• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHENJTJA NËNË TEREZA NË BERAT

September 19, 2021 by s p

Berati feston 5 vjetorin e shenjtërimit të Nënë Terezës me një kuvend të mrekullueshëm, të organizuar nga fondazioni “G. Toska” dhe muzeu “Solomon”.

Qytetarë të shumtë, ardhur dhe nga qytete te tjera, edhe të huaj, të ardhur dhe nga SHBA, religjiozë të të gjithë besimeve, murgesha, të rinj, shkrimtarë, deputetë,  funksionare, ambasadorë, të ardhur posaçërisht nga Tirana, etj, u mblodhën në taracën e Hotel “Portik” duke patur në sfond jo vetëm portretin e Shenjtes Nënë Tereza por dhe lagjet muzeale të Beratit mijëvjeçar, me atë dritë qiellore si dhuratë per këtë ditë.

Takimin e hapi sipërmarrësi Ing. Gazmen Toska, organizatori i veprimtarisë. Shkrimtari dhe poeti Ndue Ukaj, i ardhur me familjen e tij nga Kosova, foli per jetën e Shenjtes Nënë Tereza si frymëzim dashurie dhe më pas Eda Zhiti tregoi per diten e shenjterimit te Nënë Terezes, ku ishte e pranishme në Vatikan në  meshën e shenjte dhe per librin e saj, te botuar në Itali, ku permbledh emocionet dhe mbresat e grave diplomate në atë ditë.

Visar Zhiti, nisur nga pervoja vetjake, tregoi si erdhi Nënë Tereza në Shqipëri, njohjet me të, si shqiptarët shkojne drejt Saj, etj

Një intermexo: aktori i njohur Mirush Kabashi reciton nje kolazh malkengjyes me lutje te Nënë Terezes.

Dhe pastaj thirret në foltore Imzot Dom Lush Gjergji, vikar i Katedrales “Nënë Tereza” në Prishtinë, vëlla shpirteror i Nënë Terezes, Mik i saj, deshmitar i bemave te saj, biografi shqiptar me i mire i Nënë Terezes. Ai foli për universalitetin e Shenjtes tonë.

EKSPOZITA E MAKS VELOS DHE MUZEU SOLOMON

Te pranishmit aty vizituan ekspoziten me vizatime dhe skica te artistit te njohur Maks Velo, te gjitha te dhuruara Eda Zhitit, e cila i solli enkas per këtë rast te veçantë.

Me pas te ftuarit shkuan në muzeun “Solomon”, ideuar nga poeti beratas, mik yni, i ndjeri Simon Vrusho. Mbrojtja e hevrenjve gjate luftes nga shqiptarët është tregues i shpirtit shqiptar, që kulmoi me shenjteri me Nënë Terezën, gruan me të njohur te planetit…

Filed Under: Kulture Tagged With: Berat, maks velo, Nene Tereza

Frank Shkreli: Maks Velo shkoi në amshim

May 9, 2020 by dgreca

NGA FRANK SHKRELI/

Maks Velon e kam takuar vetëm njëherë.  Ishte gjatë një vizite që ai bëri në zyrën time në Zërin e Amerikës (VOA) në Washington pas shembjes së komunizmit.  Më pat lënë përshtypjen se ai ishte disidenti shqiptar, që pak a shumë përputhej me vetitë e disa figurave të disidentëve të njohur të periudhës komuniste në Evropën Lindore dhe Qëndrore, shumë prej të cilëve kishin vizituar VOA-n gjatë komunizmit dhe pas shembjes së regjimeve komuniste në Evropën Lindore.  Maks Velo, jo vetëm në pamje fizike dukej si disidentët evropiano-lindorë, ashtu i pakujdesshëm në veshje dhe me flokë kaçurrelë të thinjur e të pakrehur, që kishim takuar në vizitat e tyre në Washington, të ardhur nga ish-Bashkimi Sovjetik, Polonia, Çekia dhe Hungaria komuniste, ndër të tjerë, por edhe rebel me mendime, analiza dhe reagime për të vërtetën e jetës nën komunizëm.

Idetë dhe mendimet e disidentëve anti-komunistë, përfshirë edhe Maks Velon – megjith ndonjë deklarate kontraversiale që mund të ketë bërë ai në të kaluarën, do të mbijetojnë Velon dhe disidentët e dikurshëm, si gjithnjë aktuale — mbi gënjeshtrat dhe të vërtetat, mbi abuzimin e të drejtave të njeriut dhe krimet nën komunizëm, si dhe mbi sfidat dhe kundërshtimet që i duhen bërë pushtetarëve gënjeshtarë e të pandershëm,  atëherë dhe sot.  Asnjë vend dhe asnjë sistem politik, nuk është imun ndaj këtyre të të pavërtetave ose gjysëm të vërtetave, sidimos të pushtetarëve autoritarë, si dhe ndaj propagandës së flliqtë të ish-regjimeve komuniste që edhe sot mbizotëron në disa vende ish-komuniste, përfshirë Shqipërinë.

E vërteta gjithmonë ka qenë dhe është një kërcënim për ish-diktatorët komunistë dhe për autoritarët e sotëm, pseudo-demokratë.  Këtë e kanë ditur mirë disidentët anti-komunistë dikur, përfshirë ish-disidentin çek, të ndjerin Vaclav Havelin, i cili në shkrimin e tij, “Fuqia e të pafuqishëmve” ka thënë se njerëzit nuk duhet të pranojnë gënjeshtërat nga autoritarët dhe diktatorët: https://telegraf.al/opinion-2/fuqia-e-te-pafuqishmeve-sipas-modelit-te-vaclav-havel/

Maks Velo mund të konsiderohet si njëri prej disidentëve shqiptarë, i cili ka denoncuar me forcë regjimin e Enver Hoxhës, si ish-i burgosur i regjimit komunist, i akuzuar për “agjitacion dhe propagandë” nga ai regjim, veprat artistike të të cilit, sipas atij regjimi, shprehnin gjithashtu, krimin e madh për “prirje moderniste dhe anti-socialiste”.

Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, 1944-1991, (AIDSSH) në një njoftim dha lajmin për kalimin në amshim të “Artistit, arkitektit, krijuesit origjinal e rebelit, i lindur në Paris, i diplomuar në Tiranë, i dënuar për agjitacion e propagandë në Spaç, me punë të rënda në minierë dhe i pranishëm e aktiv në jetën publike të kryeqytetit 30 vitet e fundit, me botime, projekte dhe nisma të reja”.  AIDSSH njofton gjithashtu se dy vjet më parë, Maks Velo kishte  tërhequr dosjen e tij (të Sigurimit të Shtetit) pranë AIDSSH dhe kishte vendosur ta botonte dosjen, si një dëshmi dhe denoncim të makinacioneve të sistemit komunist për shënjestrimin e artistëve dhe tjetërsimin e individit në diktaturë.

Në vitin 2018, një prej tre rrjetëve më të njohura të televizionit amerikan, NBC NEWS kishte përgatitur një program të posaçëm për “Dosjet e Regjimit Komunist në Shqipëri” dhe kishte zgjedhur pikërisht Maks Velon, si protagonistin kryesor të atij programi.  Me atë rast kam botuar një përmbledhje të programit të televizionit amerikan, NBCNEWS, për lexuesin shqiptar, të cilin po ua sjell në kujtim të Maks Velos, me rastin e kalimit të tij në amshim.
“

“NBC NEWS” PËR DOSJET E REGJIMIT KOMUNIST NË SHQIPËRI

Gazeta Telegraf

26 Korrik, 2018

Frank Shkreli*

Njëri prej rrjeteve më të njohura multi-mediatike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NBC NEWS, botoi të hënën në portalin e saj një shkrim mjaft të hollësishëm mbi hapjen e dosjeve të Sigurimit, ish-policisë sekrete të regjimit komunist të Shqipërisë, Sigurimi. Për lexuesin shqiptar shkrimi mund të mos ketë ndonjë informacion të ri, por artikulli është shkruar duke pasur ndër mend lexuesin amerikan, i cili mund të ketë pak ose aspak njohuri në lidhje me mënyrën e veprimit brutal të Sigurimit të regjimit komunist shqiptar ndaj kundërshtarëve të regjimit, sidomos tani, pothuaj 30-vjet pas shembjes së komunizmit në Shqipëri, kur ish-vendet komuniste në Evropë e kanë kryer këtë punë me kohë, pothuaj menjëherë pas shembjes së komunizmit. Është interesant fakti gjithashtu që ky ent mediatik e ka gjetur të nevojshme për lexuesit e vet, që pikërisht në këtë kohë, të dërgojë një korrespondente të saj në Shqipëri për të raportuar mbi dosjet e regjimit komunist në atë vend. Kjo është me rëndësi, sepse publiku amerikan nuk ka asnjë ide se si qëndron çështja e dosjeve të komunizmit në Shqipëri, gati 30-vjet pas rënies së atij regjimi në atë vend. NBC News njofton publikun amerikan se, “Shumica e ish-vendeve komuniste i kanë hapur me kohë dosjet e periudhës së Luftës së Ftohtë, por ndryshe nga shumica e këtyre vendeve, Shqipëria ende nuk ka miratuar një ligj lustracioni për një pastrim sistematik të largimit nga detyra të ish-zyrtarëve komunistë, të cilët kanë marrë pjesë në krime gjatë periudhës së sundimit komunist”, megjithëse, shkruan NBC News, “Ky vend ballkanik prej rreth 3-milionë banorësh kishte njërin prej regjimeve më brutale në botë”.

