• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJE LETER NGA KROACIA PER 110 VJETORIN E DIELLIT DHE APELI I EDITORIT

January 22, 2019 by dgreca

1 Aqif Permeti, darke ne hotel George Washington

NJE LETER NGA KROACIA PER 110 VJETORIN E DIELLIT DHE APELI I EDITORIT/

Ashtu sic kemi njoftuar që nga viti i shkuar, Viti 2019 shënon 110 vjetorin e Gazetës më të vjetër të botës shqiptare, Dielli-t, që vjen nga koha e Rilindjes Kombëtare. Thirrjes së Editorit për të kontribuar me dokumente arkivore rreth Diellit dhe Editorëve, me fotografi, me shënime biografike, me studime, etj, i janë përgjigjur edhe pasardhës të editorëve dhe menaxherëve të Diellit.

Një prej atyre, znj. Mirjam Deponte, me banim në Kroaci, mbesa e ish menaxherit të Diellit, komandantit të Trupave Vullnetare të Vatrës( Gardës Civile) Aqif Përmeti, pasi lexoi në Dielli online njoftimet për konkursin e Gazetës Dielli, për Konferencën shkencore dhe Ekspozitën fotografike, reagoi dhe është duke bashkëpunuar me editorin duke dërguar fotografi e materiale të tjera rreth gjyshit të saj. Së fundi ajo dërgoi fotografi intersante si: Betimi i oficereve me 12 mars, Shtepia e Oficereve, rruga e Kavajes, Tirane; foto Aqif Permeti me te birin Feti Permeti, ne inspektim te kufirit jugor, Hani i Delvinaqit, nentor 1940; foto nga SHBA: Darke per nder te kolonelit Akif Permeti nga Shqiperia , nga miqte himarjote ne hotel George Washington, 12 maj 1934 etj.

Edhe zonja Donika Omari, ka vënë në dispozicion materiale të ish editorit të Diellit , Bahri Omari.

Po ashtu ka reaguar znj. Burbuqe Panda, mbesa e ish Editorit të Diellit për vitet 1936-1940, Nelo Drizari, e cilia gjithashtu po bashkëpunon me editorin dhe po dërgon materiale.

Një falenderim i vecantë i shkon edhe gazetarit Ilir Ikonomi për ndihmesën që po jep, dhe gazetares Laura Konda.

Mesazhi i Editorit: U lutemi personave që kanë fotografi, dokumente arkivore, relike të ish editorëve të Diellit, menaxherëve, ish ndihmës editorëve, janë të lutur që t’i përcjellin pranë komisionit të festimit të 110 vjetorit të Diellit që funksionon pranë Vatrës, duke shfrytëzuar Email: gazetadielli@gmail.com(duke i scanuar fotografite ose materialet) ose duke i dërguar me postë në adresën:

VATRA

24 37 Southern BLVD

Bronx, NY, 10458

USA

***

KUJTESË PËR PJESMARRËSIT NË KONKURS

I kujtojmë edhe një herë ata që kanë dëshirë të marrin pjesë në Konkursin e Organizuar nga Gazeta Dielli për Librin, -Essenë më të mirë-në shqip ose anglisht, artikull studimor, Përkthimin, Dossierin, portretet etj. se afati i fundit është 31 Mars 2019, fituesit shpallen në darkën festive që përmbyll veprimtaritë, 6 Prill 2019. Për këtë qëllim është ngritur Juria e përbërë nga : Idriz Lamaj, Merita B. McCormack, Dr. Arjeta Ferlushkaj, Bujar Skendo, Alfons Grishaj, Rafaela Prifti dhe Dalip Greca.

Në fotografi: Darke per nder te kolonelit Akif Permeti nga Shqiperia , nga miqte himarjote ne hotel George Washington, 12 maj 1934

Filed Under: Featured Tagged With: AQIF PËRMETI, dalip greca, Leter nga Kroacia, Mirjam Deponte

GAZETA “VULLNETARI” DHE TRUPAT VULLNETARE TE VATRËS

September 25, 2017 by dgreca

GAZETA “VULLNETARI” NE AMERIKE ME BOTUES KOL RODHE DHE TRUPAT VULLNETARE TE VATRËS/

1 aqif Permeti

* Aqif Përmeti,(i pari ne foto) ish Menaxheri i Diellit, Komandanti që stërviti Trupat Vullnetare të Vatrës në SHBA dhe i shoqëroi në Shqipëri,- u shpërblye duke u pushkatuar nga Diktatura Komuniste….

2 Kole Rodhe
– Vatrani Kole Rodhe(Foto e dyte), ish Kryetari i Besa-Besën më 1908, themelusi dhe botuesi i Gazetës”Vullnetari”, ish Luftëtari i Cetave patyriotike të Korcës, ish deputeti i Parlamentit Shqiptar, ish Prefekti i Beratit, Gjirokastrës, Shkodrës, vdiq në Burgun e Burrelit….

4 gazeta Vullnetari

NGA DALIP GRECA*/Botoi Gazeta”DIELLI” SHBA

Gazeta “Vullnetari” ishte një tjetër pioniere e shtypit shqiptar në Mërgatën Shqiptare të Amerikës, që mori përsipër mbrojtjen e Shqipërisë në vitet e vështira të mungesës së shtetit. Fillimisht si një buletin informues e më pas një gazetë me pretendime profesionale ajo e kreu detyrën më së miri. Numri i parë i Vullnetarit është publikuar me 18 Shkurt 1916 në Natick-Massachusetts. Ishte e përdyjavshme, botuesi i së cilës fillimisht, në numrat e parë, nuk e shënonte emrin, por mjaftohej me shënimin:” Organ Kombëtar. Botohet dy herë në muaj- Popullore, Politike dhe Satirike. Pajtimi: Kush të dojë dhe sa të dojë.”
Në faqen e parë gazeta botoi programin, ku spikaste qëllimi i botuesit dhe mbështetësve të gazetës: Gazeta ka si qëllim të mbrojë vetëqeverimin dhe tërësinë e Shqipërisë, të forcojë Lëvizjen Kombëtare, të godasë çdo kundërshtar, që pengon Lëvizjen Kombëtare, të demaskojë publikisht para shqiptarëve intrigantët, provokatorët, dhe përçarësit, të mbajë lart nderin e atdhetarëve të shkëlqyer dhe shqiptarëve Kombëtarë etj.

