NGA FRANK SHKRELI/
Maks Velon e kam takuar vetëm njëherë. Ishte gjatë një vizite që ai bëri në zyrën time në Zërin e Amerikës (VOA) në Washington pas shembjes së komunizmit. Më pat lënë përshtypjen se ai ishte disidenti shqiptar, që pak a shumë përputhej me vetitë e disa figurave të disidentëve të njohur të periudhës komuniste në Evropën Lindore dhe Qëndrore, shumë prej të cilëve kishin vizituar VOA-n gjatë komunizmit dhe pas shembjes së regjimeve komuniste në Evropën Lindore. Maks Velo, jo vetëm në pamje fizike dukej si disidentët evropiano-lindorë, ashtu i pakujdesshëm në veshje dhe me flokë kaçurrelë të thinjur e të pakrehur, që kishim takuar në vizitat e tyre në Washington, të ardhur nga ish-Bashkimi Sovjetik, Polonia, Çekia dhe Hungaria komuniste, ndër të tjerë, por edhe rebel me mendime, analiza dhe reagime për të vërtetën e jetës nën komunizëm.
Idetë dhe mendimet e disidentëve anti-komunistë, përfshirë edhe Maks Velon – megjith ndonjë deklarate kontraversiale që mund të ketë bërë ai në të kaluarën, do të mbijetojnë Velon dhe disidentët e dikurshëm, si gjithnjë aktuale — mbi gënjeshtrat dhe të vërtetat, mbi abuzimin e të drejtave të njeriut dhe krimet nën komunizëm, si dhe mbi sfidat dhe kundërshtimet që i duhen bërë pushtetarëve gënjeshtarë e të pandershëm, atëherë dhe sot. Asnjë vend dhe asnjë sistem politik, nuk është imun ndaj këtyre të të pavërtetave ose gjysëm të vërtetave, sidimos të pushtetarëve autoritarë, si dhe ndaj propagandës së flliqtë të ish-regjimeve komuniste që edhe sot mbizotëron në disa vende ish-komuniste, përfshirë Shqipërinë.
E vërteta gjithmonë ka qenë dhe është një kërcënim për ish-diktatorët komunistë dhe për autoritarët e sotëm, pseudo-demokratë. Këtë e kanë ditur mirë disidentët anti-komunistë dikur, përfshirë ish-disidentin çek, të ndjerin Vaclav Havelin, i cili në shkrimin e tij, “Fuqia e të pafuqishëmve” ka thënë se njerëzit nuk duhet të pranojnë gënjeshtërat nga autoritarët dhe diktatorët: https://telegraf.al/opinion-2/fuqia-e-te-pafuqishmeve-sipas-modelit-te-vaclav-havel/
Maks Velo mund të konsiderohet si njëri prej disidentëve shqiptarë, i cili ka denoncuar me forcë regjimin e Enver Hoxhës, si ish-i burgosur i regjimit komunist, i akuzuar për “agjitacion dhe propagandë” nga ai regjim, veprat artistike të të cilit, sipas atij regjimi, shprehnin gjithashtu, krimin e madh për “prirje moderniste dhe anti-socialiste”.
Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, 1944-1991, (AIDSSH) në një njoftim dha lajmin për kalimin në amshim të “Artistit, arkitektit, krijuesit origjinal e rebelit, i lindur në Paris, i diplomuar në Tiranë, i dënuar për agjitacion e propagandë në Spaç, me punë të rënda në minierë dhe i pranishëm e aktiv në jetën publike të kryeqytetit 30 vitet e fundit, me botime, projekte dhe nisma të reja”. AIDSSH njofton gjithashtu se dy vjet më parë, Maks Velo kishte tërhequr dosjen e tij (të Sigurimit të Shtetit) pranë AIDSSH dhe kishte vendosur ta botonte dosjen, si një dëshmi dhe denoncim të makinacioneve të sistemit komunist për shënjestrimin e artistëve dhe tjetërsimin e individit në diktaturë.
Në vitin 2018, një prej tre rrjetëve më të njohura të televizionit amerikan, NBC NEWS kishte përgatitur një program të posaçëm për “Dosjet e Regjimit Komunist në Shqipëri” dhe kishte zgjedhur pikërisht Maks Velon, si protagonistin kryesor të atij programi. Me atë rast kam botuar një përmbledhje të programit të televizionit amerikan, NBCNEWS, për lexuesin shqiptar, të cilin po ua sjell në kujtim të Maks Velos, me rastin e kalimit të tij në amshim.
“
“NBC NEWS” PËR DOSJET E REGJIMIT KOMUNIST NË SHQIPËRI
26 Korrik, 2018
Frank Shkreli*
Njëri prej rrjeteve më të njohura multi-mediatike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NBC NEWS, botoi të hënën në portalin e saj një shkrim mjaft të hollësishëm mbi hapjen e dosjeve të Sigurimit, ish-policisë sekrete të regjimit komunist të Shqipërisë, Sigurimi. Për lexuesin shqiptar shkrimi mund të mos ketë ndonjë informacion të ri, por artikulli është shkruar duke pasur ndër mend lexuesin amerikan, i cili mund të ketë pak ose aspak njohuri në lidhje me mënyrën e veprimit brutal të Sigurimit të regjimit komunist shqiptar ndaj kundërshtarëve të regjimit, sidomos tani, pothuaj 30-vjet pas shembjes së komunizmit në Shqipëri, kur ish-vendet komuniste në Evropë e kanë kryer këtë punë me kohë, pothuaj menjëherë pas shembjes së komunizmit. Është interesant fakti gjithashtu që ky ent mediatik e ka gjetur të nevojshme për lexuesit e vet, që pikërisht në këtë kohë, të dërgojë një korrespondente të saj në Shqipëri për të raportuar mbi dosjet e regjimit komunist në atë vend. Kjo është me rëndësi, sepse publiku amerikan nuk ka asnjë ide se si qëndron çështja e dosjeve të komunizmit në Shqipëri, gati 30-vjet pas rënies së atij regjimi në atë vend. NBC News njofton publikun amerikan se, “Shumica e ish-vendeve komuniste i kanë hapur me kohë dosjet e periudhës së Luftës së Ftohtë, por ndryshe nga shumica e këtyre vendeve, Shqipëria ende nuk ka miratuar një ligj lustracioni për një pastrim sistematik të largimit nga detyra të ish-zyrtarëve komunistë, të cilët kanë marrë pjesë në krime gjatë periudhës së sundimit komunist”, megjithëse, shkruan NBC News, “Ky vend ballkanik prej rreth 3-milionë banorësh kishte njërin prej regjimeve më brutale në botë”.
Në artikull theksohet gjithashtu se, “Disa ekspertë e kanë krahasuar Shqipërinë komuniste me Korenë e Veriut, pasi kufijtë e saj ishin të mbyllur dhe shqiptarët ekzekutoheshin po të provonin të largoheshin nga vendi.” Enver Hoxhën, i cili udhëhoqi vendin që prej mbarimit të Luftës së Dytë Botërore e deri në vdekjen e tij në vitin 1985, NBC News e cilëson atë si një njeri që, “njihej se vuante nga paranoja, i cili ndërtoi mijëra bunkerë, anë e mbanë vendit, për t’u mbrojtur nga një invadim i huaj që nuk ndodhi kurrë.”