Në artikull theksohet gjithashtu se, “Disa ekspertë e kanë krahasuar Shqipërinë komuniste me Korenë e Veriut, pasi kufijtë e saj ishin të mbyllur dhe shqiptarët ekzekutoheshin po të provonin të largoheshin nga vendi.” Enver Hoxhën, i cili udhëhoqi vendin që prej mbarimit të Luftës së Dytë Botërore e deri në vdekjen e tij në vitin 1985, NBC News e cilëson atë si një njeri që, “njihej se vuante nga paranoja, i cili ndërtoi mijëra bunkerë, anë e mbanë vendit, për t’u mbrojtur nga një invadim i huaj që nuk ndodhi kurrë.”

Maks Velo

Korrespondentja e NBC News, Katie Englehart ka zgjedhur piktorin dhe ish-të burgosurin shqiptar Maks Velon si protagonistin kryesor të kronikës së saj të dërguar nga Tirana. Maks Velo, një ish-i burgosur i regjimit komunist, i akuzuar për “agjitacion dhe propagandë” nga regjimi komunist, veprat artistike të të cilit, sipas atij regjimi, shprehnin gjithashtu “prirje moderniste dhe anti-socialiste”. Ai ka thënë për NBC News, se pasi refuzoi të bashkëpunonte me Sigurimin, “diçka që unë nuk mund të bëja” është shprehur ai, Z. Velo është mbajtur në izolim dhe është marrë në pyetje për gjashtë muaj rresht, pastaj është dënuar me 10-vjet punë të rëndë në burgun famëkeq të Spaçit, raporton NBC News, në bazë të ligjit të tipit sovjetik, për “agjitacion e propagandë”. Ishte viti 1978, kulmi i diktaturës së regjimit të Enver Hoxhës, njofton NBC News, duke nënvizuar se Maks Velo, për pothuaj katër dekada tani, e pyet veten nëse ai kishte përfunduar në burgun e Spaçit si rrjedhim i spiunimit pranë autoriteteve të kohës, nga ndonjë person që ai e kishte njohur. Enti mediatik amerikan NBC News raporton për lexuesit amerikanë se vitin që kaloi, qeveria shqiptare hapi më në fund dosjet e policisë sekrete të shtetit, (Sigurimi), duke bërë të mundur kështu që kushdo që dëshiron mund të kërkojë dosjen e vet, duke mundësuar edhe identifikimin e atyre që mund të kenë bashkëpunuar me regjimin komunist për të spiunuar ata që mund të konsideroheshin si kundërshtarë të regjimit.  Por korrespondentja e NBC News shkruan nga kryeqyteti shqiptar se, me gjithë vendimin për hapjen e dosjeve të Sigurimit, “Është vështirë të thuhet ekzaktësisht nëse koleksioni i dosjeve është i terë, pasi mendohet se agjentët e Sigurimit kanë zhdukur mijëra dosje gjatë viteve të fundit të regjimit komunist”, thekson NBC News.

Por, siç kanë bërë edhe shumë shqiptarë të tjerë, NBC News raporton se Z. Maks Velo e ka kërkuar dosjen e tij megjithëse fillimisht kishte hezituar ta shfletonte, por megjithëkëtë, nga dosja e tij, ka zbuluar se ai është spiunuar nga nja 20 veta, ndër të tjerë, edhe nga një mik i ngusht dhe nga ish-vjehrra e tij. Për hapjen e dosjeve, NBC News ka folur edhe me Z. Gentiana Sula, Drejtoreshë e Entit për Hapjen e Dosjeve, e cila ka thënë për entin e njohur mediatiak amerikan se, “Këtu vijnë çdo ditë njerëz për të bërë pyetje ndaj të cilave ata nuk kanë marrë përgjigje për një kohë të gjatë.  Në qoftë se ka gjëra për të cilat ata kanë nevojë të falin ose të kërkojnë falje, për veten ose për prindërit e tyre, ky është një rast i mirë për të bërë një gjë të tillë.  Shpeshherë”, ka thënë ajo për NBC News, “një bashkëpunëtor dhe një viktimë e Sigurimit, jetonin dhe vepronin në të njëjtin mjedis”.

Ndërkohë që diktatura komuniste u shemb në fillim të vitit 1990, njofton në kronikën e saj korrespondentja e NBC News, Katie Engelhart, agjentët e Sigurimit famëkeq shqiptar u tërhoqën në anonimitet duke u zhdukur nga qarkullimi, por megjithëkëtë, korrespondentja amerikane kishte gjetur një ish-agjent të Sigurimit, i cili është treguar i gatshëm të fliste me gazetaren amerikane. Ish-zyrtari i lartë i Sigurimit të shtetit shqiptar, Nesti Vako i tha NBC News se në kohën e regjimit komunist, agjentët e Sigurimit kishin vendosur mjete përgjimi anë e mbanë vendit, nëpër kafene, zyra dhe në të gjitha ambasadat e huaja, ndër të tjera. Vako u shpreh për NBC News se i “kishte pëlqyer shumë puna e tij (si agjent i Sigurimit) dhe se ishte tepër krenar për punën që kishte bërë”, duke shtuar se, “vetëm kishte zbatuar ligjin”. Ish-agjenti i Sigurimit ka thënë gjithashtu se ishte kundër hapjes së dosjeve, pasi hapja e dosjeve, sipas tij “nuk është një gjë e mirë”, ka theksuar ish-agjenti Nesti Vako, duke pasqyruar kështu edhe arsyen, se pse klasa politike dhe një pjesë e madhe e shoqërisë shqiptare nuk duan të merren me të kaluarën komuniste.

Dosja e Z. Maks Velo ka gjithsejtë 250 faqe dhe atij i janë nevojitur disa muaj për ta kuptuar dosjen e tij, shkruan NBC News. Z. Velo ka thënë se nuk i vjen keq që e ka lexuar dosjen, megjithëse me hezitim, por nga ana tjetër, nuk mendon se me hapjen e dosjeve, ndonëse vonë, është mbyllur kjo çështje, as për të, as për shoqërinë shqiptare në përgjithësi. Ai citohet të ketë thënë se, “Amerikanët thonë 100 herë në ditë “Më fal’, ndërsa këtu nuk thotë askush, kurrë “Më fal”, duke aluduar se dikush duhet të kërkojë falje për krimet e regjimit komunist, ashtu që më në fund, të fillojë shërimi i plagëve gjithnjë të hapura nga periudha e krimeve të komunizmit në Shqipëri. Megjithëse vonë, duket se ditët e fundit, në këtë drejtim është hedhur një hap sado i vogël, edhe pse tepër vonë.Zëri i Amerikës njoftoi javën e kaluar se Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP) — një organizatë ndër-qeveritare që merret me personat e humbur, si përfundim i konflikteve dhe shkeljes së të drejtave të njeriut — nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me shtetin shqiptar për identifikimin e një grupi personash të viktimizuar dhe varrosur në Dajt dhe në Ballsh, nga regjimi komunist shqiptar i periudhës 1944-1991. “Marrëveshja tregon dëshirën për të mbrojtur të drejtat njerëzore të familjarëve të zhdukurve”, citohet të ketë thënë gjatë ceremonisë së nënshkrimit, drejtori i programit të ICMP për Ballkanin Perëndimor, Methju Holliday. “Marrëveshja tregon vullnetin politik të shtetit shqiptar për të trajtuar çështjen e personave të zhdukur gjatë regjimit komunist në një mënyrë efektive, ligjore dhe të saktë.

Të gjithë këto përpjekje bëhen, jo thjesht për të respektuar të vdekurit, por për të ngritur lart të drejtën e jetës, dinjitetin dhe ligjin”, – tha ai. Më mirë vonë se kurrë, por ku ishe ti dhe organizata jote deri tani, Z. Holliday? Gjatë gjithë kësaj kohe post komuniste kam shprehur vazhdimisht dyshimet e mia serioze për angazhimin e autoriteteve shqiptare për t’u përballur me të kaluarën komuniste. Edhe në qoftë se është bërë gjë në këtë fushë, zakonisht ka qenë rezultat i trysnisë dhe interesimit të të huajve, sidomos ambasadës gjermane në Tiranë dhe jo i dëshirës së klasës politike shqiptare post-komuniste për të zbardhur krimet e komunizmit në Shqipëri. Prandaj, e gjithë kjo përpjekje – përfshirë marrëveshjen e fundit midis organizatës ndërkombëtare ICMP dhe autoriteteve shqiptare – është tepër pak dhe shumë vonë, nga ana e autoriteteve shqiptare, por edhe e enteve ndërkombëtare, përgjegjëse për këtë çështje. Por në fund të fundit, faji për këtë u mbetet të dera autoriteteve shqiptare. Thjeshtë dhe qartë, autoritetet shqiptare të këtyre 28 vjetëve post-komunizëm nuk kanë treguar asnjëherë seriozitetin e nevojshëm për t’u përballur me të kaluarën komuniste dhe me krimet e atij regjimi – pasojat e të cilit shihen edhe sot kudo në jetën shoqërore dhe politike të vendit – krejt ndryshe nga ajo që ka ndodhur në shumicën e vendeve ish-komuniste të Evropës, siç vë në dukje edhe enti amerikan mediatik NBC News, në kronikën e saj nga Tirana.

Filed Under: Featured Tagged With: Frank shkreli, kaloi ne amshim, maks velo

U Nda nga jeta arkitekti, piktori,shkrimtari Maks Velo

May 7, 2020 by dgreca

Është shuara në moshën 84-vjeçare arkitekti dhe piktori i njohur Maks Velo. Ai ishte i shtruar prej disa ditësh në QSUT sepse vuante nga anemia.

Maks Velo ishte piktor, arkitekt, studiues dhe shkrimtar. Ai vuajti denimin në burgje gjatë regjimit komunist dhe një pjesë e krijimtarisë së tij i është dedikuar dimensionit të lirisë në diktaturë. Gjatë viteve të fundit mori pjesë gjerësisht në debatet për menaxhimin e hapësirës publike përmes artikujve publicistikë dhe aktiviteteve të tjera

Maks Velo lindi në Paris, më 31 gusht të vitit 1935. Pas lindjes së tij, familja Velo u kthye përsëri në Shqipëri, në qytetin e Korçës, ku Maksi ka kaluar edhe fëmijërinë.Vendi i origjinës së prindërve ishte Dardha. Pasi mbaron gjimnazin, ai vazhdon studimet pranë Institutit Politeknik, në degën e Inxhinierisë së Ndërtimit. Më pas specializohet për arkitekturë dhe në vitin 1960 merr pjesë në projektimin e parë që u bë në Tiranë. Ka punuar më tej pranë byrosë së projektimit të Tiranës. Pastaj, vitet ’78-’79 përkojnë edhe me periudhën më të vështirë të jetës së tij, pasi gjatë kësaj kohe, ai arrestohet dhe dënohet me dhjetë vjet burg per agjitacion e propagande.

Maks Velo është autor i një sërë veprash si: “Kokëqethja”, “Palltoja e burgut”, “Thesi i burgut”, “Paralele për arkitekturën”, “Kohë antishenjë”, “Betonizimi i demokracisë”, “Hetimi”, “Spaçi”, “Jeta ime në figura”, “Klubi Karavasta” “Përkthyesi”, “Jetë paralele”, etj. Si artist, ai krijon në disa gjini të artit: pikturë, prozë, poezi, publicistikë sikundër është i angazhuar në çështje të aktualitetit shqiptar.

Filed Under: Kronike Tagged With: maks velo, Vdekja

Shqipëria

September 7, 2014 by dgreca

Ilir Levonja/Florida/
Duke iu referuar një interviste të Maks Velos në gazetën Mapo, të dt 6 shtator 2014, në lidhje me veriorët dhe antimyslimanizmin e tij, etj.., apo përbuzjen për këtë shtresë besimtarësh në Shqipëri, para së gjithash duhet kuptuar dhe interpretuar nocioni për vendin, pozitën dhe zhvillimet ndër shekuj. Aq më tepër kur kjo vjen nga persona me sharmin e intelektualit. Apo nga këshilluesi i Kryeministrit të vendit, pozita që i gëzon Maksi.
Si ta perceptojmë vendin? Kjo nuk është çështje, por koncept. Fare thjesht, si nocion gjeografik. Fushë Kruja, Laçi, Shkodra, mbi Shkodra, Kukësi e Tropoja, (vende këto që sipas Velos, pjellkan krimin) edhe Puka që është më në brendësi, Mirdita, Dibrat bashkë, nuk janë veriu, I Shqipërisë. Por kërthiza e saj. Mjafton t’i referohemi poetikës, këngës së shqiptarizmës, ”dyke nisur udhëtimin mes-për-mes nër Shqipëri/ Drini plak e i përrallshëm po mburon prej Shëndaumi”. (L.Poradeci). Dhe të mendosh vitet kur u shkrua, mund të dallosh fare mire se cili skaj është veriu apo jugu I vendit. Në pikërisht këtë nuk bëjmë. Pavarsisht se shesim patritotizëm. Biles këtë të fundit e konceptojmë pazgjidhshmërisht me armët, me kufijtë, me këlthitjen. Dhe më ironike, bëhet kur mendon se Kryeministri aktual, ka një këshiltar nga veriu I vendit.(Dhe për këtë duhet përgëzuar.) Po ndofta këshilltari tjetër nuk e di. Ose nuk do ta di, pasi pikërisht veriun e Shqipërisë e ka sjellur në Fushë Krujë.
Nuk është vetëm Maksi, por ka vite që ndodh ky ekuivok. Megjithëse po sipas ndërgjegjes intelektuale të një intelektuali kombëtar, juglindor, si Poradeci…, faji apo gabimi janë pjesë e bashkësisë. E jona, E -ne-s.
Në përgjithësi dasimi I gabuar I vendit, shto edhe kuptimin me nëntekst përkeqësues të fjalës, me etiketimin e veriorit, apo malokut etj…, arritën si të thuash vlimin në kohën e diktaturës së proletariatit. Mjafton të përmendim hermetizmin e kufijvë. Piramidat, brenda trupit të vendit. Jemi I vetmi vend në botë që kufizohemi me vetveten. Megjithatë pavarsisht asaj që na kanë bërë të tjerët, ne me mburrje ia bëjmë vetes. Qoftë edhe me fjalë. Qoftë edhe me ta perceptuar vendin.
Tani me pak radhë, për krimin dhe furinë antibesim.
Krimi nuk njësohet me numër veprash, pasi ka të njëjtën peshë. Qoftë 1 në jugun tënd. Qoftë 2, po në veriun tënd. Ose anasjelltas. Ai është krim. Edhe në Korçën e kulturës këto vitet e fundit po ndodhin gjëra që të habisin. Tjetër, njësimi I kanunit me krimin ordiner është, si të largosh veten nga ajo përgjegjësia e Lasgushit. Shqiptarët edhe sot e kësaj dite, ngatërrojnë dhomën e ngujimit, nga fuksioni i saj real. Nuk mund të themi që, veriorët se kaluan dot pragun e mesjetës kanunore, në lidhje me format e krimit. E vërteta është se në gjithë vendin, ne shqiptarët e post diktaturës, u bëm fushë e hapët e horrorit dhe farwestit.
Dhe e fundit, që të kemi myslimanë shqiptarë, mos mbyllni Universetet teologjike aty…, për të dërguar fëmijët në vendet e lindjes. Ashtu sikur, ta ndërtojmë besimin përmes shqiptarit dhe jo, – jo shqiptarit.

Filed Under: ESSE Tagged With: Ilir Levonja, maks velo, shqiperia

“HIGJIENA CEREBRALE” DHE CA TRASTA LECKAMANE

May 21, 2013 by dgreca

Dikur Maks Velo pat shkruar 1- : ”QOSJA ËSHTË DIJETAR TIPIK ISLAMIK TËRËSISHT LINDOR…, AI “ADN” E KA ISLAMIKE” (!??).  (Kësaj i thonë intolerancë fetare, politike dhe gjeografike numër 1 velo-niane/

2. “QARQET POLITIKE APO AKADEMIKE JANË BËRË KOSHIENTË PËR DËMIN E MADH QË I VJEN SHQIPËRISË NGA DEKLARIMET E PAPËRGJEGJSHME SE SHQIPËRIA ËSHTË SHTET MYSLIMAN” (!??)…/

Nga Fadil LUSHI/

Të nderuar lexues të paanshëm, do më lejoni që këtë shkrim të radhës ta krahasoj me atë refrenin e shkurtër të këngës që i dedikohet  Ali Pashë Tepelenës, ku pos tjerash thuhet: “Koka në Stambollë moree…, e trupi në Janinë moree” Ata që e kanë për xhan këtë këngë do të thonë se në brendinë e këtij refreni ka shumë elemente kanibaliste a egërsi skajshmërisht të madhe! Ne nuk e “dimë” se pse sa herë që merren nëpër gojë shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve administrativ të Republikës së Shqipërisë, aq herë po duhet që ky refren t’u atribuohet atyre, pavarësisht se ata jetojnë në shtetin e Kosovës, në Maqedoni, në Mal të Zi, në Luginën e Preshevës a në mërgatë. Ne, besojmë se do na lejohet që këtij vështrimi t’i bëjmë “fare pak” histori a “BIBLIOGRAFI RETROSPE-KTIVE”! Fillimisht do t’i referohemi një artikulli të botuar më 20 qershor të vitit 2006 në gazetën prestigjioze “SHEKULLI” të Tiranës, me temë: “QOSEIZMI, OSE TEORIA E URREJTJES”, me firmë të z. Maks Velo. Në këtë shkrim autori për kryefjalë kishte debatin e atëhershëm mes Rexhep Qosjes dhe Ismail Kadaresë…, ku, pos të tjerash, shkroi edhe për nivelet intelektuale të polemizuesve, për kontributet e tyre dhënë zhvillimit të mendimit shqiptar, për përkatësinë fetare të Qosjes, për fenomenin e çuditshëm Kadare, për Shqipërinë si shtet mysliman, për TETOVËN si QENDËR ISLAMIKE NË BALLKAN, për shtëpinë e shqiptarit mysliman ku mund të hyhet vetëm pas zbathjes së këpucëve, për TRADHTINË e shqiptarëve, për kosovarët primitivë dhe qaramanë e të tjera marrëzira…, një editorial, që vështirë mund ta kishin kapërdirë edhe nacionalistët më të spikatur greko-serbë! Për të përcjellë mendimet e z. Velo në mënyrë sa më autentike dhe për hir të korrektësisë ndaj lexuesit, do të parafrazoj vetëm një pjesë të tezave të tij të rrezikshme për qenien tonë kombëtare.

1.”QOSJA ËSHTË DIJETAR TIPIK ISLAMIK TËRËSISHT LINDOR…, AI “ADN” E KA ISLAMIKE” (!??).  (Kësaj i thonë intolerancë fetare, politike dhe gjeografike numër 1 velo-niane (nënvizimi im).

2. “QARQET POLITIKE APO AKADEMIKE JANË BËRË KOSHIENTË PËR DËMIN E MADH QË I VJEN SHQIPËRISË NGA DEKLARIMET E PAPËRGJEGJSHME SE SHQIPËRIA ËSHTË SHTET MYSLIMAN” (!??).

(Mos vallë z.Velo harroi se gjetiu në Shqipëri trekëndori fetar mysliman, katolik dhe ortodoks nuk paraqet kurrfarë të keqe, përkundrazi është pasuri jona kulturore po edhe kombëtare…, mos vallë z. Maks Velo, definitivisht, i mungon toleranca e vërtetë fetare).

3. “PËR ÇFARË PATRIOTIZMI MUND TË FLASIN ATA QË TRADHTUAN FENË E TË PARËVE DHE FENË E TË GJITHË BALLKANIT-KRISHTERIMIN.TË PAKTËN TANI PASARDHËSIT E TRADHTARËVE NUK DUHET TË HESHTIN” (!??).

(Mos vallë z. Maks, harroi se patriotizmin e ndërtuan vëllezerit Frashëri, Ismail Qemal bej Vlora, Hasan Prishtina, Isa Boletini, Faik Konica, Ukshin Hoti, Ibrahim Rugova, Femi Agani, familja e Jasharajve.., tok me At Gjergj Fishtën, Luigj Gurakuqin, Fan Nolin, me toskë a gegë).

4. “…, KONKLUZIONI IM ËSHTË: ME KOSOVËN DHE KOSOVARËT DUHET TË JEMI SHUMË MË TË KUJDESSHËM. JANË AKOMA PRIMITIVË DHE QARAMA-

NË DHE DO TË NA HAPIN PROBLEME PA FUND” (!???).

(Z. Velo në këtë tezë të tij nuk kishte përjashtuar as shqiptarët e Malit të Zi, të Luginës së Preshevës, të Maqedonisë, ndërkaq ata të Çamërisë as që i kishte futur në hesap). Mua do më duhet të them se këto teza të z. Maks Velo nuk janë as të parat “sihariqe”  e as të fundit. Atij  kur do t’ia dojë qejfi e kur do t’i teket do të hap trastën e tij të mbushur me: dy palë mend, me tri palë siklete, shtatë palë qejfe e ethe…, me një mijë e një inate…, me një furgon të ngarkuar me britma a ulërima çakejsh, me atë rrugaçërinë e tij (anti) mediatike e mediokre, me atë jotolerancën e tij, me atë “zullum” që i bëri të drejtës së çdo shqiptari për të qenë katolik, mysliman, ortodoks a bektashi…, me atë mendjemadhësinë si dhe me “budallakinë” e tij që sakaq nxit e ndez armiqësinë, grindjet dhe urrejtjen ndërmjet besimeve fetare te shqiptarët. I nderuari zoti Maks Velo duhet ta dijë se në këtë nënqiell të Gadishullit Ilirik ka do gjëra e do finesa që mësohen në kohë të caktuar dhe, po nuk i mësove, përgjithmonë mbetesh i mangët, i painformuar dhe në instancë të fundit, mbetesh somnambulist. Psikiatrit thonë se ky çrregullim i sëmurë, vështirë kurohet. Që “forca e intelektit të tij” (dhe të tjerëve të tillë si ai) të mos konceptohet si ai i fëmijës, do të ishte mirë që refrenet e tij paranojake t’i zëvendësojë me ato të arsyes dhe, nëse këtë nuk do ta bëjë, atëherë tezat e tij do mbeten si ajo “pordha e kalit që kundërmon gjithë dynjanë e blegtorëve”!?