DENONCIMI I MASAKRAVE GREKE

Vullnetari, që në numrin e parë denonconte masakrat e grekëve në Jug të Shqipërisë dhe vajtonte fatin e popullit të masakruar, ndërkohë që godiste fort përçarjet mes shqiptarëve, përfshi dhe tek shqiptarët e Amerikës.
Në numrin e parë Vullnetari shkruante: A e dëgjoni vajtimin e nënave shqiptarka? A e dëgjoni ulërimën e fëmijëve?Keni pak mëshirë për ata që presin dhe shpresojnë në punërat tuaja, në veprat, në shpëtimin tuaj. A është koha tani, or zotërinj, për sharje, për çpifje kundra njeri-tjetrit? Vullnetari sillte në vëmendje vargjet e Vaso Pashë Shkodranit:
Vjen njeri i huaj dhe u rri në Votër
Për me Ju turpnu me gru e me motër,
Mblidhuni ju varza, mblidhuni ju gra,
Me ata syt’ e bukur që dini me kja….
Edhe të vajtoni Shqipninë e mjerë,
Qi ka met’ e shkret’, pa emën e pa ner..
Nuk, nuk , këtë marrni kurkush s’e do…
Kët’ faqe të zezë kurkush se duron….
Editoriali i Gazetës titullohej”Kush na mpron e mprojmë dhe i jemi mirënjohës”. Në të demaskohej pabesia dhe dinakëria turke ndaj shqiptarëve, si dhe politika agresive e shteteve fqinje. Vullnetari shkruante:”Të copëtuar nga propaganda e shteteve lakmonjëse, të prishur e të djegur nga shtetet fqinje Greqia, Serbi Malziu, të shastisur nga propaganda, të lëftuar pa mëshirë nga ata që iu dhanë një shtet të krasitur dhe të pasiguruar, shqiptarët kanë lypur kurdoherë mbrojtje. Shqiptarët kanë nevojë për mbrojtje. Ata shtete që iu sigurojnë shqiptarëve jetën e Kombit, ndere dhe pasurinë e tij, le të jenë tësigurtë se do t’iu jemi “krahu i djathtë” dhe se do iu jemi kurdoherë mirënjohës.”
Në shkrimin”Shqipëria Jugore si varr i Zbuluar”, gazeta denonconte edhe politikën Europiane ndaj Shqipërisë:” Nuk qe mjaft mosvërejtja e Konferencës së Londrës për çështjen e Shqipërisë Jugore, nuk qe e mjaftë krasitja e viseve më të mira, më pjellore, dhe thjesht të shqiptarta; si Konica, Janina- Kryeqyteti i Toskërisë dhe shtrati i Pirros, Mbretit të Shqiptarëve, si Preveza-skela e parë natyrale e Shqipërisë, që padrejtësia Evropiane i bëri theror në duart e armikut, i cili me pahir dhe duke shkretuar gjithçka, po mundohet të na Ç’kombësojë….”
Artikulli me pathos komëbtar mbyllej me thirrjen:” Le të jemi të gjithë të bashkuar në Flamurin e Vatrës, që të mundim të ndalojmë çdo padrejtësi, që i bëhet Shqipërisë,t’i kundërshtojmë me hov çdo armik dhe kundërshtar, që tenton të shtjerë në robëri Shqipërinë a pjesë të saj.

KURORË GJEMBASH-KOKA E ESADIT TRI KACIDHE

Në numrin 6, publikuar me 1 Maj 1916,publikohet informacioni se Gazeta “Vullnetari” kishte për botues dhe editor patriotin korçar Kol P.Rodhe, një nga vatranët e dimrit dhe të beharit. “Vullnetari” u bë një zëdhënës i bashkimit Kombëtar, duke goditur individët apo grupet përçarëse, duke replikuar fort me grindavecët dhe të shiturit tek grekërit. Vullnetari goditi ashpër me artikuj, poezi, karaikatura Esad Toptanin dhe ndjeksit e tij, duke i cilësuar si tradhëtarë të Kombit. Numri i dytë i gazetës, i publikuar me 3 Mars, hapej me Esatin: ”Kurorë Gjembash- Koka e Esatit Tri Kacidhe”, ku i numëroheshin të gjitha prapësitë që kishte bërë Esati në dëm të çështjes shqiptare: Që nga tradhëtia e Shkodrës, i propozuar si princ i Shqipërisë nga ana e Serbisë, Malëziut(Malit të Zi) dhe Greqisë, organizator i kryengritjeve në Shqipërinë e Mesme, i dëbuar prej Mbretit(Princ Vidit), i blerë prej Italisë, i marrëveshur me Greqinë(me ndërmjetësinë e Italisë) për rënien e Korçës në duart e grekëve dhe shumë tardhëti të tjera, që numëroheshin prej Vullnetarit dhe që në mënyrë të pamëshirshme e damkoste si tradhëtar…”Ky njeri në vend të kurorës me dafina, meriton kurorë gjembash”, arrinte në përfundim gazeta.
Vullnetari nisi botimin edhe të karikaturave kundër Esatit dhe botoi poezi satirike si:

DERA E TOPTANIT

Nga dera e toptanit
Dolli një egërsirë,
Zu këmbën e Sulltanit
Ha njerës pa mëshirë…
…………………………………….
Kombin fisnik të Skënderbeut
Kurkush se turpërovi,
Vetëm Esati, i poshtri i dhe’ut…

……………………………………………..
Nga raca e bekuar,
Raca e Kastriotit,
Dolli një i mallkuar,
Që vate kundra Zotit….

Poezia, me 10 shtrofa katërshe, nuk e kursente fjalorin e varfër të shqipes së asaj kohe.Gazeta që botohej në Natick të Massachusetts, replikoi fort ashpër me Gazetën Italiane “Corriere delle Puglia”, e cila në pjesën shqipe të numrit të saj të 1 dhe 2 shkurt 1916, shkruante një artikull fort të çuditshëm me titullin”Gegëria në dorë të Austrisë”.Vullnetari shkruan se redaktori i pjesës shqipe S. Gjika na qenkish tepër i friksuar me hyrjen e austriakëve në Shqipëri; dhe kjo s’na çudit, sa na bën të zgurdullojmë sytë, entuziazma e tij që iu jep katilave të Esatit, të lëftojnë, –thotë, burrërisht kundra armikut, se atëherë nderohen armët e Shqipërisë. Esat Pasha, shkruan z. Gjika, i deklaroi luftë Austrisë, dhe po lufton trimërisht kundra armiqëve! E pyesim z. Gjika: Austria, a është aleate e Turqisë? Si guxon t’I bjerë flamurit të Osmanllisë të cilin e ka dhe Esati? Apo e ka ndërruar?! Dhe, në e ka ndërruar, cilin ka në vend të tij? Sa për flamurin tonë(kuq e zi) e dimë se nuk e ka (se do t’I hajë mushkëritë)… Mos ka Flamurin e Serbisë? Apo të Malziut?!
Vullnetari ironizon z. Gjika: “Në të vjen keq për Esatin, shko ndihi, të marrësh dhe një plagë tjetër, si atë që more nga maja e Rashbullit…pa sa për shqiptarët, të lutemi, mos i këshillo se na vjen keq që të vriten bashkë me osmanllinjtë. Në të vjen keq për Shqipërinë dhe shqiptarët, jemi me një ngushëllim; shqiptarët, kush i mbron e mbrojnë; kush iu ndih-e ndihin, kush vritet për ta, vriten ata për të….

