Nga Atifete Jahjaga-Presidente e Republikës së Kosovës/
Secila grua e këtij vendi ka histori të çmuar sakrifice, rezistence, besimi, shprese. Histori të cilat mund t’i kemi dëgjuar, të cilat i kemi ndarë me njëri-tjetrin me krenari apo për të cilat kemi kërkuar të veprojmë së bashku për t’i ndryshuar e për të mos lejuar që të përsëriten më. Janë edhe me qindra mijëra histori të cilat përbëjnë jetën e shoqërisë sonë, që na flasin për të shkuarën tonë e që përcaktojnë çdo ditë të sotmen e të ardhmen që na pret. Histori të cilat nuk i dimë e që jo rrallë herë zgjedhim të mos i dëgjojmë.
Në këto pesë vite si Presidente e vendit, kam pasur nderin dhe privilegjin e veçantë t’i dëgjoj nga afër shumë nga këto histori, të përlotëm e të gëzohem me to, të ndjej dhimbje e të ndjehem krenare, të marr forcë prej tyre e kurajo, të bëhem njësh me to e të përbetohem për të punuar çdo ditë pareshtur që forca që ato përfaqësojnë të jetë forca që e shtyn përpara shoqërinë tonë.
Kam ndarë në vende të ndryshme të botës historinë e grave të Kosovës, të zërit të tyre të fuqishëm në kohëra rezistence e lufte, të përpjekjeve të tyre stoike për të thyer izolimin, për të dokumentuar krimin, për t’i kërkuar botës t’i thotë ndal atij, të pathyeshme e të gatshme për çdo sakrificë për të mbrojtur familjen e vendin, për t’na mbrojtur të gjithë ne.
Kam dëgjuar me emocion të veçantë edhe rrëfimet e shumë miqve tanë për forcën e krenarin që kishin parë te gratë e Kosovës si te ato që kishin artikuluar e mbrojtur të drejtat e të gjithë qytetarëve, po ashtu edhe te ato që kishin takuar në kampet e shumta të refugjatëve në kohën kur kishim humbur pothuajse çdo gjë.
Kam refuzuar të pranoj dhe ende refuzoj, që këtë vlerë të shoqërisë sonë e cila duhet t’na bëj të gjithëve të ndjehemi krenar çdo ditë, ta lejmë në heshtje, apo ta përkujtojmë e ta njohim vetëm në ditë si kjo e sotmja, në ditën ndërkombëtare të gruas.
Sot kur e gëzojmë lirinë, kur e nderojmë sakrificën e gjeneratave të tëra, kur jemi duke e ndërtuar shtetin tonë me përpjekje të shumta, duhet të rikujtojmë se me shekuj rezistuam së bashku, andaj sot duhet të punojmë shumë më shumë që këtë rrugëtim të ndërtimin të shtetit tonë ta vazhdojmë, ashtu siç ia nisëm, së bashku, duke e pranuar që ky vend na përket të gjithëve.
Dy vite më parë, në këtë ditë, morra vendim të udhëheq diskursin institucional e shoqëror për një ndër pasojat më të rënda që lufta la mbi popullatën e pafajshme të vendin tonë, një krimi makabër lufte që ktheu në fushëbetejë trupat e mijëra qytetarëve tanë.
Vendosa ta bëj këtë pasi për shumë kohë kishim heshtur për këtë anë të historisë tonë, duke e kthyer atë në histori të ndaluar e të fshehtë tonën, duke e kthyer padrejtësisht në histori turpi që rëndonte mbi supet e shpirtin e viktimave të këtij krimi e jo mbi ata që e kryen këtë krim.
Me krenari do e kujtoj gjithmonë atë ditë, takimin e parë të Këshillit Kombëtar për të Mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës, pasi së bashku institucione dhe shoqëri civile, e ndryshuam kursin e historisë sonë, e njohëm dhunën seksuale si krim lufte, viktimat i quajtëm të mbijetuar duke i respektuar dhe duke njohur publikisht si asnjëherë më parë sakrificën e tyre dhe padrejtësinë e kryer mbi to.
U përbetuam se do të ndërmarrim çdo hap të mundur për të rehabilituar, riintegruar, risocializuar të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës, për të kërkuar drejtësi për to. U mbështetem në vlerën tonë më të madhe që ne nuk lëmë prapa askënd.
