Qendra e Prishtinës u shndërrua të martën në zonë përplasjesh të rrepta ndërmjet njësiteve speciale të Policisë së Kosovës dhe protestuesve.
Forcat e rendit kanë përdorur gazin lotsjellës dhe topat e ujit për të shpërndarë protestuesit e mbledhur në sheshin qendror të kryeqytetit, kurse protestuesit janë parë duke hedhur gurë dhe gjësende të tjera në drejtim të policisë.
Njësitet speciale të policisë kanë qenë të vendosura në pothuajse të gjitha rrugët sporadike që çojnë drejt sheshit qendror në Prishtinë.
Zëdhënësi i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Shpend Fazliu, ka njoftuar se numri i personave që kanë kërkuar ndihmë ka arritur në 30.
Numri i të ndaluarve nga autoritetet e rendit thuhet të jetë gjithashtu rreth 30.
Në mesin e tyre mediat vendore raportojnë se është edhe Shpend Ahmeti, kryetar i komunës së Prishtinës, njëherësh nënkryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, parti kjo e cila ka organizuar protestën e sotme.
Në një komunikatë të mëhershme për opinion, policia e Kosovës ka njoftuar se “rreth orës 12:45 minuta, pas fjalimeve nxitëse nga ana e organizatorëve, një grup prej disa protestuesve kanë filluar të sulmojnë policët, duke hedhur gjësende të ndryshme, mjete të forta, mjete piroteknike në drejtim të njësiteve policore, të cilat detyrimisht janë dashur të intervenojnë për t’i parandaluar sulmet e tilla, duke përdorur mjetet policore të ligjshme”.
Policia e Kosovës u ka bërë “thirrje protestuesve që të protestojnë në mënyrë të qetë dhe të mos bien pre e provokimeve”.
Protesta kishte nisur në orën 12:00, e thirrur nga nga partitë politike në opozitë, në kërkim të shkarkimit të ministrit për Komunitete dhe Kthim në qeverinë e Kosovës, Aleksandar Jabllanoviq, dhe shpalljes së kombinatit metalurgjik “Trepça” si ndërmarrje e veçantë publike.
Përreth qeverisë ishin vendosur rrethojat dhe forcat e rendit. Protestuesit po kërkonin që në fillim të nisjes së protestës heqjen e rrethojave për të mundësuar, siç thanë, të drejtën për të protestuar.
“Sheshi është i yni, jo i qeverisë”, “Trepça është e jona”, “Jabllanoviq jashtë”, “Hiqni barrikadat”, “Poshtë Qeveria”, ishin vetëm disa nga thirrjet e protestuesve.
Ndryshe, Jabllanoviq i kishte quajtur më 6 janar “egërsira” protestuesit në Gjakovë, të cilët po përpiqeshin të pengonin disa pelegrinë serbë që të vizitojnë Gjakovën me rastin e Krishtlindjeve Ortodokse. Jabllanoviq ka kërkuar falje për deklaratën e bërë.
Protesta e sotme pason protestën e së shtunës, më 24 janar, e cila përfundoi me një “ultimatum” dhënë qeverisë së Kosovës që brenda 48 orësh të shkarkojë zotin Jabllanoviq dhe të procedojë në Kuvendin e Kosovës ligjin e veçantë për Trepçën.
Qeveria e Kosovës nuk i është përgjigjur kërkesave të parashtruara.