VULLNETARI NË MBËSHTETJE TË VATRËS, KUNDËR PËRÇARSVE

Botuesi i “Vullnetarit” mbështese punën Kombëtare të Vatrës, e cila po i dilte për Zot çështjes Shqiptare dhe ishte një avokate e fuqishme në mungesë të shtetit. Gazeta shkruan për bashkimin dhe lufton fort kundër përçarjes, kundër grupimeve. Është koha kur një grup i madh vatranësh,udhëhequr nga ish kryetari i Vatrës në vitin 1913, paralelisht edhe Editor i Diellit, Kristo Dako kritikonte ashpër, vend e pa vend Komisionin e Qendrës dhe në vitin 1917, me bashkëshorten Sevasti Qiriazi dhe mbështetësit e tyre krijuan Partinë Politike, duke i marrë Vatrës një pjesë të konsiderushme të anëtarësisë. Gazeta “Vullnetari” duke ruajtur principet e shtypit të lirë, i pasqyroi veprimtaritë e Dakos me grupimin e vet, ndërkohë që bëri edhe oponencë të fortë ndaj tij.
Në numrin e 3 Marsit 1916, gazeta botoi shkrimi”Konferenca e z. Kristo Dako në Natick, Mass”. Duke përshkruar një nga konferencat e Dakos në Natick, Vullnetari e pasqyron të plotë kronikën,natyrisht edhe fjalën e Editorit dhe botuesit të saj Kol Rodhe, i cili e kritikoi Dakon për artikullin përçarës që kishte botuar në Gazetën”Koha “ të Mihal Gramenos, ku bëheshin kritika për Komisionin qendror të Vatrës dhe hidheshin akuza të pa faktuara. Gazeta përshkruan dhe diskutimin e atdhetarit Kristo Kirka, i cili lexoi një letër që Kristo Dako ia kishte dhënë kur kishin kaluar nga Shqipëria në Europë, me lejen që ta lexonet para shqiptarëve,kurdo që ta shihte të arsyshme. Çudi, pyeti z. Kirka, dikur ne gëzonim besimin tek njëri-tjetri, ndërsa sot jo.Gazeta kritikon veprimine z. Dako, që nuk priti leximin e letrës nga z. Kirka, por shkoi para mbylljes së takimit.
“Vullnetari” u përpoq që në dy vjet e ca muaj që vazhdoi botimi, të rrokte të gjithë ngjarjet në dhe përreth Shqipërisë, të përgatiste shqiptarët e Amerikës për t’i dalë zot Atdheut, u bënte thirrje që të jepnin kontribut financiar për t’ndihë Atdheut, të mënjanonin grindjet mes grupeve e krahinave, besimeve dhe sherreve të kota.

TRUPAT VULLNETARE TË VATRËS

Ashtu si zëri i Vatrës, Gazeta Kombëtare”Dielli” edhe “Vullnetari”ia nisi herët të propagandonte nevojën e përgatitjes të Trupave Vullnetare për të shkuar në Shqipëri dhe për të luftuar për Lirinë e Atdheut të robëruar. Ishte shtruat detyrë për çdo degë të Vatrës në fshatra apo qytete e shtete,të ngrinte grupin e ushtarëve vullnetarë, të cilët duhej të stërviteshin dhe të bëheshin gati për t’u nisur drejt Atdheut me qëllim që ta mbronin nga fqinjët grabitqarë që synonin tokat shqiptare.
Sipas Gazetës’Dielli” vendimi për organizimin e Trupave Vullnetare të Vatrës ishet marrë në mbledhjen e Komisionit të Qendrës me 6 Mars 1915 me propozimin e pjestarëve të Komisionit : Kristo kirka, Kol Tromara, Nick Dishnica dhe Andrea Kristo. Pas propozimit ishte zgjedhë komisioni organizator i vullnetarëve i përbërë nga: Kristo Kirka, Kol Rodhja, Kol Tromara, Kost Chekrezi dhe Vangjel Sotiri. Komisioni qendror që udhëhiqte Vatrën në vitin 1915, kur u mor ky vendim përbëhej nga: Faslli Frashëri, Mice Bardho, Kost Isaak, Costa Th. Ratska(arkëtar), Vani Chekani(sekretar i komisionit), Loni Kristo -sekretar i Vatrës,(Noli dhe Konica ishin në Europë). Komandanti i përgjithshëm i Trupave ishet caktuar Aqif(Akif) Përmeti.
Gazeta “Vullnetari” në numrin e publikuar me 17 Mars 1916, në shkrimin redaksional”Çështja e Vullnetarëve” argumentonte domosdoshmërinë e përgatitjes luftarake të djemve shqiptaro-Amerikënë, që u thirrën Trupat Vullnetare të Vatrës, me qëllim që kur të vinte momenti të marshonin drejt Atdheut dhe këmbëngulte për përshpejtim të përgatitjes. Në artikull argumentohej se humbjet e deriatëhershme të tokave shqiptare kishin ardhë nga mungesa e një ushtrie të rregullt profesioniste dhe të organizuar atdhetarësh. Gazeta shkruante: Shqipëria ka dështuar në mbrojtjen e saj sepse në ushtri janë rreshtuar gjithëfarë tipash, përveç atdhetarëve, edhe kriminelë e plaçkitës, që nuk kishin qëllim të luftonin për Atdhenë, por për pronë e fitime. Ajo kohë duhet të mbetet e shkuar, arsyteonte editori i Vullnetarit dhe shtonte: Tani, besojmë se Trumbeta do të na thërrasë dhe nëqoftëse na gjenë të papërgatitur, të paorganizuar, atëherë nuk është faji i atyre që kanë mjeshtëri tradhëtinë dhe shkatërrimin. Gazeat u bënte thirrje të gjitha kolonive, ku jetonin shqiptarët, të nisnin përgatitjet, me qëllim që kur të binte Kushtrimi të ishin gati.
Duket se përgatitjet e trupave Vullnetare kishin nisë që në vitin 1915. Dalim Në këtë përfundim pasi në numrin e 31 Marsit të Vullnetarit, botohej një kronikë-njoftim- koment, ku flitej për Trupat Vullnetare të Bostonit. Gazeta njoftonte se me 2 prill 1916, në orën 1 e 30 minuta pasdite, Vullnetarëte Bostonit do të festonin motin e ushtrimit të përgatitjeve.Pra me 2 prill 1916, mbushej moti ç’ka nënkupton faktin se trupa Vullnetare e Bostonit ishte krijuar në Prill 1915. Gazeta ftonte të gjithë shqiptarët e Bostonit dhe rrethinave që të merrin pjesë në këtë festë Kombëtare dhe t’i uroninVullnetarët për patriotizmin e tyre.Burrat ishin të lutur që të merrnin me vete edhe zonjat dhe të festohej së bashku. Vullnetarët do të ishin të veshur me uniformat ushtrake dhe do të demonstronin disa ushtrime përpara mbledhjes. Gazeta njoftonte se adresa ishte :Vendi i përgatitjes i Trupave Vullnetare: 995 Ëashington Street, ku Vatra kishte marrë me qera një hangar të madh.
Gazeta uronte nga zemra vullnetarët e Bostonit për atë ditë të shënuar, e cila do të mbetej e paharruar. Kronika mbyllej me urimin:Dhëntë Zoti,që përsëshpejti,djmtë luftëtarë të lirisë, të venë në Shqipëri, për të mbaruar detyrën Kombëtare!
Festa u bë e madhe. Trupat vullnetare të veshura me uniforma të rregullta parakaluan përmes thirrjeve entuziaste të shqiptarëve dhe të amerikanëve që ksihin mbushur dy anët e rrugëë, edhe pse koha ishte me shtërngatë shiu.Banda muzikore shoqëronte parakaluesit.