Një ofendim të tillë ua bëri shqiptarëve të Kosovës dhe të Maqedonisë edhe një analist i njohur nga Tirana, i cili në një emision debati televiziv, lëre që skajshmërisht shtrembëroi identitetin e tyre fetar, por edhe paksa ndërtoi dyshimet e tij ndaj inteligjencës së tyre!? Do të parashtrojmë pyetjen “idiotike” se pse shqiptarët nga Lugina, Mali i Zi dhe nga Maqedonia nuk u përfshinë në grupin punues për hartimin e abetares së ashtuquajtur “mbarëkombëtare”!?…, pse edhe sot kësaj dite shqiptarët që “veprojnë këtej kufirit administrativ” duhet të konceptohen si “vëllezër të dorës së dytë dhe me zarar”, pse ca politikanë, analistë dhe moderatorë të mjeteve vizuale të kryeqendrës së shqiptarëve duhet të na ngjitin nofkat: shqiptarë “maqedoncë, podgoricas, luginas e kosovarë primitivë, qaramanë e të tjera llagape” (!??)…, pse edhe sot e gjithë ditën e Perëndisë ca analistë nga Tirana vazhdojnë ta “ndërtojnë e ta ushqejnë” atë institucionin e inferioritetit të shqiptarëve këtej gardhit” (!??)…, ç’i duhej moderatorit, z. Arijan Çami, në “Zona e Lirë”, ditën e premte me datë 17 maj 2013 të bëjë zhurmë të madhe dhe të fryrë…, pse gjithë ai paragjykim i tij për Tetovën dhe tetovarët…, pse gjithë ky burim informacioni i tij shterpë ndaj qytetit me dy universitete, pse gjithë kjo habi e tij lidhur me organizimin e sfilatës së modës në Tetovë!??…, ç’i duhej atij t’i parashtrojë pyetjet: “kush janë këta njerëz që shkojnë në xhami…, kush janë njerëzit me ferexhe…”. Ja, të nderuar lexues, unë do t’i them Arijanit se ata njerëz pos që shkojnë në xhami (siç shkon ti në kishë), ata shkojnë në shkollë fillore, të mesme, shkojnë edhe në universitetin e Tiranës, Vlorës, Prishtinës, Tetovës, Harvardit, Kembrixhit, Sorbonës dhe s’di ku tjetër…, unë e di se ata të rinj dhe të reja nuk frekuentojnë “rrugët me drita të kuqe të Amsterdamit, Parisit, Milanos, Athinës e të tjera metropole të Evropës”.

Pse zonja e nderuar Zina Kondi (pavarësisht ca gjykimeve të saj të drejta për Tetovën dhe tetovarët) nga kjo sfilatë bëri “lajm orienti”…, a mos vallë kishte “harruar” se Tetova dhe qytetet e tjera shqiptare (këndej gardhit)  shtrihen në oksident,  ç’i duhej asaj të “degdis” në Tetovë, me atë trastën e saj, të mbushur plot e përplot me mendime të gabuara dhe të pambështetura. A mos vallë gjykimi i saj ishte paksa ofendues ku, pos të tjerash, tha: “Si ka mundësi këta njerëz kaq të PRAPAMBETUR të votojnë një grua për kryetar komune”! Unë, për hir të së vërtetës, do të shtoj edhe  një informacion…, si ka mundësi që “…, këta njerëz të prapambetur (shqiptarë të Maqedonisë) të votojnë motrat dhe nënat e tyre për deputete, qofshin ato të jenë të BDI-së, PDSh-së a RDK-së”. Unë në këtë vështrim, kërkova maturi, mençuri a edhe ndonjë arsye tjetër paksa më të theksuar…, po mbase qofsha i gabuar!!

 

 

 

 

 

Filed Under: Komente Tagged With: Fadil Lushi, islamik, Ismail Kadare, kristian, maks velo, rexhep qosja

Artikujt e fundit

  • Xhevat Kallajxhiu, kontributi patriotik e publicistik nga “Zëri i Amerikës” te gazeta “Dielli”  
  • Në veriun e Mitrovicës para 23 viteve serbët vranë e dëbuan shqiptarët
  • Boshnjakët dhe shqiptarët kërkojnë reciprocitet të të drejtave
  • Maya Angelou mbretëresha e poezizë zezake 
  • SHQIPTARO-AMERIKANËT SHËNOJNË 1-VJETORIN E VARRIMIT TË SENATORIT BOB DOLE
  • New Proposal on School Meals Includes First Limits on Added Sugars
  • Nga Dante Aligieri dhe piktori i famshëm italian Mariotto Albertinelli tek djali i Drenicës përndjekur nga genocidi serb
  • SHQIP NË ASPROPIRGO – ATHINË
  • 15 VJETORI I PAVARËSISË SË KOSOVËS NË NEW YORK
  • Emri im nuk është Marjuana!
  • PIKËPYETJE…
  • William McKinley, Presidenti i 25-të i ShBA
  • Kosova’s 15th Anniversary of Independence Celebration
  • PAL ËNGJËLLI, KRYEIPESHKËV I DURRËSIT I SHKRUAN GJERGJ KASTRIOTIT SKENDERBEUT – PRINCIT TË EPIROTËVE PËR FILLIMIN E LUFTËS KUNDËR SULLTANIT OSMAN – MEHMETIT TË II-TË
  • In Memoriam Presidenti Woodrow Wilson

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT