
Termi apo nocioni “Ballkan” është i ngjyrosur me kuptime negative, si: dhunë, mosdurim fetar dhe etnik, prapambetje e përgjithshme, korrupsion dhe ndarje. Në gjuhën angleze, fjala balkanisation (ballkanizim) ka kuptimin e copëzimit dhe të intolerancës midis fraksioneve brenda ndonjë grupi.
* * *
Gadishulli Ballkanik është emërtim i rajonit gjeografik dhe politik të Evropës. Varësisht nga autorët, në veriperëndim ai kufizohet me Gjirin e Kvarnerit, Gjiri i Triestes ose me ndonjë vend tjetër në detin Adriatik. Në lindje kufizohet me grykën e Danubit në Detin e Zi ose deri në portin e Odesës në Ukrainën e sotme. Duke pasur parasysh gjerësinë dhe pasigurinë e vendndodhjes së kufijve të rajonit të përcaktuar kështu ndaj pjesës tjetër të Evropës kontinentale, nga pikëpamja e profesionit gjeografik nuk është mirë të flitet për një “gadishull”.
I pari që e përmendi historinë e “Gadishullit Ballkanik” ishte natyralisti gjerman Johan August Zene (Johann August Zeune, 12 maj 1778 –14 nëntor 1853), i cili në vitin 1808 sugjeroi të flitet për një gadishull, të kufizuar në veri me Malet Ballkanike që shtrihen në territorin e Bullgarisë së sotme paralelisht me lumin Danub. Zene shkroi gabimisht se malet shtriheshin deri në detin Adriatik. Mendimi i tij më vonë u hodh poshtë njëzëri nga ekspertët gjeologjikë dhe gjeografikë. Megjithëkëtë, gjatë shekullit XIX termi “Ballkan” u përdor si një përcaktim gjeopolitik që përfshinte pjesën evropiane të Perandorisë Osmane, kufijtë shtetërorë të së cilës gjatë atij shekulli u tërhoqën gradualisht drejt jugut.
Gjeografi serb, themelues i Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve, Jovan Cvijiq (1865–1927) është një prej krijuesve të konceptit të Gadishullit Ballkanik në fillim të shekullit XX. Interpretimet e tij ishin në përputhje me pretendimet territoriale të Serbisë të fillimit të shekullit XX. Ai propozoi që edhe Sllovenia të konsiderohej pjesë e Ballkanit. Kufijtë perëndimorë gjeopolitikë të Ballkanit ai i identifikoi me hapësirën etnike të banuar nga “serbo-kroatët”. Aty i përfshiu edhe sllovenët. Duke qenë se ky është një koncept gjeopolitik dhe jo gjeografik, pas ndërprerjes së pranisë së konsiderueshme turke në këto hapësira gjeografike, për zonat e “Gadishullit Ballkanik” përdoret përgjithësisht termi “Evropa Juglindore”. Kjo zonë, varësisht nga burimet, përfshin edhe pjesë të Rumanisë e të Moldavisë dhe Qipron. Por, ndonjëherë e përjashton Slloveninë, Kroacinë dhe Greqinë.
Termi “Gadishulli Ballkanik” u përdor në hartografi në shekullin XX, por në atë kohë nuk përfshinte zona të Bosnjës dhe Hercegovinës dhe të Kroacisë.
Rajoni e ka marrë emrin sipas malit Ballkan të cilin bullgarët e quajnë Mal i Vjetër. Fjala „ballkan“ në turqisht do të thotë mal. “Mal i Vjetër” i bullgarishtes, në gjuhën turke do të përkthehej si „Koxha Ballkan“.
Realizimi i plotë i idesë gjeopolitike të “Ballkanit” dukej i arritshëm në vitet 1940. Së pari, nën patronazhin britanik, në vitin 1941, qeveritë në mërgim të Mbretërisë së Jugosllavisë dhe të Greqisë ranë dakord për krijimin e një konfederate ballkanike. Ideja britanike ishte që kjo konfederatë të përfshinte edhe Shqipërinë, Bullgarinë dhe Rumaninë. Sipas disa historianëve, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, autoritetet komuniste të Jugosllavisë, të Shqipërisë dhe të Bullgarisë iu afruan realizimit të një ideje të tillë. Ata planifikonin të zgjeronin federatën jugosllave duke bashkuar Bullgarinë dhe Shqipërinë si republika të reja. Po qe se do të ishte e mundur, krijimit të një federate të madhe ballkanike do t’i bashkohej edhe Greqia. Lufta civile greke u zhvillua në vitin 1940 e këndej. Komunistët, të mbështetur nga shtetet komuniste fqinje, u përpoqën që atë vend ta vinin nën kontrollin e vet.
Planet për bashkimin e Ballkanit ranë në ujë kur BRSS pushoi së mbështeturi një ide të tillë në kohën e Rezolutës së Informbyrosë në vitin 1948. Pas kësaj, synimet e jugosllavëve për bashkim me Bullgarinë dhe Shqipërinë pushuan.
* * *
Për shkak të përkufizimit të gadishullit, shumë ekspertë e mohojnë ekzistimin e Ballkanit si një zonë gjeografike. Sipas disa studiuesve, përkufizimi gjeografik i Ballkanit bazohet në vargmalet që përfshijnë Dinaridet, Malet Ballkanike, Rodopet, malin Sharr dhe malin Pind. Ky përkufizimi e përjashton Slloveninë, përjashton pjesë të Kroacisë dhe të Rumanisë, pjesët veriore të Serbisë, veriun e largët të Bullgarisë dhe Greqinë jugore.
Ndonjëherë, e tërë masa tokësore quhet „Gadishull Ballkanik“ për arsye se në jug, në jugperëndim dhe në juglindje rrethohet nga deti Adriatik, nga deti Jon, nga Deti Egje, nga deti Marmara dhe nga Deti i Zi. Edhe pse nuk kemi të bëjmë me gadishull të mirëfilltë, ky emërtim shpesh përdoret për rajonin e gjerë.
* * *
Kufijtë veriorë dhe perëndimorë të Ballkanit janë të diskutueshëm. Fushat e Danubit dhe të Panonisë shpesh nuk konsiderohen pjesë e Ballkanit. Ka të tillë që besojnë se pjesët në veri të lumit Sava dhe të lumit Danub, siç janë Sllovenia dhe pjesa më e madhe e Rumanisë, nuk janë pjesë e Ballkanit.
Ballkani nuk paraqet tërësi për shkak të vargmaleve por për shkak të historisë së përbashkët dhe shpesh të dhunshme të popujve të tij. Kjo histori është shënuar kryesisht nga shekuj nënshtrimi ndaj Perandorisë Osmane ose luftërash kundër saj, si dhe konfliktesh të ndërsjella në shekullin XX. Ballkani më shpesh përdoret si një term politik sesa gjeografik ku përfshihen vendet, kulturat e të cilave kanë qenë të ndërthurura ndër shekuj me kulturën dhe me politikën osmane.
Termi apo nocioni “Ballkan” është i ngjyrosur me kuptime negative, si: dhunë, mosdurim fetar dhe etnik, prapambetje e përgjithshme, korrupsion dhe ndarje. Në gjuhën angleze, fjala balkanisation (ballkanizim) ka kuptimin e copëzimit dhe të intolerancës midis fraksioneve brenda ndonjë grupi.
Për këtë arsye, kjo fjalë nuk përdoret shpesh në rajonet periferike dhe nganjëherë konsiderohet përçmuese. Për Ballkanin ekziston edhe një term më neutral siç është “Evropa Juglindore”. Ky nuk është një term gjeografik për arsye se nuk e përfshin Rumaninë. Ky term përdoret gjithnjë e më shumë për të për të mjegulluar përfshirjen e vendeve të caktuara në Ballkan. Për shembull, një nismë e Bashkimit Evropian e vitit 1999 quhet Pakti i Stabilitetit për Evropën Juglindore. Në vitin 2003 gazeta online Balkan Times u riemërua në Southeast European Times.
* * *
Ka vende që janë vendosur në Gadishullin Ballkanik sipas vijës Danub-Sava-Kupa
Me tërë sipërfaqen e tyre, pa ishujt, ndodhen në Ballkan vendet, si: Shqipëria, Kosova, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Mali i Zi, Greqia dhe Maqedonia e Veriut.
Vetëm pjesërisht në Ballkan ndodhen vendet, si: Serbia 60%, Turqia (Trakia lindore), Rumania 9% e zonës midis Detit të Zi dhe Danubit, Kroacia me pjesën më të madhe (në jug të lumit Sava).
Natyra dhe burimet – Pjesa më e madhe e rajonit është e mbuluar nga vargmalet. Vargmale kryesore janë Dinaridet në Bosnje dhe Hercegovinë që vazhdojnë në masivin Sharr-Pind në Shqipëri, Maqedoni dhe Greqi. Bullgaria e ka Malin Ballkan dhe Rodopet në kufi me Greqinë. Maja më e lartë është Musala në Bullgari, me lartësi 2925 m.
Në detin Adriatik dhe në detin Egje klima është mesdhetare. Në brigjet e Detit të Zi klima është oqeanike e lagësht dhe nëntropikale, ndërsa në brendësi është mesatarisht kontinentale. Veriu i gadishullit dhe malet kanë dimra të ftohtë dhe me dëborë si dhe verë të nxehtë dhe të thatë. Në jug, dimrat janë më të butë.
* * *
Në jug dhe në bregdet rriten dru halorë. Në brendësi ka pyje tipike të Evropës Qendrore (lisi dhe ahu, në male rriten pishat dhe bredhi). Kufiri i shtrirjes së pyjeve është 1800 deri në 2000 m.
Toka në Ballkan është përgjithësisht e varfër, përveç fushave ku bari natyror, toka pjellore dhe verat e nxehta janë të përshtatshme për t’u shfrytëzuar si tokë e punueshme. Në pjesën më të madhe të gadishullit, bujqësia është e dobët për shkak të maleve, verave të nxehta dhe tokës së varfër e cila është e përshtatshme vetëm për disa kultura bujqësore, siç janë ulliri dhe rrushi.
Burimet e energjisë janë të rralla. Ka qymyr sidomos në Bullgari, në Kosovë, në Serbi dhe në Bosnjë e Hercegovinë. Depozitat e linjitit janë më të përhapura. Nafta është e rrallë, ndonëse në Shqipëri dhe në Serbi ka depozita të vogla. Gjithashtu nuk ka shumë gaz natyror. Ka një numër të madh hidrocentralesh.
Prej lëndëve të para, ka sasi të konsiderueshme metalesh. Hekuri është i rrallë, por disa vende të rajonit kanë sasi të konsiderueshme bakri, zinku, kallaji, kromi, mangani, magnezi dhe boksiti. Disa metale eksportohen.
E kaluara dhe e tashmja – Një hartë gjeografike të Kroacisë turke, të Bosnjës dhe Hercegovinës turke dhe të rajoneve të tjera deri në Stamboll, në hartën e pushtimeve osmane në Evropë e ka punuar në vitin 1827 hartografi amerikan Entoni Finlej (Anthony Finley, 25 gusht 1784 – 9 qershor 1836).
Ballkani është rrugë tokësore e drejtë midis Evropës Perëndimore dhe Azisë Jugperëndimore (Azia e Vogël dhe Lindja e Afërt). Prandaj gjithmonë ka pasur rëndësi strategjike të madhe.
Dikur pjesa më e madhe e Ballkanit politikisht ka qenë e bashkuar nën Bizantin, pastaj edhe nën Perandorinë Osmane, kurse qendra e të dy perandorive ka qenë në Anatoli, e cila sot bie në pjesën aziatike të Turqisë.
Edhe pse nën Bizantin u takonte pjesëve më të përparuara të Evropës, 550 vitet e fundit Ballkani ka qenë pjesa më e pazhvilluar e kontinentit, për arsye se politika dhe tregtia evropiane i është kthyer oqeanit Atlantik, kurse Perandoria Osmane ka qenë relativisht e izoluar prej rrjedhave ekonomike dhe politike kryesore.
Vendet ballkanike nisën të fitojnë pavarësi në shekullin XIX, kështu që Lidhja Ballkanike e viteve 1912-1913, në Luftërat Ballkanike e dëboi Turqinë deri në kufijtë e tashëm të saj.
Lufta e Parë Botërore shpërtheu në vitin 1914 për shkak të vrasjes në Sarajevë të trashëgimtarit të fronit Franc Ferdinad (Franz Ferdinand Carl Ludwig Joseph Maria of Austria; 18 dhjetor 1863 – 28 qershor 1914). Pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore dhe të Luftës së Dytë Botërore, ndikim të fuqishëm në Ballkan ushtruan edhe Bashkimi Sovjetik dhe komunizmi.
Gjatë Luftës së Ftohtë(, shumica e vendeve të Ballkanit ishin nën diktatura komuniste dhe ishin anëtare të Paktit të Varshavës. Megjithëkëtë, Jugosllavia në vitin 1948 dhe Shqipëria në vitin 1961, u ndanë nga Bashkimi Sovjetik dhe u përpoqën të distancoheshin. Jugosllavia u përpoq të afrohej me Perëndimin. Themeloi edhe Lëvizjen e të Painkuadruarve (e të Paangazhuarve). Shqipëria në fillim iu drejtua Kinës, kurse më vonë i prishi marrëdhëniet me Pekinin. Të vetmet vende jokomuniste të Ballkanit ishin Greqia dhe Turqia të cilat atëherë, siç janë edhe sot, ishin anëtare të NATO-s.
Shënim: Lufta e Ftohtë ishte konflikt politik midis aleancës së NATO-s të udhëhequr nga ShBA-ja dhe Traktatit të Varshavës, të udhëhequr nga Bashkimi Sovjetik. Filloi në vitin 1945 dhe u mbyll në vitin 1991.
* * *
Rajoni u prek rëndë nga luftërat në ish-Jugosllavi që shpërthyen në fillim të viteve 1990. Këto luftëra çuan në ndërhyrjet e NATO-s në Bosnjë dhe Hercegovinë, në Kosovë dhe në Maqedoni. Ndërkohë, të gjitha vendet e Ballkanit vendosën marrëdhënie të mira me BE-në dhe me SHBA-në. Shikuar në përgjithësi, çështja shqiptare në Ballkan ende është pjesërisht e hapur. Shqiptarët synojnë bashkimin e trojeve historike dhe krijimin e Shqipërisë etnike.
Anëtarësimi në Bashkimin Evropian – Greqia ka qenë anëtare e Bashkimit Evropian që nga viti 1981. Bullgaria dhe Rumania u bashkuan në vitin 2007, kurse Kroacia – në vitin 2013. Maqedonia është bërë kandidate zyrtare, por bisedimet po ecin shumë ngadalë dhe nuk dihet se kur do të pranohet. Turqia aplikoi për anëtarësim qysh në vitin 1963, por deri në vitin 2016 nuk arriti të bëhet anëtare. Duke marrë parasysh lëvizjet e ngadalshme, përkatësisht inekzistente, edhe gjatë nuk do të mund të anëtarësohet. Edhe pse janë lidhur marrëveshje doganore të caktuara. Edhe vende të tjera kanë shprehur dëshirën të hyjnë në BE, por ende nuk dihet se kur do ta arrijnë këtë.
Qëndrimet e popullit dhe të elitës politike në Kroaci mbi (mos)përkatësinë Ballkanit – Historia e kohëve të fundit e Kroacisë u shënua së pari nga shembja e Austro-Hungarisë si një kuadër shtetëror i Evropës Qendrore dhe pranimi i saj në Jugosllavinë e vjetër dhe në Jugosllavinë e re, shtete me një karakter “ballkanik” të qartë. Pas përpjekjeve për të zgjidhur çështjen kombëtare brenda kornizës jugosllave përmes Banovinës së Kroacisë dhe Republikës Socialiste të Kroacisë, trazirat gjeopolitike në Evropë në vitet 1940 çuan në krijimin e Shtetit të Pavarur të Kroacisë që ekzistoi vetëm pak kohë dhe në rrethana tragjike. Elitat kroate e shfrytëzuan më mirë paqëndrueshmërinë gjeopolitike të shkaktuar nga rënia e murit të Berlinit, nga shpërbërja e BRSS-së dhe nga ngjarje të tjera gjeopolitike dramatike në Evropë në vitet 1990. Pasoi “Lufta për atdhe” e viteve 1991-1995. Kroatët arritën ta shkëpusnin përgjithmonë Republikën e Kroacisë nga Jugosllavia, pra “nga Ballkani”. Megjithëkëtë, gjurmët dhe arsyet për lidhjen me rajonin e Evropës Juglindore pjesërisht ende ekzistojnë. Në vitin 2021 u tha se kufijtë kulturorë të kroatëve shtrihen në Evropën Qendrore, në “Ballkan” dhe në Mesdhe. Popullsia identifikohet më lehtë me rrethin kulturor dhe qytetërues mesdhetar, pastaj në një masë disi më të vogël me Ballkanin, domethënë me “rrethin kulturor dhe qytetërues të Evropës Juglindore” dhe vetëm pas kësaj, me Evropën Qendrore. dilema të ngjashme lidhur me identifikimin e përkatësisë rretheve kulturore dhe qytetëruese vërehen edhe te popujt e vendeve të tjera post-socialiste të Evropës.
Integrimi i tregtisë së jashtme të “Ballkanit Perëndimor” brenda kornizës së CEFTA-s – Pas rënies së bllokut Lindor, Bashkimi Evropian mbështeti integrimin e ndërsjellë ekonomik të vendeve deri vonë socialiste në Evropë, brenda kornizës së Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA). Pasi shumica e vendeve anëtare të CEFTA-s u bënë anëtare të plota të Bashkimit Evropian, pas vitit 2013, Shqipëria, Kosova, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Moldavia, Maqedonia e Veriut dhe Serbia mbetën brenda kornizës së CEFTA-s. Me fjalë të tjera, u krijua një zonë e tregtisë së lirë, kryesisht me “karakter ballkanik”. Në vitin 2022, tregtia e jashtme e Republikës së Kroacisë realizohej kryesisht me Italinë, Slloveninë, Hungarinë, Gjermaninë dhe Austrinë. Shkëmbimi tregtar i Kroacisë me vendet e CEFTA-s dhe me vendet anëtare të BE-së që i përkasin “Ballkanit”, arrin më pak se 20%.
Popuj të Ballkanit – Popuj kryesorë të rajonit janë: shqiptarët, grekët, malazezët, maqedonasit, serbët, bullgarët, boshnjakët, kroatët, turqit.
Fetë kryesore të rajonit janë: krishterimi (ortodoksia) dhe islami, që u përhap gjatë sundimit të Perandorisë Osmane.
Ortodoksia është e përhapur në Bullgari, në Mali të Zi, në Greqi, në Rumani, në Serbi, në Maqedoni, në Shqipëri.
Feja islame është e përhapur në Turqi, në Bosnjë dhe Hercegovinë, në Kosovë, në Maqedoni, në Shqipëria, në Serbi, në Bullgari.
Katolicizmi është i përhapur në Kroaci dhe në Slloveni. Serbët e Kroacisë i përkasin fesë ortodokse. Në Kroaci ka edhe shqiptarë katolikë që kanë vajtur aty nga Kosova si dhe shqiptarë të fesë islame, që kanë vajtur aty kryesisht nga Maqedonia. Një numër boshnjakesh (myslimanë) janë vendosur në Kroaci dhe në Slloveni.
Vendet me një përzierje të theksuar të feve:
– Bosnja dhe Hercegovina: feja islame, islame, feja ortodokse dhe feja katolike;
– Qiproja (ishull): feja ortodokse dhe feja islame. Grekët janë kryesisht ortodoksë (70-72% e ishullit); turqit janë kryesisht myslimanë (28–30% e ishullit);
– Maqedonia e Veriut: Maqedonasit janë kryesisht ortodoksë, shqiptarët në Maqedoni janë kryesisht myslimanë. Në Maqedoni ka pasur dhe vazhdon të ketë shqiptarë katolikë. Në rajonin e Rekës që ndodhet midis Gostivarit dhe Mavrovës, kanë jetuar dhe vazhdojnë të jetojnë shqiptarë të fesë ortodokse. Aty ka lindur poeti, publicisti dhe veprimtari i Rilindjes Kombëtare Josif Bageri (Nistrovë të Rekës, sot Maqedoni e Veriut, 1868 – Prishtinë, 1915)
– Kosova ka një popullsi shumicë absolute shqiptare. Pjesa më e madhe i përkasin fesë islame, por ka edhe një përqindje të konsiderueshme shqiptarësh katolikë. Serbët e Kosovës janë të fesë ortodokse.
Siç u pa edhe më lartë, rreth 30 për qind e popullsisë së Maqedonisë së Veriut janë shqiptarë. Greqia veriore dhe Bullgaria jugperëndimore kanë një pakicë maqedonase. Trakia (provincë në Greqinë lindore) ka një pakicë myslimane. Greqia ka një bashkësi shqiptare e cila përbëhet kryesisht nga shqiptarë që emigruan në vitin 1990 e këndej dhe një komunitet ortodoks të quajtur arvanitë që janë vendosur në Greqi gjatë Mesjetës. Shqipëria jugore ka një pakicë ortodokse greke në zonën e Epirit të veriut.
Në Kosovën lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë) jetojnë shqiptarë. Janë të fesë islame. Në Sanxhak të Serbisë jetojnë boshnjakë (myslimanë), kurse në Vojvodinë jetojnë hungarezë katolikë. Në Vojvodinë ka edhe malazezë. Kuptohet, ata i përkasin fesë ortodokse. Boshnjakë (myslimanë) jetojnë edhe në Mal të Zi. Në veri të Rumanisë ka hungarezë katolikë. Në Rumani dhe në Bullgari ka turq.
Sikundër shihet, Ballkani është përzierje gjuhësh, përkatësish etnike, kulturash, traditash, zakonesh, dokesh, adetesh, ushqimesh, veshjesh, vallesh, këngësh popullore, lojërash popullore, instrumentesh dhe veglash muzikore, psikologji, mendësi, vese, virtyte, vlera, etj. Popujt kanë marrë nga njëri-tjetri dhe i kanë dhënë vlera njëri-tjetrit. Ballkani në paqe dhe në luftë, fuçi baruti. Mitet dhe legjendat e lashta ballkanike, Ismail Kadareja ia përçoi Perëndimit, si asnjë artist tjetër.
Duke u përfshirë në familjen e botës demokratike, Ballkani do t’i jepte fund Bellum omnium in omnes.
Xhelal Zejneli