FLAMURI KOMBËTAR ÇANË RRUGËT E BOSTONIT

Sipas gazetës mësohet se Trupat Vullnetare ishin krijuar pranë degëve të mëdha të Vatrës. Kështu psh në një shkrim polemik të botuar në faqen e parë të Vullnetarit të 20 Mjait 1916, shkruhet se pranë degës së South Bridge ishin grumbulluar 62 Trupa vullnetare. Në atë kohë Vatra kishte rreth 80 degë.
“Vullnetari i kushton rëndësi të veçantë përgatitjes së ushtrisë së organizuar. Krahas përgatitjes të Trupave Vullnetare, gazeta nxit shqiptarët që të shkojnë në shkollë ushtarake për t’u përgatitur si oficerë sepse Atdheu ka nevojë. Në një njoftim të publikuar në Faqen e parë të numrit të 19 Korrikut 1916, gazeta shkruan:”Në doni Atdhenë, Mësohuni Oficerë”. Në njoftim gazeta paralajmëronte se Kapiteni i Xhandarmërisë Shqiptare Lytfi Topojani, i marrëveshur me z. Paskal Jubani, mësonjësin e oficerëve shqiptarë në shkollën ushtarake të Italisë, do të hapnin shumë shpejt shkollë për të mësuar dhe për të nxjerrë oficerë shqiptarëtë mbaruar, shumë të përgatitur.”Ky rast s’duhet t’ju ikë nga dora. Shkolla do të hapet në atë koloni ku do të ketë më shumë kërkesa. Pagesa për një muaj $2.00”, njoftonte gazeta.
“Vullnetari” entuziazmohet nga përgatitja dhe paraqitja në publik e Trupave vullnetare të Vatrës. Në një shkrim të botuar në faqen e dytë të numrit të 18 Korrikur 1916 nën titullin:”Flamuri Kombëtar çanë rrugët e Bostonit”, shkruhet se për të parën herë Vullnetarët e Bostonit dhe të Natick-ut marshuan në Paradë me Flamurin Kombëtar dhe me dy Banda ushtarake. Shiu me rrebesh ksihte përmbytur rrugëtr e Bostonit, por vullnetarët shqiptarë me madhështi çanin ujërat dhe paarkalonin. Për nder të Kombit Shqiptar dhe të Vullnetarëve trima, qeveria e Bostonit, iu dha për atë ditë, nëj Bandë ushtarake. Një shumicë e madhe civilësh shqiptarë shkonin pas vullnetarëve. Amerikanët po habiteshin me këtë paradë në mes të shiut. Gjithandej dëgjoheshin:Urraaaa dhe duartrokitje për Shqipërinë dhe shqipatrët.
Gazeta e mbyllte përshkrimin me urimin:Iu lumtë atdhetarëve që nderojnë emrin shqiptar përpara Botës amerikane. Dhëntë Zoti, që për së shpejti të çajnë rrugët e qyteteve të Shqipërisë.
Gazeta”Vullnetari” me seriozitetin e politikës së saj botuese me propagandën që bën në ndihmë të Atdhut, ç’ka shihej si detyrë për shqiptarëte Amerikës, mori edhe përkrahjen e gazetave amerikane. Njëra prej tyre, “NATICK TRIBUNE” shkruante se “Shqiptarët duke parë Kombin e tyre të shkelur prej fqinjëve, të grabitur prej llojë-llojë ushtrishë, po zgjerojnë idealine tyre Kombëtar në të gjithë qytetet dhe fshatrat e Shteteve të Bashkuara. Veçanërisht në këtë fshat(Natick) ku jetojnë një shumicë mjaft e madhe shqipatrësh,prej shumë kohësh botohet gazeta”Vullnetari”, e cila duhet të përkrahet. Në artikullin e gjatë shkruhej se për punët kombëtare të Vullnetarit dhe përgatitjete shqiptarëve për t’i dalë zot vendit, do të informojnë në vazhdimësi.

TRUPAT VULLNETARE PËRGATITETISHIN NGA OFICERË AMERIKANË DHE SHQIPTARË

Në numrin 12 të publikimit, gazeta boton në faqe të parë një fotografi të madhe që ka zënë të katër kolonat e gazetës, e cila ka si titull hapës”Disa nga Shpresat e Atdheut”.Poshte fotografisë , nën shënimin:”Një pjesë e Trupave Vullnetarëve- Boston-Natick”, publikohen disa nga emrat e Trupave vullnetare, dhe në mesin e tyre Oficeri amerikan që përgatit Trupat e Ntaick z. Charls Green. Ja disa nga emrat e Trupave Vullnetare: Rako Katundi, Zaharia Chekani, Koli Kuqali, Koli Bodi, Rako Panariti, Lambi Jorganxhi, Toli Prifti, G. John, Sotir Andrea, Filip Theodor, Koli Nochka, Nake Treska, Ilo Burgaleci, Kocho Sterio, Rako S. Treska, Aleks Frashëri, Mihal Gërmenji, Gjimi katundi, Kristo Lara, Vani Grecho, Nasi Dishnica, Naum Pojani, Kristo Trebicka, Idemeno Bratko, Pando Kondili, Gjim Panariti.
Në shënimin redaksional që përcjell fotografinë e Trupave Vullnetare përcillet ideja e domosdoshmërisë për t’i aftësuar ushtarakisht djemtë shqiptarë që t’I dalin zot Atdhut. Nëse të tjerët përgatisin ushtri të mëdha e të fuqishme për të zaptuar tokat e shteteve të vegjël, ne le të përgatisim trupat tona, për t’u treguar atyre se nuk do t’i lejojmë që të na marrin tokat tona. Gazeta shkruante: Duke patur Trupa Vullnetare në të gjitha kolonitë e Amerikës do të heshtin së foluri armiqtë kundër nesh dhe bota njerëzdashëse do të kuptojnë se shqiptarët janë të zot të mbajnë me nder Shtetin e tyre dhe e meritojnë të rrojnë në një shtet të vetin.
Komenti na përcjell dhe një informacion shtesë për organizimin e nëj Kuvendi të madh me pjesmarrjen e të gjithë trupave vullnetare të ngritur pranë degëve. Vullnetari shkruan: Kuvendi i Trupave Vullnetare që do të organizohet, do të vërë tërë fuqinë për shtimin e Trupave dhe për shumëfishimin e Vullnetarëve. Gazeta ftonte atdhetarët më të stërvitur në çështjet komëbtare që të propagandonin nëpër koloni rëndësinë e shtimit të këtyre Trupave, që Atdheu i priste me padurim për t’i dalë zot.
Gazeta do t’i rikthehej disa herë çështjes së përgatitjes së Trupave Vullnetare, herë me entuziazëm, e herë me tone kritike për ato degë ku stërvitja nuk shkonte mirë. Numri i 2 tetorit e trajton me shqetësim ngadalësinë e përgatitjeve dhe bën thirrje për ndërgjegjësim të kolonive shqiptare,që ta përkrahin më shumë Vatrën në nismën e saj për përgatitjen e trupave. Nën Titullin emadh me shkronja kapitale, ” Organizohuni sa është dita”, editori pyet:”Ç’na nevojitet të trajtojmë çështjen e vullnetarëve dhe përse s’përparon shtimi dhe përgatitja ashtu siç e kërkon nevoja e Atdheut…?”.
Gjatë shtjellimit të artikullit sqarohet se e vetmja rrugë është përgatitja dhe shtimi i trupave vullnetare, ndryshe, Shqipëria është e mbaruar. Editori përpiqet që t’i prekë atdhetarët në shpirt. Ai shkruan:”Atdhetarët, që e panë me syshkatërrimin e Shqipërisë prej reaksionarëve,ishin aq të pakët, por edhe të pabashkuar, sa s’mundnin të mbanin duart e gjakosura të tradhëtorëve, dhe kështu të shtërnguar ikën duke lënë Shqipërinë në mes të tymit dhe të flakës të tmerruar. Iknë atdhetarët, posi ata trimat e thyer prej mizorisë së armiqëve dhe shpresat janë varur tek organizimi i një fuqie, qëtë shpëtojë Atdhenë nga duart e tradhëtorëve dhe pushtuesve…
Vullnetari evokon trimëritë e atdhetarëve dhe vajton për fatin e Atdhut: Ardhnë mandatarët, dhe pasi u kallëzuan shokëve të tyre shkatërrimin e pamëshirshëm të Shqipërisë përhapën idenë se i vetmi shpëtim i Shqipërisë është formimi i Trupave Vullnetare. Atheu është duke rënkuar….Editori argumentonte:Atdhetarët që e dëshirojnë ta shohin Shqipërinë si një shtet të Europës, përnjëherësh e rrokën idenë e shenjtë dhe u shkrojtën Vullnetarë për t’i shërbyer Atdheut në Kohë rreziku. Regjistrohu edhe ti atdhetar që të dhimbet Atdheu për ta shpëtuar atë nga vuajtjet!.
Më pas “Vullnetari” informon lexuesit e vet se Kuvendi i Vatrës ndau një fond për të organizuar një Kuvend të Trupave Vullnetare. Por koha po kalon dhe qendra nuk po lëvizte, degët po ashtu. Vullnetari nuk ia kursen kritikat. Gazeta lëshon thirrjen: O burra pra, të mos flemë!
Gazeta informon në vazhdimësi për përgatitjet e Trupave vullnetare. Në një kronikë nga Jamestown(Xhejms taun), që publikohej në numrin e 28 Marsit shkruhet se Trupi Vullnetar i kësaj qyteze ku banonin mjaft shqiptarë kishte bërë përgatitje të vazhdueshme dhe kishte shënuar përparime të mëdha. Kjo trupë drejtohej nga oficerë shqiptarë, me në krye oficer Kame Menkulasi, oficeri Sabri Daut Korça dhe tetari Demir Zvezda. Gazeta përhiron komandantin e Trupës Abas Kamenica, oficerët dhe të gjithë Trupën që po i nderon shqiptarët me përparimet që ka bërë. Në kronikën e publikuar informohet komuniteti shqiptar se Banda muzikore”Mbretëresha Sofia” me kryetarin e saj Ysen Belortaja do të organizonte në zyrën e Vatrës të kësaj qyteze “Albanian Pazar”, ku do të ishin të pranishëm edhe trupat vullnetare.

