Dr. Ervin Kujtila/
Pozicioni gjeo – topografik
Koordinatat:N. 41.04.37 E. 20.25.03 Z. 990 m.
Kodra ku gjenden rrënojat e fortifikimit njihet nga banorët dhe literaturën arkeologjike me emrin “Qytezë”, në hartografi kreshta ku është ndërtuar kalaja nuk mban një emër të veçantë, kurse në listën e objekteve të trashëgimisë së paluajtshme ajo njihet me emrin “Kalaja te Qafa e Kalit të Gjergjit”(fig. 67-68).
Fig. 67. Pamje e fortifikimit Qukës Skëndërbej
Fortifikimi i Qytezës në Qukës Skënderbej(Kalaja te Qafa e Kalit të Gjergjit) ndodhet në territorin e fshatit Qukës Skënderbe të njësisë administrative Qukës, Bashkia Prrenjas. Për herë të parë ky fortifikim është vizituar nga Shanin Zharri. Fortifikimi ndodhet mbi fshatin me të njëjtin emër, në një nga të tre kreshtat e malit mbi këtë fshat. Pozicioni kreshtës, ku është vendosur fortifikimi, dhe lartësia e saj 990 m mbi detare, mbizotëron mbi luginën e sipërme të Shkumbinit, pjesë e trevës së Enkelejve. Kjo pikë strategjike lejon që nga aty të kontrollohet gryka e Shkumbinit që lindje fillon e zgjerohet dhe hapësirës përreth këtij vendbanimi.
Për fortifikimin e Qytezës së Qukës Skënderbej ka shkruar Papajani – Ceka, Gjipali – Shtylla. Ndërsa për fshatin Qukës të dhënat e para i gjejmë në regjistrat turke.
Fig.68. Pamje jugore e fortifikimit
Historiku i kërkimeve arkeologjike
Të dhënat e para për këtë fortifikim i ka përcjellë N. Ceka dhe L. Papajani një artikull të botuar në vitin 1971, kurse në fund të viteve ’70 të shek. XX, kyfortifikim është vizituar edhe nga I. Gjipali. N. Ceka – L. Papajani japin të dhëna për vendosjen e fortifikimit në një nga kreshtat shkëmbore që ndodhen mbi fshatin Qukës Skënderbej, nga kontrollohet rruga në luginën e Shkumbinit. Për teknikën e ndërtimit ata shprehen se muri që qarkon pjesën e arritshme të kreshtës është i ndërtuar me gurë të palatuar të vendosur në të thatë dhe mbështetur në qeramikën e pakët që ata kanë gjetur e kanë datuar në periudhën e parë të hekurit. Fortifikimi i kësaj kështjelle është rimarrë në shqyrtim I. Gjipali që ka dhenë të dhëna më të plota për teknikën e ndërtimit, portën e vetme me gjerësi 1 m, lartësitë maksimale të ruajtjes së murit, si dhe ka mundur të ndjek trasenë në një gjatësi 70 – 80 m.
Në mungesë të materialit arkeologjik, mbështetur në veçoritë teknike të ndërtimit të mureve e daton këtë fortifikim në periudhën e hershme të hekurit. Asnjë nga studiuesit e mëparshëm nuk ka dhënë ndonjë planimetri të këtij fortifikimi. Në kuadrin e temës së doktoraturës në fillim të vitit 2018 në këtë fortifikim u krye një vëzhgim më i plotë për të përftuar të dhëna sa më të plota jo vetëm për fortifikimin, por dhe territorin brenda dhe atë jashtë saj, si dhe për të hartuar planimetrinë e saktë të fortifikimit. Nga vëzhgimi u pa se fortifikimi mbyllte me mur jo të gjithë majën e kreshtës në tërë gjatësinë e saj por vetëm gjysmën jugore. Nga vëzhgimi i bërë në brendësi të fortifikimit, për aq sa lejonte terreni i mbuluar me shkurre të shumta, ne nuk arritëm të gjenim asnjë fragment qeramike. Vetëm në rrëzën lindore të kreshtës ne ndeshëm fragmente të pakta qeramike që nga faktura i përket periudhës prehistorike.
Mungesa e materialit arkeologjik u pa dhe përgjatë dy rrugëve që të çojnë në të dyja qafat që ndajnë këtë kreshtë nga të tjerat, njëra prej të cilave është e lidhur me toponimet Qafa e Kalit të Gjergjit, si dhe me Shpella e Skënderbeut. Po ashtu edhe në gropën që shtrihet në rrëzën perëndimore të kreshtës, shumë e përshtatshme për banim në stinën e verës, nuk arritëm të gjejmë asnjë fragment qeramike të periudhës prehistorike.
