Tregim Nga Pierre-Pandeli Simsia/
Unë dhe motra ime binjake jemi rritur në një nga pallatet që shtrihen në të dy anët e një ndër bulevardeve famozë në qytetin e madh ku jetojmë. Emri i bulevardit është i njohur, sepse atje jeton klasa më e lartë e shoqërisë amerikane.
Para disa javësh ne festuam 28 vjetorin e lindjes sonë.
Si çdo qytetar amerikan i moshës sonë edhe ne, unë dhe motra ime, jetojmë në dy apartamente të ndryshme, të cilat ndodhen në zona të preferuara të qytetit.
Vendimin për të jetuar më vete e morëm që kur ishim 21 vjeç. Qeranë e apartamentit tonë dhe të gjitha shpenzimet e tjera i pagon mamaja jonë, Beti.
Në fillim nuk ishte e lehtë të jetoje i vetmuar. Kjo ndikoi që motra ime pas një viti të rikthehej pranë mamasë e të jetonte bashkë me të.
Unë dhe motra ime marrim një shumë 1200 dollarë në muaj, që na e la si trashëgimi me testament pas vdekjes, gjyshja jonë, mamaja e Betit.
E ç’mund të bëjë një qytetar amerikan me 1200 dollarë në muaj kundrejt shtrenjtësisë së madhe të jetës në këtë qytet, nëse do kishte edhe shpenzimet e tjera të cilat unë i kam përmendur më sipër? Por, neve na mjaftojnë.
Mamaja jonë Beti, bashkë me dy vëllezërit e saj, gëzon një trashëgimi familjare si bashkëpronare e një kompanie të fuqishme me emër dhe fitimprurëse. Ajo, prej dy vjetësh ka dalë në pension, por, ka nënshkruar një deklaratë pasurie që, pas vdekjes, pjesa e saj na kalon neve, mua dhe motrës sime.
Me motrën time nuk takohem shpesh; më të shumtën e herës flasim në telefon.
Herëpas’here mama Beti na telefonon për të shkuar në restorant për të ngrënë drekë ose darkën të tre së bashku.
Ndjej dhimbsuri të madhe për motrën time; ajo nuk është diplomuar në ndonjë universitet si të gjithë moshatarët tanë.
Unë, me ndihmën, madje me këmbënguljen e një shoqe të mamasë që është edhe mikja e familjes sonë, kreva studimet në një universitet të vogël në një shtet tjetër, ku ajo edhe ishte drejtuese atje.
E kam një diplomë universitare, e cila nuk besoj se më hyn në punë; jo se nuk gjej dot vend pune, por, e ndjej, që nuk jam i aftë të punoj për specialitetin që jam diplomuar.
Motra ime binjake, pjesën më të madhe të kohës e kalon në apartamentin e saj. Tymos shumë cigare të zakonshme dhe marijuanë.
Tymosja e marijuanës u bë shkak që ajo të largohej edhe nga apartamenti, atëhere kur banonte me mamanë tonë, atje edhe ku jemi rritur.
Edhe pse në apartamentin e mamasë, motra marijuanën e tymoste në dritare dhe mundohej që tymin ta përcillte jashtë, tymi gjente hapësirë për t’u shpërndarë në pjesë të ndryshme në pallat.
Aroma maramendëse e marijuanës në pallat shqetësoi shumë banorët, veçanërisht familjen poshtë nesh që kishte edhe një vajzë të vogël 4 vjeçe.
Kur u vërtetua që motra tymoste marijuanë, madje edhe nga disa banorë që e kishin parë nga jashtë pallatit, bordi i pallatit në një mbledhje urgjente, urdhëroi mamanë tonë: ose të largoheshim ne si familje, pra mamaja ta shiste apartamentin, ose të largohej motra.
Jashtë dëshirës së saj, motra u largua nga mamaja dhe jeton në apartamentin me qera për të cilin kam shkruar më sipër.
Siç e kam shkruar, motra ime pothuajse, pjesën më të madhe të kohës e kalon e mbyllur në apartamentit të saj. Shumë rrallë frekuenton lokalet e natës. Është mbi peshën e moshës së saj dhe trupi i ka marrë një shëndet të deformuar i cili stonon shumë me fytyrën e saj të freskët dhe të shëndetshme. Në pamjen e jashtëme, motra tregon se është një grua mbi 40 vjeçe. Nuk i kushton fare rëndësi veshjes. Zakonisht në çdo stinë mban të veshura një palë pantallona të zeza që kush e di se kur janë blerë. E këshilloj shpesh se, duhet të ketë një shok, një të dashur, që t’i ndryshojë jetën e saj që ajo ka zgjedhur për të jetuar, apo ajo jetë ka hyrë padrejtësisht tek motra ime për t’u jetuar!
Këtë e kam edhe nga eksperienca ime tani që bashkjetoj me të dashurën time të tretë pavarësisht grindjeve të shpeshta që kemi me njëri tjetrin. Të bashkjetosh me një të dashur, jeta është shumë më ndryshe se jetesa vetëm.
Mamaja jonë është një grua që gëzon shëndet të plotë. Lexon shumë libra artistikë dhe shkencorë. I tregon kujdes trupit dhe shëndetit të saj. Është e mbajtur, e regullt në veshje, madje mosha e saj 70-të vjeçare e tregon më të re.
I pëlqejnë shëtitjet në natyrë, aktivitetet e ndryshme kuturore artistike, madje edhe udhëtimet brenda dhe jashtë Amerikës. Gëzon respektin e miqve, shokëve dhe gjithë ata njerëz që e njohin.
Mamaja jeton në apartamentin e saj bashkë me tre qentë që i do shumë, mënyrë jetese kjo më se normale për qytetarët njujorkezë. Frekuenton shumë edhe jetën e fshatit; shkon në shtëpinë që kemi në një fshat që ëshë tre orë larg qytetit ku banojmë.
Që nga dita, nga ai i vit i largët para 13 viteve, unë dhe motra ime nuk ndjehemi të qetë shpirtërisht. Madje, në shëndetin e motrës, mjekët kanë konstatuar depresion të thellë mendor. Nuk e mendonim kurrë, kurrë, që nga ajo ditë, ekuilibri i jetës sonë të ardhme të shpërqendrohej.
Sapo kishim festuar 15-të vjetorin e lindjes sonë.
Jetonim akoma me gëzimin e asaj çfarë kishim festuar.
Një ditë, ishim të tre në shtëpi: mamaja, motra dhe unë.
– Uluni pranë meje tani, – na tha mamaja e të bisedojmë, sepse, nuk jeni të vegjël më tani.
Ne u ulëm pranë saj. Gjithmonë i bindeshim mamasë për ç’farë ajo na thoshte.
– Tani dua të bisedoj me ju, bijtë e mi, siç ju thashë, dua të bisedoj me gjuhën e të rriturve. Dua t’ju them atë, që nuk ua kam thënë deri më sot. Kam vendosur, nuk do t’ua mbaj më sekret – e nisi bisedën mamaja.
Unë dhe motra që nuk dinim se për çfarë sekreti e kishte fjalën mamaja jonë, pamë njëri tjetrin në sy dhe instiktivisht qeshëm të dy.
Mamaja qendronte serioze dhe na priste neve sa të mbaronim të qeshurën.
– Ju, – filloi prap mamaja të flasë, – nuk e njihni babain tuaj të ndjerë, atë burrë të respektuar, atë baba, që ju donte shumë juve. Por, fatkeqësisht, jeta e dënoi padrejtësisht dhe vdekja e pamëshirshme e mori në kulmin e gëzimit dhe kënaqësisë që po kalonte ai, që po kalonim ne dy bashkëshortët.
– Na e ke thënë edhe herë tjetër, mama, që, babi ynë ka vdekur kur ne ishim tre vjeç- ndërhyri motra.
– Po, bijtë e mi, ua kam thënë, por, nuk j’u kam thënë këtë tjetrën, që kam vendosur t’ua them tani.
Mamaja heshti pak si për të gjetur fjalët e përshtatshme; mori frymë thellë dhe nisi të flasë: – Unë dhe burri im, pritëm shumë vite në jetën tonë bashkëshortore që të kishim edhe ne fëmijët tanë. Ndoshta fati nuk e donte që edhe ne të gëzonim fëmijët. E biseduam të dy ne bashkëshortët dhe vendosëm që të adoptojmë një fëmij. Bashkëshorti im, për vetë profilin e tij të punës, kishte shumë miq dhe shokë. E bisedon me një mikun e tij mjek gjinekolog atë çfarë ne të dy e kishim vendosur. Nuk vonoi shumë dhe, mjeku gjinekolog i dha lajmin e gëzuar dhe të shumëpritur bashkëshortit tim. “Një grua që banon në një shtet tjetër të Amerikës, jashtë dëshirës së saj, kishte ngelur shtatzane dhe, për vetë kushtet e dobëta ekonomike, nuk dëshironte më fëmijë sepse kishte edhe të tjerë. Gjatë vizitës mjekësore, unë konstatova se ajo mbante në barkun e saj jo një, por dy bebe të shëndetshëm, një vajzë dhe një djalë. I thash, jo vetëm nuk duhet ta abortonte, as edhe ti braktiste bebet, por, kundrejt një pagese të mirë, dy bebet binjakë të porsalindur, do ti kalojnë nën kujdesin prindëror një çifti tjetër bashkëshortor që kërkojnë fëmijë…”
Në muajin e tretë pas lindjes suaj, pasi plotësuam të gjitha procedurat ligjore, ju ishit fëmijët tanë të ligjëruar dhe ne ishim prindërit tuaj duke ju patur nën kujdesin prindëror. Nuk kishte gëzim më të madh për ne, kur ju të dy motër e vëlla na erdhët në apartamentin tonë. Nuk dinim se si ta shprehnim atë kënaqësi të madhe shpirtërore kur dëgjonim zërat tuaj foshnjorë, cicërimat tuaja kur qanit, ato dy fytyrat tuaja foshnjore të pafajshme por që ishin fytyrat më të bukura që kishim parë ndonjëherë në jetën tonë…
Unë dhe motra ime krejt të hutuar nga ajo ç’farë po dëgjonim, nuk donin t’u besonim veshëve tanë. Pash nga motra që e kisha përballë; m’u duk shumë e zbehtë në fytyrë. Në ngjyrë dylli ia mbulonte fytyrën. Dukej e përhumbur, sytë i mbante përdhe. Unë nuk po ia ndaja shikimin asaj, derisa edhe ajo më pa në sy. Nuk po dinim ç’të flisnim. Po na dukej si një ëndërr e padëshiruar ato që po dëgjonim nga mamaja jonë, që për ne kishte qenë mamaja më e mirë, më e dashur, më e bukura ndër mamatë e shumë shokëve që ne kishim parë.
Si mund të besonim ne ato që po na i thoshte vetë me gojën e saj mamaja jonë e dashur që ne nuk ishim fëmijët e saj dhe ajo nuk ishte mamaja jonë që na kishte mbajtur në barkun e saj, na kishte ushqyer me gjakun e saj…!
Për një çast, m’u duk se çdo gjë përreth dhomës sonë filluan të lëviznin duke u rrotulluar. Mamaja fliste me seriozitet dhe herëpas’here na ledhatonte kokat.
– Kur shkoja në punë…
– Mama! Të lutem, mjaft! Mjaft, mama! – dëgjova zërin e motrës që ndërhyri menjëherë. Pash syt e saj të përlotur. – Mama, nuk kemi bërë ndonjëherë shaka të tillë! Të lutem! – dhe iu afrua, e përqafoi fort, fort, sa nuk donte të shkëputej nga kraharori i saj.
Kur pash syt e motrës të përlotur edhe mua m’u mbyshën syt menjëherë.
– Mama! – fola unë me zërin tim që mezi më dilte dhe me sy të përlotur, iu afrova pranë. Ndjeva një drithërimë habie bashkë me trokitjet e forta të zemrës që kishte filluar shpejtimin e rrahjeve. – Mama! Të lutem, nuk duam shaka të tilla. – E përqafova fort, fort. Largova pak kokën, pash syt e saj që m’u dukën sikur më shikonin me dënesë. E përqafova prap, ndërsa motra vazhdonte të rinte ende e përqafuar. E putha në faqe. Ndjeva aromën më të këndshme që ndjen njeriu në jetën e tij, aromën e mamasë sime. Dhe atë aromë, vetë mamaja jonë sikur po na e largonte nga ato që po na fliste.
Mamaja e ndërpreu të folurën. Mbi kokat tona ndjemë dorën e saj të ngrohtë; po na ledhatonte.
Heshtjen e theu vetë mamaja. – Më dëgjoni me vëmendje bijtë e mi. Ju dua shumë, ashtu siç ju kam dashur dhe ashtu do t’ju dua derisa të jem gjallë në këtë jetë. Kjo që po ju them, nuk do të thotë se ju do jeni të braktisur nga unë, përkundrazi, jeni dhe gjithmonë do të jeni fëmijtë e mi të dashur, të pazëvendësueshmit…
Ishim në moshën tonë të adoleshencës, ajo moshë kur formohet shpirti dhe karakteri i njeriut. Edhe pse mamaja na e kishte thënë atë, që ajo e quante sekretin e jetës së saj dhe tonin bashkë, ne prap nuk donim t’u besonim atyre fjalëve që ajo na kishte thënë.
Atë natë bëra një gjumë të trazuar. Të tillë gjumë kishte bërë edhe motra ime siç më tha të nesërmen.
Që nga ajo ditë, jeta jonë kishte marrë drejtim tjetër. Çdo ditë ne na dukej se po gëlltisnim hidhërimin. Shpesh herë motra dëneste hidhur. Çdo ditë, kur shikoja motrën, syt e saj më tregonin shikimin pyetës: Përse duhet të na e thoshte ne mamaja që ne jemi të adoptuarit e saj?
Kjo pyetje ndikonte tek unë që ta shihja motrën pikëllueshëm.
Në çdo bisedë që bënim ne të dy motër e vëlla rreth asaj çfarë na kishte thënë mamaja jonë, ndjeja vrunduj rrënqethës të ma përshkonin trupin.
Motra më fliste dhe mundohej të më bindte për çdo bisedë apo sugjerim. Syt e saj tregonin dhimbje dhe ndrinin të pikëlluar.
Nga bisedat e ndryshme që bënim, po kuptoja motrën se ishte rritur para kohe. Si mund ta besonim ne ato që kishim dëgjuar!
A mund ta besonim ne, që mamaja jonë e dashur, nuk është mamaja jonë e vërtetë?
Lidhja ime me motrën u shtua edhe më shumë. E vetmja dëshirë e jona e papërmbajtshme ishte të njihnim, të takonim mamanë tonë biologjike.
Në muajt, vitet në vazhdim, dallova ndryshimi tek motra ime. Nuk kishte fare interesim për të mësuar, madje edhe shkollën donte ta ndërpriste që në klasën e 10-të. Filloi të frekuentonte pijet alkoolike, madje të tymoste edhe cigaret. Cigaret më të preferuara për të ishin “Parlament”
Mamaja vinte vonë nga puna, mbrëmjeve. Gjatë ditës, motra, më ftonte edhe mua në dhomën e saj të gjumit dhe të dy së bashku bisedonim gjatë dhe përhumbeshim rreth çështjes sonë nën shoqërinë e shijes së birrës dhe të cigareve. Ishim bërë që të dy përdorues të alkoolit, cigareve, madje edhe të marijuanës.
Një ditë, motra më tha se kishte marrë vendimin e saj dhe prisnim të vinte mamaja nga puna. Edhe unë ia përkraha mendimin që ajo më shprehu. Atë kohë, unë, sapo isha njohur me një vajzë, që ishte edhe e dashura ime e parë.
– Mama – iu drejtua motra mamasë kur ajo erdhi në shtëpi dhe u rehatua. – Unë dhe vëllai dëshirojmë, madje e kemi vendosur, duam të njohim prindërit tanë biologjik, të paktën mamanë tonë që na ka lindur.
Zëri i motrës u dëgjua i përvajshëm. Në fytyrë iu dallua një shenjë brenge. Rrënkoi dhimbshëm. Edhe pse u mundua të përmbajë veten, nuk mundi; u shkreh në ngashërim.
Mamaja nuk e priste atë kërkesë të motrës; I hodhi një shikim hetues, madje të dhimbshëm. Ngrysi ballin. Ndjeu një drithërimë habie.
Ndërhyrja ime në mbështetje të kërkesës së motrës dhe këmbëngulja jonë, u duk se ne të dy motër e vëlla kishim bërë një marëveshje të heshtur.
Mamanë, sikur e kapi një angështi. U përpoq të largonte mjegullën e habisë dhe të mblidhte veten. Në fytyrën e saj mua m’u duk se dallova një shprehje faji. M’u dhimbs shumë kur e pash në atë gjendje hutimi.
Pas një heshtje të shkurtër, na tha: – Kur ne ju adoptuam juve, kemi nënshkruar një kontratë që, kërkesa dhe dëshira juaj për të njohur dhe takuar mamanë, prindërit tuaj biologjik, mund të realizohet pas moshës 18 vjeçare. Por, mundësia më e madhe është që nuk mund t’ju plotësohet dëshirë kërkesa juaj, sepse edhe bashkëshorti im edhe mjeku gjinekolog nuk jetojnë më. Madje, edhe mamaja juaj që ju lindi ka ndëruar shtet dhe nuk e di se ku ndodhet.
Rrënkova me vete. Ato fjalë të mamasë, ajo përgjigje e saj, na vrau shumë shpirtërisht, sikur na i shuajti edhe ato shpresa që kishim.
Motra kishte filluar të acarohej shumë. Kërkesën për të njohur dhe takuar mamanë tonë që na kishte lindur, ia përsëriste shpesh mama Betit, sa ato kërkesa u bënë edhe shumë të bezdisshme, sipas fjalëve të mamasë.
Një ditë, në nxehje e sipër, me një zemërim të papërmbajtur, me zë autoritar, motra i tha mamasë se do largohej nga shtëpia në gjetjen e mamasë biologjike.
– Nëse ikën nga shtëpia, mendohu mirë; Ua kam thënë shpesh, do interesohemi bashkë dhe, një ditë, shpresoj që ta takoni… – iu përgjigj mamaja me një mirësjellje të stërholluar.
Dallova në fytyrën e motrës një shprehje mosbesimi. E pa mamanë me vrazhdësi. Qeshi hidhur. Ktheu krahët dhe u largua.
Shikimin e hodha nga mamaja; fytyra e saj tregonte sikur po përpiqej të kthjellonte mendimet.
Shpresa që një ditë do takojmë, do njohim mamanë tonë që na ka ushqyer me gjakun e saj, mamaja që na ka lindur, na ka ushqyer me qumështin e gjirit të saj tre muajt e parë të jetës sonë, na ka shoqëruar gjatë gjithë këtyre viteve që kur mama Beti na e tha të vërtetën.
Por, ajo shpresë, duket se është shuar njëherë e përgjithmonë.
Shpesh herë e bisedoj me motrën dhe nuk gjejmë dot përgjigjen e pyetjeve torturuese: Përse mama Beti duhet të na e thoshte neve të vërtetën e adoptimit dhe pikërisht në moshën tonë 15 vjeçare?! Ç’e shtyu të na e tregonte atë të vërtetë?!
Oohh! Këto e shumë pyetje të tjera torturuese që nuk na hiqen nga mendja i drejtonim njëri tjetrit unë dhe motra ime. Ishte gabimi i mamasë, apo sinqeriteti i saj që tregoi me ne?!
Unë dhe motra ime nuk dimë se kush jemi, kush janë prindërit tanë biologjik, kush është origjina jonë!
Edhe mama Beti e vuan shumë atë, që ajo e quan gabimin më të madh të jetës së saj që ka bërë. Këtë, na e ka thënë Xhina, ish dadoja jonë që na ka rritur dhe që tani punon tre herë në javë në mirëmbajtjen dhe pastrimin e apartamentit ku banon mamaja.
Unë dhe motra ime jemi të pasur materialisht; nuk na mungon asgjë. Edhe dashuria e mama Betit vazhdon të mos na mungojë.
Jetën tonë të ardhme e kemi të siguruar me trashëgiminë e mamasë, por, ne nuk kemi atë pasuri që do na mungojë shumë gjatë gjithë jetës sonë, që na mungon, që po e kërkojmë dhe akoma nuk e kemi gjetur.
Është ajo brengë e madhe që po na e gërryen shpirtin tonë; të njohim e të takojmë një ditë mamanë tonë biologjike.
Është ajo brengë, ai makth, ai çast i shumëpritur që ne po e ëndërojmë me shpresën e madhe, që një ditë dëshira jonë të realizohet.