Imam Edin GJONI
Vështirë që mundet kush ta përshkruaj vlerën Ramazanit më mirë seç e ka përshkruar Ibn Xheuzi-u në librin e tij “Bahçeja i predikuesve, dhe lulishtja e audiencës” Ai thotë, mirësia e Ramazanit në krahasim me 11 muajt e tjerë të vitit i përkon mirësisë së Jusufit a.s./Jozefi në krahasim me 11 djemtë tjerë të Jakubit a.s./Jakovit. Ata e morën më qafë, i bënë zullum sa që vetëm nuk e vranë, ndërsa ai – kur i erdhi dita që i ranë në dorën e autoritetit të tijë – i fali duke i thënë: “Për ju sot qortim nuk ka. Zoti ju faltë! Ai është më i mëshirëshmi mëshirëues.” Dhe deri sa neve për 11 muajt e vitit pretendojmë ta nximë shpirtin e vet, ta lëjmë në errësirën e pusit mu në mes të shkretëtirës së dëshpërtimit, Ramazani vjen jo vetëm për të na prekë në zemër dhe ndez dritën e shpirtit tonë për të na nxjerr nga terri dhe humnera e mëkatit, por edhe për të na bindur se për tragjedinë tonë akoma ka shpresë. Thua se Ramazani vjen për të na thënë: “nuk është bë kijameti, ju kurrë nuk mund të jeni në atë masë të këqij sa Zoti i Madhërishëm të heq dorë nga ju.” Ose, “ju kurrë nuk mundeni ta humbasni shpresën në faljen e Zotit”.
Zoti thotë në Kur’an,
قُلْ يَا عِبَادِيَ الَّذِينَ أَسْرَفُوا عَلَى أَنفُسِهِمْ لا تَقْنَطُوا مِن رَّحْمَةِ اللَّهِ إِنَّ اللَّهَ يَغْفِرُ الذُّنُوبَ جَمِيعًا إِنَّهُ هُوَ الْغَفُورُ الرَّحِيمُ
53. Thuaj: “O robërit e Mi, që i keni bërë keq vetes me gjynahe, mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut! Allahu, me siguri, i fal të gjitha gjynahet. Vërtet, Ai është Falësi i madh dhe Mëshirëploti. Profeti Muhammed a.s. njëherë pat thënë, “Sikur njerëzit të dinin se çfarë fsheh Ramazani, do të dëshironin që i tërë viti të jetë Ramazan.” Atëherë, nëse jo për gjë tjetër, atëherë të paktën vetëm për këtë që u përmend do ia vlente që krejt viti të jetë Ramazan. Ngase neve nuk kemi vetëm nevojë për shans të ri për ta përmirësuar vetën – sepse a jemi akoma në jetë, shansi është aty. Neve më tepër kemi nevojë që dikush të shoh potencial brenda nesh, ta zgjojë shpirtin tonë nga gjumi i gafletit (mospërfilljes), dhe t’i hap atij perspektiva të reja, t’a inspirojë dhe frymëzojë virtytin e bukur në sjelljen dhe verpimtarinë tonë. Për tridhjet ditë të shoqërimit më të, Muaji i Ramazanit ka arritur që ta bëjë mjaftë në këtë drejtim. Që të jemi të sinqertë, në fillim na dukej se ai kishte lypur shumë prej nesh, por ishte kjo vetëm e vetëm për të na dhënë në fund shumë më tepër se çfarë kishte lypur. Ndoshta na ka privuar ditën nga ushqimi dhe pija (edhe pse shumë prej nesh, filluar nga ky i cili ju flet, e kemi kompenzuar prej iftarit e deri në syfyr krejt atë çfarë e lëm mangët gjatë ditës). Ndërsa natën, ai ka kërkuar të diskonektohemi nga shprehitë tona, thjeshtë për t’na shtyrë t’i kthehemi Zotit të Madh, qoftë në namaz, në lutje, në dhikër (përmendje të Zotit), në lexim dhe konteplim të fjalës së Tij, Kur’anit. Por në të vërtetë e gjithë kjo ishte për të na dhënë një mësim të madh. Fillimisht, të na mësojë dhe rikujtojë se neve jemi shumë më tepër se një trup; se nevojat tona nuk janë ekskluzivisht vetëm ata fizike; dhe se nuk është vetëm ushqimi ajo që e mbanë njeriun gjallë. Mbi të gjitha, Ramazani na ndërgjegjësoi për shpirtin, të cilit po i dhe pak hapsirë, menjëherë del në shesh. Nëse vetëm për pak kohë i fikim – ose më mirë thënë, redukojmë – nevojat tonë fizike, do ndjemë rritje të shpirit dhe zgjërim të tij. Një liberalizim dhe emancipim nga fiziku, bile për një copë kohë, do na bëjë të ndjehemi si melekë (engjuj) në formë njerëzore. Por përse është përshpirtërimi aq i rëndësishëm – pyetje kjo që dikush mund ta shtroj sidomos sot në kohën e kultit të trupit njeriut, qoftë mashkull apo femër. Përgjigja ime do ishte, për shkak se shpirti është konstituenti (përbërësi) kryesorë i qenies sonë. Ai njëherazi vjen si kurora e krijimit tonë. Pa te neve nuk jemi njerëz të mirfilltë. Kur Zoti i Madhërishëm i urdhëron engjujt t’i përulen njeriut në shenj respekti, ata do përulën vetëm pasi që njeriu ta ketë fituar shpirtin:
Kur t’a kem vën në proporcion trupin e tij (Ademit) dhe frymëzuar në të nga Shpirti Im, përuluni atij (ju melekë) në shenj respekti!
Nëse trupin e kemi nga dheu e toka, shpirtin e marrim drejtpërsëdrejti me fuqinë krijuese të Shpirtit të hyjnorë. Prandaj, shpirti edhe njeh Zotin. Ai nuk e ka të huaj Madhërinë e Tij, xhel-le Xhelaluh. E sikur të ndjesh Zotin më afër, atëherë edhe virtytin e ke më afër, dhe anasjelltas. Ngase neve nuk i afrohemi Zotit me distancë fizike (as me milimetra, as me kilometra, e as me megametra), por Zotit i afrohemi me kuptim: duke i adaptuar virtytet dhe atributet e Tija: ndjeshmërinë, mëshirën, drejtësinë, t’bukuren, bujarinë, faljen, etj. Nëse i do këto virtyte, nëse i kultivon ato dhe i shpreh në sjelljet dhe veprat tuaja, atëherë edhe Zotin do e mbash afër. Çdonjëra prej këtyre cilësive është cilësi hyjnore, par exellnce. E kur shpirtit ti jepet hapsira mbi trupin, nga ai do të dalin, madje shpërthejnë nga çdo anë – si fontanë gufuese – të gjitha virtytet fisnike që i përmendëm. Në këtë drejtim e gjejmë Profetin, edhe pse gjithmonë më bujari ndër njerëz, më bujar seç na ishte, ishte kjo pikërisht në Ramazan, kur e vizitonte Xhibrili – meleku/engjëlli i inspirimit – përndryshe Shpirti i Dëlirë, i cili ja mësonte kuptimet e reja të Kur’anit. Kuptimet këto që Profetin a.s. e përshpirtëronin akoma më tepër. Prandaj, do e gjejmë Profetin, pikërisht në Ramazan, të ndjeshëm ndaj nevojtarit dhe falës ndaj fajtorit, jasht çdo mase. Nuk ka shprehje më të mirë të bujarisë se sa falja e fajtorit dhe atij që të ka hyrë në hak. Njeriu me bujari të vet fal nga pasuria për t’i liruar skamnorët nga prangat e skamjes, por edhe e fal faljen për t’i liruar fajtorët nga barra e fajit. Ndoshta data e Çlirimit të Mekës mu më 20 Ramazan është shembull më i mirë për këtë. Atëherë kur Profeti Muhammed vjen si triumfues në Mekke, në vendlindje të tij, prej së cilës largohej i dëbuar dhe përndjekur (madje, gati vrarë) nga – kush tjetër veçse – kushërirët dhe bashkëvendasit e vet, që tashti, ata të njëjtit kur i ranë në dorë jeta dhe fati i tyre, ai a.s. i tha “Dilni nga shtëpijat tuja në të cilat jeni strukur dhe fshehur, se jeni të lirë! Atë ditë në Mekke u dëgjua jehona e fjalëve të Jusufit drejtuar vëllezërve të vet, “Për ju sot qortim nuk ka. Zoti ju faltë! Ai është më i mëshirëshmi mëshirues! Profeti e di se Allahu amneston keqëbërisit në dhjetë ditëshin e fundit të Ramazanit, pra pse edhe t’i mos të falë.
Prandaj fundi i Ramazanit, çlirimi i Mekkës, në të vërtetë është çlirim i shpirtit, fitore e virtytit, dhe pushtimi i shpirtërores. Në këtë drejtim, e gjithë kjo ndodhi jo rastësisht, por falë këtij muaji të madh i cili këndo që e prek, arrin disi t’a nxjerr më të mirën nga ai. Si njëfarë alkemist i cili me mjeshti transformon metalin prej bakrit në arë, madje edhe vetë arin duke e transformuar prej cilësisë më të ulët në atë me të dëlirë. Ngjajshëm, ky muaj na kthen në atë trajtën fillestare të shpirtit në të cilën Allahu fillimisht na ka krijuar, në ahseni taqweem, dhe të cilën trajtë dhe formë Ai e pëlqen prej nesh. Ose, sikur robi i Zotit, Hidri, i cili çfardo që prek, ose aty ku ai shklet, qoftë edhe shkretëtirë shterpe dhe pa jetë – me lejen e Zotit – e shndron në gjelbërim përplot jetë. Njëllojë edhe Ramazani na jep jetën e re, të pastër dhe të dëlirë sikur atë të foshnjës së posalindur.
فمن صامه وقامه إيماناً واحتسابا خرج من ذنوبه كيوم ولدته أمه» (رواه النسائي)
“Ai i cili agjëron muajin e Ramazanit dhe netët e tija i kalon në lutje – me bindje dhe përkushtim – del nga ai si dëtën që doli nga nëna e vet.”
Gjithë këto njerëz, filluar prej Profetit Musa a.s. dhe Danielit a.s. e deri te gjigantet e humanizmit njerëzorë, si Viktor Frankël, Elli Vizel, dhe ndoshta pak ma pak e njohur Irena Gut Opdajk (shkrimtarja e memoarit fantastik, In my Hand (Në Dorën Time), të gjithë këto – pa përjashtim – na kanë mësuar se gjatë historisë të gjitha mund t’i humbasim ose çdo gjë mund të merret prej nesh (shtëpia, familja, jeta – fundi i fundit), të gjitha përveç njërës. Ajo çfarë kurrë dhe asnjëherë nuk mundet askush ta marrë prej nesh është liria për të zgjedh, dhe liria se si do të përcaktohemi dhe vendosemi karshi rethanave të cilat na imponohen. Këto njerëz të mëdhenj të hisorisë tuaj kolektive na kanë dhënë këtë mësim juve dhe neve. Pra, se neve si njerëz jemi gjithmonë të lirë të zgjedhim veprimin tonë në dakordim me atë çfarë paraqet bindjen dhe botëkuptimin tonë. Prandaj, askush nuk mund të thojë se është i detyruar ti dëbojë sërish njerëzit nga shtëpiat e tyre të vetme të cilat i janë dhënë të strehohen, pasi që më 1948 ishin të dëbuar nga shtëpiat dhe vendbanimet të tyre fillestare, sëbashku me 700.000 refugjat të tjerë Palestinez (siç e shkruan Benny Morris). Jakovi nga Jerusalemi – që kemi pasur rast ta shohim këto ditë në rrjeta shoqërore – nuk është i imponuar që ta marrë ose vjedhë shtëpinë e komshiut të vet Palestinez në Shejkh Xharrah me pretekst se nëse nuk e marrë/vjedh une, dikush tjetër do ta marrë, kështu që nuk është faji i im. Askush nuk është i detyruar të bombardojë godinën përplot të banuar me njerëz të rëndomtë, vetëm se ndoshta aty fshihen ca terrorista. Në fund të fundit, çdonjëri prej nesh ka mundësi për zgjedhur a do ta marrë shembullin e Kabilit/Kainit dhe të sillet ashtu siç është sjellur ai me vëllain e tij Habilin/Abelin, apo do të sillet si Jusufi/Jozefi me vëllezërit e tij. Njeriu mund të jetë ujk për vëllain e vet (homo homini lupus est), por mund të jetë edhe bari (rojtar). Ti gjithmonë ke më tepër mundësi përpara vetes. Nëse je përcaktuar për të dyten, atëherë dije mirë se ke përzgjedhur atë se çfarë përherë ka qenë prezente në memorinë dhe ndërgjegjen kolektive të bashkëkombëtarëve dhe bashkëfetarëve të tu, e nëse ti përcaktohesh për të parën, atëherë dije se ke marrë rrugën e atyre që kujtesa jote kolektive e njeh për armikun më i madh i popullit tënd.
Çfardo që të zgjedhësh dhe të veprosh, ose mos veprosh, ose – madje – të qëndrosh indiferent dhe neutral, dije mirë se dikush të shef dhe gjykon, qoftë edhe ndërgjegja e jote, qoftë historia, qofshin yjet në qiell dhe syri i Zotit të Madh që është mbi ne të gjithë. Me fjalë të tjera, herët apo vonë, ose do ta bartin barrën e fajit ose nderin e lavdit për veprimin a mos-veprimin tonë – siç thotë Karl Jaspersi.
Në këtë drejtim, dëshiroj ti kujtoj dhe këshilloj çdonjërin prej nesh që ndjekë këtë fe të bukur, Islamin, që kurrë mos ta humbim virtytin e mirësisë dhe të njerëzishmes (humanes) të cilën Allahu aq bukur e ka vendosur në ne dhe përherë e pëlqen ta shoh prej nesh në të gjitha rrethanat. Nëse e humbasim këte (pra të njerëzishmen, humanen, mirësinë e shpirti), jo vetëm që do ta humbasim veten tonë, por edhe Zotin pranë nesh. Ky muaj, të cilit sot jemi duke ia dhënë lamtumirën, pret prej nesh ta mbajmë dhe mirëmbajmë nivelin më të lartë të përshpirtërimit në çdo hap të jetës sonë.
Prandaj, le t’ia premtojmë këtij muaji në shkim se do ta shtyjmë sa më shumë ashtu që do të jetojmë në frymën dhe me impulsin e tij edhe pas shkimit të tij. Që do ngelim edhe mbas Ramazanit ashtu siç ishim gjatë tij.
Kurse sot, sot është fest e madhe për ne. Bajram! Ia dolëm! Lusim që Allahu të jetë i kënaqur prej nesh dhe punës sonë! Prandaj, përhapeni gëzimin tuaj me urime! Kujtoni me ndihmë dhe dhurata ata që janë të varfur dhe në nevojë! Zgjatne doren (ose të pakten fjalen) e pajtimit dhe faljes! Dhe përkujtone dhe madhëroni Zotin me tekbire!
Në emrin e të përndershmit Imam Jusuf efendiut, në emrin e kryetarit të Qendrës, zotëri Ahmed Veles dhe mbarë këshillit, dhe në emrin tim personal,
Për hajr ju qoftë Fitër Bajrami!