LETËR PUBLIKE*/
Kryesia Qendrore e Frontit Bashkimit Kombëtar Shqiptar ditë më parë analizoi gjendjen politike dhe jo vetëm politike në Kosovë. U konstatua se gjendja e përgjithshme politike dhe jo vetëm politike është e rëndë, këtë gjendje e rëndon akoma më shumë toleranca e pajustifikueshme e grupit negociator të Kosovës në krye me kryeministrin Thaçi, që po i bëhet Serbisë në emër të një stabiliteti dhe marrëdhënive të mira Kosovë-Serbi. Në këtë mbledhje u tha edhe kjo: Edhe çka tjetër duhet të ndodh, edhe sa e sa herë duhet të shikojmë dhe dëgjojmë nga kreu dhe politikëbërësit e Serbisë për të kuptuar qëndrimet dhe veprimet antishqiptare, kolonialiste dhe raciste serbe ndaj shqiptarëve apo më mirë të thuhet ndaj çdo gjëje që frymon shqip.
Zotëri kryeministër dhe ju anëtarët tjerë të Grupit Negociator që jeni pjesë përbërëse e delegacionit të bisedimeve Kosovë- Serbi, sikur patët tërhequr vijën e kuqe!
E para: Për cilat çështje nuk mund të bisedohet me Serbinë, sepse janë të paprekshme dhe të panegociueshme si:
1. Çështjet të cilat prekin Pavarësinë, Sovranitetin dhe Integritetin territorial të Repulikës së Kosovës.
2. Patët deklaruar se marrëveshja eventuale e arritur në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë janë të natyrës teknike dhe se qëllimi thelbësor ishte integrimi i pjesës veriore të vendit dhe qytetarët atje në jetën e përditshme dhe institucionale të Kosovës dhe shtrirjen e sovranitetit edhe në këtë pjesë të Kosovës.
E dyta: Kursi politik i Republikës së Kosovës është orientimi drejt BE-së, NATO-s dhe anëtarësimi në OKB, pra orientimi Evropian-Pro Perëndimor.
1. Marrëveshja e Stabilizim Asociimit
2. Liberalizimi i vizave, anëtarsimi në BE, lëvizja e lirë e njerëzve dhe mallërave.
Pas shumë taktizimeve nga pala Serbe dhe ajo Shqiptare, me insisitimin e vazhdueshëm dhe presionin e BE-së, si dhe një varg shtetesh të cilat e kanë njohur shtetin e Kosovës, duke përfshirë edhe SHBA-të, me dt. 19.04.2013 u arrijt marrëveshja e ashtuquajtur historike,
Marrëveshja për Stabilizimin e marrëdhënjeve në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Bukur shumë, në shikim të parë, diçka që nuk ka mund as të imagjinohet.
Kryesia e Përgjithshme e FBKSH-së, pasi ka bërë një analizë në mënyrë kronologjike dhe historike të veprimeve serbe ndaj popullit shqiptar dhe atë vetëm që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe këndej, përfundimisht jemi bindur se kurrë dhe asnjëherë dhe në asnjë rrethanë me serbët nuk është arritur dhe nuk do të arritht as tani marërveshje paqësore dhe e qëndrueshme e vlefshme për të dyja palët.
Gjithnjë shkaktare dhe fajtore e mos arritjes së marrëveshjeve ka qenë pala serbe dhe do të jetë edhe në të ardhmen për shumë arsye, po veçojmë vetëm disa prej tyre.
1. Nëse serbët nuk e realizojnë qëllimin e tyre ekspansionist dhe kolonialist ndaj trojeve shqiptare, pastaj me dhunë të kryej shpërnguljen e popullsisë nga trojet e tyre stërgjyshore dhe të kryen popullzimin me popullatë serbe të sjellur nga vise të ndryshme, siç ishte rasti herën e fundit në Kosovë kur i sollën serbët nga Republika e Kroacisë.
2. Pala serbe gjithnjë dhe në mënyrë të vazhdueshme do ta pengojë rrugëtimin e Republikës së Kosovës si shtet me Pavarësi dhe Sovranitet të plotë si depërtimin dhe anëtarësimine e saj në BE, NATO dhe OKB, si dhe mekanizma të tjerë ndërkombëtar strategjik për zhvillimin ekonomik dhe avancimin e statusit politik të Kosovës në organet relevante ndërkombëtare.
3. Derisa Serbia vazhdon ta trajtojë Kosoven si tokë serbe, vazhdimisht në mënyrë të paskrupullt prononcohet, madje edhe para organeve të BE-së dhe OKB-së se “Serbia kurrë nuk do ta njoh Pavarësinë e Kosovës”, madje Serbia edhe më tutje vazhdon që në Kushtetutën e saj Kosovën ta llogarisë si pjesë e Serbisë dhe e konsideron si “tokë e shenjt serbe”, kinse Kosova na qenka “zemra” e Serbisë, etj.” Atëherë çfarë bëjmë ne shqiptarët!!!? Jemi të verbër apo të shurdhër dhe nuk duam të shohim as të dëgjojmë! Çka po ndodh me ne shqiptarët?
Problemi i serbëve të cilet jetojnë në pjesën veriore të Kosovës është problem i krijuar artifcialisht dhe jo i krijuar rastësisht, ndërsa ndërkombëtarizimi i këtij problemi është pasojë e gabimeve politike të Qeverisë së Kosovës që nga paslufta e deri më sot.
