
Prof.Asc.Dr.Gëzim MUSTAFAJ/
Çeshtja kombëtare shqiptare, qysh nga lindja e saj, pati përballë jo vetëm pushtuesin shumë shekullor osman, por edhe shtetet e reja kufitare, ato helene, serbe, bullgare. Menjëherë apo paralel me krijimin e shteteve të tyre, në kushtet e së ashtuquajturës “Kriza Lindore”, me një përmbajtje të theksuar nacionaliste, ato përpunuan, që në vitin 1844, platformat apo programet famëkeqe të emërtuara “Megali Idhea” (Greqia), “Narçetania” (Serbia), si dhe Traktati i Shën Stefanit për (Bullgarinë). Thelbi i tyre qëndronte në përfshirjen, në përbërjen të shteteve greke, serbe dhe bullgare, të viseve të vendeve fqinje. Ambicje më të theksuara ato kishin për trojet shqiptare, ende të pushtuara nga Perandoria Osmane. Në mesin e shek. XIX, kur hartoheshin planet aneksioniste të fqinjëve, trojet me popullsi etnike shqiptare kishin një shtrirje të gjerë. Këto hapësira gjeografike me popullsi autoktone shqiptare shtriheshin:
-Në Veri deri në Nish, Leskovac dhe Vranjë;
-Në Lindje deri në Kumanovë, Perlep dhe Manastir;
-Në Jugë deri në Konicë, Janinë dhe Prevezë, përkatësisht krahinat ekstreme. (Akademia e Shkencave e RSH, “Platformë për zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare”, botim i vitit 1998, Tiranë, f. 6). Trojet me banim nga shqiptarë autoktonë, edhe pse në atë kohë, me emrin, Shqipëri, nuk njihej ndonjë ndarje administrative, ato emërtoheshin me emrat e katër vilajeteve, Kosova, Shkodra, Manastiri, dhe Janina dhe ishin ndarë nga qeveria osmane. Sipas disa studiuesve popullsia shqiptare shtrihej në një sipërfaqe prej 90.000 km. (Arben Puto, “Çështja shqiptare në aktet ndërkombëtare të periudhës së imperializmit”, Vëll. I, Tiranë 1985). Por, para Kongresi të Berlinit, që shënon edhe coptimin e madh të parë të trojeve shqiptare, i cili u shkëputi atyre rreth 25.000 km2 sipërfaqe, del se në vitin 1878, sipërfaqja me popullsi shqiptare shtrihej deri në rreth 105.000 km2.
Traktati i Shën Stefanit i 3 mars 1878, i njohur si traktati i paqes ndërmjet Perandorisë Ruse dhe Perandorisë Osmane, do ti shkëpuste Perandorisë Osmane rreth 80 për qind të zotërimeve të saj në Gadishullin Ballkanik. Synimet hegjemoniste Ruse në Evropën Juglindore, do të realizoheshin kryesisht nëpërmjet Bullgarisë së madhe autonome. Brutaliteti i politikës perandorake ruse dukej sidomos në trajtimin e problemit shqiptar. Shqiptarët nuk u trajtuan fare si kombësi më vete. Emri i tyre nuk zihej fare në gojë në Traktatin e Shën-Stefanit. Pas shkatërrimit të Perandorisë Osmane trojet shqipëtare u copëtuan midis katër shteteve. Pjesa më e madhe e tyre mbetej nën sundimin e Perandorisë Osmane kurse një mori visesh periferike u jepeshin aleatëve sllavë të Rusisë. Bullgaria do të merrte, përveç të tjerave, rrethet e Korçës, Pogradecit, Strugës, Dibrës, Kërçovës, Gostivarit, Tetovës, Kumanovës dhe Kaçanikut. Serbia do të aneksonte, viset veriore të Kosovës deri në afërsi të Mitrovicës. Mali i Zi do të përfshinte brenda kufijve të tij, ndër të tjera krahinat shqiptare të Ulqinit, Krajës, Anamalit, Hotit, Grudës, Tuzit, Kelmendit, Gucisë, Plavës dhe Rugovës, pra edhe toka të cilat nuk i kishte pushtuar ushtarakisht gjatë luftës. Kufiri i ri do të kalonte përmes liqenit të Hotit, liqenit të Shkodrës dhe lumit të Bunës. Tani tokat shqiptare do të bënin pjesë jo në katër, por në tre vilajete pasi që Vilajeti i Manastirit do të kalonte krejtësisht nën administrimin bullgar. Shqiptarët e kuptuan përmbajtjen e Traktatit të Shën Stefanit në prill të vitit 1878, kur ai u shpall zyrtarisht. Ata u informuan për copëtimin e tokave të tyre dhe territoret që do t’i kalonin Bullgarisë, Serbisë dhe Malit të Zi. Sikurse shkruante Abdyl Frashëri, më 12 prill 1878, perandori nuk do të ndalej vetëm me këtë copëtim të trojeve shqiptare. Sipas tij, Traktati i Shën-Stefanit shënonte vetëm hapin e parë drejt asgjësimit të plotë të Shqipërisë. Një vlerësim të tillë të situates e bënte edhe Sami Frashëri. Pasi vinte në dukje tendencën e Rusisë për ta shtrirë Bullgarinë deri në brigjet e Adriatikut, ai shkruante disa muaj më vonë: -“Sikurse kuptohet nga harta e Traktatit të Shën-Stefanit, (Rusia) pasi ta ketë bullgarizuar mesin e Shqipërisë, pjesët që mbeten në veri të saj, domethënë sanxhaqet e Prishtinës, Prizrenit dhe Shkodrës, do t’ia falë Serbisë dhe Malit të Zi, kurse pjesën që mbetet në jug, domethënë sanxhaqet e Prevezës, Janinës dhe Gjirokastrës do t’ia japë përkohësisht Greqisë, duke e zhdukur Shqipërinë, bile duke e fshirë atë nga harta”. (Kristo Frashëri, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, Tiranë 1997).
Në rrethanat e reja të ndërlikimit të situatës ndërkombëtare kur Rusia me aleatët e saj po përparonin, Greqia e ndjente të nevojshme vazhdimin e bisedimeve me shqiptarët. Abdyl Frashëri kishte kërkuar nga pala greke që ta tërhiqte nga delegacioni Mavromatin, sepse sipas tij ai ishte pengesë serioze për arritjen e ndonjë marrëveshje eventuale. Athina në vend të Mavromatit, dërgoi Stefanos Skuludhin i cili ishte deputet në parlamentin grek. Skuludhi arriti në Stamboli më 15 dhjetor 1877. Shumë patriotët shqiptar kishin udhëtuar nga vende të ndryshme të Shqipërisë për të marrë pjesë në bashkimin në një organizate kombëtare e cila do të formohej në Stamboll. Kjo organizatë u formua më 18 dhjetor 1877 dhe u njoh me emrin “Komiteti Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare”. Edhe këto përpjekje për lidhjen e ndonjë marrëveshje shqiptaro-greke me interesa dypalëshe dështuan. Madje urdhri nga qeveria greke dërguar Skuludhit për t’u tërhequr nga bisedimet me shqiptarët më 25 dhjetor 1877 ishte sinjal i qartë se Greqia po përgatitej të pushtonte tokat shqiptare në Jug.
Kongresi i Berlinit i 13 qershor 1878, me rend dite rishikimin e Traktatit të Shën-Stefanit, midis 6 Fuqive të Mëdha të Evropës: Gjermania, Anglia, Franca, Rusia, Austro-Hungaria dhe Italia. Sipas procedurës së vendosur paraprakisht, vendimet do të merreshin njëzëri. Punimet e Kongresit të Berlinit i drejtoi kancelari gjerman, Otto Bismark. Në punimet e Kongresit të Berlinit mori pjesë edhe një delegacion qeveritar i Perandorisë Osmane, i kryesuar nga ministri i saj i Jashtëm, Kara Theodhor Pasha, me ndihmës të parë Mehmet Ali Pashën, një mareshal turk me origjinë gjermane. Por delegacioni turk nuk kishte të drejta të barabarta me ato të Fuqive të Mëdha. Me ftesën e Fuqive të Mëdha, shtetet ballkanike (Serbia, Greqia, Bullgaria, Rumania, Mali i Zi) dërguan në Berlin delegacionet e tyre qeveritare, të cilat parashtruan dhe mbrojtën në seanca të veçanta të Kongresit kërkesat e tyre politike e territoriale. Shqiptarët, sidomos organizmat e Lidhjes së Prizrenit, i parashtruan Kongresit të Berlinit kërkesat e tyre. Në dhjetëra peticione e memorandume të dërguara gjatë muajve qershor-korrik 1878, përveç protestave kundër lakmive pushtuese të shteteve fqinje, që cenonin tërësinë territoriale të Shqipërisë, parashtrohej edhe kërkesa për t’i dhënë Shqipërisë disa të drejta autonomie. Megjithatë, Fuqitë e Mëdha, nuk i morën parasysh këto kërkesa të shqiptarëve. Si rrjedhim, çështja shqiptare nuk u përfill fare si çështje më vete nga Kongresi. Punimet e Kongresit të Berlinit vijuan plot një muaj, ato përfunduan më 13 korrik 1878 me nënshkrimin e Traktatit të Berlinit, i cili zëvendësoi atë të Shën-Stefanit. Ashtu si Traktati i Shën-Stefanit që nuk e pa Shqipërinë si një njësi politike të veçantë, por e trajtoi si një plaçkë tregu të destinuar për të përmbushur synimet e Fuqive të Mëdha dhe për të kënaqur lakmitë e shteteve ballkanike, Traktati i Berlinit nuk i njohu Shqipërisë asnjë të drejtë kombëtare, madje nuk e zinte fare në gojë emrin e saj. Ai nuk e respektoi as tërësinë e saj territoriale.
Kuvendi i Lidhjes së Prizrenit, më 10 qershor 1878 do të hapi dyert për të pritur delegatët, të cilët do të vinin nga të katërt Vilajetet e Shqipërisë: Shkodrës, Manastirit, Janinës dhe Kosovës. Edhe pse fraksione të ndryshme penguan organizimin e kësaj mbledhjeje dhe një pjesë e mirë e të ftuarve arritën me vonesë, kuvendi i nisi punimet. Dy ishin rrymat kryesore që u debatuan: atdhetarët të cilët mbrojtën idenë e një bashkimi kombëtar dhe territorial, dhe fraksionet osmane të cilët ushtronin presionin që edhe nëse Shqipëria do të funksiononte veç administrativisht, sërish të varej nga Porta e Lartë. Kuvendi, i cili themeloi lidhjen e parë mbarëshqiptare zgjati 5 ditë dhe numri i delegatëve shkoi në 110. Abdyl Frashëri në fjalen e tij do theksonte: -“Qëllimi i Kuvendit është që t’ua presim hovin armiqve të pashpirt, duke lidhur besën shqiptare dhe duke u betuar që t’i mbrojmë me gjak trojet që na kanë lënë gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë”.
Në mars të vitit 1903 mijëra shqiptarë të armatosut u grumbulluan në rrethinat e Prizrenit e të Mitrovicës dhe zunë gjithë zonën midis Gjakovës e Pejës. Rreth 5000 kryengritës u mblodhën në Drenicë, ku nën drejtimin e udhëheqësve të tyre Ahmet Delia, Ukë Kamberi etj., mbajtën në fushë të Morinës kuvendin e tyre, në të cilin u kërkua nga qeveria turke të hiqte dorë nga reformat që rrezikonin tërësinë e Shqipërisë dhe të dëbohej konsulli rus nga Mitrovica. Karakter të ashpër morën ngjarjet në rrethet e Mitrovicës, ku në mars 1903 u përqëndruan 2000-3000 kryengritës, të cilët, ashtu si në Kuvendin e Drenicës, protestuan kundër “reformave që po dëmtonin interesat e atdheut”.
Revolucioni xhonturk nuk solli lirinë e premtuar për shqiptarët dhe popujt tjerë që ishin nën sundimin e Perandoris Osmane, përkundrazi forcoi atë, duke e centralizuar edhe më shumë pushtetin qëndror. Lëvizja kombëtare me në krye Ismail Qemalin, Hasan Prishtinën, Luigj Gurakuqin, Bajram Currin, etj, gjatë viteve 1909-1911 organizuan kryengritje të armatosur në të gjitha viset etnike shqiptare, të cilat u shtypën me gjak nga ekspeditat ushtarake xhonturke.
Më 12 janar 1912 në Stamboll u mbajt një mbledhje e krerëve të lëvizjes kombëtare, ku u vendos që në të 4 Vilajetet shqiptare të organizohet një kryengritje e përgjithshme. Kjo kryengritje të fillonte në Kosovë e pastaj të zgjerohet edhe në krahinat tjera të Shqipërisë. Hasan Prishtina u ngarkua, të organizonte kryengritjen e përgjithshme, ndërsa Ismail Qemali të siguronte armë dhe përkrahjen diplomatike nga shtetet evropiane. Këto kryengritje i dhanë goditje të reja sundimit pesë shekullorë turk. Nga këto zhvillime, gjatë verës së vitit 1912 në Ballkan perandoris turke po i vinte fundi. Me çështjen shqiptare si gjithmon do të merreshin edhe fuqitë e mëdha. Austro-Hungaria, duke e parë Shqipërinë si një barrjer për zgjerimin e sllavëve në Ballkan, filloi t’i bëjë trysni Turqisë që të tregojë më tepër mirëkuptim për kërkesat e parashtruara nga shqiptarët.
Ky propozim do të kundërshtohej me force nga Rusia, e cila me planet e saj ogurzeza, synonte që tërë Ballkanin ta bënte sllavo-ortodokse dhe për fat të keq në këtë drejtim ajo kishte përkrahjen e Francës dhe të Anglisë. Duke pare këto zhvillime Porta e Lartë reagoi duke deklaruar se çështja shqiptare është “çështje e brendshme e Turqisë” dhe për të dëshmuar këtë, përfaqësuesi turk, ndryshon rrënjësisht pikat e marrëveshjes të arritur me krerët shqiptar, më 18 gusht 1912 në Shkup. Këto i hapën rrugë aleances së shteteve ballkanike (Serbisë, Malit të Zi, Bullgarisë dhe Greqisë) për pushtimin dhe coptimin e tokave shqiptare. Diplomacia ruse me në krye carin Nikollajin e II, ishte shumë e interesuar që sa më parë të nënshkruhet aleanca luftarake në mes Bullgarisë e Serbisë, për ndarjen e Shqipërisë etnike. Pas shumë takimesh midis kryeministrit serb Milovanoviq dhe atij bullgar Geshov, me ndihmën e Rusisë, më 13 mars 1912, Serbia lidhi një aleanc “Traktat miqësie” me Bullgarinë, ku synim parësor kishin kundërshtimin e formimit të çfarëdo shteti shqiptarë në Ballkan dhe coptimin e tokave shqiptare. Krahas bisedimeve serbo-bullgare u zvilluan edhe bisedimet bullgaro-greke, të cilat përfunduan më 29 maj 1912 me nënshkrimin e një marrëveshjeje mbrojtëse në rast sulmi nga ana e Turqisë. Lëvizja kombëtare shqiptare e vetmuar dhe pa asnjë përkrahje politike nga shtetet e pavarura të Ballkanit dhe Fuqitë e Mëdha nuk kishte shumë mundësi për zgjedhje në veprimet e saj politike. Shtetet ballkanike me çdo kusht përpiqeshin të pengonin aktivitetet dhe luftën e shqiptarëve për çlirim kombëtar. Patriotët shqiptar edhe më tutje gjendeshin para një dileme e cila iu afronte dy mundësi: E para, të rreshtoheshin përkrah popujve të krishterë të Ballkanit të cilët e mohonin ekzistencën e popullit shqiptar dhe pretendonin ta copëtonin territorin e Shqipërisë dhe e dyta, të rreshtoheshin përkrah sulltanit dhe të mundoheshin të përfitonin disa nga kërkesat e tyre. (Georges Castellan, Histori e Ballkanit (shekulli XIV-XX), Tiranë 1991, f. 381).
Fillim viti 1912 nisi me probleme të vjetra të pazgjidhura në trojet shqiptare. Marrëdhëniet në mes shqiptarëve dhe qeverisë osmane jo vetëm që nuk kishin shënuar përmirësime, por ishin ndërlikuar edhe më tepër duke hyrë kështu në një rrugë njëdrejtimëshe pa mundësi reale për t’u riparuar. Vilajeti i Kosovës si zonë më e rëndësishme gjeostrategjike, për shkak të rrethanave të krijuara ishte në qendër të vëmendjes jo vetëm të shteteve ballkanikë, por edhe të Fuqive të Mëdha. Serbia për të formuar shtetin e vet vranë e masakruan si dhe shpërngulën me dhunë popullsinë shqiptare të Kosovës. Beogradi i Pashiçit synonte që “Serbia të bëhej shtet i pastër, thjesht serb, nacional”. Planet e shfarrosjes së shqiptarëve dallohen qartë kur gjeneralët serbë pranonin haptazi se “ne i linim të qetë turqit, por vramë sa mundëm ç’qenë shqiptarë”. Synimi i ushtrisë serbe ishte: “Të shfarosim shqiptarët!” dhe kudo shkelën serbët, në fshatrat e qytetet e Kosovës dhe të gjithë Shqipërisë, ata mbollën vdekje e shkatërrime. Sekretari i Pashiçit shkruante: “në rrugën midis Prizrenit dhe Pejës kishte vetëm fshatra të djegura, ndërsa banorët e tyre ishin masakruar”. Vetëm në dy muajt e parë të luftës, në tetor-nëntor 1912, u vranë 25.000 shqiptarë. Vrasja e shqiptarëve ishte programuar zyrtarisht nga Beogradi, që kishte urdhëruar “të mos lihej asnjë gjurmë shqiptare në ato vise”. Qytete të tëra, si Prishtina, Vuçiterna, Ferizaj, Gjilani, Kumanova, Presheva, Prizreni, Peja etj., iu nënshtruan shkatërrimeve. Në Pejë në tetor, nëntor 1912 vriteshin çdo ditë 25 shqiptarë. Pas pushtimit të Ferizajt, u vranë 1200 veta. Serbet pasi shtypën qëndresën e 2 000 lumjanëve në Kukës, në tetor 1912, masakruan 700 veta në Lumës, duke përfshirë pleqtë, gratë, fëmijët e madje edhe ata të sapo lindur që u therrën ose u dogjën të gjallë në shtëpitë e tyre, dogjën e rrafshuan pothuajse të gjitha fshatrat e Lumës. Në shumë fshatra të Kosovës nuk mbeti i gjallë asnjë njeri. Në territorin midis Kumanovës e Shkupit, u vranë 3000 veta, nga të cilët 2000 në Shkup dhe rrethinat e itj, ku u arrestuan edhe krerë të lëvizjes shqiptare. Masakra të mëdha u bënë në Malin e Zi, ku u dogjën 29 fshatra shqiptare. Pushtimi u shoqërua me shpërngulje e 150.000 shqiptarëve vetëm gjatë Luftës së Parë Ballkanike.
