
FSK i bashkohet Gardës Kombëtare Amerikane në misionin e parë ndërkombëtar paqeruajtës të saj/
-Forca e Sigurisë së Kosovës në misionin e parë ndërkombëtar paqeruajtës të saj
i bashkohet Gardës Kombëtare Amerikane/
PRISHTINË, 2 Janar 2021-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/ Qeveria e Republikës së Kosovës, me kërkesë të Ministrisë së Mbrojtjes, ka aprovuar Vendimin për bashkë-dërgimin e kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në misionin e parë paqeruajtës jashtë vendit si pjesë e Gardës Kombëtare të Iowa-s, sipas ftesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kontingjenti i Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit do të jetë pjesë e misionit në ofrimin e mbështetjes për stabilitet rajonal dhe operacione paqeruajtëse në regjionin e Komandës Qendrore Amerikane – U.S. Central Command (USCENTCOM).

Krahas përkushtimit të vazhdueshëm për të avancuar aftësitë dhe kapacitetet operacionale, Forca e Sigurisë së Kosovës po arrin sukseset e saj të mëdha edhe në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar duke fuqizuar në vazhdimësi subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës. Besimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të përfshijë Forcën e Sigurisë së Kosovës në misione ndërkombëtare paqeruajtëse konfirmon edhe njëherë përkrahjen për Kosovën duke e konsideruar si një faktor të rëndësishëm në ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon e kudo në botë. Kosova mbetet e përkushtuar për bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët strategjik në orientimet e saj euro-atlantike, thekson njoftimi i dërguar nga Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës.