Aqif Përmeti, komandanti i 200 Trupave të Vatrës, që shkuan në Shqipëri për të zmbrapsur Vorioepiriotet të mbështetur nga ushtria greke në Jug, u shpërblye nga Enver Hoxha, …me pushkatim!/
Nga Dalip Greca/
Gazeta”Vullnetari” e Kol Rodhes, që botohej në Boston në vitet 1916-1918, ka përcjellë stërvitjen e Trupave Vullnetare të Vatrës, që nga momenti fillestar e deri në nisjen e tyre për në Shqipëri, shkurt 1920. Është fakt historik se këto trupa u stërvitën në SHBA dhe së bashku me Komandantin e tyre, Kolonel Aqif Përmeti, shkuan në Shqipëri dhe kontribuan për forcimin e sigurisë të kufijëve jugor të Shqipërisë, madje së bashku me Bandën Muzikore të Vatrës,e drejtuar nga Thoma Nasi) arritën deri në Luftën e Vlorës. Muzika e Himnit të Luftës së Vlorës ka për autor kompozitorin vatran Thoma Nasi.
Thoma Nasi u kthye ën SHBA, ndërsa Aqif Përmeti, u “shpërblye” për luftën kundër trupave greke dhe për kontributin e ngritjes së Gardës Kombëtare Shqiptare, duke u pushkatuar nga diktatuar e Enver Hoxhës.
Trupat Vullnetare të Vatrës u bënë më pas themeli i Gardës Kombëtare, ndërsa Banda Muzikore “VATRA”, u bë Banda Kombëtare e Shtetit Shqiptar.
Fotografia shoqëruese është marrë nga Gazeta “Vullnetari”, numër 12, e datës 20 Gusht 1916(kopje të koleksionit të kësaj gazeta e kam siguruar nga nipi i Kol Rodhes Emil Nace, që jeton në Chikago).
Personat që shihni në fotografi janë vatranë që nisën aso kohe stërvitjen pas pune për t’u përgatitur si oficerë me qëllim për t’i shërbyer Shqipërisë. Në qendër, personi me uniformë të zezë, me mustaqe, është komandanti amerikan i Trupave vullnetare në Natick, z. Charles Green. Ushtarët e identifikuar janë: Rako Katundi, Zaharia Chekani, Koli Kuqali(që më pas u kthye në Shqipëri dhe shërbeu si përkthyes në ambasadën amerikane në Tiranë), Koli Bodi, Rako Panariti, Lambi Jorganxhi, Toli Prifti, G. John, Sotir Andrea, Filip Thodor, Koli Nochka, Nake Treska, Ilo Burgaleci, Kocho Sterio, Rako S. Treska, Aleks Frashëri, Mihal Gërmenji,Gjimi Katundi, Kristo Lara, Vani Grechko, Nasi Dishnica, Naum Pojani, Kristo Trebicka, Idemene Bratko, Pando Kondili dhe Gjimi Panariti.(Për më shumë do të lexoni në Diellin e printuar specialen e përgatitur me rastin e përvjetorit të Lindjes së Kol Rodhes, i nderuar nga Presidenti i Shqipërisë me Urdhërin e Artë të Shqiponjës.)