Në këto rrethana Lëvizja Kombëtare Shqiptare, duke parë qartë dobësimin e Perandorisë Osmane dhe rrezikun që u kërcënohej trojeve shqiptare nga qarqet shoviniste fqinje, po përgatitej për organizimin e kryengritjes së përgjithshme, si e vetmja rrugë për të detyruar qeverinë osmane tu njohë shqiptarëve të drejtat e tyre. Më 14 tetor 1912 në Shkup, në shtëpinë e atdhetarit Sali Gjuka, Komiteti “Shpëtimi” që në popull njihej si “Komiteti i Shpëtimit Kombëtar” dhe organizata,“Shoqëria e Zezë për Shpëtim” mbajtën një Kuvend të jashtëzakonshëm. Kuvendi më 16 tetor 1912 në Shkup ia dorëzoi konsullatës austro-hungareze dhe gjermane një proklamatë, ku thuhet: ”…Serbia ,Bullgaria, Greqia dhe Mali i Zi kanë shpallur luftë me qëllim të zgjerimit tokësorë ose për përhapjen e ndikimit politik, prandaj edhe ne shqiptarët po rrokim armët për të mbrojtur tokën tonë. Përveç kësaj vemë në dijeni Fuqitë e Mëdha se nuk do të njohim emërtime të tilla si,“Stara Serbija” (Serbia e vjetër”dhe “Epir”, ose forma politike dhe administrative të posaçme lidhur me disa pjesë përbërëse të atdheut tonë”. Ndërkohë edhe përfaqësuesve diplomatik rus, francez, anglez dhe atyre italianë u është dorëzuar një proklamatë me vulë të “Shoqërisë së Zezë për Shpëtim”, në të cilën thuhet: “Shqipnia i ka rrokur armët jo për me forcue dominacionin e Turqisë në Ballkan, por për me i dalë zot tanësisë tokësore e lirisë së Shqipnisë. Pra, qysh prej sodit po ju deklarojmë se sido që të jetë fati i armëve, shqiptarët nuk kanë me pranue për katër vilajete veç se një formë politike e një formë sundimi, dmth një formë të vetme qeverisjeje”. Në këtë situate erdhi Kombi Shqipëtarë deri në diten e Pavarsisë.
Pamvarsisht kalvarit të gjatë shumë shekullorë, sot në këtë 113-vjetor të shpalljes së pavarsisë, më tepër se kurr duhet të kërkohet një unifikim Shqiptarë për çeshtjet kombëtare. Pozita gjeografike, dinamika etnografike dhe gjeopolitika e shndërrojnë faktorin shqiptar në një nyje qendrore drejt Europës, së bashku dhe si pjesë dinjitoze e Gadishullit Ballkanik. Sfida më e madhe është bashkëpunimi dhe integrimi i gjithanshëm ekonomik, kulturor, shkencor, financiar, në fushat prioritare energjetike, arsimore, lëvizjes së lirë, tregut të lirë e të hapur të përbashkët etj., mbi bazën e marrëdhënieve midis dy shteteve shqiptare, sovrane, të barabartë e në dobi të të gjithë shqiptarëve kudo në rajon, në frymën e parimeve ndërkombëtare e europiane dhe të prosperitetit kombëtar të shqiptarëve, në Ballkan, drejt të njëjtit objektiv; të integrimit në strukturat euroatlantike, pse jo ta themi hapur edhe si një komb i vetëm.