TRUPAT VULLNETARE TE VATRES FORMUAN GARDEN KOMBETARE TE SHQIPERISE

Trupat Vullnetare së bashku me Bandën Muzikore të Vatrës patën si komandant të përgjithshëm Aqif Përmetin, i cili u priu atyre në udhëtimin historik drejt Shqipërisë.Arritën në Durrës rreth 20 Shkurtit të vitit 1920.
Po kush ishte komandanti i Trupave vullnetare të Vatrës? Aqif Përmeti ishte ushtarak i karrierës, që i kishte kryer studimet në Akademinë Ushtarake të Stambollit, nga viti 1903 deri me 1906. Nga akademia doli me rezultate të larta dhe me gradën toger. Që më 1912, në shtetin e pavarur shqiptar, iu përkushtua Atdheut duke u radhitur në radhët e Xhandarmërisë shqiptare.Duke qenë në vijën e parë të luftës kundër shovinistëve grekë, ai u detyrua që pas ikjes së Princ Vidit, me 1914, të linte Atdheun, dhe emigronte në Boston. Menjëherë u përfshi në Vatër dhe vijoi veprimtarinë për cështjen Kombëtare. Më 6 Mars 915 iu caktua detyra e organizimit të Trupave Vullnetare të Vatrës.
Kontributi që dhanë Trupat Vullnetare në vendosjen e qetësisë dhe rendit në zonat Jugore të Shqipërise ishin të ndjeshme. Ata arritën deri në Vlorë, ku rreshtuan përkrah luftëtarve të Luftës së Vlorës. KëngaHimn”Vlora-Vlora” është kompozuar nga drejtuesi i bandës së Vatrës Thoma Nasi. Ishte ajo këngë që ndezi zemrat e luftëtarve. Komandanti i Trupave Vullnetare dhe organizatori i Ushtrisë Shqiptare, Aqif Përmeti, u shpërblye nga diktatura komuniste me plumba.

* Editori falenderon Emil Nace, nipin e Kolë Rodhes, që bëri të mundur një kopje të koleksionit të Gazetës”Vullnetari”, që tashmë ndodhet në Vatër.

Filed Under: Featured Tagged With: AQIF PËRMETI, dalip greca, Gazeta Vullnetari, Kole Rodhe, Trupat e Vatres

GAZETA”VULLNETARI” NE BOSTON DHE TRUPAT VULLNETARE TË VATRËS

August 2, 2017 by dgreca

Aqif Përmeti, komandanti i 200 Trupave të Vatrës, që shkuan në Shqipëri për të zmbrapsur Vorioepiriotet të mbështetur nga ushtria greke në Jug, u shpërblye nga Enver Hoxha, …me pushkatim!/

IMG_2872 (2)

Nga Dalip Greca/

Gazeta”Vullnetari” e Kol Rodhes, që botohej në Boston në vitet 1916-1918, ka përcjellë stërvitjen e Trupave Vullnetare të Vatrës, që nga momenti fillestar e deri në nisjen e tyre për në Shqipëri, shkurt 1920. Është fakt historik se këto trupa u stërvitën në SHBA dhe së bashku me Komandantin e tyre, Kolonel Aqif Përmeti, shkuan në Shqipëri dhe kontribuan për forcimin e sigurisë të kufijëve jugor të Shqipërisë, madje së bashku me Bandën Muzikore të Vatrës,e drejtuar nga Thoma Nasi) arritën deri në Luftën e Vlorës. Muzika e Himnit të Luftës së Vlorës ka për autor kompozitorin vatran Thoma Nasi.

Thoma Nasi u kthye ën SHBA, ndërsa Aqif Përmeti, u “shpërblye” për luftën kundër  trupave greke dhe për kontributin e ngritjes së Gardës Kombëtare Shqiptare, duke u pushkatuar nga diktatuar e Enver Hoxhës.

Trupat Vullnetare të Vatrës u bënë më pas themeli i Gardës Kombëtare, ndërsa Banda Muzikore “VATRA”, u bë Banda Kombëtare e Shtetit Shqiptar.

Fotografia shoqëruese është marrë nga Gazeta “Vullnetari”, numër 12, e datës 20 Gusht 1916(kopje të koleksionit të kësaj gazeta e kam siguruar nga nipi i Kol Rodhes Emil Nace, që jeton në Chikago).

Personat që shihni në fotografi janë vatranë që nisën aso kohe stërvitjen pas pune për t’u përgatitur si oficerë me qëllim për t’i shërbyer Shqipërisë. Në qendër, personi me uniformë të zezë, me mustaqe, është komandanti amerikan i Trupave vullnetare në Natick, z. Charles Green. Ushtarët e identifikuar janë: Rako Katundi, Zaharia Chekani, Koli Kuqali(që më pas u kthye në Shqipëri dhe shërbeu si përkthyes në ambasadën amerikane në Tiranë), Koli Bodi, Rako Panariti, Lambi Jorganxhi, Toli Prifti, G. John, Sotir Andrea, Filip Thodor, Koli Nochka,  Nake Treska, Ilo Burgaleci, Kocho Sterio, Rako S. Treska, Aleks Frashëri, Mihal Gërmenji,Gjimi Katundi, Kristo Lara, Vani Grechko, Nasi Dishnica, Naum Pojani, Kristo Trebicka, Idemene Bratko, Pando Kondili dhe Gjimi Panariti.(Për më shumë do të lexoni në Diellin e printuar specialen e përgatitur me rastin e përvjetorit të Lindjes së Kol Rodhes, i nderuar nga Presidenti i Shqipërisë me Urdhërin e Artë të Shqiponjës.)