Maks Velo
Korrespondentja e NBC News, Katie Englehart ka zgjedhur piktorin dhe ish-të burgosurin shqiptar Maks Velon si protagonistin kryesor të kronikës së saj të dërguar nga Tirana. Maks Velo, një ish-i burgosur i regjimit komunist, i akuzuar për “agjitacion dhe propagandë” nga regjimi komunist, veprat artistike të të cilit, sipas atij regjimi, shprehnin gjithashtu “prirje moderniste dhe anti-socialiste”. Ai ka thënë për NBC News, se pasi refuzoi të bashkëpunonte me Sigurimin, “diçka që unë nuk mund të bëja” është shprehur ai, Z. Velo është mbajtur në izolim dhe është marrë në pyetje për gjashtë muaj rresht, pastaj është dënuar me 10-vjet punë të rëndë në burgun famëkeq të Spaçit, raporton NBC News, në bazë të ligjit të tipit sovjetik, për “agjitacion e propagandë”. Ishte viti 1978, kulmi i diktaturës së regjimit të Enver Hoxhës, njofton NBC News, duke nënvizuar se Maks Velo, për pothuaj katër dekada tani, e pyet veten nëse ai kishte përfunduar në burgun e Spaçit si rrjedhim i spiunimit pranë autoriteteve të kohës, nga ndonjë person që ai e kishte njohur. Enti mediatik amerikan NBC News raporton për lexuesit amerikanë se vitin që kaloi, qeveria shqiptare hapi më në fund dosjet e policisë sekrete të shtetit, (Sigurimi), duke bërë të mundur kështu që kushdo që dëshiron mund të kërkojë dosjen e vet, duke mundësuar edhe identifikimin e atyre që mund të kenë bashkëpunuar me regjimin komunist për të spiunuar ata që mund të konsideroheshin si kundërshtarë të regjimit. Por korrespondentja e NBC News shkruan nga kryeqyteti shqiptar se, me gjithë vendimin për hapjen e dosjeve të Sigurimit, “Është vështirë të thuhet ekzaktësisht nëse koleksioni i dosjeve është i terë, pasi mendohet se agjentët e Sigurimit kanë zhdukur mijëra dosje gjatë viteve të fundit të regjimit komunist”, thekson NBC News.
Por, siç kanë bërë edhe shumë shqiptarë të tjerë, NBC News raporton se Z. Maks Velo e ka kërkuar dosjen e tij megjithëse fillimisht kishte hezituar ta shfletonte, por megjithëkëtë, nga dosja e tij, ka zbuluar se ai është spiunuar nga nja 20 veta, ndër të tjerë, edhe nga një mik i ngusht dhe nga ish-vjehrra e tij. Për hapjen e dosjeve, NBC News ka folur edhe me Z. Gentiana Sula, Drejtoreshë e Entit për Hapjen e Dosjeve, e cila ka thënë për entin e njohur mediatiak amerikan se, “Këtu vijnë çdo ditë njerëz për të bërë pyetje ndaj të cilave ata nuk kanë marrë përgjigje për një kohë të gjatë. Në qoftë se ka gjëra për të cilat ata kanë nevojë të falin ose të kërkojnë falje, për veten ose për prindërit e tyre, ky është një rast i mirë për të bërë një gjë të tillë. Shpeshherë”, ka thënë ajo për NBC News, “një bashkëpunëtor dhe një viktimë e Sigurimit, jetonin dhe vepronin në të njëjtin mjedis”.
Ndërkohë që diktatura komuniste u shemb në fillim të vitit 1990, njofton në kronikën e saj korrespondentja e NBC News, Katie Engelhart, agjentët e Sigurimit famëkeq shqiptar u tërhoqën në anonimitet duke u zhdukur nga qarkullimi, por megjithëkëtë, korrespondentja amerikane kishte gjetur një ish-agjent të Sigurimit, i cili është treguar i gatshëm të fliste me gazetaren amerikane. Ish-zyrtari i lartë i Sigurimit të shtetit shqiptar, Nesti Vako i tha NBC News se në kohën e regjimit komunist, agjentët e Sigurimit kishin vendosur mjete përgjimi anë e mbanë vendit, nëpër kafene, zyra dhe në të gjitha ambasadat e huaja, ndër të tjera. Vako u shpreh për NBC News se i “kishte pëlqyer shumë puna e tij (si agjent i Sigurimit) dhe se ishte tepër krenar për punën që kishte bërë”, duke shtuar se, “vetëm kishte zbatuar ligjin”. Ish-agjenti i Sigurimit ka thënë gjithashtu se ishte kundër hapjes së dosjeve, pasi hapja e dosjeve, sipas tij “nuk është një gjë e mirë”, ka theksuar ish-agjenti Nesti Vako, duke pasqyruar kështu edhe arsyen, se pse klasa politike dhe një pjesë e madhe e shoqërisë shqiptare nuk duan të merren me të kaluarën komuniste.