Planimetria e fortifikimit
Planimetria e fortifikimi të Qytezës së Qukës Skënderbej është në trajtën e një katërkëndëshi të zgjatur, e përcaktuar kjo nga forma e kreshtës shkëmbore(fig. 69 – 70). Ana lindore e kreshtës është shumë e thiktë dhe kjo ka bërë të mundur që në këtë anë të mos ndërtohej muri, kurse në tri anët e tjera në kreshtë mund të arrihet me shkallë të ndryshme vështirësie, më lehtë nga shtegu jugor dhe më e vështirë dy anët e tjera.
Fig. 69 Skicë planimetrike dhe rilevimi topografik i fortifikimit Qukës Skëndërbe
Fig. 70. Skicë planimetrike dhe ortofot e fortifikimit Qukës Skëndërbe
Fig.71. Pamje e linjës së fortifikimit
Traseja e ruajtur në pjesë të shkëputura vazhdon edhe 75 m të tjera në të njëjtin drejtim me devijime të vogla, e kushtëzuar nga reliefi. Më pas ajo kthehet në kënd të drejt lindjes për të kapur rrëzimin e shkëmbit në një largësi prej 30 m. Edhe në këtë pjesë të trasesë, që është e vendosur aty ku kreshta fillon të bjerë drejt qafës veriore, muri u identifikua vetëm në fragmente të shkëputura. Terreni brenda rrethimit zbret me një pjerrësi të vogël nga maja e kreshtës në drejtim të murit perëndimor që ndjek paksa një vijë paralele me kreshtën. Në jug nga qafa ngjitja në drejtim të kalasë është më e lehtë se në anën veriore. Në sipërfaqen brenda murit, megjithëse nuk mungojnë shkëmbinjtë e veçuar ka dhe sipërfaqe të sheshta të përshtatshme për ndërtim banesash. Nga vëzhgimi sipërfaqësor ne nuk mundëm të identifikojmë banesash apo çdo ngrehine tjetër.
Teknika e ndërtimit
Muri është ndërtuar me blloqe mesatarë guri të cilët janë të papunuar, gjithashtu të vendosura pa ndonjë rregull të caktuar, thjesht duke u mbështetur njëri mbi tjetrin dhe në të thatë. Në pjesën më të madhe të trasesë, muri ngrihet mbi shkëmbinjtë natyral. Në faqe fugat janë të pambushura. Në të shumtën e rasteve blloqet e gurëve janë të një madhësie mesatare, e rrallë ndeshen gurë të mëdhenj me përmasa (30 x 50 cm). Në anë jugore lartësia e ruajtur e murit arrin deri në 1,45 m dhe në disa vende të tjera të krahut verior shkon edhe 2 – 2,2 m (fig. 73-74). Gjerësia e murit ndryshon nga baza drejt lartësisë nga 2,10 në 1,90 m, duke krijuar një pjerrësi në faqen e jashtme(fig. 72).
Fig. 72. Pamje e fasadës së murit prehistorik
Vetëm në artikullin e publikuar nga N. Ceka dhe L. Papajani është shkruar se ata kanë identifikuar gjetje të rralla të qeramikës lokale të punuara pa çark që e datojnë vendbanimin në periudhën e parë të hekurit.
Ceka – Papajani dhe Gjipali mbështetur në teknikën e ndërtimit e kanë klasifikuar këtë fortifikim si të periudhës së parë të hekurit në territorin e enkelejve.
Fig. 73. Pamje e gjerësisë së linjës së fortifikimit. Trakti nr. 1
Fig. 74. Pamje e gjerësisë së linjës së fortifikimit. Trakti nr. 2
Sipërfaqja e vogël dhe mungesa e materialit arkeologjik e përcakton këtë vendbanim si të përkohshëm, që i shërbente popullsisë përreth në raste rreziku të jashtëm.
Duke u bazuar në tiparet teknike të sistemit fortifikues të fortifikimit prehistorik të Qukës Skëndërbe, mendojmë që ky fortifikim mund të lidhet më tepër me periudhën e Bronzit të Vonë, i ngjashëm me fortifikimet e Orenjës, Zdranjshit, Lleshanit, Bërzeshtës, Gurit të Pëllumbave etj, përfundim që kërkon mbështetje më të plotë arkeologjike.
Gjithashtu duke u mbështetur në gërmimet tona të realizuara në Orenjë dhe Zdranjshë, në bazë të materialit arkeologjik rezulton se fortifikimi është i lidhur me shtresën e Bronzit të Vonë, në këtë kontekst mendojmë se kësaj periudhe i përkasin edhe një numër fortifikimesh të tjera të kësaj lugine, përfshirë edhe fortifikimin e Qukës Skëndërbeut.