Filed Under: Featured Tagged With: AQIF PËRMETI, dalip greca, Gazeta Vullnetari, Kol Rodhja, Trupat e Vatres

AQIF PËRMETI ME VISION ATDHETAR

August 5, 2014 by dgreca

Ne Foto: Vullnetarët e “Vatrës”1919-1920 që erdhën në mbrojtje të Shqipërisë nga SH:B:A/
Në mesin e këtij grupi Gjeni Aqif Përmeti numri i tyre shkonte deri më 300,sipas Seffi Vllamasi “Ballafaqime historike në Shqipëri”Tiranë-2000, faqe 216./
Shkruan:Eugen SHEHU/
Jo rrallë historia e kombeve,ka trokitur nëpër dyert e shtëpive të mëdha.Prej këtyre shtëpive,gjak e eshtra të ngjizura në memorien e vetë kombit,popujt kanë siguruar mbijetesën epokale të tyre.Dera e Madhe Përmeti,i bën nderr jo vetëm qytetit me të njetin emër në jugun e shtetit amë,por gjithë viseve tanë arbërore.Në këtë derë të madhe,përkrah burrave e trimeve që kundërshtuan natën e gjatë osmane,zë vendin e vet të nderuar edhe ushtarku me vizionin atdhetar,kalorësi i Shqipërisë Etnike, Aqif Përmeti.U lund në Përmet më 28 nëndor 1884,i jati i tij Ismaili,zotëronte pasuri të konsiderueshme e megjithatë u përpoq të rrënjoste në shpirtin e butë të të birit idenë se pasuria nuk ka ndonjë vlerë të madhe,nëse jeton në robëri.Është e natyrshme që shqiptarët e shekullit të njëzetë,nuk mund të ngrihen njëherazi për të luftuar perandorinë osmane, e cila shtrihej në dy kontinente,por në mënyrë të veçantë,në ag të këtij shekulli,këta bënë çfar ishte e mundur për autonominë e viseve etnike të tyre.Në këtë lëvizje emblematike të shqiptarëve u përfshi edhe Ismail Përmeti,duke përcjellë në këtë mënyrë tek zemra e të birit,dëshirën e madhe të lirisë.
Në vitin 1890,Aqifi 6 vjeçar fillon mësimet në shkollën turke të qytetit.Ndërkaq fshehurazi,Ismaili do t’i mësonte të birit edhe shkrimin e gjuhës shqipe.Gjashtë-shtatë vjet më pas,Aqifi do të ndiqte mësimet në gjimnazet e Greqisë,aty ku patën mësuar dhe dhjetra rilindas tanë.Në vitet 1902-1906, ai shkon në Staboll ku “përfundon studimet e larta ushtarake me rezulltate shumë të larta”(Arkivi Qendror i shtetit-Tiranë.Fondi “Lista e përshkallëzimit të oficerëve të përhershëm”1929,fq.4).
Nën ndikimin,sigurisht,të familjes por edhe të atdhetarëve shqiptarë që jetonin asaj kohe në Stamboll,Aqif Përmeti në vitet 1906-1908 do të mbaronte me rezulltate tejet të larta edhe Akademinë e Lartë Ushtarake.Pas këtyre shkallëve të ngjitura në hierarkinë e lartë të Stambollit, Aqif Përmeti do të provonte disa detyra të rëndësishme në radhët e ushtrisë.Ajo çka do të ishte përfaqsuese në karakterin e tij,ka qenë pikërisht fryma e shqiptarizmës e cila blatuar në fisnikërinë e përhershme të pinjollëve të dyerve të mëdha,ka bashkëjetuar në çdo moment me burrin e Permetit.Ngase rrëfen guxim dhe talent të përsosur në artin e luftimit,Aqif Përmetit i ngarkohen detyra shumë të rëndësishme deri në periferitë më të rrezikshme të perandorisë.Këto detyra ai i kryen me atë karakterin e tij të vendosur,fjalëpak dhe plot intuitë ushtarake,me çrast në vitin 1911 merr edhe gradën e gjeneralit në ushtrinë osmane.Është e kuptueshme për këdo,se me një gradë të tillë,Aqif Përmeti,27 vjeçar,do të ngjiste shkallë akoma edhe më të larta të karierës ushtarake.Por në shpirtin e tij,ashtu sikundër në shpirtin e qindra atdhetarëve të tjerë në Stamboll e gjetiu,do të ngjizej ideja e autonomisë së vendit të tyre,Shqipërisë.Në takime të fshehta me atdhetarët e tjerë,Aqif Përmeti do t’i siguronte këto se në çastin e duhur,ai do të ishte jo më gjenerali i Stambollit plot grada e ndere,por luftëtari i thjeshtë i orëve të para për çështjen kombëtare shqiptare.Rasti i solli që fjala dhe vepra të bashkoheshin në një.Ngritja e flamurit në Vlorë,në 28 nëndorin e vitit 1912,ishte pos të tjerave,një apel për të gjithë atdhetarët shqiptarë.Ishin këta që do të zgjidhnin midis të ardhmes plot lavdi e dritë të Stambollit,apo përgjakjes me armiqtë e Shqipërisë,të cilët donin të zhduknin shtetin e parë shqiptar,këtë foshnjë në djep.Nuk mendoj se ka qenë rastësi,fakti që Ismail Qemali vuri në krye të ushtrisë shqiptare të asaj kohe,Mehmet Pashë Derallën dhe Shevqet Shkupin,të dy prej viseve të Maqedonisë shqiptare.Po të kemi parasysh edhe rëndësinë që ai i dha pjesmarjes së Isa Boletinit në shtetin e sapoformuar,ne bindemi për largpamësinë e burrit të Vlorës,i cili donte të përfaqsohej në këtë kabinet me burra nga të katër vilajetet shqiptare.Ndërkaq një varg dokumentash të qeverisë së përkohshme të Vlorës,na bëjnë me dije se krahu i djathtë për organizimin e ushtrisë,pos Mehmet pashë Derallës dhe Shevqet Shkupit,ka qënë sigurisht Aqif Përmeti.Dihet se ushtria greke në mënyrë të veçantë në pranverën e vitit 1913,kishte pushkatuar pothuaj krejt jugun e shtetit amë,duke dashur të bënin fakt të kryer coptimin e Shqipërisë prej Konferencës së Londrës.Pikërisht në ofensivën e madhe për largimin e këtyre ushtrive,Ismail Qemali dhe Mehmet Deralla caktuan disa prej dyerve të mëdha të jugut të Shqipërisë,të cilët organizuan mijëra vullnetarë,nën komandën e Aqif Përmetit.Manovrat politike dhe diplomatike të Fuqive të Mëdha,bënë që territoret shqiptare të coptoheshin.Pas kësaj dhe në mënyrë të veçantë pas ngjarjeve të trishtuara të vitit 1914,Aqif Përmeti emigron në Amerikë. Edhe këtu,atdhetari i shquar përmetar nuk do të rreshtëte për asnjë çast përpjekjet e tij për ardhmërinë shqiptare.Në mënyrë të veçantë pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore,në vitet 1918-1919,kur kufijtë shqiptarë po u kërcënoheshin rreziqe të reja,roli i Aqif Përmetit do të ishte i madh.Në kuadër të federatës gjithshqiptare “Vatra” në bashkëpunim me Fan Nolin,Kristo Dakon,Kostë Cerkezin, Bahri Omarin etj,burri i Përmetit do të linte mënjanë çdo hall familjar duke iu përkushtuar i gjithi mbrojtjes së çështjes sonë kombëtare.Kështu,në gushtin e vitit 1919,atëherë kur trupat franceze në Korçë po përgaditeshin t’ia dorëzonin këtë qytet,grekërve,”Vatranët” ndërmuarën një varg veprimesh energjike.Me anë të notave,memorandumeve,bisedave të shumta me autoritetet e larta të politikës amerikane,këta”vatranë” mundën të bindin Uashingtonin që pos të tjerave “të merrnin vendimin për emërimin e një konsulli amerikan në Korçë”(Arkivi Qendror i shtetit – Tiranë. Fondi Ministria e punëve të Jashtme, viti 1919, dosja 19, fleta 38 ).