Dosja e Z. Maks Velo ka gjithsejtë 250 faqe dhe atij i janë nevojitur disa muaj për ta kuptuar dosjen e tij, shkruan NBC News. Z. Velo ka thënë se nuk i vjen keq që e ka lexuar dosjen, megjithëse me hezitim, por nga ana tjetër, nuk mendon se me hapjen e dosjeve, ndonëse vonë, është mbyllur kjo çështje, as për të, as për shoqërinë shqiptare në përgjithësi. Ai citohet të ketë thënë se, “Amerikanët thonë 100 herë në ditë “Më fal’, ndërsa këtu nuk thotë askush, kurrë “Më fal”, duke aluduar se dikush duhet të kërkojë falje për krimet e regjimit komunist, ashtu që më në fund, të fillojë shërimi i plagëve gjithnjë të hapura nga periudha e krimeve të komunizmit në Shqipëri. Megjithëse vonë, duket se ditët e fundit, në këtë drejtim është hedhur një hap sado i vogël, edhe pse tepër vonë.Zëri i Amerikës njoftoi javën e kaluar se Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP) — një organizatë ndër-qeveritare që merret me personat e humbur, si përfundim i konflikteve dhe shkeljes së të drejtave të njeriut — nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me shtetin shqiptar për identifikimin e një grupi personash të viktimizuar dhe varrosur në Dajt dhe në Ballsh, nga regjimi komunist shqiptar i periudhës 1944-1991. “Marrëveshja tregon dëshirën për të mbrojtur të drejtat njerëzore të familjarëve të zhdukurve”, citohet të ketë thënë gjatë ceremonisë së nënshkrimit, drejtori i programit të ICMP për Ballkanin Perëndimor, Methju Holliday. “Marrëveshja tregon vullnetin politik të shtetit shqiptar për të trajtuar çështjen e personave të zhdukur gjatë regjimit komunist në një mënyrë efektive, ligjore dhe të saktë.
Të gjithë këto përpjekje bëhen, jo thjesht për të respektuar të vdekurit, por për të ngritur lart të drejtën e jetës, dinjitetin dhe ligjin”, – tha ai. Më mirë vonë se kurrë, por ku ishe ti dhe organizata jote deri tani, Z. Holliday? Gjatë gjithë kësaj kohe post komuniste kam shprehur vazhdimisht dyshimet e mia serioze për angazhimin e autoriteteve shqiptare për t’u përballur me të kaluarën komuniste. Edhe në qoftë se është bërë gjë në këtë fushë, zakonisht ka qenë rezultat i trysnisë dhe interesimit të të huajve, sidomos ambasadës gjermane në Tiranë dhe jo i dëshirës së klasës politike shqiptare post-komuniste për të zbardhur krimet e komunizmit në Shqipëri. Prandaj, e gjithë kjo përpjekje – përfshirë marrëveshjen e fundit midis organizatës ndërkombëtare ICMP dhe autoriteteve shqiptare – është tepër pak dhe shumë vonë, nga ana e autoriteteve shqiptare, por edhe e enteve ndërkombëtare, përgjegjëse për këtë çështje. Por në fund të fundit, faji për këtë u mbetet të dera autoriteteve shqiptare. Thjeshtë dhe qartë, autoritetet shqiptare të këtyre 28 vjetëve post-komunizëm nuk kanë treguar asnjëherë seriozitetin e nevojshëm për t’u përballur me të kaluarën komuniste dhe me krimet e atij regjimi – pasojat e të cilit shihen edhe sot kudo në jetën shoqërore dhe politike të vendit – krejt ndryshe nga ajo që ka ndodhur në shumicën e vendeve ish-komuniste të Evropës, siç vë në dukje edhe enti amerikan mediatik NBC News, në kronikën e saj nga Tirana.