NGA FRANK SHKRELI/
Kryengritja civile në Ukrainë vazhdon, ndërsa të dy palët kundërshtare kanë mbetur pezull duke kërkuar mbështetje jashtë vendit. Ndërkohë që thuhet se Rusia ka pezulluar, tani për tani, ofertën për ndihmë prej 15-miliard dollarësh kredi për Ukrainën, njoftohet se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian janë duke përpiluar një program ndihmash për Ukrainën. Gjëndja e ndërlikuar në Ukrainë vazhdon, ndërsa protestuesit gjithnjë mblidhen për të protestuar në sheshin Maidan. Ata janë të zemëruar nga politika pro-ruse dhe vendimet e gabuara të presidentit ukrainas, Yanukovych si edhe nga ndërhyrjet e ashpëra të policisë dhe forcave të Ministrisë së Mbrendshme kundër protestuesve, ku bien në sy sidomos sulmet kundër gazetarve që mbulojnë protestat, sulme këto që kanë tërhequr vëmendjen dhe kritikat ndërkombëtare.
Gjithmonë në raste të tilla protestash e demonstratash kundër politikave të imponuara dhe kundër shkeljeve flagrante të të drejtave të njeriut kudo në botë, janë gazetarët dhe liria e gazetarisë në përgjithësi, që janë viktimat e para, duke qenë të parët që pësojnë ndëshkimin nga dora e rëndë e shtetit dhe e policisë. Kështu po ndodhë edhe në Ukrainë. Jo se gazetarët ukrainas kanë gjë të bëjnë me protestat dhe kryengritjet civile, por si zëdhënse të së vërtetës që duhet të jenë për publikun, shteti dhe policia nuk janë të interesuar që e vërteta t’i njoftohet botës mbi ato se ç’po ndodhë në sheshet dhe rrugët e Kievit dhe qyteteve të tjera ukrainase. Andaj qëllimi është kërcënimi dhe frikësimi i medias, ashtuqë gazetarët të qëndrojë larg dhe të mos njoftojnë të vërtetën mbi protestat dhe mbi dhunën e shtetit kundër qytetarëve të vet.
Njoftohet se gjatë protestave të vazhdueshme në Ukrainë, policia me sulmet e saj ka plagosur dyzina gazetarësh. Instituti Ukrainas për Media thotë se ka pëpiluar një listë me 60 emëra gazetarësh të rrahur e të plagosur. 48 prej tyre, sipas Institutit, janë plagosur në kryeqytetin Kiev, ndërsa të tjerët në qytete të tjera ukrainase siç janë Cherkasy, Dnepropetrovsk dhe në Zaporozhye. Ndërkaq, organizata e të drejtave të njeriut, Human Rights Watch me qëndër të New York, thotë në një raport mbi sulmet kundër gazterave në Ukrainë se, në të vërtetë numri i gazetarve të sulmuar dhe të rrahur gjatë protestave në Ukrainë mund të jetë më i madh se ç’raportoi Instituti Ukrainas për Median, pasi vet kjo organizatë ka dokumentuar abuzime dhe sulme ndaj disa gazetarve që nuk përfshihen në listen e Institutit Ukrainas për Median.
Human Rights Watch u bën thirrje partnerve ndërkombëtarë të Ukrainës që të bëjnë hetime mbi shkeljet serioze të të drejtave të njeriut dhe që përgjegjësit e këtyre abuzimeve të dalin para drejtësisë, në përputhje me standardet ndërkombëtare. Organizata Human Rights Watch citon përfaqsuesen e saj Anna Neistat, e cila gjëndet në Kiev se, “Është e mundur që një gazetar ose një infermier të qëllohet aksidentalisht gjatë konfrontimeve me dhunë, por jo të sulmohen me dyzina përfaqsues të medias”, sidomos kur ata e identifikonin veten qartë, si përfaqsues të medias. Organizata e të drejtave të njeriut, Human Rights Watch thotë se “Sulmet kundër gazetarëve të cilët mbulojnë protestat publike, janë kundër obligimeve ndërkombëatre që ka marrë përsipërUkraina për zbatimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, veçanërisht të obligimit për të respektuar të drejtën e lirisë së shprehjes, përfshirë lirinë e medias.”
“Gazetarët dhe infermierët ishin duke kryer punën e tyre profesionale, ishin të pa-armatosur dhe nuk përbënin asnjë rrezik për policinë gjatë protestave në Kiev”, tha Ana Neistat e Human Rights Watch. Si rrjedhim, Human Rights Watch i bën thirrje OSBE-së dhe Këshillit të Europës, anëtare e të cilave është edhe Ukraina, që në lidhje me këto akte kriminale,të fillojnë menjëherë hetimet, në përputhje me obligimet ndërkombëtare të Ukrainës, mbi zbatimin e të drejtave të njeriut. Më heret, edhe OSBE-ja kishte shprehur shqetësimet e sajë mbi përdorimin e dhunës nga policia ukrainase kundër gazetarve në protestat e Kievit gjatë dy muajve të fundit.
Edhe organizata për mbrojtjen e gazetarave, “Reporterët pa Kufijë” me qëndër në Paris, i ka dënuar sulmet e dhunëshme kundër gazetarve ukrainas gjatë përleshjeve midis demonstruesve dhe forcave të sigurimit në Kiev dhe në qytete të tjera të Ukrainës. “Sulmet e qëllimshme kundër përfaqsuesve të medias janë të papranueshme, rreth të cilave duhet të zhvillohen hetime të plota dhe të paanshme”, thuhet në deklaratën e kësaj organizate. “Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të qetësohen dhe të respektojnë punën e përfaqsuesve të medias. Dhe gazetarët e burgosur gjatë kryerjes së detyrës së tyre profesionale duhet të lirohen menjëherë”, thuhet në deklaratën e “Reporterve pa Kufij’’
Sulmeve kundër përfaqsuesve të medias gjatë protestave civile në Kiev nuk u kanë shpëtuar as gazetarët ukrainas që punojnë për media ndërkombëtare siç janë Radio Europa e Lirë dhe Zëri i Amerikës. Në një noftim për median para disa ditësh, Bordi i Governatorve që mbikqyrë transmetimet ndërkombëtare të Shteteteve të Bashkuara njoftoi se Presidenti i Radio Europës së Lirë, Kevin Klose dhe anëtari i Bordit, Mathew Armstrong arritën në Kiev për tu takuar me gazetarët që punojnë për entet amerikane të transmetimeve të lajmeve në Ukrainë, dhe njëkohsisht për të denoncuar dhunën e përdorur kundër gazetarve dhe për tu bërë thirrje autoriteteve të Ukrainës që të zbatojnë detyrimet ndërkombëtare për respektimin e lirisë së shtypit dhe që të të garantojnë zbatimin e të drejtave bazë të gazetarve, përfshirë mbrojtjen e tyre nga dhuna. Përfaqsuesit e transmetimeve ndërkombëtare amerikane, u takuan me gazetarët e Radio Europës së Lirë në Kiev. Ata lavdëruan kurajon dhe angazhimin e tyre për të mbuluar potestat publike gjatë dy muajve të kaluar, megjith vështirsitë me të cilat janë përballuar. ”Një shoqëri e lirë nuk rrah gazetarët profesionistë ndërsa janë në krye të detyrës së tyre,” tha Kevin Klose.
Mathew Armstrong, anëtar i Bordit që mbikqyrë transmetimet e Radio Europës së Lirë dhe të Zërit të Amerikës, tha se Bordi që ai përfaqëson, “Dënon ashpër sulmet e policisë kundër gazetarve në Ukrainë. Përkrahja jonë për kolegët tanë të Radios Europa e Lirë dhe të Zërit të Amerikës që punojnë këtu, është e palëkundshme”. Ai shtoi se, “Ne bejmë thirrje që ata që kanë bërë sulme dhe abuzime të tilla kundër gazetarve, si dhe ata që dhanë urdhër për këto sulme, të mbahen përgjegjës për veprimet e tyre.” Sipas njoftimit të Bordit të transmetimeve amerikane ndërkombëtare, zotërinjtë Kevin Klose dhe Mathew Armstrong u takuan edhe me ambasadorin amerikan në Kiev, Z. Geoffrey Pyatt, i cili gjithashtu bëri thirrje për bërjen e hetimeve ndaj sulmeve kundër gazetarve dhe i kërkoi policisë dhe forcave të sigurimit ukrainas që të kryejnë detyrëne tyre në mënyrë profesioanle duke respektuar dhe duke mbrojtur të drejtën e gazetarve që të punojnë pa frikë në një mjedis të sigurt.”
Historikisht, sa më i fortë dhe më i vendosur që të jetë autoritarizmi shtetëror dhe policor i një vendi, aq më e madhe është dhuna dhe abuzimet kundër gazetarve, përfaqsuesve të medias dhe lirisë së shtypit në përgjithësi. Duket sikur diktatura dhe lufta kundër gazetarisë së lirë dhe të pavarur gjithmonë kanë shkuar dorë për dorë. Gjithmonë, gazetarët janë të parët që e pësojnë nga zemërimi dhe hidhërimi i diktatorëve dhe pseudo-diktatorëve. Kjo ishte e vërtetë gjatë diktaturës komuniste, kjo është e vërtetë edhe sot, siç tregon rasti i përdorimit të dhunës kundër gazetarve në Ukrainë, si dhe ushtrimi i dhunës dhe burgosja e gazetarve gjatë protestave anti-qeveritare në Turqi, kohë më parë. Fatkeqsisht, Ukraina dhe Turqia janë vetëm dy shembuj të fundit të abuzimit të të drejtës së fjalës së lirë dhe të keqtrajtimit të gazetarve. Sepse, siç ve në dukje organizata Freedom House në indeksin e saj të fundit mbi Lirinë e Stypit në botë, vetëm 14.5 e qytetarëve të botës jetojnë në vendet që gëzojnë lirinë e medias. Në pjesën tjetër të botës, sipas saj, qeveritë dhe aktorë jo-qeveritarë kontrollojnë median, pikpamjet dhe lajmet që ato i paraqesin qytetarve dhe njëkohsisht shtypin brutalisht zërat e pavarur, të cilët përpiqen të promovojnë përgjegjësinë e enteve shtetërore në kryerjen e detyrës që u ka besuar populli, qeverisjen e mirë dhe zhvillimin ekonomik të vendeve të tyre. Bazuar në përvojën e saj në përkrahje të të drejtave të njeriut dhe të fjalës së lire anë e mabnë botës, Freedom House thotë se, kufizimet ndaj medias së lirë dhe të pavarur, shpeshëherë janë një tregues se pasi t’i kenë shpallur luftë medias, qeveritë zakonisht fillojnë të sulmojnë edhe institucionet e tjera demokratike.
Prandaj, për të gjithë ata që besojnë në demokraci dhe në të drejtat bazë, universale të njeriut, për veten dhe për të tjerët, mbrojtja e lirisë së fjalës dhe e shtypit të lirë dhe të pavarur duhet të jetë një obligim i të gjithëve. Sepse, siç ka thënë edhe Tomas Xhefersoni, arkitekti i Kushtetutës amerikane dhe i lirive bazë të njeriut, përfshirë edhe lirinë e shtypit — “shtypi i lirë është thelbësor për funksionimin e një demorkacie”. Ashtuqë, do të ishte mirë që autoritetet qeveritare kudo qofshin ato në Kiev, në Ankara, në Uashington, Moskë, Pekin ose Tiranë, të mbrojnë dhe të lejojnë funksionimin normal dhe pa presione politike ose ekonomike të shtypit të lirë dhe të pavarur, duke mos ndërhyrë në punën e tij.