Në këto momente kaq delikate për çështjen shqiptare,Aqif Përmeti,ushtaraku i talentuar,do të shndrohej në një organizator të aftë të dhjetra tubimeve paqësore në SHBA,të cilat veç të tjerave u kthyen në tribuna të kërkesave për pavarsinë e Shqipërisë,bashkimin kombëtar me Kosovë e Çamëri si edhe pranimin e delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqës në Paris.Ka qenë pikërisht këmbëngulja e udhëheqësve kryesorë të “Vatrës”( midis të cilëve edhe Aqif Përmeti) që ndikoi në qëndrmin historik të presidentit amerikan Uillson,për moscoptimin e mëteshëm të Shqipërisë.Me të drejtë studiuesi amerikan S.Peters,ka theksuar se zhvleftësimi i kompromistit anglo-italian i 14 janarit 1920,nuk ka qenë i rastit.”Po të mos ishte këmbëngulja e panderprerë e “Vatrës” në përgjithësi dhe e shqiptarëve në veçanti,Shqipëria do të kishte qenë për presidentin Uilson,ndofta një shprehje gjeografike,siç kishte qenë ajo për Princ Otto Bismark në shkeullin e kaluar”.(Fjala e S.Peters botuar në “Seminarin Ndërkombëtar i Federatës Panshqiptare “Vatra”Nju Jork më 28-30 nëndor 1969 ).
Megjithatë këto nisma të “Vatrës” qarqet antishqiptare në SHBA dhe Evropë u përpoqën sërisht në janarin e vitit 1920,të sillnin në tryeza të kancelarive diplomatike,në mënyrë të veçantë çështjen e”Vorio Epirit”.Të nxitur nga memorandumi që pak kohë më parë kryeministri grek Veneziellos i pati dërguar Presidentit të SHBA-ve,përfqsuesit e “Vatrës” me një tog memorandumesh argumentuan falsitetitn e pretendimeve të Athinës.Aqif Përmeti,ndonëse ishte i konfesionit mysliman duke patur reputacion ndër ortodoksët korçarë dhe përmetarë me banim në SHBA,së bashku me Kostë Çerkezin ndërmuarën nismën e hartimit të një kundërmemorandumi,në të cilin pohohej se populli shqiptar në jugun e tij dallohej sa për patërtinë etnike aq edhe për shqiptarizmin e tij.Më tej në këtë dokument shprehej në mënyrë të qartë se kombi shqiptar s’është as mysliman dhe as kristian por është vetëm shqiptar dhe kultura e lartë e tij nuk bënte dallime fetare sikur grekët.Por “vatranët” nuk u mjaftuan vetëm në përpjekjet e tyre diplomatike e propagandistike.Në janar të vitrit 1920,me qëllim që të vireshin në dispozicion të qeverisë së dalë nga Kongresi i Lushnjës,udhëheqësit kryesorë të “Vatrës” menduan të dërgojnë në Shqipëri ndihma në të holla si edhe vullnetarë të cilët do të vireshin menjëherë në shërbim të kombit të tyre.Duke njohur aftësitë dhe reputacionin e Aqif Përmetit,shqiptarët në SHBA,njëzëri caktojnë atë në krye të vullnetarëve shqiptarë.Më 29 mars 1920 zbriti në Shqipëri një trup vullnetarësh rreth 300 vetë,nën komandën e major Aqif Përmetit dhe banda e saj e famshme nën drejtimin e Thoma Nasit.Midis shërbimeve të panumërta që i ka bërë çështjes kombëtare me ndihma politike e financiare kjo organizatë politiko-shoqërore,në atë kohë kritike mendoi të dorëzojë edhe një fuqi vullnetarësh,për t’i ardhur në ndihmë qeverisë me forca ushtarake”.(Seffi Vllamasi “Ballafaqime historike në Shqipëri”Tiranë-2000, faqe 216 ).
Vullnetarët shqiptarë të ardhur nga SHBA,në të vërtetë u shndruan në barrikadat e para të mbrojtjes së kufijve jugorë të shtetit amë,prej ekspansionit grek.Meqenëse disa nga repartet e jugut të Shqipërisë,në qershor të vitit 1920 iu drejtuan Vlorës,ishin pikërisht ,vullnetarët që nuk iu tremb syri.Në krye të këtij formacioni luftarak Aqif Përmeti vuri sërish në funksion,aftësitë e veta drejtuese duke bashkërenduar veprimet në mënyrë të veçantë me ish-ministrin e brendshëm shqiptar Ahmet Zogun.Vullnetarët shqiptarë të ardhur nga SHBA-të,iu drejtuan edhe Vlorës,në ditët kur aty shkruhej epopeja e lavdishme e popullit tonë.Me largimin e ushtrive italiane prej Vlorës,vullnetarët e komanduar prej Aqif Përmetit,iu drejtuan përsëri viseve të jugut shqiptar.Ndënëse gjendja dukej disi e stabilizuar,këta vullnetarë plotsonin një vrag detyrash të ushtrisë kombëtare shqiptare,duke rritur ndjeshëm prestigjin e shtetit shqiptar të dalë prej kuvendit të Lushnjës.Sidoqoftë luftërat e parreshtura e kishin dobësuar së tepërmi ekonominë e rraskapitur shqiptare.Vendin po e pllakoste zia e bukës dhe ato ndihma të ardhura nga shqiptarët e Amerikës mbarun së shpejti.Në mënyrë katastrofike gjëndja paraqitej sidomos në Vlorë.Ndonëse në liri,qyteti ndjente peshën e madhe të mjerimit.Në formë thirjeje,Aqif Përmeti,do të shkruante pos të tjerave në shtypin shqiptar të asaj kohe ;”Vlora sot ndodhet në duar të ushtrive shqiptare.Por ky vend historik nuk u dorëzua me dashjen e italianëve por u muar me luftë duke derdhur gjak shqiptari për të shpëtuar Vlorën.Ata që ranë dëshmorë të këtij qëllimi,kanë lënë fëmijën,gratë dhe mëmat e tyre në duart tona.Ata dëshmorë sot prehen në gji të Perëndisë,por fëmijës së tyre mbasë i dridhet dora e buza për një kafshore buke.Prandaj që të mos liren fëmijët e dëshmorëve të vuajnë,duhet çdonjeri që mban emrin shqiptar,pa kursim të japë ndihmën e tij”.(Aqif Përmeti,Gazeta “Koha”, Korçë 7 gusht 1920).