4. Serbia insiston që statusi i serbëve të Kosovës të ketë njohje ndërkombëtare dhe si të tillë të kenë të drejtë të kenë qëndrim neutral ndaj statusit të Kosovës e kinse të jenë neutral edhe ndaj Serbisë!!! Edhe pse në këtë gjendje çfarë janë serbët si qytetarë të Kosovës, në praktikën dhe diplomacinë ndërkombëtare paraqet presedan sui-generis.
FBKSH-ja si subjekt politik kombëtar i shtrirë në të gjitha trojet shqiptare nuk po e sheh të arsyeshme dhe assesi nuk po e kupton:
-Tundimin e Qeverisë dhe Istitucioneve relevante të Kosovës karshi çështjeve dhe kërkesave serbe. Këto janë obstruksione strategjike të njohura të Serbisë që i bën me qëllim që Kosoven të ndalet në rrugën e saj të shtet-ndërtimit, funksionimit dhe integrimit në mekanizmat dhe organet ndërkombëtare.
Do të ishte e pa drejtë dhe jo njerëzore që të mos e njohim dhe kuptojmë gjendjen dhe presionin e faktorit vendor dhe ndërkombetar ndaj Qeverisë Thaqi, e kuptojmë presionin e tmerrshëm që bëhet ndaj jush, vetëm një gjë po na shtyn që të mos jemi skajshmërisht ekstrem në qëndrimet tona e kjo është:
1. Kufirin e jashtëm të Republikës së Kosovës nuk e ruan Ushtria jonë Shqiptare, pra nuk e ruajnë djemt dhe vashat shqiptare. Prandaj, ushtarët që e ruajnë sot kufirin e Republikës së Kosovës janë pjesëtarë të Forcës Ushtarake nga shteti i tyre i cili para 100 vitesh e ka miratuar copëtimin e trojeve shqiptare ose ka qenë pjesëmarrës në krijimin e shtetit serb!
Ne, Kryesia e Përgjithshme e FBKSH-së shumë do të donim t’i dinim përgjigjet e pyetjeve të cilat do t’ua bëjmë.
1. A ekziston ndonjë arsye që Ju si kryeministër i Republikës së Kosovës, z.Thaqi, nuk mund ta ushtroni detyrën e krymenistrit ashtu si është paraparë në Kushtetutën dhe ligjet e Kosovë, apo ekziston arsye e fuqishme nga veprimet e juaja dhe kështu jeni detyruar ti nënshtroheni shantazhimit perfid diplomatik??
2. Ju gjatë luftës kur ia kthyet pushkën shkjaut, sigurisht se nuk e keni ditur se sa do të zgjas lufta dhe se fitorja është shumë afër, pra keni vendosur të vdisni. Përse atëherë pra tani hezitoni të merrni hapa më vendimtarë dhe më konkret për tt ndërprerë këtë lojë të ndyrë serbe? Gjaku nuk mund të bëhet ujë dhe ju nuk duhet të lejoni që edhe më tutje t’i ricoptoni trojet shqiptare, nuk ju lejohet një gjë e tillë. Kjo kishte me qenë edhe përgjigja e duhur që e prêt populli shqiptar nga ju z.Kryeministër.
Ne FBKSH-ja kërkojmë nga ju z.Kryeministër që nëse edhe më tutje pala serbe vazhdon me obstruksionet e saj, duke mos respektuar marrëveshjen e 19.04.2013 dhe vazhdimisht kërkesat serbe nuk kanë mbarim, duke sulmuar në themelet e Pavarësisë dhe Sovranitetit të Republikës së Kosovës, siç janë edhe këto të fundit.
a) Heqja e logos së shtetit të Kosovës nga fletëvotimet dhe dokumentet tjera administrative dhe gjyqësore!!
b) Krijimi i këshillit serb për komunat serbe.
Shtrohet pyetja: Cili shtet po organizon zgjedhje më 3.11.2013, cilat kushte dhe ligje detyrimisht do duhej respektuar.
Nëse kjo lejohet, atëherë mos të mashtrohemi për shtrirje të sovranitetit edhe në atë pjesë të Kosovës, sepse serbët sigurisht zgjedhjet do t’i mbajnë me emblema dhe flamuj serb!!
Deri kur duhet Republika e Kosovës të vazhdojë ta mohojë vetveten dhe qenien e saj karshi lojërave të ulëta të politikës serbe? Prandaj, ne të FBKSH-së në emër të anëtarësisë së gjerë dhe simpatizantëve anë e kënd trojeve shqiptare, kërkojmë që nëse Serbia edhe më tutje vazhdon avazin e vjetër, Ju z.Kryeminsitër të NDEËRPRENI BISEDIMET. Të jeni i sigurt se do ta keni përkrahjen e gjithë popullit.
Ne mendojmë se ndërprerja e negociatave me fajin e palës serbe, do të përkrahej nga të gjithë ata që e duan pavarësinë e Kosovës, edhe pse ne e kemi thënë edhe më heret dhe vazhdojmë ta mbajm të njejtin mendim se pavarësia e Kosovës është një arritje e madhe e popullit shqiptar, të cilën e vlerësojmë si hap drejtë Ri-bashkimit kombëtar, si e vetmja alternativë dhe si zgjidhje e vetme e qëndrueshme në këtë Ballkan të trazuar.
Kryesia e Përgjithshme e FBKSH-së
Kryetari: Ibush Hetemi
FRONTI BASHKIMIT KOMBËTAR SHQIPTAR KRYESIA E PËRGJITHSHME
Nr. 09/2013, dt. 25.08.2013
- Letra u dergua ne Redaksine e Gazetes “Dielli”