Në këto dy vite me anë të Këshillit kemi arritur të shembim njëherë e përgjithmonë heshtjen institucionale e shoqërore, tabunë në adresimin e këtij krimi lufte dhe punuam pareshtur për të luftuar stigmën që ende e rrethon këtë krim.
Arritëm që të ofrojmë njohjen ligjore për të mbijetuarit, t’ju ofrojmë të mbijetuarve kushte e shërbime më të mira psiko-sociale e shëndetësore, të përpilojmë plan të qartë veprimi për të lehtësuar qasjen e tyre në drejtësi dhe t’ju ofrojmë atyre gjithmonë e më shumë mundësi për fuqizim ekonomik.
Ia kthyem botës sytë drejtë këtij krimi lufte që ka ndodhur në Kosovë dhe i kërkuam ta njoh e ta dënoj atë duke u bërë edhe pjesë e nismave globale për ta parandaluar përdorimin e dhunës seksuale si mjet lufte.
Me anë të Këshillit u bë shumë punë, u vendosen objektiva afatgjate për trajtimin e drejtë dhe dinjitoz për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës, duke i ofruar edhe vendeve të tjera të botës që përballen me pasoja të ngjashme lufte, shembullin e mirë se si një shoqëri duhet të trajtoj të mbijetuarit e saj, duke e marr nën udhëheqjen e institucionit më të lartë të vendit, atë të Presidentit.
Por institucionet e vendit kanë ende punë për të bërë për të përmbushur obligimet që kanë ndaj të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës. Unë pres nga institucionet e vendit të jenë vigjilent dhe të marrin përsipër përmbushjen e të gjitha obligimeve që u takojnë.
Tashmë unë pres që Qeveria e vendit të përmbush obligimin e saj dhe të formoj sa më parë Komisionin qeveritar për njohje dhe verifikim dhe që procesi i njohjes së statusit ligjor për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës dhe beneficionet e parapara me ligj të gjejnë zbatim. Çdo vonesë në këtë drejtim është humbje e besimit nga të mbijetuarit, besim të cilin e rifituam me aq shumë mund e përpjekje.
Unë pres nga sistemi i drejtësisë i vendit të vazhdoj përpjekjet dhe përkushtimin për t’ju ofruar të mbijetuarve mbrojtjen e duhur dhe qasjen e merituar në drejtësi edhe në të ardhmen.
Pres që të vazhdojnë hapat e ndërmarr në integrimin e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në të gjithë kornizën legjislative në mënyrë të barabartë dhe të denjë, ashtu siç kemi bërë me të gjithë kategoritë e tjera të dala nga lufta.
Duhet të vazhdojmë të kërkojmë më shumë angazhim nga komuniteti ndërkombëtar për të njohur krimin e dhunës seksuale që u krye gjatë luftës në Kosovë dhe dënim për kriminelët e këtij krimi.
Dhe mbi të gjitha kërkoj dhe pres nga e gjithë shoqëria jonë, që të njohin këtë krim lufte, që të respektojnë sakrificën e të mbijetuarve dhe të vazhdojnë të mbështesin përpjekjet e tyre për të ndërtuar një jetë në paqe larg këtij krimi.
Unë sot këtë ditë ua dedikoj atyre, forcës së tyre, respektit për to duke ju thënë se nuk do të ndalem së ofruari mbështetjen time deri në realizimin e plotë të të gjithë të drejtave të tyre. Do t’ju jem gjithmonë mirënjohëse që hapen zemrën e tyre me mua, që më bën pjesë të tyren.
Ato nuk pëshpërisin më, ato flasin qartë dhe më zë të lartë kërkojnë drejtësi.
Edhe ne e kemi për obligim që të vazhdojmë të flasim shumë qartë, brenda dhe jashtë vendit, si institucione e si shoqëri e tërë, që nuk do rreshtim së kërkuari drejtësi për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, dhe nuk do të ndalemi deri në realizimin e plotë të të gjitha të drejtave të tyre.
Nuk duhet të ndalemi më derisa drejtësia të vihet në vend.
Një shoqëri e cila di të mburret me vlerat e qytetarëve të saj, me sakrificën e forcën e tyre, është një shoqëri e cila mund të përballoj çdo sfidë e qartë në vizionin e saj për të ardhmen. Unë kam besim në shoqërinë tonë.
Prishtine,E martë, 08 mars 2016
This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy
Privacy Overview
This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.