Gezim Zilja/
Pardje shqiptarët panë maskaradën e rradhës në një intervistë të lodhshme, me ironira e pasaktësira, ku bisedat përsëriteshin e ripërsëriteshin, madje duke u marrë dhe me të vdekurit, që gjallojnë dhe të gjallët e vdekur që jetojnë, duke e kthyer gjithçka në gallatë bulevardi. Ishte një teatër i kryeministrit me Blendi Fevziun, e llojit korr e mos lidh se kështu i do mushka drutë, apo një mungesë serioziteti e gazetarit? Sipas gjykimit tim këto intervista të llojit korr e mos lidh, ku bëhen njëqind pyetje e merren njëmijë përgjigje, që nuk kanë lidhje me pyetjet, nuk japin asnjë informacion për të vërtetën, e ngatërrojnë dëgjuesin, që ky të dëgjojë gjithçka, të hutohet e të mos marrë vesh asgjë. Fevziu ka patur rastin të intervistojë disa herë drejtues të këtyre tridhjetë viteve si Ramiz Alia, Sali Berisha, Fatos Nano, Ilir Meta, dhe Edi Ramën. Të gjithë këta janë pjellë e sistemit dhe edukimit komunist (përfshi edhe vet Fevziun) e një demagogjie të pafre, që përpiqen të të mbushin mendjen që je i ngopur kur ke ditë pa ngrënë, që të të thonë se je i lumtur kur ti njeh vetëm mjerimin, kur të japin të hash sapun e të thonë që është djathë, që të varrosin historinë e trashëgiminë kulturore e të thonë që ky është modernizim se e ka bërë arkitekti më i madh në botë, etj, etj. Të gjithë pa përjashtim përfshirë dhe miushët e miushet ministra e ministresha që i imitojnë, janë delirantë, mendjemëdhenjë, gënjeshtarë, hakmarrës deri në marrëzi e që për marrjen e mbajtjen e pushtetit nuk njohin normë e kufi njerëzor. Në rastin e një interviste të tillë, gazetari duhet të njihet thellësisht me ngjarjet, faktet, kohën, teknologjinë dhe të gërmojë seriozisht mbi çështjet që do të diskutohen. Sepse nuk është e lehtë të intervistosh demagogë të tillë. Gazetari profesionist dhe atdhetar drejton me mençuri pyetje, rendit fakte shifra, që i bëjnë ata të rrëfehen, duke iu zbuluar fytyrën e vërtetë, i bën të duken qesharakë dhe hipokritë me gënjeshtrat e tyre. Por kjo nuk ndodhi. Dukej sikur Fevziu kishte ardhur drejtpërdrejt nga një lojë bilardoje me pak sete, nga palestra apo pas një gjumi të lehtë, nga një drekë me verë të zgjedhur. Sepse nuk mund të bëhen pyetje thelbësore, që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me të ardhmen e Shqipërisë e korrupsionin e frikshëm, pa pasur haber për to si: lejimi i kanabisit, inceneratorët, çvendosja e Portit të Durrësit, ndërtimi i Porto Romanos dhe katër porteve të tjera dy në Vlorë dhe nga një në Sarandë e në Shëngjin, ( mirë ishte të pyetej edhe për Rrugën e Arbrit që është një katastrofë) për transformimin e Sheshit të Flamurit, për nivelin e jetesës etj. etj. Që të shtrosh probleme të tilla duhet të jesh ekspert ekonomie, jurist i klasit të parë, ekspert detar, inxhinier ndërtimi, hidroenergjitik, elektrik, historian, arkitekt, ekspert i trashëgimisë kulturore madje pilot e tankist. Të ngresh probleme e të bësh pyetje të tilla duhet të kesh me vete një grup ekspertësh ose të konsultohesh ditë e javë të tëra me ta. Kjo është e pakta që duhet bërë por meqënëse edhe KM-ja vet as që merr vesh nga këto punë, ia futin të dy kotekot muhabetit. Po marr shkurt tre probleme të ngritura në atë intervistë. Në rastin e Portit të Durrësit dhe ndërtimit të riut në Porto Romano, investime e ndërrmarje të tilla me projekte azmatikë, një shtet të dobët si Shqipëria e falimentojnë dhe e kthejnë në koloni të sipërmarrësve të huaj. Vetëm ajo që falin shqiptarët, duke bërë këtë transfertë portesh është 3,6 miliard dollarë, kundrejt investimit të supozuar prej dy milliard dollarësh të arabëve. Po Fevziu dhe një pyetje të saktë që bëri se me çfarë parash do të ndërtohet Porto Romano u ngatërrua e harroi të merrte përgjigje. Porto Romano do bëhet me paratë e shqiptarëve dhe sipas llogaritjeve të specialistëve duhen e pakta 600 deri 800 milionë dollarë amerikanë. Për Sheshin e Flamurit, filmi i paraqitur nga KM-ja me pyje e gjelbërim ku mungonin papagajtë e flamengot, ishte një prodhim 3D i shplarë, larg së vërtetës. Ishte shtuar një qylym i kuq poshtë terminalit, që lidh përmendorën me varrezat e dëshmorëve, medemek do të paraqiste gjakun e dëshmorëve. Kjo e tejkalon çdo gjë normale. Po e zemë se nuk është terminal autobuzash por stacion autobuzi si tha KM-ja i nderuar. Po aty do të kalojnë autobuzët e do të shkelin me këmbë qytetarët gjakun e dëshmorëve?! Po me kakërdhitë e deleve, kecave e dhive që bien fshatarët me vete për t’i shitur kur zbresin te stacioni, çdo të bëhet? Sheshi ndoshta ka pasur nevojë për ndonjë rregullim. Sikur KM-ja të ishte konsultuar me urbanistët, arkitektët, ambientalistët e historianët e mrekullueshëm vlonjatë, aty do të kishte dalë diçka shumë e mirë. Tani na del inxhinieri më i mirë në botë dhe kryeministri, duke mbulur kokën e madhe me duar deklaron: “ edhe unë nuk marr vesh por belgu Xavier, tha që të mos prishet se pallati i Sulos…” Po pse për vjeljen e gorricave po flitej aty? Sa për kanabisin problemi në këtë shtet rrupallhane nuk do të jetë me njerëzit por me delet, dhitë, lopët, gomerët, kuajt e pelat se bar e jonxhë nuk ka për tu mbjellë më në Shqipëri.