Në vitet 1920-1924,në funksionin e komandantit të batalionit që shtrihej në gjithë kufirin e Shqipërisë me Greqinë,major Aqif Përmeti,falë aftësive ushtarake do të organizonte në mënyrë perfekte mbrojtjen e këtij rajoni.Kurdoherë fjalë pak por i vendosur në çdo veprim,ai do të përballej gjakëftohtësisht me çdo lloj situate,duke ndëshkuar rreptë çdo tentativë të Athinës për të shkelur në batalionin e vet,ashtu sikundër do të kujdesej me ngrohtësinë e prindit për çdo ushtar të kufirit.Duke qenë në korent me zhvillimet politike brenda vendit,Aqif Përmeti do të dinte gjithashtu të orientonte drejt duke patur kurdoherë si busull çështjen kombëtare.Kështu edhe grushtin e shtetit në qershorin e vitit 1924,intuita e burrit të Përmetit nuk u gabua.Megjithatë telegramet e njëpasnjëshme për t’iu afruar Tiranës,ai së bashku me oficerët e tjerë të karierës si Bilal Nivica dhe Sami Koka,pranuan të merrnin përgjegjësi mbi vete dhe nuk u largua asnjë ushtar nga pozicioni i tyre lufttarak.Mbrojtja e kufijve prej rrezikut grek,tek e mbramja,ishte më i rëndësishëm nga çdo lëvizje qeverish në Tiranë. Koha provoi jo vetëm mençurinë por edhe shqiptarizmin relevant të Aqif Përmetit.
Në vitet 1925-1930,Aqif Përmeti ngarkohet të kryejë riorganizimin e armës së xhandarmërisë shqiptare.Janë vite në punë plot tension,lidhje por edhe suksese.I ndihmuar në mënyrë të veçantë nga koloneli britanik,Persi,burri i Përmetit mundi të organizonte struktura moderne të xhandarmërisë shqiptare,të cilat në vetvete ende sot përbëjnë modele të mrekullueshëm që lidhen jo vetëm me rrjedhat e ngjarjeve të popullit tonë por në mënyrë të veçantë me mentalitetin e tij,me atë frymë anarkie që ka sunduar shekuj me radhë në kontinuitetit e vet moral dhe shpirtëror.Gjatë këtyre viteve Aqif Përmeti ka drejtuar vetë edhe shkollën e xhandarmërisë në qytetin e Shkodrës, duke ndikuar në këtë mënyrë ndjeshëm në paisjen e gjeneratave të reja të xhandarmërisë shqiptare,me virtytet e vyera të nacionalizmit të kulluar shqiptar.Vitet që rodhën më pas, e gjejnë Aqif Përmetin në funksionet e rëndësishme të Prefektit në Prizren dhe Korçë,ku në personalitetin e tij,spikatin fuqishëm idetë e Shqipërisë Etnike.Kjo aspiratë mbarëkombëtare e popullit tonë, në funksionet e larta të Aqif Përmetit,u parapa kurdoherë në rrafsh të verpimtarive konkrete,duke u ndeshur jo rrallë me tendencat dhe veprimet shoveniste greko-serbe.Në tetor të vitit 1940,me fillimin e luftës italo-greke,Aqif Përmeti nuk pranon të viret në krye të trupave të batalioneve “Tomori” dhe “Taraboshi” për të luftuar në krah të forcave italiane.Ai shkarkohet në këtë mënyrë nga çdo funksion ushtarak dhe atashohet pranë shoqatës atdhetare “Djelmnia Shqiptare” duke u zgjedhur më pas kryetar i saj,pamvarsisht se veprimtaria e shoqatës ishte më tepër e karakterit sportive,kjo veprimtari fund e krye atdhetare përcolli në gjeneratat shqiptare të kohës mesazhin e madh të luftës si për çlirimin kombëtar ashtu edhe ndaj komunizmit ortodoks rus.Më pas,në vitin 1943,atëherë kur për të parën herë qeveria shqiptare kishte përfaqsues nga të gjitha viset etnike shqiptare,”Aqif Përmeti,emërohet Komandant i Mbrojtjes Kombëtare,me gradën gjeneral-divizioni” (Arkivi Qëndror i shtetit – Tiranë , fondi 249 , dosja 11-58 , fleta 54 ).
Në funksionin e lartë të komnadantit të Mbrojtjes kombëtare,Aqif Përmeti,në bashkëpunim të ngushtë edhe me Fejzi Alizotin,Fuad Dibrën,Hysen Prishtinën,Iljaz Agushin, do të ndërmerte nismën madhore për ruajtjen e kufijve etnike shqiptare,në mënyrë të veçantë në veri dhe lindje.Ai do të bashkëpunonte ngushtë me prijës ushtarkë të Kosovës dhe Maqedonisë shqiptare,duke dërguar në kufijtë etnike mjete dhe teknikë luftarake,për t’u rrëfyer sllavëve se vendi i arbërve kishte zot:Ka qënë sigurisht shkaku,që në nëndorin e vitit 1944,komunistët e Tiranës e arrestojnë atë,pikërisht në datën 18 nëndor,atëhere kur reprezalja e tyre ndaj figurave të shquara nacionaliste nuk do të njihte kufij.Të lidhur këmbë e krye me beogradin,Hoxha dhe klika e tij nisën të lajnë hesapet me nacionalistët, e para, për ti bërë qejfin mareshalit Tito dhe e dyta për të patur të çelur rrugën e instalimit të diktaturës komuniste,sipas modeleve bollshevike.Aqif Përmeti ishte në grupin e parë të nacionalistëve shqiptarë të cilët u dënuan nën akuza qesharake me pushkatim.Heroi i vullnetarëve shqiptarë i ardhur nga SHBA-të vetëm e vetëm për të mbrojtur tërësinë territoriale të atdheut,komandanti i xhandarmërisë dhe kalorësi sypatrembur i viseve to
na etnike,binte nga breshëritë e ndyra të gjykatores speciale ushtarake,duke thënë ;”Nuk njoh asnjë akuzë tuajën.Unë kam luftuar vetëm për kombin dhe atdheun tim”.Eshtrat e këtij ushtaraku të shquar me vizionin e përhershëm atdhetar ende nuk dihet se ç’përrua i kobshëm i ka fshirë.Kujtimin e tij,askurrë.
Bern-Zvicër

Filed Under: Histori Tagged With: AQIF PËRMETI, Eugen Shehu, ME VISION ATDHETAR, Ushtaret e Vatres

Artikujt e fundit

  • Pika e Ujit
  • DR. ELISABET PERAJ IU BASHKUA VATRËS
  • VATRA NDEROI LEGJENDËN E BOKSIT SHQIPTAR XHEVDET PECI
  • MARK MRNAÇAJ: DALIP GRECA, LAMTUMIRË NJERI MODEL
  • TRASHËGIMI NGA DIASPORA KRAJANE
  • Xhaketa e Xhaferit
  • NEW YORK HERALD TRIBUNE (1939) / RRËFIMI I MBRETËRESHËS GERALDINË NË VERSAJË : EDUKIMI I DJALIT, SIMBOLIKA E KURORËS MBRETËRORE, SKËNDERBEU, DHOMA E PREFERUAR NË KËSHTJELLË…
  • Historia e Urës së Matit, një ndër më të bukurat në Ballkan
  • Shqipëria në Sallonin Ndërkombëtar të Librit në Torino
  • Congratulations Albania. Congratulations Roma
  • Urdhëri i Lirisë për patriotin e palodhur Jim Xhema
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” përjetësohet në New York
  • Kundër simboleve të diktaturës komuniste
  • Reagim për ndërprerjen nga Serbia të gërmimeve për mbetjet mortore të personave të zhdukur
  • Haris Vongli dhe Stela Bermema i bashkohen Vatrës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT