi Miloti, dhe dy të afërm të tjerë që ishin gjysh Destani dhe axha Genc. Arti i printe gjithë krenari si zot shtëpie. Sivjet ai ndjek vitin e dytë të kësaj shkolle ndaj ndihet kaq i sigurtë dhe i gëzuar. Do të takoj shokët dhe shoqet, mësueset dhe xhaxhat e tjerë të shoqatës që kujdesen çdo të djelë për mbarëvajtjen e shkollës, për organizimin e ditëlindjeve të tyre, eskursioneve, koncerteve festive etj. Por edhe Artin e priste një dhuratë e bukur nga shoku i tij i bangës gjatë klasës së parë, Blerim Çela. Ai kishte qënë në Shqipëri së bashku me familjen këtë verë. Dhe a e dini çfarë dhurate i kishte sjellë Artit. Një top futbolli me hartën e Kosovës. U gëzua shumë Arti. Dhe Blerimi, më shumë. Unë pashë sytë e të dyve. Ishin gjithë dritë dhe dashuri për njeri-tjetrin.
Zoti Destan Rukiqi, një avokat i njohur në Prishtinë, ndjehet i emocionuar për nipin e tij që po mëson në një shkollë shqipe, edhe pse larg atdheut. për të nderuar punën e shoqatës dhe të shkollës, ai kishte sjellë prej Kosove një dhuratë të bukur, të veçantë: një flamur kombëtar në cohë mëndafshi i rrethuar me thekë në ngjyrë ari dhe me shqiponjën dykrenare në mes. Ai ishte i emocionuar por jo më pak edhe drejtuesit e shoqatës që e morën në dorë këtë dhuratë të çmuar. Ishte flamuri ynë i shënjtë që i bashkon të gjithë shqiptarët kudo që janë. Ishte një flamur që vinte nga Kosova heroike, Kosova e shumëvuajtur, me plagë ende të hapura nga lufta më e fundit kundër shovinistëve sërbomedhenjë. E vendosën menjëherë në këndin kryesor të sallës së madhe ku janë vendosur portretet në pikturë të Gjergj Kastriotit, Ismail Qemalit dhe bustet e tyre. Ky është këndi i flamurit. Para tij çdo të djelë në mëngjes, të gjithë nxënës dhe mësuese para fillimit të mësimit këndojnë himnin e flamurit : “Rreth Flamurit të përbashkuar / Me një dëshirë dhe një qëllim…”. Edhe sot e njëjta ceremoni, të njëjtat emocione, që do t’i shoqërojnë këta fëmijë në vite. Kur të rriten, duke kënduar himnin e atdheut të ri, Amerikës së madhe do të kujtojnë edhe rreshtat e himnit të atdheut të prindërve të tyre, të fëmijërisë së tyre, që e mësuan në këtë shkollë.
Pas himnit fëmijët u shpërndan nëpër klasat e tyre. Filloi një ditë e re mësimi me një flamur të ardhur nga Kosova
Është veçanërisht i bukur një flamur kombëtar i ardhur nga ato troje. Ju faleminderit zoti avokat Destan Rukiqi!
Filadelfia, Shtator 2016