Nga Agron Alibali/
Në 4 tetor 1958 në Francë lindi Republika e Pestë. Ajo zëvendësoi sistemin parlamentar me atë sistem presidencial, që ekziston edhe sot. Nëse historinë e shtetit modern shqiptar e periodizojmë si të Francës, atëhere mund të thuhet se vendi ka patur katër republika dhe dy mbretëri. Kurse data e imponuar e 21 korrikut 2016 përfaqëson fundin e Republikës së Katërt shqiptare.
Nga Ismail Qemali tek Ahmet Zogu
Mund të argumentohet se qeverisja e shkurtër e Ismail Qemalit përbën Republikën e Parë. Deklarata e Pavarësisë e 28 nëntorit 1912 lindi Shqipërinë e Pavarur. Shpallja e saj u bë me Kuvend Kushtetues, ku morën pjesë 86 përfaqësues nga të gjitha trevat e vendit. E shkurtër, koncize – vetëm me 43 fjalë – Deklarata e Pavarësisë hodhi themelet e shtetit modern shqiptar. Shpallet aty:
”..Të gjithë delegatët, me një za, venduan që Shqipëria më sot të bahet në vehte, e lirë e e mosvarme”.
E kundruar sot, pas 104 vjetësh, Deklarata përçon fuqishëm tre parime të pacënueshme dhe të patundshme kushtetuese: pavarësinë [Shqipëri në vehte], lirinë [Shqipëri e lirë], dhe sovranitetin [Shqipëri e mosvarme]. Ajo futi për herë të parë në historinë e shtetit modern shqiptar parimin e madh procedural të konsensusit [“të gjithë delegatët me një za venduan”].
Mbretëria e Parë, ajo e Wied-it, ishte jetëshkurtër në praktikë – vetëm 6 muaj. Por ajo do të mbahet mend për rrethanat e jashtëzakonshme të ekzistencës së saj dhe për afirmimin e parimit të neutralitetit në prag të Luftës I Botërore. Kongresi historik i Lushnjës pohoi vazhdimësinë kushtetuese të shtetit duke fuqizuar themelet e tij, dhe duke krijuar Këshillin e Regjencës.
Shpallja e Republikës së Dytë me 22 janar 1925 i dha fund periudhës së “mbretërisë pa mbret” [1914 – 1925]. Asambleja Kushtetuese, ku morën pjesë 64 delegatë, caktoi Ahmet Zogun si President të vendit, me mandat 7-vjeçar, si dhe miratoi Kushtetutën e parë formale të vendit. Kjo garantonte liritë dhe të drejtat e qytetarëve, dhe vendoste një regjim “presidencialo-parlamentar”. Presidenti kishte atribute të rëndësishme, por Parlamenti, për herë të parë, përbëhej nga dy dhoma, Dhoma e Deputetëve dhe Senati.
Republika e Dytë zgjati pak më shumë se tre vjet. Asambleja Kushtetuese, e mbledhur sërish, miratoi me 1 shtator 1928 amendamentet e Kushtetutës që zëvendësuan qeverisjen republikane me Mbretërinë e Dytë të shtetit shqiptar, që zgjati deri me 7 prill 1939.
Republika e Tretë është ajo e pas Luftës II Botërore. Themelet e saj u hodhën në Kongresin e Përmetit, me 24 maj 1944, ku morën pjesë delegatë nga zonat e çliruara të vendit. Punimet u ndoqën edhe nga përfaqësues të shërbimeve ushtarake të Aleatëve. De jure Republika e Tretë u shpall me 11 janar 1946, me vendim të Asamblesë Kushtetuese, duke i mbyllur derën Mbretërisë së Dytë të Zogut. Ajo zgjati 45 vjet deri në zgjedhjet pluraliste të 22 marsit 1991, që hodhën themelet e Republikës së Katërt.
Republika e Katërt dhe Kushtetuta Post-Komuniste
Hapi i parë i Republikës së Katërt ishte miratimi i Dispozitave Kryesore Kushtetuese, ose të Kushtetutës post-komuniste. Të hartuara dhe miratuara me konsensus nga parlamenti i dalë prej zgjedhjeve të vitit 1991 dhe 1992, ato janë ndër dokumentet më të rëndësishme e dinjitoze të shtetit modern shqiptar. Madje, ato dy legjislatura, për kontributin e veçantë historik kushtetues në Shqipërinë paskomuniste, kanë atribute të kuvendit kushtetues. Në arkivat e RTSH-së me siguri gjenden diskutimet e pjekura, të matura e profesionale të deputetëve të partisë në pushtet dhe të opozitës. Miratimi me proces krejt të brendshëm, pa asnjë ndërhyrje ekspertësh të huaj, edhe i Kodit Zgjedhor dhe amendamenteve për të drejtat e njeriut, përbëjnë kontribut tjetër madhor për parlamentarizmin dhe demokracinë shqiptare. Edhe pse të dalë nga errësira diktatoriale shumëvjeçare, shqiptarët treguan se dinin ta rindërtonin vetë shtetin e tyre.
Republika e Katërt fillimisht mori trajtën e një republike parlamentare me karakter semi-presidencial. Tashmë, pas 25 vjetësh, Republika e Katërt mund të thuhet se nuk e përmbushi misionin e vet për konsolidimin e shtetit juridik, demokracisë dhe pluralizmit në Shqipëri. Ajo de facto ka sjellë një përzierje hibride midis partitokracisë dhe ambasadorokracisë, ku madje as Presidenti, dhe as populli, nuk pyeten për Kushtetutën.
Deformimet dhe Fundi i Republikës së Katërt?
Deformimet filluan qysh me transformimin e sistemit zgjedhor, nga ai pjesërisht maxhoritar e proporcional, në sistemin e tanishëm proporcional rajonal, me lista të caktuara nga kryetarët e partive. Deformimet vazhduan me çmontimin e rretheve si themele të demokracisë vendore, dhe me mënjanimin e konsensusit në hartimin dhe miratimin e Kushtetutës etj.
Lufta kundër korrupsionit dhe spastrimi i sistemit të drejtësisë kërkon angazhimin frontal të mbarë shoqërisë. Një parlament të cilit i kanë mbetur jo më shumë se 300 ditë jetë nuk mund të marrë vendime me rëndësi thelbësore dhe afatgjata për shtetin dhe kombin.
E ashtuquajtura reformë e gjyqësorit përbën goditjen përfundimtare ndaj Republikës së Katërt. Data 21 korrik 2016, e imponuar jashtë çdo rregulli e procedure kushtetuese e parlamentare, shënon fundin e palavdishëm të saj. Për ta thënë troç, shqiptarët mbështesin në përgjithësi reformën në sistemin e drejtësisë, por ata nuk mund të mbështesin paketën aktuale të së ashtuquajturës reformë në drejtësi dhe strukturën bizantine të projektuar prej saj. Së pari, reformës i ka munguar vizioni dhe vullneti politik konsensual. Ekspertët, edhe pse të respektuar, nuk mundet kurrsesi të imponohen mbi vullnetin e popullit, të përçuar nga përfaqësuesit e tij. Së dyti, reforma nuk mund të çmontojë, me një të rënë të lapsit, themelet kushtetuese të shtetit shqiptar, ku spikasin “mëvetësia” dhe konsensusi për çështje madhore. Së treti, kjo reformë bie ndesh edhe me proceset demokratike europiane, ku prirja e përgjithshme është që popujt e Europës së Bashkuar të kenë më shumë hapësira vendimmarrjeje në çështje që lidhen drejtpërdrejtë me ta. Në këtë kuadër, nuk ka kuptim që Komisioni Europian të marrë përsipër në Shqipëri angazhime që nuk i takojnë. Në vend të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, përse të mos e bëjnë vetë qytetarët e vendit procesin e kontrollit, konfirmimit dhe zgjedhjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve? Së katërti, Komisioni i Posaçëm Parlamentar ka vepruar përtej kompetencave të veta, pasi nuk është formuar dhe nuk ka tagër për të rishikuar Kushtetutën. Së fundi, deputetët shqiptarë nuk mund të parashtrojnë në Kushtetutën e Shqipërisë angazhime që u takojnë taksapaguesve të BE-së dhe parlamenteve përkatëse, të cilat mund të lidhen vetëm me traktat ndërkombëtar.
Nevoja për Asamble Kushtetuese
Shqyrtimi i projektit duhet shtyrë. Vendi ka nevojë për reflektim, dhe jo ngutje. Deputetëve nuk u del koha as ta lexojnë materialin voluminoz, dhe jo më ta debatojnë e ta miratojnë. Ndofta periudhën e verës ata mund ta shfrytëzojnë për të vjelë mendimin e popullit në zonat përkatëse. Justifikimet se 21 korriku përbën kusht të domosdoshëm për hapjen e negociatave nuk qëndron. Përndryshe, më mirë të shtyhet hapja e negociatave, se sa të miratohet një produkt që nuk vlen.
Koha ndoshta kërkon thirrjen e Kuvendit Kushtetues, sipas traditës e përvojës më të mirë shqiptare në kthesat historike të vendit: në Kuvendin e Vlorës më 1912, Kongresin e Lushnjës më 1920, apo me Asambletë Kushtetuese të mbledhura më 1923, 1926, 1928, dhe më 1991-1992.
Asambleja Kushtetuese e vitit 2016 mund të mblidhet për të vendosur për Kushtetutën, reformën në Drejtësi dhe për orientimin e ri të kombit në rrethanat historike që kalon vendi dhe kontinenti. Pjestarë të saj mund të jenë të gjithë kryetarët e shtetit, të Kuvendit, Kryeministrat, Kryetarët e Akademisë së Shkencave, Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë që nga viti 1992 e deri më sot që janë gjallë. Ata mund të mblidhen diku jashtë Tiranës, jo për shfaqje mediatike, por për punë, pra pa praninë e gazetarëve apo të ambasadorëve.
Përndryshe vetëm Asambleja Kushtetuese, dhe mandej popullit me referendum, kanë tagrin të vendosin nëse vendi duhet të ecë përpara, apo duhet të kthehet 100 vjet pas si në kohën e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit