Harry Bajraktari
Dëshiroj t’i them pak fjalë për aktivitetin e Ambasadorit Frymëzim Isufaj, i cili ishte në krye të Konsullatës së Republikës së Kosovës në New York, e të cilit iu ndërpre puna nga institucionet përkatëse të Kosovës pa shikuar se çfarë pasoja mund të ketë një veprim i tillë, aq më parë për një diplomat karrerie me një punë të mirëfilltë në shërbim të vendit tonë. Ishte kënaqësi e jashtëzakonshme të punosh me diplomatin Isufaj, i cili ka qenë i përkushtuar t’i shërbente me nder e ndërgjegjie Kosovës dhe komunitetitit tonë shqiptaro-amerikan, këtu në SHBA. Nuk ka dyshim se komuniteti ynë do ta ndiej mungesën dhe profesionalizmin e tij prej një diplomati të shquar. Ambasadori Isufaj ishte shumë i angazhuar në afirmimin e Kosovës, në takimet që ka pasur me diplomatë të vendeve të ndryshme të botës demokratike, duke u treguar atyre vlerat e shtetit tonë të ri, historinë dhe sakrificën që bëri populli ynë për liri dhe pavarësi. Ai, me punën dhe dijen e tij, ka dëshmuar se është një diplomat i dalluar, kudo që ka shërbyer, si në Washingtin DC, ashtu edhe në New York për interes të Kosovës dhe afirmimin e saj në SHBA dhe në botë. Në saje të angazhimit të tij, kemi edhe njohjen e fundit për Kosovën. Kuadrove të dëshmuara në diplomaci, ju duhet mbeshtetje nga institucionet përkatëse, e jo t’u mbyllet rruga në kohën kur ata mund të kontribuojnë më së shumti për çështjen e Kosovës dhe për njohje të reja nga ato vende të cilat ende s’na kanë njohur apo heztojnë të na njohin. Nuk ndërrohen diplomatët e suksesshëm sa herë që ndërrohen qeveritë, sipas tekeve. Jam thellësisht i bindur se ndërprerja e punës, që i bëri Qeveria e Kosovës, një diplomati karierre të suksesshëm, si është ambasadori Frymëzim Isufaj, është një gabim dhe do të thoja një përbuzje e punës dhe kontributit të tij shumëvjeçarë në shërbim dhe afirmim të vendit tonë. Gabime të tilla kanë bërë në të kaluarën edhe qeveritë tjera në Kosovë. Komuniteti ynë është i habitur kur sheh këso veprime të pamatura që vendit tonë mund t’i sjellin vetëm dëme e pasoja. Një praktikë e tillë mendoj se do të duhej të marrë fund e të mos përsëritej më.